Demokracia dhe korrupsioni: një filozofi e barazisë

/Alain Badiou/

Padyshim që njëra prej arsyeve motivuese për ata që nuk donin të shihnin njerëz si Sarkozia në krye të shtetit, dhe nuk duan t’i shohin të rikthehen në të, ishte atmosfera e padurueshme e matrapazllëkut që rrethonte veprimtarinë e tyre midis viteve 2007 dhe 2012 (koha kur Sarkozia ishte president). Sidoqoftë, ç’prej rikthimit të socialistëve në pushtet, çështja Cahuzac dhe lidhjet e dyshimta midis personelit qeveritar dhe botës së biznesit kanë dalë sërish në qendër të vëmendjes. Dhe, me të vërtetë, Holandi duket se i ka shndërruar njerëzit e CAC 40 (bursës së Parisit) në bashkëbiseduesit e tij të privilegjuar.

Në fakt, korrupsioni është shndërruar në temë dite të politikës franceze që prej vitit 1980, me mësymjen e valës kundërrevolucionare të kapitalizmit global gjatë qeverisjes së Miteranit, që ndoqi pas Theçerin në Britani dhe Reganin në SHBA – Miterani i cili arriti të shpëtonte, siç thoshte vetë, nga të vetmit kundërshtarë të tij historikë të vërtetë, domethënë nga komunistët e të gjitha prirjeve.

A është kjo një çështje e re? E kohëve të fundit? Ç’rol luan korrupsioni në rreziqet me të cilat përballet demokracia? Më 2002-shin, ekzistonte prirja për t’i kundërvënë Shirakut (e hamendësuar) të korruptuar Zhospenin e virtytshëm. As lëvdatat, as denoncimet nuk i ndalën palët së pasuri kokëçarje gjatë raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale.

Mirëpo padyshim që kjo pyetje duhet kapur prej shumë kohe më parë dhe duhet ngritur në një nivel më të lartë.

Ia nisim prej 1793-shit, me Revolucionin Francez në rrezik. Sen-Zhysti pyeste: ‘Çfarë duan ata që nuk pranojnë as terrorin, as virtytin?’ Pyetje frikësuese, megjithëse termidorianët dhanë një përgjigje mjaft të qartë: Ata duan korrupsion. Ata donin që të pranohej si normale një dozë e shëndetshme pasurimi individual, spekulimi me monedhën dhe dredhia. Përkundër diktaturës revolucionare, ata donin ‘lirinë’, domethënë të drejtën për të vazhduar aferat e tyre dhe për t’i përzier këto afera me punët e shtetit. Kësisoj ata mbajtën një qëndrim të ashpër si kundër shtypjes ‘terroriste’ dhe ‘liberticide’ të kombinacioneve meskine, ashtu edhe kundër detyrimit të virtytshëm për të marrë në konsideratë vetëm të mirën publike.

Që më parë Monteskjeja vërente se duke i dhënë gjithkujt një copë të vogël autoriteti, demokracia mund të prekej nga ngatërrimi i interesave private me të mirën publike. Ai e ngrinte virtytin si karakteristikë të domosdoshme të një qeverisjeje të tillë. Të mandatuar pa asnjë garanci tjetër veç votës, njerëzit në krye të qeverisë disi duhet ta harronin veten dhe ta ndrydhnin sa të ishte e mundur dëshirën për ta ushtruar pushtetin vetëm në funksion të jouissance-ës personale, apo jouissance-ës së qarqeve drejtuese (domethënë, si rëndom, pasanikëve).

Në të vërtetë kjo ide mund të gjendet që te Platoni. Në kritikën e tij radikale ndaj sistemit demokratik, Platoni vërente se një regjimi të tillë i duhej t’i përshtatej anarkisë së dëshirave materiale. Për pasojë, një qeveri demokratike e ka të pamundur t’i shërbejë ndonjë ideje të vërtetë, sepse nëse autoriteti publik punon në shërbim të dëshirave dhe plotësimit të tyre, duke i shërbyer mbramësisht ekonomisë (në kuptimin më të gjerë të fjalës), atëherë ajo do t’i nënshtrohet vetëm dy kritereve: pasurisë, që përbën mjetin abstrakt të plotësimit më të qëndrueshëm të kësaj dëshire; dhe opinionit, që përcakton objektet e dëshirës dhe besimin e fuqishëm se ato duhen përvetësuar.

Revolucionarët francezë nuk ishin demokratë, por republikanë – në kuptimin aktiv dhe të stuhishëm të fjalës, dhe jo në kuptimin konsensual, plot dyshime që mbart sot, çka shprehet prej ‘paktit republikan’ nga e djathta ekstreme tek e majta ekstreme, që e zhvesh nga kuptimi fjalën. Revolucionarët e përdornin fjalën ‘korrupsion’ për të shënjuar praktikën e pushteti qeveritar që i nënshtrohej kërkesave të biznesit dhe opinionit që u shërbente interesave të veçanta. Sot ne jemi – edhe më shumë tani që po përjetojmë krizën ekonomike – aq të bindur se objektivat parësorë të qeverisë janë rritja ekonomike, standardet e jetesës, bollëku i tregut, rritja e çmimeve të aksioneve, rrjedhja e kapitalit dhe begatia e përhershme e pasanikëve, saqë nuk e kuptojmë në të vërtetë se ç’kanë dashur të thonë revolucionarët me fjalën ‘korrupsion’. Kjo fjalë nuk i referohej edhe aq faktit se ky apo ai person është pasuruar duke shfrytëzuar postin publik, por konceptimit të përgjithshëm apo opinionit se synimi i veprimit politik ishte pasurimi, kolektiv a privat qoftë. Versioni më i thjeshtë i asaj që revolucionarët e viteve 1792-1794 quanin ‘korrupsion’ u paraqit, padyshim, më vonë, gjatë Restaurimit, kur udhëheqësi borgjez Gizo nuk gjeti parullë më të mirë sesa e famshmja: ‘Enrichissez-vous!’

A kemi tjetër parullë sot?! A nuk po përjetojmë restaurimin e frikshëm global të kapitalizmit më të ashpër e të kulluar?! A nuk duket ashiqare mbarë botës që gjendja e ekonomisë përcakton sjelljen zgjedhore, e për pasojë gjithçka sillet rrotull kapacitetit që së paku t’i bëjë qytetarët e zakonshëm të besojnë se punët do të shkojnë më mirë për botën e biznesit, të vogël e të madh, nëse ata votojnë ose votojnë sërish për ju?! Të rrisin pritshmëritë mbi ‘kthimin kimerik të rritjes’?! E kësisoj të kuptojnë se politika nuk është tjetër veç ajo që plotëson interesat e subjekteve?!

Nga ky këndvështrim, korrupsioni nuk përbën rrezik për demokracinë, në mënyrën se si ajo funksionon. Ai përbën thelbin e saj. Në janë ose jo të korruptuar personalisht politikanët, në kuptimin e përditshëm të fjalës, nuk ka pothuajse asnjë ndikim mbi këtë korrupsion thelbësor. Kështu që Zhospeni dhe Shiraku, në këtë kuptim, ishin njësoj, dhe duket se sot, gjithashtu, duhet të bëjmë të njëjtin krahasim midis Sarkozisë dhe Holandit.

Në ag të demokracisë përfaqësuese evropiane, Marksi vërente se qeveritë e zgjedhura asisoj bazoheshin thjesht – siç shkruante ai – ‘në fuqinë e kapitalit’. Diçka e tillë është shumë më e vërtetë sot sesa asokohe! Nëse demokracia është përfaqësim, atëherë ajo e merr formën pikësëpari nga sistemi i përgjithshëm. Thënë ndryshe, demokracia zgjedhore nuk është edhe aq përfaqësuese, por është përfaqësuese konsensuale e kapitalizmit, që sot është riquajtur ‘sistem i tregut’. Kjo përbën korrupsionin e saj themelor, dhe jo pa arsye një mendimtar humanist si Marksi, ky filozof iluminist, mendonte se e vetmja gjë që mund t’i kundërvihej kësaj ‘demokracie’ ishte një diktaturë tranzitore, të cilën e quajti diktaturë të proletariatit. Term i fortë, por gjithsesi një term që sqaronte ndërlikimet e dialektikës midis përfaqësimit dhe korrupsionit. Për më tepër, edhe sot e kësaj dite nuk është vërtetuar se heqja dorë nga shprehja ‘diktaturë e proletariatit’ u ka sjellë ndonjë të mirë prirjeve të ndryshme komuniste. Jo më kot mësuesi im, filozofi i madh Louis Althusser dhe dishepulli i tij Étienne Balibar nuk e kishin gabim kur iu kundërvënë kësaj dorëheqjeje. Fundja, historikisht ajo është parë më shumë si provë e dobësisë së komunistëve, madje edhe si lajmërim i zhdukjes së tyre, sesa si konvertim i sinqertë në demokraci.

Në të vërtetë, problemi qëndron në përkufizimin e demokracisë. Nëse jemi të bindur, si termidorianët dhe pasardhësit e tyre liberalë, se demokracia qëndron në të drejtat e pakufizuara të pronës private dhe veprimtarinë e lirë të interesave individuale dhe grupore, atëherë do të shohim se si demokracia bie, ndër epoka, pak a shumë me shpejtësi në humnerën e korrupsionit më të pashpresë. Mirëpo demokracia e vërtetë është diçka krejt e ndryshme. Ajo është barazia përpara Idesë, Idesë politike. Për shembull, për një kohë të gjatë kjo nënkuptonte Idenë revolucionare ose komuniste. Idenë se një vizion i çinteresuar i njerëzimit mund të mishërohej në një politikë emancipuese. Kjo përbën shkatërrimin e Idesë që e identifikon demokracinë me korrupsionin e përgjithshëm.

Despotizmi i një partie të vetme (i quajtur si mos më keq totalitarizëm) nuk ishte armiku i demokracisë, për aq sa përmbylli sekuencën e parë të Idesë komuniste. E vetmja çështje e vërtetë është të hapet një sekuencë e dytë e kësaj Ideje, që ta bëjë mbizotëruese ndaj ndërveprimit të interesave, duke përdorur mjete t të tjera nga terrorizmi burokratik, pa u përbashkuar gjithsesi rreth demokracisë së bazuar mbi pushtetin e kapitalit. Na duhet një përkufizim dhe praktikë e re e asaj që quhej diktaturë (e proletariatit). Madje edhe – dhe është e njëjta gjë – një përdorim politik i ri i fjalës ‘virtyt’.

Me këto tema, ndër pak të tjera, do të merrem në një libër që pritet të botohet këtë vit, të titulluar ‘Ringjallja e komunizimit’. Jam i bindur se pikërisht kjo është një ngjarje planetare – në mendim dhe veprim – për të cilën duhet të përgatitemi, ngjarja e cila e vetme do ta nxjerrë historinë e njerëzimit dhe demokracisë-përmbi-tregun jashtë moçalit të korrupsionit.

Përkthyer nga: Arlind Qori

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.