Pasthënie mbi shoqëritë e kontrollit

/Gilles Deleuze/

  1. Histori

Foucault-ja i ka vendosur shoqëritë disiplinuese në shekujt e tetëmbëdhjetë dhe të nëntëmbëdhjetë; kulmin e kanë arritur në të njëzetin. Ato filluan organizimin e mjediseve të mëdha të gardhimit. Individi nuk resht së kaluari nga një mjedis i mbyllur në tjetrin, secili me ligjet e veta: në fillim familja; pastaj shkolla (“nuk je më në familjen tënde!”; më vonë kazermat (“nuk je më në shkollë!”; akoma më vonë fabrika; herë pas here spitali; mundësisht burgu – ky shembull i përkryer i mjedisit të mbyllur. Burgu shërben si model analogjik: kur i zunë sytë disa punëtorë, heroina e filmit “Evropa ‘51” të Rosellini-it u shpreh: “Mendova se ishin të burgosur.”

Foucault-ja e ka analizuar në mënyrë të shkëlqyer projektin ideal të këtyre mjediseve gardhuese, që del në pah veçanërisht brenda fabrikës: të përqendrosh; të shpërndash në hapësirë; të rregullosh në kohë; të formosh një forcë prodhuese brenda dimensioneve të hapësirë-kohës efekti i të cilës do të jetë më i madh se shuma e forcave të saj përbërëse. Po çka Foucault-ja kapi mirë ishte karakteri i përkohshëm i këtij modeli: ai erdhi pas shoqërive të sovranitetit, qëllimi dhe funksioni i të cilave ishin krejt të ndryshëm (të taksonin dhe jo të organizonin prodhimin, të sundonin mbi vdekjen dhe jo të administronin jetën). Kalimi kërkoi kohë. Kalimi në shkallë të gjerë nga njëra shoqëri në tjetrën ndodhi gjatë periudhës së Napoleonit. Por, nga ana tjetër, disiplinat hynë në krizë nga e cila përfituan forca të reja që po krijoheshin gradualisht dhe që morën hov pas Luftës së Dytë Botërore. Tashmë nuk jetojmë më në shoqëri disiplinore.

Ndodhemi brenda një krize të përgjithësuar të të gjitha mjediseve të gardhimit: burgu, spitali, fabrika, shkolla, familja. Familja është një “brendësi” në krizë si të gjitha brendësitë e tjera – shkollore, profesionale etj. Ministrat e fushave përkatëse nuk reshtin së shpalluri reforma me demek të domosdoshme: të reformojmë shkollën, të reformojmë industrinë, spitalet, forcat e armatosura, burgjet! Po gjithkush e di se këto institucione kanë marrë fund, pavarësisht se kur e kanë datën e skadimit. Bëhet fjalë vetëm për menaxhimin e agonisë së tyre dhe hutimin e njerëzve deri në instalimin e forcave të reja që po trokasin në derë. Këto janë shoqëritë e kontrollit, të cilat po zëvendësojnë në rrugë e sipër shoqëritë disiplinuese. Borroughs-i propozon ta quajmë “kontroll”[1] këtë përbindësh të ri, të cilin Foucault-ja e parasheh si të ardhmen tonë të afërt. Paul Virilio-ja nuk resht së analizuari format tejet të shpejta të kontrollit në fushë të hapët, të cilat kanë zëvendësuar disiplinat e vjetra që vepronin në kuadrin e një sistemi të mbyllur. S’është e nevojshme të sjellim ndër mend produktet e jashtëzakonshme farmaceutike, teknologjinë nukleare dhe manipulimet gjenetike, ndonëse këto pritet të ndërhyjnë në procesin e ri. Nuk është e nevojshme të shtrojmë pyetjen se cili regjim është më i rreptë, pasi brenda secilit prej tyre forcat çliruese dhe skllavëruese ndeshen me njëra-tjetrën. Për shembull, në krizën e spitalit si mjedis gardhimi, klinikat e lagjes, azilet dhe përkujdesja në kushte shtëpiake mund të ishin si shprehëse të një lirie të re, ashtu edhe pjesë e mekanizmave të kontrollit të barasvlershme me format më të rrepta të izolimit. Nuk ka vend për frikë ose shpresë, por vetëm për kërkim armësh të reja.

2. Logjikë

Mjediset e ndryshme të mbylljes ose gardhimit nëpër të cilat kalon individi përbëjnë ndryshorë të pavarur: në çdo kohë supozohet se ia nisim nga zeroja dhe, ndonëse të gjitha këto mjedise kanë një gjuhë të përbashkët, ajo është analogjike. Nga njëra anë, mekanizmat e ndryshëm të kontrollit përbëjnë variacione të pandashme, të cilat formojnë një sistem gjeometrish të ndryshueshme gjuha e të cilave është numerike (çka nuk do të thotë se është dyjare). Gardhimet janë forma, modele të dallueshme, ndërsa kontrollet janë formësime, të ngjashme me një model të vetëdeformuar që ndryshon vazhdimisht nga një moment në tjetrin ose me një rrjetë iliqet e të cilës shndërrohen nga një pikë në tjetrën.

Një gjë e tillë duket sheshit në rastin e rrogave: fabrika ishte një trup që i mbante në ekuilibër forcat e saj të brendshme – ku prodhimi arrinte nivelin më të lartë të mundshëm, kurse pagat më të ulëtin. Mirëpo në një shoqëri kontrolli fabrika është zëvendësuar nga sipërmarrja, dhe sipërmarrja ka shpirt, është e gaztë. Sigurisht që fabrika e ka njohur sistemin e bonuseve, porse sipërmarrja hyn më thellë në imponimin e formësimit të çdo rroge sipas një procesi metastabiliteti të përhershëm që vepron përmes sfidave, garave dhe mbledhjeve goxha komike. Suksesi i madh i spektakleve televizive idiote me lojëra buron ngaqë ato shprehin me mjaft përpikmëri situatën e sipërmarrjes. Fabrika i kushteton individët si një trup i vetëm prej të cilit përfitonin edhe pronarët, të cilët mund të mbikëqyrnin çdo element brenda masës, edhe sindikatat, të cilat arrinin të mobilizonin një rezistencë masive. Kurse sipërmarrja nuk resht së paraqituri rivalitetin më të egër si formë të shëndetshme emulacioni dhe si motivim të shkëlqyer, çka i vendos individët kundër njëri-tjetrit dhe e përshkon secilin prej tyre tejpërtej, duke e ndarë së brendshmi. Parimi formësues “rroga sipas meritës” ka pasur ndikim edhe në arsimin kombëtar. Në fakt, njëlloj siç sipërmarrja i zë vendin fabrikës, trajnimi i përhershëm i zë vendin shkollës dhe kontrolli i vazhdueshëm zëvendëson provimin. Kjo është mënyra më e mirë për t’ia dorëzuar shkollën sipërmarrjes.

Në shoqëritë disiplinuese gjithmonë ia nisim nga e para (nga shkolla në kazermë, nga kazerma në fabrikë), kurse në shoqëritë e kontrollit nuk arrijmë të përfundojmë asgjë: fabrika, arsimimi dhe shërbimi ushtarak janë gjendje të metastabilizuara që bashkekzistojnë brenda të njëjtit formësim, si të ishin një sistem universal deformimi. Kafka, i cili e kishte vendosur veten në nyjën lidhëse midis këtyre dy formave të shoqërisë, ka përshkruar te “Procesi” format juridike më të frikshme: pafajësia në dukje e shoqërive disiplinuese (midis dy burgimeve); dhe shtyrja pa fund e shoqërive të kontrollit (në ndryshim të vazhdueshëm) janë dy mënyra krejt të ndryshme të jetës juridike; dhe sistemi ynë ligjor heziton, madje është në krizë, për shkak se ne kalojmë nga njëra mënyrë te tjetra. Shoqëritë disiplinuese kanë dy pole: nënshkrimi, që shënon individin, dhe numri, që shënon pozicionin e tij brenda një mase. Kjo ndodh për shkak se disiplinat nuk e kanë paramenduar asnjëherë papërputhshmërinë midis këtyre të dyjave dhe se pushteti masifikon dhe individualizon njëkohësisht; domethënë, i kthen në trup ata mbi të cilët ushtrohet dhe i jep formë individualitetit të çdo gjymtyre[2] të trupit. (Origjinën e kësaj karakteristike Foucault-ja e vuri re në pushtetin baritor të priftit – grigja dhe secila prej kafshëve –, mirëpo pushteti civil ka mënyrat e veta të kthimit në “bari” laik. Nga ana tjetër, në shoqëritë e kontrollit me rëndësi thelbësore nuk janë as nënshkrimi, as numri, por kodi: kodi është një fjalëkalim, ndërsa shoqëritë disiplinuese rregullohen prej parullave (si nga pikëpamja e integrimit, ashtu edhe nga ajo e rezistencës). Gjuha numerike e kontrollit përbëhet prej kodeve të cilat mundësojnë ose refuzojnë aksesin në informacion. Nuk jemi më përpara çiftit masë-individ. Individët janë bërë “dividë[3] dhe masat janë bërë mostra, të dhëna, tregje ose “banka”. Paraja ndoshta e shpreh më mirë dallimin midis dy shoqërive, pasi disiplina është lidhur gjithmonë me paranë e stampuar që e përdorte arin si etalon, kurse kontrolli lidhet me kurset e ndryshueshme të këmbimit, të formësuara sipas një norme të vendosur nga një bashkësi monedhash standarde. Urithi i vjetër monetar është kafsha e mjedisit të gardhimit, kurse gjarpri u shkon për shtat shoqërive të kontrollit. Kemi kaluar nga njëra kafshë në tjetrën, nga urithi te gjarpri jo vetëm në regjimin ku jetojmë, por edhe në mënyrën e të jetuarit dhe në marrëdhëniet tona me të tjerët. Njeriu i disiplinuar ishte prodhues i zhvazhdueshëm energjie, kurse njeriu i kontrolluar ka karakter ondulator, është i hedhur në orbitë në një fashë të vazhdueshme. Sërfi i ka zëvendësuar ngado sportet e vjetra.  Është e kollajtë që çdo shoqërie t’i vësh përballë llojet e makinave që i përshtaten – jo ngaqë makinat janë përcaktuese, por sepse shprehin format shoqërore që i gjenerojnë dhe i vënë ato në përdorim. Shoqëritë e vjetra të sovranitetit përdornin makina të thjeshta: leva, rrotulla, orë. Kurse shoqëritë disiplinuese të derivonshme kanë qenë të pajisura me makina energjetike, duke mbartur rrezikun pasiv të entropisë dhe rrezikun aktiv të sabotazhit. Shoqëritë e kontrollit veprojnë me makina të një lloji të tretë: makina informatike dhe kompjuterë rreziku pasiv i të cilëve është bllokimi dhe aktivi janë pirateria dhe marrja e viruseve. Bëhet fjalë për një evolucion teknologjik që nuk mund të mos përbëjë më në thellësi edhe një mutacion të kapitalizmit. Ky mutacion, i mirënjohur tashmë, mund të përmblidhet si vijon: kapitalizmi i shekullit XIX kërkonte përqendrimin prodhimit dhe të pronës. Ai ndërtonte brenda fabrikës një mjedis gardhimi, ku kapitalisti ishte jo vetëm pronari i mjeteve të prodhimit, por dora-dorës edhe i të tjera mjediseve analoge me të: (shtëpia e punëtorit, shkolla.) Ndërsa tregu kapej sa prej specializimit, aq edhe prej kolonizimit dhe uljes së kostove të prodhimit. Mirëpo në situatën aktuale kapitalizmi nuk ka të bëjë më me prodhimin, të cilin në masë të madhe e ka degdisur në periferinë e Botës së Tretë edhe në trajtat më komplekse të industrisë tekstile, të metalurgjisë apo lëndëve djegëse. Kemi një kapitalizëm të mbiprodhimit, që nuk blen më lëndë të para dhe nuk shet më produkte të manifakturuara: blen produkte të manifakturuara ose bashkon pjesë të gatshme. Çka kërkon të shesë janë shërbimet, kurse të blejë aksionet në bursë. Nuk është më një kapitalizëm për prodhimin, por për produktin – domethënë për shitjen apo për tregun. Po ashtu ka marrë karakter shpërhapës dhe fabrika i ka bërë vend sipërmarrjes. Familja, shkolla, ushtria dhe fabrika nuk janë më mjedise analogjike të dallueshme që konvergojnë drejt një pronari, shteti apo fuqie private, por figura të koduara, të shformueshme dhe të transformueshme të një sipërmarrjeje të vetme që ka vetëm administratorë. Edhe arti i ka lënë mjediset e mbyllura për të hyrë në qarqet e hapura të bankës. Kapja e tregut nuk arrihet më nëpërmjet disiplinës, por prej marrjes në kontroll; as prej uljes së kostove, por prej vendosjes së kurseve të këmbimit; as prej specializimit të prodhimit, por prej transformimit të produktit. Kësisoj, korrupsioni fiton një fuqi të re. Sektori i shitjeve është bërë qendra apo “zemra” e sipërmarrjes. Na mësohet se sipërmarrjet kanë shpirt, çka përbën lajmin më të tmerrshëm në botë. Marketingu është tanimë instrumenti i kontrollit shoqëror dhe formon sojin më të pacipë të zotërinjve tanë. Kontrolli ushtrohet në afat të shkurtër dhe me rotacion të shpejtë, përveçse është i vazhdueshëm dhe i pakufizuar; ndërkohë që disiplina shtrihej në kohë të gjatë, si dhe ishte e pakufishme dhe e zhvazhdueshme. Nuk kemi më njeriun e gardhuar, por njeriun borxhli. Është e vërtetë që kapitalizmi karakterizohet nga mjerimi ekstrem i tre të katërtave të njerëzimit, të cilët janë tejet të varfër për të hyrë në borxh dhe mjaft të shumtë për t’u gardhuar: kontrollit nuk do t’i duhet të përballet vetëm me zhbërjen e kufijve, por edhe me shpërthimin e lagjeve me baraka dhe getove.

3. Program

S’ka nevojë për fantashkencë që të konceptohet një mekanizëm kontrolli i cili përcakton në çdo moment pozicionin e një elementi brenda një mjedisi të hapur – qoftë kafshë brenda një rezervati apo njeri brenda një sipërmarrjeje (si të kishin varur në qafë një zinxhir elektronik). Félix Guattari imagjinon një qytet ku gjithkush mund të largohet nga apartamenti, rruga apo lagjja e tij falë një karte elektronike (dividuale) që ngre trarë të ndryshëm; mirëpo karta në fjalë mund të refuzohet aksh ditë apo gjatë aksh orëve. Me rëndësi nuk është trau, por kompjuteri që gjurmon vendndodhjen e çdokujt – të ligjshme apo të paligjshme – dhe që përfton formësime universale.

Studimi shoqëroro-teknik i mekanizmave të kontrollit – që rroken që në ngjizje të tyre – duhet të jetë kategorik dhe të përshkruajë çka është duke u instaluar në vend të mjediseve të gardhimit disiplinues, kriza e të cilave po shpallet botërisht. Mund të ndodhë të ringjallen mekanizma të vjetër të kohës së shoqërive të sovranitetit, por me modifikimet e nevojshme. Me rëndësi është që jemi në fillesat e diçkaje. Në sistemin e burgjeve: orvatja për të gjetur dënime “alternative”, të paktën për krimet e vogla, dhe përdorimi i zinxhirëve elektronikë që e detyrojnë të dënuarin të qëndrojë në shtëpi në orë të caktuara. Në regjimin e shkollave: format e kontrollit të vazhdueshëm dhe efekti që ka mbi shkollën formimi i përhershëm, largimi i kërkimit shkencor nga universitetet, futja e “sipërmarrjes” në çdo nivel shkollor. Në regjimin e spitaleve: mjekësia e re “pa doktorë dhe pa pacientë” që veçon të sëmurët potencialë dhe me risk, çka në asnjë mënyrë nuk tregon – siç pretendohet – përparim drejt individualizimit, por e zëvendëson trupin individual apo numerik me kodin e një materieje “dividuale” që mund të vihet në kontroll. Në regjimin e sipërmarrjes: mënyrat e reja si trajtohet paraja, produktet dhe njerëzit nuk kalojnë më nëpërmjet formës së vjetër të fabrikës. Këto janë shembuj të vegjël, por që na lejojnë të kuptojmë më mirë çfarë do të thotë krizë institucionesh – domethënë instalimin përparues dhe të shpërhapur të një regjimi të ri mbisundimi. Një nga çështjet më të rëndësishme është papërshtatshmëria e sindikatave: të lidhura përgjatë gjithë historisë së tyre me luftën kundër disiplinave apo të vendosura në mjediset e gardhuara, a mund të përshtaten sindikatat apo duhet t’u bëjnë vend formave të reja të rezistencës kundër shoqërive të kontrollit? A mund t’i shohim që tani konturët e këtyre formave të ardhshme, që kanë mundësi të vënë në rrezik gazmendjet e marketingut? Ka plot të rinj që, për çudi, pretendojnë se janë “të motivuar”, që kërkojnë e rikërkojnë stazhe dhe formim të përhershëm. U takon atyre të zbulojnë se për çfarë po detyrohen të shërbejnë, ashtu si paraardhësit e tyre zbuluan, jo pa vështirësi, qëllimin e disiplinave. Dredhat e gjarprit janë edhe më komplekse se vrima e urithit.

Shënime të përkthyesit:

[1] Deleuze-i i referohet esesë “Kufijtë e kontrollit” të shkrimtarit, artistit dhe eseistit postmodern William S. Borroughs, i cili argumenton se mënyra më e mirë e ushtrimit të pushtetit është kombinimi i përdorimit të forcës me kontrollin psikologjik. Mbështetja vetëm te përdorimi i forcës dhe kërcënimi i të nënshtruarve me zhdukje do t’i privonte të pushtetshmit nga shfrytëzimi i fuqisë së tyre punëtore. – Shën. përkth.

[2] Në frëngjisht fjala “membre” ka edhe kuptimin e gjymtyrës, edhe atë të anëtarit. Përkthimi në shqip e ka të pamundur ta japë këtë dykuptimësi si anëtar/gjymtyrë i/e masës/trupit shoqëror/e. – Shën. përkth.

[3] Etimologjia latine e fjalës individ tregon të pandashmen. Pra individi, njëlloj si atomi i filozofëve atomistë grekë, shënjon të pandashmen. Në filozofinë politike dhe morale të modernitetit (liberalizmi), njeriu si individ është parë si njësia e pandashme e të drejtave dhe legjitimimit të shtetit. Kësisoj, dividët i bie të jenë njerëz të ndashëm. – Shën. përkth.

E përktheu Arlind Qori

Botuar për herë të parë në revistën L’Autre Journal, nr. 1, maj 1990.

Imazhi: Sarah’s blog

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.