Edhe një herë mbi reformën në arsim dhe modelin anglo-sakson

/Redi Muçi/

Reforma në arsim, ashtu si të gjitha reformat e ndërmarra në këto 20 vitet e fundit nga forcat në pushtet, është konsideruar gjerësishtsi klienteliste – pra që i shërben financimit të privatëve me para publike.Për hir të debatit, megjithatë, le të supozojmë se qeveria – si rrallëherë a si moskurrë – është nisur nga premisa të mira dhe e ka zgjedhur “modelin anglo-sakson” për shkak se e konsideron atë ‘më të suksesshmin në tregun e dijes’ dhe se përmes tij do të rrisë cilësinë e produktit shkencor dhe atij intelektualo-profesional të studentëve të diplomuar. Prandaj, për hir të debatit, mirë do të ishte të analizohej modeli i zgjedhur për të kuptuar nëse është i duhuri për të arritur qëllimet e shpallura të hartuesve të reformës. Për këtë është nevojshme që arsimimin në SHBA dhe Britaninë e Madhe ta vendosim në një kontekst historik e madje ideologjik për të parë se si do të zbatohej ky model në rrethanat e vendit tonë.

Do të ishte me interes sikur vështrimin nga e shkuara ta nisnim duke parë të tashmen. Kështu, mbështetjen më masive të grupmoshave 18-25 vjeç në SHBA dhe BM në zgjedhjet e fundit vendore e kanë marrë kandidatët e së majtës, përkatësisht Bernie Sanders-i dhe Jeremy Corbyn-i, të cilët kanë premtuar heqjen e tarifave të shkollimit të lartë duke e rikthyer arsimin publik falas. Cilës periudhe i referohet ky rikthim?

Në fakt në SHBA arsimi publik falas nuk u aplikua asnjëherë si politikë mbarëkombëtare, kjo edhe për shkak të sistemit federal të qeverisjes ku çdo shtet vendos vetë. Megjithatë, shumica e universiteteve në SHBA që u themeluan përgjatë shek. XIX ishin falas dhe vetëm më vonë, me kalimin e kohës dhe me ndërprerjen e fondeve shtetërore, filluan aplikimin e tarifave. Kështu, që në vitin 1847 u themelua Akademia e qytetit të Nju Jorkut (sot City College of New York) me qëllim “arsimimin falas të të varfërve të zonave urbane, emigrantëve dhe fëmijëve të tyre”.Të diplomuarit e këtij universiteti do të fitonin 10 çmime Nobel, më shumë se çdo universitet tjetër publik. Universiteti i Kalifornisë, një ndër më të rëndësishmit në vend, ishte falas deri nga mesi i viteve 1970. Kërkimi shkencor, për më tepër, një ndër justifikimet kryesore për zbatimin e modelit anglo-sakson nga anët tona, financimet kryesore i ka përfituar nga shteti amerikan. Kështu, interneti, GPS-i, touchscreen-i, bateria, hard drive-i, njohja e zërit dhe gjithë teknologjitë e tjera që sot i përdor iPhone-i janë zhvilluar për mbi 25 vjet nga financimet e Departamentit të Mbrojtjes; panelet diellore nga Departamenti i Energjisë; algoritmet e motorëve të kërkimit të Google-it nga Fondacioni Kombëtar i Shkencës; zbulimet në shkencën farmakologjike nga Institutet Kombëtare të Shëndetit. Vetëm më vonë korporatat private i adaptuan këto teknologji për të nxjerrë në treg produktet që të gjithë ne përdorim sot. Arsyeja është lehtësisht e kuptueshme: asnjë korporatë nuk mund të investojë në kërkimin shkencor për një kohë kaq të gjatë, duke marrë përsipër riskun se rezultatet jo detyrimisht do të materializohen në mallra fitimprurës. Kështu që, me gjithë gjenialitetin që u atribuohet Steve Jobs-it, Zuckerberg-ut apo Elon Musk-ut, nuk duhet të harrojmë se baza teknologjike e risive të tyre ka qenë puna e palodhur (dhe e panjohur) ndër vite e gjithë atyre shkencëtarëve të mbyllur nëpër laboratorë që financoheshin nga shteti amerikan. Por me një dallim të madh: në ditët kur u themeluan agjencitë qeveritare të kërkimit shkencor – përfshi këtu edhe NASA-n – taksa mbi korporatat që e mundësonte një gjë të tillë ishte 52%. Në 22 dhjetor të vitit 2017 presidenti amerikan Donald Trump e uli taksën ndaj korporatave nga 35% në 21%.

Britania e Madhe, krahasimisht, ka një traditë në arsimim shumë më të gjerë sesa SHBA. Universitet e para në Angli, të themeluara në fillim të shekullit XI – ashtu si edhe arsimimi në përgjithësi – ishin nën mbikëqyrjen e kishës dhe shërbenin kryesisht për arsimimin e klasave të privilegjuara. U deshën shumë përpjekje që nga fundi i shek. XIX, me krijimin e universiteteve publike “tullëkuqe”, arsimimi të bëhej laik dhe të shkëputej nga dominimi i kishës duke u financuar nga taksat lokale. Prej kësaj periudhe deri në fundin e Luftës së Dytë Botërore disa universitete aplikonin një tarifë që mund të arrinte deri në 33% të financimeve totale të të ardhurave (për krahasim, sot Universiteti i Tiranës 60% të të ardhurave i siguron nga tarifat studentore). Ndërkohë, pas kësaj periudhe, tarifat e studimit paguheshin nga Autoritetet Lokale të Arsimimit, deri në daljen e Aktit të Arsimit të vitit 1962 kur praktikisht universitetet jo vetëm që u bënë falas, por qeveria jepte edhe një grant për jetesën e studentit. U deshën plot 36 vjet deri në vitin 1998 që, për ironi të fatit, të ishte Partia Laburiste e Tony Blair-it ajo që do rifuste tarifat e studimit prej 1000 paundë në universitete, ndërsa grantet qeveritare të studimit u reduktuan me 40% që prej viteve ’70. Pas rritjes së parë që i çuan në 3000 paundë, në vitin 2010 tarifat u rritën përsëdyti duke arritur në 9000 paundë.

Pse është e rëndësishme e gjithë kjo? Për të kuptuar se ajo që qeveria shqiptare, me gjithë violinat shoqëruese të diplomoreve private, e quan “modeli anglo-sakson” nuk ka ekzistuar gjithmonë si një model tregtarizimi i hapësirës universitare. Përkundrazi, mendjet më të ndritura të shkencës i ka kultivuar gjatë një periudhe kur universitetet ishin falas për të gjithë. Ashtu si risitë teknologjike që të gjithë i gëzojmë sot janë shtyrë përpara nga financimet shtetërore në origjinë të të cilave nuk ishte fryma e shenjtë, por taksat mbi korporatat.

Mbetet, sidoqoftë, pyetja se pse ka ndodhur transformimi i sistemit arsimor në këto vende? Kjo lidhet me ideologjinë mbizotëruese të fundviteve 1970 dhe fillimviteve 1980 që rëndom njihet si neoliberalizëm dhe që themelues shpirtërorë të saj ka Ronald Reagan-in në SHBA dhe Margaret Thatcher-in në Britani. Implementuesit e mëvonshëm të kësaj ideologjie, edhe në fushën e arsimit, ishin shëmbëlltyra e tyre në formën e Bill Clinton-it dhe Tony Blair-it. Thelbi i neoliberalizmit në arsim, siç është trajtuar edhe më parë, ka qenë këndvështrimi se arsimi mund të përbëjë një sipërmarrje fitimprurëse të suksesshme; se duke e trajtuar arsimin si mall i cili konkurron në treg ku produkti më cilësor zgjidhet nga studentët-klientë, do të bëhet e mundur rritja e buxhetit për arsimin nga tarifat që do të përcaktojë tregu. Po si t’ia bëjmë që një familje e klasës së mesme në SHBA nuk mund të përballojë tarifa 20.000-dollarëshe për të dy fëmijët e vet? Atëherë në lojë hyjnë kreditë studentore, norma e interesit të të cilave në Britani ka kapur shifrën 6.1%. Si rezultat, borxhi i pashlyer studentor në SHBA kap shifrën 1.5 trilionë dollarë, borxhi i dytë më i madh pas sektorit imobilar, kurse në Britani shifrën 105 miliardë paundë që pritet të rritet në 450 miliardë deri në vitin 2050. A habitemi dot nga popullariteti i propozimeve të Sanders-it dhe Corbyn-it në këto vende?!

Po përtej gjithë sa ndodh jashtë vendit, a mundet që një politikë e tillë të çojë në rritjen e cilësisë arsimore në Shqipëri? Konteksti në të cilin po mëtohet të zbatohet kjo reformë është shumë i ndryshëm nga sa u përshkrua më sipër. Në Shqipëri vijmë nga një 25-vjeçar shthurjeje graduale e traditës së ngritur në arsim dhe të tkurrjeje të vazhdueshme të fondeve qeveritare për arsimin, deri në atë pikë sa sallat e leksioneve dhe laboratorët në universitetet publike janë kthyer në relike të kohës së diktaturës. Fondet e shtetit nuk mjaftojnë as për të mbuluar pagat e pedagogëve, lere më pastaj kërkimin shkencor. Hedhja në konkurrencë e universiteteve, në këto kushte, nuk çon në rritjen e cilësisë, por në uljen e saj. Dhe provat për këtë i kemi përpara syve: kriteret e mesatares së bachelor-it për pranimin e studentëve në programet master nuk ekzistojnë më. Kjo për arsyen e thjeshtë se departamentet druhen se, nëse vendosen kritere cilësie studentët, do të largohen drejt dilpomoreve private ku kriteri i vetëm është paraja, mundësisht në variantin euro. Gjithashtu kriteret e pranimit për regjistrimin e studentëve në vit të parë në Universitetin Politeknik të Tiranës, ku unë bëj pjesë, po tentohet t’i kalohen si kompetencë Senatit Akademik dhe jo fakultetit – siç e kërkon ligji që kanë shkruar vetë – përsëri nga frika se nëse ndokujt në fakultet i shkrep në kokë të vendosë mesataren 7 të matematikës së gjimnazit si kriter pranimi, rrezikojmë të mos plotësojmë kuotat. Në çdo rast tjetër, numri i ulët i studentëve duke përzgjedhur ata më cilësorët do të ishte një bekim për universitetin dhe mësimdhënien në përgjithësi. Por jo kur nga tarifat e tyre varet mbijetesa e institucionit. Atëherë na duhet të mbushim sallat, pavarësisht se kë futim e si e nxjerrim.

Por edhe sikur në mënyrë abstrakte të mendonim për meritokraci në universitet, a mund të ekzistonte ajo në kulturën shqiptare pas rritjes së pritshme të tarifave? A mund të supozohet që një studenti, i cili nesër do të paguajë me mijëra euro për shkollimin në një institucion publik, t’i kërkohet të ndërpresë studimet sepse është i paaftë (ose i pangeshëm) për këtë përpjekje? A nuk e legjitimon kartonin – pavarësisht meritave – shuma prej 2000 eurosh në llumin moral në të cilin ndodhemi si shoqëri? Po tregu i punësimit, me rrogën e kamerierit dhe të centralistit në call centre, a e justifikon një sakrificë të tillë nga prindërit shqiptarë për fëmijët e tyre? Me këtë amulli që ekziston, me këtë pasiguri për vlerën e diplomës? Këto janë pyetjet që duhet t’i shtrojë çdo familje shqiptare dhe çdo student që hyn në dyert e universitetit. Vetëm reagimi kolektiv mund të na nxjerrë nga qorrsokaku ku na ka futur karvani i politikës.

Imazhi: Reddit

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.