Radiografi e jetës universitare

/Arlind Qori/

– “Mos u shqetësoni, asgjë s’ka ndryshuar!”

– “Prandaj është për të vënë duart në kokë. Deri tani…”

Më gjithë largimin masiv të popullsisë, sidomos të të rinjve, mbi 100’000 studentë kanë nisur sot vitin e ri akademik. Që të ri, në fakt, ka vetëm numrin në kalendar. Për të kuptuar pse nuk po ndryshon asgjë nevojitet një radiografi e forcave përbërëse të jetës universitare dhe atyre që veprojnë mbi jetën universitare.

Zgjedha ligjore

I fundit ndryshim i tentuar në jetën universitare – për së keqi – ka qenë ligji i arsimit të lartë, i miratuar më 2015 pas një vale të madhe protestash dhe kundërshtimesh publike. Sidoqoftë, zemra e ligjit, skema e shpërndarjes së fondeve qeveritare, nuk ka hyrë akoma në zbatim. Për kujtesë, kjo skemë parashikon që fondet publike të mos u shkojnë më vetëm universiteteve publike, por për to të hyjnë në garë edhe universitetet private dhe kafsha e çuditshme e quajtur “universitet publik i pavarur”, që s’është hiç më pak se ujqit privatë fitimprurës të veshur me petkun e deles jofitimprurëse. Nga leximi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 75 të shkurtit të këtij viti nuk arrin të kuptosh nëse qeveria është tërhequr de facto nga financimi i privatëve, duke u akorduar vetëm fondin e kërkimit shkencor dhe atë të mbështetjes së studentëve ekselentë, apo është e vendosur ta çojë logjikën e ligjit deri në fund duke u fshehur pas termit “universitet publik” kë të mundet.

Nga ana tjetër, pavarësisht ankesave të universiteteve publike për mungesë fondesh dhe pakënaqësisë studentore për tarifat e larta, qeveria nuk e ka shtuar financimin për universitetet publike. Me fondet e akorduara nga shteti universitetet mund të paguajnë vetëm një pjesë të rrogës së pedagogëve dhe asgjë tjetër. Për pjesën tjetër të rrogave dhe çfarëdo investimi – nga zgjerimi i mjediseve te shkumësat e klasave – duhet të paguajnë studentët. Çka shpjegon pse tarifat janë të larta.

Sidoqoftë, elementi i parë i ligjit që hyri në fuqi ishte reduktimi i peshës studentore në qeverisjen universitare. Nga 20% i parëndësishëm i votës që studentët gëzonin përpara vitit 2015, me ligjin e ri gëzojnë vetëm një 10% mjeran. Kështu që vota e një pedagogu peshon një qind a më shumë-fish se vota e një studenti. Nuk është për t’u çuditur pastaj se në zgjedhjet për dekanë dhe rektorë të vitit 2016 numri i studentëve pjesëmarrës ishte jashtëzakonisht i ulët dhe, si ngaherë, kandidatët garuan me njëri-tjetrin se kush i shtrin tentakulat e klientelës më shumë në trupën e vogël pedagogjike. Rezultati? Çifligarizimi i universiteteve publike vazhdon i pashqetësuar, kurse studentët nuk gjejnë të drejtën e tyre as kur kërkojnë diçka të thjeshtë si p.sh. kthimi i oborrit të Fakultetit të Shkencave Sociale në vend pushimi studentor nga parkim siç është aktualisht.

Si të mos mjaftonte ky diskriminim ligjor, drejtuesit e universiteteve publike kanë bërë çmos që edhe një të mirë – mes mijëra të këqijave – që ka ligji i arsimit të lartë të mos e vënë në zbatim. Ligji kërkon që universitetet të kryejnë anketa të vazhdueshme me studentët ku ata të shprehin vlerësimin e tyre sidomos për mënyrën e mësimdhënies dhe përgjegjësitë e tjera të pedagogëve dhe stafit administrativ. Mirëpo kjo nuk ka ndodhur pothuajse asgjëkund. Pas pretendimit feudaluc se “u bë studenti të më vlerësojë mua!” fshihet një mizëri abuzimesh të vogla të sa e sa pedagogëve. Ndërkohë që studenti nuk është as subjekti kushtetimor i universitetit, madje as klienti që në fund jep një mendim për mallin që konsumon.

Skema e aplikimit dhe regjistrimit të studentëve, ndërkaq, vazhdon të prodhojë problemet e vjetra. Ndonëse është shmangur kaosi kriminal i shtator-tetorit 2016, procesi vazhdon të jetë i anshëm, jomeritor dhe joracional. 1. I anshëm sepse vazhdon loja me dy rregulla për universitetet publike dhe privatët. Nëse të parët i rendisin studentët sipas notës mesatare, të dytët nuk bëjnë asnjë lloj renditjeje. Çka do të thotë se në universitetet publike nëse nuk regjistrohesh në fazën kur je shpallur fitues, e humb përkohësisht ose përherësisht të drejtën e regjistrimit. Kurse në universitetet private mund të bësh ç’të duash. Mund t’i hipësh furgonit në çdo kohë, madje të kërcesh në të edhe në ecje e sipër. 2. Jomeritor sepse ua pamundëson studentëve të bëjnë një zgjedhje të sigurt. Kur shpallet fitues në një degë, secili duhet të hedhë zaret e fatit e të vendosë nëse ia vlen të presë se mos kushedi më vonë fiton një degë tjetër më të preferuar – me rrezikun që humb edhe degën që ka fituar, edhe atë që po pret – apo të regjistrohet për siguri në degën e parë. Fundi i procesit tregon gjithmonë se janë të shumtë studentët me mesatare të lartë që kanë përfunduar në degë të papëlqyera për ta, ndërkohë që vendet e tyre në degët e pëlqyera i kanë zënë studentë me mesatare më të ulët vetëm se këta të fundit kanë rrezikuar më shumë apo s’kanë pasur ç’të humbin. 3. Joracional sepse në fund të procesit ndodh gjithmonë që të ketë qindra, në mos mijëra, studentë të mbetur pa shkollë dhe po aq vende të lira në universitetet publike. Për shembull, pasi është mbyllur faza e fundit e regjistrimeve, në Universitetin e Tiranës ka ende 910 vende bosh.

Buro-çifligarët

Një prej sëmundjeve më të hershme të universiteteve publike në Shqipërinë e dekadave të fundit ka qenë se tërheqja e qeverisë nga administrimi i drejtpërdrejtë i jetës universitare nuk ka prodhuar demokracinë e shumëpritur universitare, por çifligarizimin e saj. Pesha e papërfillshme e votës studentore dhe tulatja e një pjese të konsiderueshme të pedagogëve i ka vendosur këta të fundit, në rang fakulteti dhe universiteti, në një zinxhir senjorësh dhe vasalësh që përfundon me kryeçifligarët në krye të universitetit dhe fakulteteve. Bujkrobërit në këtë rast – nëse më lejohet ta çoj deri në fund metaforën – janë studentët që përmes ekonomisë së parasë dhe të ndereve duhet të kontribuojnë në ruajtjen e hierarkisë feudale. Po meqë universiteti nuk është i shkëputur nga ndikimet politike kryeçifligarët tanë nuk janë tërësisht të mëvetësishëm. Ata ruajnë marrëdhënie partneriteti apo gjysmëvasaliteti me elitën politike të të gjitha krahëve, duke ndërruar krah sipas nevojës. Aq të forta janë këto marrëdhënie feudale, saqë një koleg me ironi thotë se në universitet s’ka ndodhur akoma revolucioni “demokratiko-borgjez”.

Sidoqoftë, pas zgjedhjeve të 2016 ujërat janë trazuar së paku në Universitetin e Tiranës. Rektori i zgjedhur Mynyr Koni – shumëkush asokohe pëshpëriste se ishte produkt i pararendësit të tij edhe më të fuqishëm Dhori Kule – hyri shpejt në konflikt me ish-senjorin e tij, duke sjellë kësisoj në formimin e dy kampeve çifligarësh. Pasojë e kësaj lufte feudale nuk ka qenë vetëm bllokimi i jetës normale universitare (në fakultetin ku punoj prej më se një viti nuk ka bojë printeri, për të mos folur pastaj që edhe një dokument themelor si statuti i universitetit është miratuar  me vonesë dhe rrezikon sërish akreditimin e plotë të universitetit), por edhe spektakli i padenjë mediatik i sherreve të tyre, ku secili kërkon ndihmën e qeverisë për të ndarë shapin nga sheqeri.

Ndonëse duket se kampi i Kules i ka varur më shumë shpresat te qeveria që të heqë Konin, kurse ky i fundit tek opozita dhe Presidenti, përveç skërmitjes gjysmërrugaçërore të Ramës në takim me çifligarët universitarë, asgjë nuk ka ndryshuar.

Emri i kontradiktës: pedagogët

Nëse ka trupë universitare më të dallueshme së brendshmi, deri edhe në kontrast të thellë, ata janë pedagogët. Në fillim të viteve 2000 kam qenë vetë student në Universitetin e Tiranës. I ndaja pedagogët në një pakicë frymëzuese deri në pikën që fjala e tyre do të më jepte guxim të “hipja në majë të Akropolit për të çjerrë flamurin nazist” dhe një pakice pak më të gjerë edepsëzësh dhe/ose injorantësh që meritonin t’i zboje me çdo mjet nga universiteti. Midis këtyre dy pakicave gjendej një shumicë pedagogësh të rregullt, mesatarë, disi të përgjegjshëm, por gjithsesi të lodhur e të pamotivuar. Nga bisedat me studentët kam kuptuar se raporti i mësipërm nuk ka ndryshuar fare.

Po fokusohem te kategoria e dytë, tek ata p.sh. që nga kontakti me shumë studentë në kuadrin e Lëvizjes Për Universitetin kemi kuptuar se jo vetëm marrin para për notë, por edhe janë të zhytur kokë e këmbë në imponimin e blerjes së librave të tyre nga studentët. Tregtia e pacipë e librave nga kjo kategori pedagogësh është bërë forma më brutale e zhvatjes studentore. Pedagogu – i thënçin në këtë rast – hyn në klasë, prezanton librin e tij me çmim marramendës, pastaj u bën moral studentëve që nuk duhet të guxojnë ta fotokopjojnë, pavarësisht se libri nuk gjendet në biblioteka; dhe në fund, diku drejtpërdrejt e diku nënkuptueshëm, i kërcënon që nëse nuk e blejnë të gjithë ai/ajo do të hakmerret te nota. Mendon njeriu se si i vetmi vend ku këta duhet të japin mësim është shkolla e burgut.

Edhe kësaj pakice abuzuese deri në kufijtë e veprës penale, universitetet publike vuajnë nga ajo që mund ta quajmë lufta e brendshme për orë dhe lëndë. Ndonëse mendoj se për nivelin e zhvillimit të Shqipërisë dhe kontributin që japin në shoqëri rrogat e pedagogëve janë edhe më të larta se ç’duhet, shumëkush bën llogari dhe sheh që nuk i dalin paratë në fund të muajit. Dikur ekzistonte bahçja e privatit, ku shumëkush shkonte të jepte ndonjë lëndë si pedagog i jashtëm dhe kështu i siguronte vetes një gjysmë rroge shtesë. Sot ajo bahçe është mbyllur dhe është kthyer në plantacion skllevërish dhe punëtorësh intelektualë me mëditje.

Në pamundësi për t’u organizuar – prej frikës apo narcisizmit – dhe për t’i kërkuar qeverisë rritjen e rrogave dhe të fondeve për universitetet publike, një pjesë e konsiderueshme pedagogësh kërkon ta nxjerrë gjysmërrogën e famshme në kurriz të studentëve, duke u fryrë me lëndë të reja si bretkosa me ujë. Disa vite më parë ekzistonte një rregull i brendshëm që përcaktonte se të pagueshme ishin vetëm 30% e orëve mbi normën vjetore. Çka i shtynte pedagogët të mos merrnin më shumë se një lëndë mbi normën. Sot ky tavan thuajse nuk ekziston. Në udhëzimin e ministrisë për llogaritjen e re të orëve mësimore, norma vjetore është përcaktuar 165 orë (për lektorët), mirëpo thuhet se orët e pagueshme mbi normën mund të shkojnë deri në 200. Madje, në raste të veçanta, mund të rritet edhe me 100 orë të tjera. Merrni rastin normal të një lënde semestrale që ka rreth 75 orë. Kush bën edhe 200 orë shtesë i bie të marrë përsipër afërsisht 5 lëndë në vit. Po i shtuam edhe 100 e rasteve të veçanta shkohet në 6 lëndë. Tani, si dreqin mundet një njeri t’i dalë zot punës pedagogjike dhe studimore në 6 lëndë të ndryshme, ku secila nënkupton një nënfushë të shkencës?!

Emri i shpresës: studentët

Arsyeja pse i kam lënë në fund studentët është se ata nuk janë thjesht kudhra kur rrahin çekanët e abuzimeve dhe indiferencës së vepruesve që nisin nga kryeministri dhe mbarojnë me pedagogun abuzues, por edhe subjektet që kanë potencialin dhe kanë treguar prirje të rëndësishme të transformimit të gjendjes universitare.

E nisim me vazhdimësinë e problemeve. Tarifat, për shembull, vazhdojnë të jenë të larta duke nisur nga 20,000 lekë në universitetet e rretheve dhe përfunduar në 45,000 lekë në vit. Të larta janë jo vetëm në terma absolutë krahasuar me shumë vende të tjera evropiane, por edhe në raport me të ardhurat e familjeve të varfra dhe të mesme të Shqipërisë. Herën e fundit kur tarifat e studimeve bachelor janë rritur tejendanë universiteteve ka qenë vera e vitit 2014, kohë kur në degë të caktuara pati rritje deri në 10% të tyre. Më pastaj, pikërisht si rezultat i rezistencës studentore ato kanë mbetur pothuajse në vend. Çka është shenja e parë e rëndësishme se organizimi dhe rezistenca jep fryte, sado të vogla qofshin.

Barra e tarifave është e ndjeshme veçanërisht te studentët e nivelit master. Që në vitet 2008-2009, kur shënohet hapja e gjerë e programeve master në universitetet publike, qeveritë e njëpasnjëshme e kanë bërë të qartë që këto studime të thelluara i konsiderojnë luks për të cilin shteti nuk ka detyrimin të financojë asgjë. Akoma e mbaj mend një kërkesë të qeverisë Berisha të asaj kohe që u kërkonte universiteteve të llogarisnin kostot e studimeve master dhe t’i vendosnin tarifat bazuar në to, pa pritur subvencionim nga qeveria. Sot, nëse heqim Universitetin e Arteve që i ka edhe më të larta, tarifat vjetore të programeve master shkojnë nga 60,000 deri në 116,958 lekë në vit. Edhe për këtë arsye numri i aplikimeve në programet master bie nga viti në vit.

Sikur të mos mjaftonte barra që iu vendos mbi krye qeveria me tarifa dhe pedagogët abuzues me haraç, shumicës dërrmuese të studentëve u duhet të përballojnë një qytet gjithnjë e më të shtrenjtë dhe jomikpritës. Qyteti Studenti, ku do të duhej të strehohej shumica syresh, është në degradim të vazhdueshëm, me banja të papërdorshme e mure të çara. Ai tashmë mban vetëm më të varfrit e të varfërve, ata që nuk arrijnë të paguajnë dot as qiranë e ndarë në tresh apo në katërsh në lagjet periferike të qytetit. Segregimi i mëtejshëm klasor i Qytetit Studenti ka sjellë edhe zhbërjen e plotë të çfarëdo dimensioni kulturor e argëtues që mund të ketë pasur më parë, duke e shndërruar në shtojcë kafeplotë e Tiranës. Nga ana tjetër, bileta e autobusit kushton 40 lekë dhe, në qëlloftë të të duhet më shumë se një autobus për të shkuar në shkollë, përgatitu të paguash dyfishin pasi transporti publik (privat) nuk parashikon bileta me orar përdorimi.

Bursat, nga ana tjetër, në vend se të rriteshin – siç pretendonte qeveria kur donte t’u hidhte hi syve kritikëve gjatë diskutimit të ligjit të arsimit të lartë – i ndihmojnë edhe më pak studentët. Si rezultat i fshesës represive ndaj shumë familjeve që përfitonin ndihmë ekonomike, fëmijët e tyre kanë pësuar një dëm të dyfishtë pasi, përveç humbjes së ndihmës ekonomike, përjashtohen edhe nga e drejta për të përfituar bursë. Për të mos përmendur pastaj kalvarin e studentëve që vijnë nga familje të kategorive të veçanta – sidomos invalidët, të verbrit etj., – për të cilët mizëria e dokumentacionit duket se është vendosur posaçërisht për t’i torturuar dhe bërë që të dorëzohen.

Vështirësitë e mësipërme kanë bërë që gjithnjë e më shumë studentë të detyrohen të punojnë gjatë viteve të shkollës. Madje ta fillojnë punën edhe më herët se më parë, mundësisht që në vitin e parë të studimeve. Sot i riu i zakonshëm i universiteteve publike është gjysmë student e gjysmë proletar, çka reflektohet në braktisjen masive të auditorëve dhe përqendrimin e pakët në leksione e seminare. Gjithsesi, nevoja e hershme për punë, ndonëse ua vështirëson jetën dhe ua mpak vullnetin për studim, ndikon në rritjen e autonomisë së studentëve nga familja. Si njerëz që ia dalin pjesërisht ta nxjerrin jetën me punën e tyre të stërmundimshme duket se nga njëra anë mbushen me mllef për kushtet e jetës dhe studimit, por nga ana tjetër kanë potencial më të madh rezistence duke hequr pjesërisht nga këmbët litarin e ngurrimit familjar.

Jo vetëm vështirësitë ekonomike, por edhe problemet brenda fakulteteve, si dhe perspektiva e të papunëve me diplomë ua nxjerrin shumë shpejt nga qejfi studentëve universitetin. Një vëzhgues i vëmendshëm arrin të kuptojë se si dëshira e madhe për shkollën me të cilën hyjnë në fakultet mijëra studentë zbehet jo vetëm nga viti i parë në të dytin e të tretin, por edhe nga njëri semestër në tjetrin. Shumë prej tyre e nisin shkollën si idealistë dhe e përfundojnë si cinikë, e nisin me kuriozitet dhe e mbarojnë si gjuetarë notash. Rrugës, edhe si rezultat i mosorganizimit as në nivel klase për problemet më të vogla, mes tyre depërtojnë çakejtë e vegjël të forumeve rinore partiake. Ata që ushqejnë iluzionin e një pune të ardhshme në shtet (në fakt, punë në shtet do të gjejë vetëm çakalli partiak me kushtin që të tërheqë rreth vetes përkohësisht disa shokë) dhe zotohen të zgjidhin hallet e vogla: “Këtë pedagogun e kemi tonin dhe e rregullojmë bashkë notën.”

Mirëpo, siç u cek më sipër, ata nuk janë vetëm kudhra, por edhe subjekti. Pikësëpari, studentët janë shumë, rreth 130,000. Ata janë të vendosur në qendrat më të mëdha urbane, aty ku është zemra e jetës politike dhe ekonomike. Gëzojnë, po ashtu, një status shoqëror të veçantë, ku shumëkush ende i sheh si të ardhmen apo pararojën profesionale dhe intelektuale të vendit. Kanë autonomi relative në jetën universitare, duke mos pasur frikën e pronarit. Ata që nuk janë të dënuar të punojnë, kanë kohë të lirë të mjaftueshme jo vetëm për të studiuar, por edhe për t’i vënë studimet në jetë përmes angazhimit shoqëror. Studentët gjysmëproletarë, pastaj, janë subjektet në rritje numerikisht dhe me potencialin më të madh shpërthyes. Për ta shfrytëzimi dhe tëhuajësimi në call center apo si kamerierë nuk është purgatori i përkohshëm në rrugën drejt parajsës profesionale, por një gjendje e pambarimtë nga e cila mund të dilet vetëm me një përpjekje të madhe kolektive.

Të qenit shumë, bashkë dhe pranë pikave nevralgjike të shoqërisë, si dhe përparësitë intelektuale dhe kapaciteti për të thithur shpejt teknikat organizative i bëjnë studentët një grup shoqëror jo vetëm shpërthyes, por edhe rindërtues. Këtë vit ata kanë mundësinë që ta ngrenë dallgën e rezistencës shumë më të madhe se më parë dhe të marrin përpara të gjitha mbeturinat e bregut kundruall.

Imazhi: Lëvizja Për Universitetin

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.