Pse e majta duhet ta shfrytëzojë Brexit-in

/Thomas Fazi & William Mitchell/ [1]

Asgjë tjetër nuk e pasqyron vagullinë e mendimit të së majtës evropiane më shumë se pozicionimi i saj ndaj Brexit-it. Çdo javë sjell nga një kapitull të ri në historinë e tmerrshme të Brexit-it: largimi nga BE do të jetë një kataklizmë ekonomike për Mbretërinë e Bashkuar; dhjetëra mijëra vende pune do të mbyllen; të drejtat e njeriut s’do të kenë më kuptim; parimet e gjykimit të drejtë, fjala e lirë dhe standardet e duhura të punës do të kompromentohen tërësisht. Me pak fjalë, Brexit-i do ta shndërrojë Britaninë në një distopi, në një shtet të dështuar — ose më keq akoma, në një pariah [2] ndërkombëtare — të braktisur nga bota e qytetëruar. Në këto kushte është e lehtë të kuptosh pse lideri i Partisë Laburiste Jeremy Corbyn kritikohet shpesh për mosdashjen e tij për të pasur një agjendë pro qëndrimit.

Histeria anti-Brexit e së majtës, megjithatë, bazohet në një përzierje teorish ekonomike të këqija, kuptimi gjysmak të Bashkimit Evropian dhe mungese të imagjinatës politike. Jo vetëm nuk ka arsye për të besuar se Brexit-i do të sjellë një apokalips ekonomik; por, ç’është më e rëndësishmja, braktisja e BE-së i mundëson të majtës britanike — dhe të majtës evropiane në përgjithësi — një shans që vjen një herë në jetë: të tregojë se një thyrje radikale me neoliberalizmin dhe me institucionet që e mbështesin atë është e mundur.

Modelimi i distopisë

Për të kuptuar se pse qëndrimi anti-Brexit-ti i shumicës së progresistëve evropianë është i pabazuar dhe në fakt i dëmshëm, duhet të nisim të shqyrtojmë mitin më të përhapur në lidhje me Brexit-in: idenë se do të na çojë drejt një katastrofe ekonomike. Për shumë kritikë kjo është e afërmendshme dhe vërtetohet thjesht duke cituar raportin e shumë përfolur [3] të Departamentit për Daljen nga Bashkimi Evropian (DExEU) pranë qeverisë britanike. Dokumenti arrin në përfundimin se të gjitha format e mundshme të Brexit-it – qëndrimi në Tregun e Përbashkët, një marrëveshje e tregtisë së lirë ose mungesa e çfarëdo marrëveshjeje – do të kishte një efekt kryesisht negativ në PBB-në e Mbretërisë së Bashkuar. Vlerësimet shkojnë nga një PBB 2% më e ulët dhe 700,000 vende pune më pak gjatë pesëmbëdhjetë viteve të ardhshme në një rënie me 8% e PPB dhe deri në 2.8 milionë vende pune më pak.

Kjo linjë argumentimi gjendet së fundmi edhe në një artikull nga autori anti-Brexit Will Denayer, i cili citon faktin se raporti është hartuar nga qeveria pro-Brexit si provë besueshmërie(!). Gjithsesi, ai nuk arrin të pohojë se këto parashikime vuajnë nga një anshmëri neoliberale që gjendet brenda vetë modeleve të parashikimit. Modelet matematikore të përdorura nga qeveria britanike janë shumë komplekse dhe abstrakte dhe rezultatet e tyre janë të ndjeshme ndaj kalibrimit numerik të marrëdhënieve në modelet dhe supozimet e bëra rreth, për shembull, efekteve të teknologjisë. Modelet nuk janë shumë të besueshme dhe mund të manipulohen lehtësisht e për të arritur çfarëdo rezultati që dëshiron. Qeveria britanike ka refuzuar publikimin e aspekteve teknike të modelimit të tyre, gjë që supozon se ata nuk duan që analistët e pavarur të shqyrtojnë supozimet e tyre të “kutisë së zezë”.

Anshmëritë neoliberale brenda këtyre modele përfshijnë pohimin se tregjet janë vetërregulluese dhe janë në gjendje të japin rezultate optimale për aq kohë sa nuk pengohen nga ndërhyrja e qeverisë; se tregtia e lirë është pa dyshim pozitive; qeveritë janë të kufizuara financiarisht; faktorët e ofertës janë shumë më të rëndësishëm se ato të kërkesës; dhe individët i bazojnë vendimet e tyre mbi pritshmëritë racionale rreth variablave ekonomike etj. Shumë nga supozimet kryesore të përdorura për ndërtimin e këtyre ushtrimeve nuk kanë lidhje me realitetin. Me fjalë të thjeshta, modelet e parashikimit — ashtu si makroekonomia mainstream në përgjithësi — ndërtohen mbi bazën e një sekuence mitesh. Paul Romer-i, i cili e ka marrë gradën doktor shkencash në vitet ’80 në Universitetin e Çikagos, në tempullin e ekonomisë neoliberale, kohët e fundit u ka bërë një sulm të ashpër bindjeve të tij të dikurshme, në një kumetsë me titullin Problemet me Makroekonominë [4]. Romer-i i përshkruan qasjet standarde të modelimit të përdorura nga shumica e ekonomistëve — të cilat ai i quan postreale — si pika përfundimtare e një regresi intelektual prej tri dekadash.

Nuk është për t’u habitur që këto modele dështuan krejtësisht në parashikimin e krizave financiare dhe të depresionit të madh dhe vazhdojnë edhe sot të dështojnë në prodhimin e ndonjë modeli të besueshëm parashikimi. Brexit-i është një shembull i dukshëm. Në muajt pranë referendumit, bota u përmbyt me paralajmërime — nga FMN, OECD dhe bastione të tjera të ekonomisë bashkëkohore — duke pretenduar se vota pro largimit do të sillte pasoja katastrofike të menjëhershme për Mbretërinë e Bashkuar, duke shkaktuar një rrënim financiar dhe zhytjen e vendit në një recesion të thellë. Parashikimi më sikletosës mbi “ndikimin e menjëhershëm ekonomik të një vote për t’u larguar nga BE“ u botua nga qeveria konservatore. Qëllimi i “studimit“ në fjalë, i nxjerrë në maj 2016 nga Ministria e Financave e Mbretërisë së Bashkuar, ishte të maste “ndikimin […] e votës pro largimit në periudhën e afërt prej dy vjetësh“.

Brenda dy viteve të votimit, Ministria parashikonte se PBB do të ishte rreth 3.6% deri në 6% më e ulët dhe numri i të papunëve do të rritej me 820.000. Parashikimet në studimin e majit 2016 dukeshin të tmerrshme dhe synonin qartësisht të kishin ndikim maksimal në votim, të cilat do të mbaheshin një muaj më vonë. Pak javë përpara referendumit, kancelari i asokohshëm George Osborne e përmendi raportin për të paralajmëruar se “vota pro largimit do të përbënte një goditje të menjëhershme dhe të thellë për ekonominë tonë“ dhe se “shoku do ta shtynte ekonominë në recesion dhe do ta rriste papunësinë me rreth 500 mijë vetë“.

Megjithatë, shumica e votuesve zgjodhën Brexit-in. Duke vepruar kështu, ata provuan përsëri se ekonomistët gabuan, meqë asnjë prej skenarëve katastrofikë të parashikuar në prag të referendumit nuk ka ndodhur. Redaktori i ekonomisë pranë gazetës Guardian Larry Elliot shkruante: “Armagedoni i Brexit-it ishte një vizion i tmerrshëm — por thjesht nuk ka ndodhur“. Me gati dy vjet që kanë kaluar që nga referendumi, të dhënat ekonomike të Britanisë së Madhe i përqeshin paralajmërimet e mbushura me dënime të rënda — sidomos të raportit të lartpërmendur të qeverisë. Të dhënat nga Zyra për Statistikat Kombëtare (ONS) tregojnë se deri në fund të vitit 2017, PBB e Britanisë së Madhe ishte 3.2% më e lartë krahasuar me kohën e votimit të Brexit-it — larg nga një recesioni i thellë sikurse pritej.

Burimi: ONS dhe llogaritjet e autorëve

Ndërkohë, midis qershorit 2016 dhe janarit 2018 shkalla e papunësisë ka rënë nga 4.9% në 4.3% , ndërsa numri i të papunëve me 187.000 — më e ulëtit në dyzet e tre vjet. Numri i njerëzve joaktivë ekonomikisht  ata që nuk punojnë ose nuk kërkojnë punë ka rënë në masën më të madhe në pothuajse pesë vjet e gjysmë. Çka tregon shumë për punëtorët e panumërt që do të duhej të humbnin punën si rezultat i votës për t’u larguar.

Veçanërisht të zorshme për të ndjellakeqët profesionistë janë të dhënat për industrinë britanike gjatë dy viteve të fundit. Pavarësisht pasigurisë në lidhje me negociatat me BE, prodhimi po sheh rritjen më të madhe që nga fundi i viteve 1990, sipas revistës Economist dhe shoqatës së prodhuesve britanikë EEF. Kjo vjen kryesisht për shkak të një kërkese në rritje për eksportet britanike, të cilat po korrin përfitimet e rënies së paundit dhe përmirësimin e kushteve të tregtisë botërore. Sipas një raporti nga Aeroporti i Heathrow-it dhe Qendra për Kërkime Ekonomike dhe Tregtare (CEBR), eksportet në Mbretërinë e Bashkuar janë në pozitën e tyre më të fuqishme që nga viti 2000. Shkruan revista Economist: Prodhuesit britanikë që po vuanin prej një kohe të gjatë, po i gëzohen një bumi që vjen një herë në brez, pasi ndryshimet e nxitura nga Brexit-i nxisin një ribalancim shumë të nevojshëm nga shërbimet financiare me shumë luhatje drejt prodhimit. Kjo po nxit gjithashtu një rritje në investime. Gjatë vitit 2017 shpenzimet totale të investimeve në Mbretërinë e Bashkuar — që përfshijnë investimet publike dhe private — ishin më të larta se në çdo vend tjetër të G7: 4% krahasuar me vitin e kaluar.
Parashikimet se vota pro largimit do të shkaktonte një run on the pound [5] janë provuar të jenë po aq të pabazuara: po, sterlina me të vërtetë ka humbur terren në raport me monedhat e tjera kryesore që nga referendumi, por kjo jo vetëm që kjo nuk e ka shkatërruar ekonominë britanike ka ndodhur krejt e kundërta, në fakt, siç e kemi parë por vlera e saj ka ardhur në rritje që nga fillimi i vitit 2017.

I shenjti Treg i Përbashkët

Marrë parasysh mungesën e provave për kolapsin ekonomik të prodhuar nga Brexit-it, çfarë fshihej pas sigurisë së verbër të opinionistëve? Një pjesë e rëndësishme e ideologjisë që nxit tërë debatin mbi Brexit-in është përfytyrimi se Britania gëzonte përfitime të mëdha ekonomike nga anëtarësimi në BE (ose KE siç njihej në vitin 1973). A qëndron ende ky pretendim? Sipas një studimi [6] të kohëve të fundit nga Qendra për Kërkime në Biznes (CBR) pranë Universitetit të Kembrixhit (shiko grafikun më poshtë!), “nuk ka pasur përmirësime per capita në rritjen ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar pas vitit 1973 krahasuar me dekadat paraardhëse. Në fakt, PBB për frymë u rrit qartësisht më ngadalë pas aderimit sesa në dekadat paraaderuese“.

Burimi: Qëndra për Kërkime në Biznes, Universiteti i Kembrixhit

Studiuesit arrijnë në purfundimin se nuk ka të dhëna se anëtarësimi në BE e ka përmirësuar shkallën e rritjes ekonomike në Mbretërinë e Bashkuar. Themelimi i shumëlavdëruar i Tregut të Përbashkët më 1992 nuk solli ndonjë ndryshim — jo vetëm për Mbretërinë e Bashkuar, por as për BE tërësi. Edhe po të kufizohemi në vlerësimin e suksesit të Tregut të Përbashkët me parametrat e ekonomisë mainstream — produktivitet dhe prodhim i brendshëm bruto për frymë — nuk ka prova që mbështesin premtimet e promotorëve të tij dhe parashikimet zyrtare. Grafiku i mëposhtëm tregon një krahasim afatgjatë mes BE15-ës dhe SHBA-ve në terma të PBB për orë pune (një mesatare e produktivitetit të punës) dhe PBB për frymë.

Burimi: Bordi i Konferencës së ShBA, Databaza e Ekonomisë në Tërësi

Të dhënat tregojnë qartazi se Tregu i Përbashkët (fillon te vija e gjelbër vertikale) jo vetëm që ka dështuar në përmirësimin e ekonomive të BE15 krahasuar me SHBA-në, por duket t’i ketë keqësuar ato. Më interesantja është se krijimi i Tregut të Përbashkët as ka mundur të rrisë nivelin e tregtisë brenda BE. Grafiku i mëposhtëm tregon përqindjen e eksporteve ndërmjet BE dhe Bashkimit Monetar Evropian (EMU) si përqindje e eksporteve totale të BE dhe EMU. Pas një rritjeje të vazhdueshme gjatë viteve 1980, ky raport ka hyrë në stanjacion midis viteve të krijimit të Tregut të Përbashkët në mesin e viteve 1990 dhe mesin e viteve 2000, si dhe ka pasur prirje rënëse që prej asaj kohe (me një rimëkëmbje të lehtë pas 2014). Një shënimBruegel-it shtohet se “Eurozona po ndjek pothuajse të njëjtin model si Bashkimi Evropian, duke treguar se monedha e përbashkët mund të mos ketë pasur efektin e pritshëm në tregtinë midis vendeve anëtare të Eurozonës“.

Burimi: Drejtimi i Statistikave të Tregtisë pranë FMN

E njëjta gjë vlen edhe për pjesën e eksporteve të Mbretërisë së Bashkuar në BE dhe FMN-në, e cila ka qëndruar në stanjacion që nga krijimi i tregut të përbashkët dhe ka qenë në rënie që nga fillimi i viteve 2000 (duke u kthyer në nivelin e mesit të viteve 1970) me tregjet e eksportit që rriten shumë më shpejt se ato brenda BE-së dhe Eurozonës.

Burimi: Drejtimi i Statistikave të Tregtisë pranë FMN dhe llogaritjet e autorëve

Siç vërejnë hulumtuesit e Kembrixhit, ky fakt përbën “një avantazh të papërfillshëm për Mbretërinë e Bashkuar për të qënë anëtare e BE“. Për më tepër, kjo tregon se Britania i ka diversifikuar eksportet e saj për një kohë të gjatë dhe është shumë më pak e varur nga BE sot nga ç’ishte njëzetë ose tridhjetë vjet më parë. Një vrojtim i mëtejshëm i nxjerrë nga të dhënat e FMN për drejtimet e tregtisë vihet re se: ndërsa eksportet globale janë rritur 5 herë që nga viti 1991 dhe eksportet e avancuara të ekonomisë janë rritur 3.91 herë, eksportet e BE dhe EMU janë rritur vetëm 3.7 dhe 3.4 herë.

Këto rezultate janë në përputhje me studimet të tjera të cilat tregojnë se liberalizimi i tarifave në vetvete nuk nxit rritjen ekonomike apo qoftë edhe tregtinë. Në të vërtetë, e kundërta ndodh më shpesh: sipas ekonomistit të Kembrixhit Ha-Joon Chang, të gjitha vendet e pasura të sotme i kanë zhvilluar ekonomitë e tyre përmes masave proteksioniste. Kjo hedh dyshime serioze mbi pretendimin e përhapur se largimi nga Tregu i Përbashkët nënkupton medoemos produktivitet më të ulët dhe standarde më të ulëta jetese. Gjithashtu del në pah si krejtësisht “i pagjasë, sipas fjalëve të studiuesve të Kembrixhit, pretendimi i Ministrisë së Financave se Britania ka pasur rritje prej 76% në tregti për shkak të anëtarësimit në BE, çka mund të ndryshojë kur vendi të largohet nga BE. Ekonomistët e Kembrixhit konkludojnë se tarifat mesatare janë tashmë aq të ulëta për vendet joanëtare të BE që kërkojnë të bëjnë tregti brenda BE, saqë edhe në rastin e një Brexit-i të vrazhdë“ gjasat janë që humbjet tregtare të jenë të kufizuara dhe të përkohshme.

E majta dhe liberalizimi

BE është strukturalisht neoliberale, jodemokratike dhe neokoloniale. Ajo mbisundohet politikisht nga vendi anëtar më i fuqishëm dhe politikat e saj kanë pasur efekte sociale dhe ekonomike katastrofike .

Kjo e bën edhe më qesharake përkrahjen e së majtës bashkëkohore për “tregtinë e lirë“. Do të duhet të druheshim se çfarë do të mendonin historianët e ardhshëm për lajthitje të tilla si fushata e laburistëve për Tregun e Përbashkët apo aleatët e tyre Yanis Varoufakis me grupin e tij DiEM25. Sidomos nëse kemi parasysh se edhe ekonomistët mainstream si Dani Rodrik-u po thonë hapur se liberalizimi i tregut “më shumë po shkakton probleme nga ç’po zgjidh“, është një nga shkaqet rrënjësore të reagimit antiestablishment që ka përfshirë Perëndimin dhe se ka ardhur koha për të “hedhur zhavorr në rrotat e globalizimit“. Në këtë kuptim, ishte e pritshme që e majta ta shihte Brexit-in si mundësi të përkryer për të “rishkruar rregullat multilaterale“, siç këshillon Rodrik-u — dhe jo të kapej me thonj pas një sistemi të dështuar.

Për më tepër, në debatin mbi Brexit-in shpesh harrohet se Tregu i Përbashkët është shumë më tepër sesa thjesht liberalizim tregtar. Një parim themelor i Tregut të Përbashkët ishte liberalizimi i tregjeve financiare dhe heqja e kontrolleve ndaj kapitalit jo vetëm midis anëtarëve të BE, por edhe midis anëtarëve të BE dhe vendeve të tjera. Siç e kemi theksuar në librin tonë të fundit, Rivendosja e shtetit, diçka e tillë ishte pasqyrim i konsensusit të ri, madje edhe midis së majtës, gjatë viteve 1970 dhe 1980. Ky konsensus mori parasysh se ndërkombëtarizimi ekonomik dhe financiar — çka sot e quajmë “globalizim“ — e bëri shtetin gjithnjë e më të pafuqishëm përballë “forcave të tregut“. Në këtë kuptim, megjithëse vendet nuk kishin alternativë tjetër përpos braktisjes së strategjive ekonomike kombëtare dhe të gjitha instrumenteve tradicionale të ndërhyrjes në ekonomi, dhe të shpresonin se, në rastin më të mirë, ato do të zëvendësoheshin nga një qeverisje ekonomike mbikombëtare dhe transkombëtare. 
Kjo rezultoi në një depolitizim gradual të politikës ekonomike, i cili ka qenë një element thelbësor i projektit neoliberal, që ka për qëllim shmangien e kontestimeve popullore ndaj politikave makroekonomike dhe heqjen e çdo pengese ndaj rrjedhjes së kapitalit. Tregu i Përbashkët luajti një rol vendimtar në neoliberalizimin e Evropës, duke i hapur rrugë Traktatit të Mastrihtit, i cili e fiksoi neoliberalizmin në strukturën e Bashkimit Evropian. Duke vepruar kështu, krijoi de facto një rend juridik mbikombëtar, të cilin asnjë qeveri e veçantë nuk ka fuqi për të ndryshuar. Në këtë kuptim, është e pamundur të ndahet Tregu i Përbashkët nga të gjitha aspektet e tjera negative të Bashkimit Evropian. BE është strukturalisht neoliberale, jodemokratike dhe neokoloniale. Ajo mbisundohet politikisht nga vendi anëtar më i fuqishëm dhe politikat e saj kanë pasur efekte sociale dhe ekonomike katastrofike. 

 

Po pse e majta mainstream e ka kaq të vështirë për ta pranuar Brexit-in? Arsyet, siç i kemi theksuar, janë të shumta dhe shpesh të mbivendosura: besimi i gabuar i së majtës që hapja dhe tregtia sjellin begati; brendësimi i miteve ekonomike mainstream, veçanërisht në lidhje me defiçitet dhe borxhet publike; paaftësia e saj për të kuptuar natyrën e vërtetë të Tregut të Përbashkët dhe Bashkimit Evropian në përgjithësi; iluzioni se BE mund të demokratizohet dhe reformohet në një drejtim progresist; përfytyrimi problematik se sovraniteti kombëtar është bërë i parëndësishëm në ekonominë ndërkombëtare gjithnjë e më të ndërlikuar dhe të ndërvarur dhe se shpresa e vetme për të arritur ndonjë ndryshim kuptimplotë është që vendet të bashkojnë sovranitetin e tyre dhe ta transferojnë në institucionet mbikombëtare.

Një arsye e rëndësishme e përkrahjes së panikut anti-Brexit nga ana e së majtës ka qenë se dalja nga BE ka shërbyer si heqëse vëmendjeje nga probleme më substanciale: fakti që sistemi ekonomik i Perëndimit është në rënie serioze. Një tjetër studim[7] i CBR së lartpërmendur ka zbuluar se ndikimi i Brexit-it ka gjasa të jetë shumë më i butë se parashikimet e qeverisë “edhe nëse Mbretëria e Bashkuar përfundon pa marrëveshje të tregtisë së lirë apo pa fituar akses të privilegjuar në tregun e përbashkët të BE“, — madje edhe në rastin e të ashtuquajturit “Brexit të vrazhdë“. Në përgjithësi, hulumtuesit e Kembrixhit arritën në përfundimin se:

Perspektiva ekonomike është gri më shumë sesa e zezë, por, sipas mendimit tonë, kështu do të ishte si me Brexit-in ashtu edhe pa të. Realiteti në thelb ka të bëjë me vazhdimin e rritjes së ngadaltë të prodhimit dhe të produktivitetit, që kanë karakterizuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe ekonomitë e tjera perëndimore që nga kriza bankare. Rritja e ngadaltë e kredisë bankare në kontekstin e niveleve të larta të borxhit, dhe e përkeqësuar nga masat shtrënguese në sektorin publik, e pengojnë rritjen e përfillshme të kërkesës së agreguar.
Me fjalë të tjera, në masën që Mbretëria e Bashkuar vazhdon të ballafaqohet me probleme serioze ekonomike — rrudhja e kërkesës së brendshme, rritja e madhe e borxhit privat, infrastruktura në rënie dhe deindustrializimi — këto të fundit nuk kanë të bëjnë fare me Brexit-in, por janë rezultat i politikave ekonomike neoliberale të ndjekura nga qeveritë e njëpasnjëshme britanike në dekadat e fundit, përfshirë këtu qeverinë aktuale konservatore. 
Këto ide të thellësisht neoliberale mund të sfidohen vetëm nga një revolucion demokratik në politikën britanike — por këtu përsëri debati mbi Brexit-in na ka penguar, duke shpërfaqur një mosbesim të thellë ndaj demokracisë. Çka ilustrohet nga pretendimet [8] se pa mbrojtje të Tregut të Përbashkët Mbretëria e Bashkuar do të kalonte në një makth distopik, ku do të përmbytej nga ushqimet e modifikuara gjenetikisht, pulat e klorinuara dhe privatizimi i sektorëve të mbrojtur si kujdesi shëndetësor dhe ku, siç shkruan Denayer-i, të drejtat e njeriut do të reduktohen ndjeshëm dhe do të kompromentoheshin parimet e gjyqit të drejtë, fjalës së lirë dhe standardet e punës dinjitoze. Ndonëse mund të jetë e vërtetë që në disa fusha qeveritë e mëparshme britanike të krahut të djathtë janë kufizuar nga BE në rendjen drejt derregullimit dhe tregtarizimit, përfytyrimi që populli britanik është i paaftë të mbrojë të drejtat e veta në mungesë të disa formave të kufizimit të jashtëm është patronizues dhe reaksionar.
Ashtu sikurse problemet ekonomike aktuale të Britanisë kanë të bëjnë shumë më tepër me politikat ekonomike vendase sesa me rezultatin e referendumit, e ardhmja e vendit varet më shumë nga politikat e brendshme që do të jetësohen nga qeveritë e ardhshme britanike dhe jo nga rezultati i negociatave të Mbretërisë së Bashkuar me BE. Shkruan John Weeks-i, profesor emeritus në Universitetin e Londrës: E vërteta e dhimbshme është se shumica dërrmuese e familjeve britanike do të jetë më mirë jashtë Bashkimit Evropian me një qeveri laburiste të udhëhequr nga Jeremy Corbyn-i sesa në Bashkimin Evropian nën zgjedhën e një qeverie konservatore të udhëhequr nga kushdoqoftë“.
Vërtet: një qeveri demokratike socialiste e udhëhequr nga Corbyn-i është opsioni më i mirë për shumicën e qytetarëve britanikë dhe për ekonominë britanike. Kjo çon në një përfundim të qartë: se për një qeveri laburiste të udhëhequr nga Corbyn-i, të mos qenët anëtare e Bashkimit Evropian më shumë zgjidh sesa krijon probleme siç vëren Weeks-i. Ai i referohet faktit se shumë aspekte të manifestit të Corbyn-it — siç janë rishtetëzimi i postës, hekurudhave dhe firmave energjetike dhe mbështetja zhvillimore për kompani të veçanta, ose politika të tjera që një qeveri e ardhshme laburiste mund të vendosë të zbatojë, siç është miratimi i kontrolleve ndaj kapitalit, vështirë se do të zbatoheshin nën të drejtën e BE dhe me shumë gjasë do të kundërshtoheshin nga Komisioni Evropian dhe Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Në fund të fundit, BE është krijuar tamam me synimin e nxjerrjes jashtë ligjit të këtyre politikave radikale.
Prandaj Corbyn-i duhet t’i rezistojë presionit nga të gjitha anët — para së gjithash brenda partisë së tij — për të mbështetur një Brexit të butë. Në vend të tij, ai duhet të gjejë një mënyrë për të thurur një narrativë radikalisht progresiste dhe emancipuese të Brexit-it. Një dritare që hapet një herë në jetë është përpara të majtës britanike  dhe të majtës evropiane në tërësi për të treguar se është e mundur një thyerje radikale me neoliberalizmin dhe institucionet që e mbështesin atë. Por nuk mund të qëndrojë hapur përgjithnjë.

 

Përktheu: Kristi Çunga
Marrë nga revista Jacobin
Imazhi: Jordhan Madec / Unsplash
Shënime:

[1] T. Fazi dhe W. Mitchell janë bashkautorë të librit Rivendosja e shtetit: një vizion progresiv i sovranitetit për një botë post-neoliberale (Reclaiming the State: A Progressive Vision of Sovereignty for a Post-Neoliberal World).

[2] pariah, anëtar i kastës më të ulët sipas hierarkisë shoqërore të Indinë jugore, gjatë kohës kur kjo e fundit ishte nën sundimin kolonialist të britanikëve (sh. i përkthyesit).

[3] EU Exit Analysis, Cross Whitehall Briefing, House of Commons Exiting the European Union Comittee

[4] The Trouble With Macroeconomics, Paul Romer, Stern School of Bussines, New York University, 2016

[5] run on the pound, dukuri ekonomike që ndodh kur tregtarët e financierët britanikë gjykojnë se nuk është në interesin e tyre të mbajnë paundin, por një valutë tjetër alternative si euro, dollar, ar, etj. Kështu ata përpiqen ta shesin (këmbejnë) paundin me valuta të tjera. Për t’i arritur shpejt këto këmbime, ata do të detyrohen ta ulin çmimin e paundit. Naga ana tjetër, kjo rënie e paundit shkakton domosdoshmërinë për ta këmbyer atë me valuta të tjera, edhe më shpejt akoma, duke e reduktuar vlerën e tij së tepërmi. Pra, nëse çdokush do të rend për ta shitur paundin sa më shpejt, vlera e tij do të bjerë në mënyrë të rrufeshme, në krahasim me valutat e tjera (sh. i përkthyesit).

[6] How The Economics Profession Got It Wrong On Brexit, Centre for Business Research, University of Cambridge, 2018

[7] The Macro-Economic Impact of Brexit: Using the CBR Macro-Economic Model of The UK Economy (UKMOD), Centre for Business Research, University of Cambridge, 2018

[8] Busting the Lexit Myths, Labour Campaign for The Single Market, 2017

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.