Quajeni rrëfim po deshët

/Arlind Qori/

Informimet, keqinformimet, hamendjet dhe vlerësimet e ditëve të fundit të nxitura nga konfrontimi i Lëvizjes Për Universitetin ndaj kryeministrit Rama kërkojnë disa sqarime, të cilat s’kam asnjë tagër t’i bëj në emër të tjetërkujt pos vetes. Afërmendsh që nuk kam ndër mend të harxhoj më shumë sesa këtë fjali me lunatikë të cilët malinjiteti, paranoja dhe/ose budallallëku i çojnë deri në pikën sa të më vënë në dyshim ndershmërinë publike për shkak se para tre vjetësh jam pasë shoqëruar me dikë që sot është pranë qeverisë. Aq më pak të marr seriozisht gomarëri që e shpjegojnë aksionin tonë politik me faktin se s’bëjmë seks sa dhe si duhet.

Sa për hyrje, prej vitit 2004-2005 jap mësim në Departamentin e Shkencave Politike. Mendoj se bëj punën më të bukur në botë dhe se më paguajnë kot me 60 e kusur mijë lekë në muaj .Them kot jo se nuk e marr seriozisht punën, por se në fakt më paguajnë për të lexuar, menduar dhe folur njerëzve, çka do ta bëja edhe falas po të kisha të ardhura të tjera mbijetuese.

Prej disa vitesh me një grusht shoqesh e shokësh, pa u njohur më parë me njëri-tjetrin por duke u njohur prej ideve dhe idealeve të përbashkëta, mblidhemi rreth Organizatës Politike. Me kalimin e kohës dhe intensifikimin e veprimeve si solidarizimi me punëtorët, protesta kundër armëve kimike apo ajo kundër rritjes së tarifave të transportit urban, e sa e sa aksioneve të tjera simbolike, grushti i shoqeve dhe shokëve është zgjeruar ca. Organizata Politike përbëhet nga studentë, pedagogë, punëtorë dhe të papunë. Organizata Politike është e majtë. Do thoni ju: “Ç’na the?! Po çfarë të majtësh jeni? Komunistë – siç ju akuzojnë? Anarkistë? Socialdemokratë?” Përgjigjja ime është: Të majtë. Jo se s’dimë të bëjmë edhe nuancat më të vogla teorike, por se në vendin tonë, ku nuk ka asnjë parti, lëvizje a organizatë të majtë, por të gjitha garojnë se kush vrapon më djathtas, nuk e kemi luksin të jemi fraksione të një spektri të majtë. Kur s’ka spektër, s’ka as fraksione. Politikisht, ku nuk mjafton vetëm të kesh të drejtë në mënyrë abstrakte, por të ndërgjegjësosh, organizosh dhe mobilizosh qytetarët, diferencimet ideologjike kanë kuptim aty ku ka shumësi entitetesh të një spektri, të cilat duhen dalluar midis tyre. Në vende me pasuri të tillë politike, ka kuptim të jesh anarkist, ose komunist, ose social-demokrat. Pastaj brenda anarkistëve të jesh bakuninist apo prudonist, në mos fare situacionist. Po ashtu brenda komunistëve të jesh leninist, trockist, stalinist, luksemburgist, maoist, kastrist, titist etj. Ose socialdemokratikisht mund të jesh bernshtajnian, kauckist, Bad Godesbergist, neolaburist apo thjesht hajvan edramist. Si rezultat i faktit se e majta nuk ekziston politikisht në Shqipëri, na është dukur luks i tepërt të zihemi me njëri-tjetrin për të përkufizuar me imtësi teorike se ç’jemi. Ama njëzëri kemi vendosur çfarë nuk jemi: Nuk jemi stalinistë (enveristë), as neolaburistë, ruajna zot pastaj edramistë. Në gjerësinë e saj e majta që duam të përfaqësojmë i sheh shoqëritë të ndara nga kontradikta të shumëllojshme, në të cilat ne mbajmë anë duke i dhënë përparësi njërit pol. Kështu jemi me punëtorët dhe jo me pronarët; me të varfrit dhe jo me të pasurit; për zhvillimin industrial dhe jo për primitivizmin ekonomiko-tregtarist; me të dhunuarit dhe jo me dhunuesit; me të dobëtit dhe jo me të fortët; me pakicat etnike, fetare, seksuale etj. dhe jo me shumicat hegjemonizuese; në familjet patriarkale jemi me fëmijët, të rinjtë dhe gratë dhe jo me burrat me kamxhik; jemi për arsimimin e barabartë dhe cilësor dhe jo për privilegjet; për shërbime e të drejta sociale të gjera për të gjithë dhe jo vetëm për të privilegjuarit; për emancipimin shoqëror dhe jo për obskurantizmin; në botë jemi për të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe jo për sundimin politik dhe shfrytëzimin ekonomik; jemi për ekologjinë dhe jo për shkatërrimin e mjedisit për interes të të paktëve etj.

Me kontribute vullnetare, ku secili paguan në përpjesëtim me të ardhurat mujore, mbajmë hapur qendrën sociale Logu i Shkëndijës, në të cilën disa herë në javë zhvillojmë takime për diskutim librash, ligjërata teoriko-politike, shfaqje dhe komentim filmash, mbrëmje poetike etj.

Prej kapërcyellit të viteve 2013-2014, me më shumë shoqe, shokë e kolegë, një pjesë e të cilëve janë në Organizatën Politike, jemi mbledhur për të ndarë shqetësimin për ç’po kurdiste qeveria me reformën në arsimin e lartë. E pamë të arsyeshme bashkërisht që t’i japim një formë më të qëndrueshme dhe të gjerë organizimit tonë dhe, për pasojë, formuam Lëvizjen Për Universitetin. Lëvizja Për Universitetin mbledh bashkë shumë studentë dhe pedagogë, shumica e të cilëve pa lidhje me Organizatën Politike, të cilët kanë qëndrim të papajtueshëm me reformën neoliberale të qeverisë në arsimin e lartë, e njëjtë në logjikë me atë të mbetur në tentativë nga qeveria e shkuar. E konceptuar si lëvizje e gjerë universitarësh, lëvizja i mbledh studentët dhe pedagogët rreth parimeve të përgjithshme si: arsimi publik falas që do të zhdukte privilegjet dhe diskriminimin klasor, ndalimi i financimit të diplomoreve private nga shteti dhe taksimi i tyre, rritja e financimit shtetëror për universitetet publike, antibajraktarizmi dhe demokratizimi i jetës universitare publike, llogaridhënia e drejtuesve të universiteteve ndaj universitarëve dhe mbarë shoqërisë, kultivimi i një jete akademike të hapur, kritike dhe të pakolonizuar nga sundimi i shtetit dhe interesat e privatëve, liria akademike etj. A janë të majta apo të djathta këto parime? Varet se për cilin bëhet fjalë dhe në ç’kontekst historik flitet. Janë universale, çka nuk përjashton që t’i përkasin teorikisht më shumë ose më pak njërës apo tjetrës qasje. Bie fjala liria akademike do t’i bashkonte pothuajse të gjithë, hiq fashistët dhe stalinistët, kufizimi i komercializimit të universiteteve të majtë dhe konservatorë, demokratizimi të majtë e liberal-demokratë e kështu me radhë. Madje në kontekste të tjera historike edhe kërkesa për arsim publik falas, nëse do të bëhej në vendet perëndimore gjatë dekadave të arta të shtetit social, do të bashkonte të majtë, liberalë e konservatorë, paçka se në kohërat obskurantiste ku jetojmë konsiderohet prej mendjengushtëve si lajthitje ekstremistësh. Kësisoj Lëvizja Për Universitetin mëton të përfshijë brenda vetes çdo student, pedagog e qytetar të ndërgjegjshëm që është i një mendjeje me ne për parimet e mësipërme, pavarësisht çdo cilësimi tjetër të natyrës politike, kulturore, fetare, ekonomike, etnike etj.

Së treti, siç e ceka edhe më parë, unë paguhem për të lexuar, menduar dhe folur me studentë. Pra jam intelektual (jo në ndonjë kuptim të veçantë apo të privilegjuar të fjalës, por si dikush që ka për profesion, për mirë ose për keq, përdorimin publik të intelektit). Si intelektual i përkushtohem të vërtetës. Raporti me të vërtetën më bën t’i dëgjoj e lexoj të gjithë sa të mundem, të mendoj në mënyrë kritike dhe vetëkritike, por në fund të nxjerr disa përfundime të përkohshme për të cilat nuk i jap llogari askujt. Mund ta quani ves prej intelektuali, por çdokush që ka një raport me të vërtetën, me të arritur një përfundim relativisht të sigurt, s’e çan më kokën edhe sikur gjithë bota të përmbyset duke menduar të kundërtën. Motoja e intelektualit është: “Eppur si muove!”, edhe sikur bota të rrotullohet në atë mënyrë që të të bjerë mbi kokë apo të marrësh mbi vete moskuptimin apo mllefin e të shumtëve. Si intelektual, d.m.th. si njeri që merrem modestisht me punë teorike, kam disa autorë që më frymëzojnë duke më çelur dritare të reja mendimi dhe përfytyrimi mbi botën. Gjatë këtyre viteve do të veçoja Slavoj Žižek-un, Alain Badiou-në, Fredric Jameson-in, Antonio Negri-n, Perry Anderson-in, Immanuel Wallerstein-in, David Harvey-n etj. si bashkëkohorë; ca më herët Theodor Adornon, Walter Benjaminin, Ernst Bloch-un, Georg Lukacs-in, Antonio Gramsci-n etj. Ama si shumëkush që merret me punë teorike, edhe unë kam mendimtarin klasik të preferuar i cili, si të gjithë klasikët, nuk jep të gjitha përgjigjet, madje ia këput edhe kot, por gjithsesi mbetet bazë pa të cilën nuk ka ngrehinë teorike, cilado qoftë forma që merr ajo. Ata që më njohin e dinë mirë që është fjala për Karl Marksin. S’kam ndër mend të bëj ndonjë leksion për aspektet filozofike, ekonomike, sociologjike apo filozofike të Marksit, por të them vetëm se në punën time teorike më ka ndihmuar mjaft sidomos në dy fusha: në atë të kritikës së ekonomisë politike, duke shpërfaqur kontradiktat e papajtueshme të mënyrës kapitaliste të prodhimit, dhe në atë të kritikës së ideologjisë si tërësi mendimesh, përfytyrimesh, besimesh, ëndrrash, imagjinatash dhe fantazish kolektive hegjemonike që kanë për efekt riprodhimin e marrëdhënieve kapitaliste të prodhimit.

Si përfundim, nëse si aktivist i Organizatës Politike dhe Lëvizjes Për Universitetin ua përshtat mendimet e mia konkrete edhe dashamirësve dhe pritshmërive shoqërore sepse e di se e drejta ka nevojë për fuqinë dhe fuqia lind nga bashkimi midis të barabartëve, madje u jap llogari shoqeve e shokëve me të cilët kam ndarë shumëçka, si intelektual, pavarësisht se jam i hapur t’i debatoj idetë e mia me çdokënd, nuk i jap llogari askujt.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.