E majta mund të fitojë

/Pablo Iglesias[1] /

Partia më e re politike në Spanjë është njëherit më popullorja. Me rrënjë te Lëvizja e “indignados”-ve[2] e vitit 2011 (e quajtur Lëvizja 15-M), “Podemos”-i[3] u lind në janar përmes një peticioni të nisur nga një duzinë intelektualësh. Në zgjedhjet e majit për Parlamentin Evropian, vetëm ca muaj pas themelimit, kjo parti e majtë fitoi 8% të votave. Tani është partia e dytë më e madhe në Spanjë për nga anëtarësia dhe më e madhja sipas sondazheve. Madje edhe “Financial Times” e pranon se “partia e re duket në rrugë të mbarë për ta shpartalluar sistemin e kahershëm dypartiak në Spanjë.”

Në një tubim të mbajtur në këtë vit në Vajadolid të Spanjës, sekretari i përgjithshëm i “Podemos”-it Pablo Iglesias dha mendimin e tij se si mund të triumfojë e majta. Në vijim gjeni një pjesëz prej fjalimit të tij. Videoja është ngarkuar nga Hoakim Navarro dhe është transkriptuar për revistën “Jacobin” nga Enrike Diaz Alvarez.

***

Jam tejet i vetëdijshëm se çelësi i të kuptuarit të historisë së pesëqind viteve të fundit është dalja në skenë e kategorive specifike shoqërore të quajtura “klasa”. Tani do t’ju tregoj një anekdotë. Kur zuri fill Lëvizja 15-M, në Puerta del Sol, disa studentë të departamentit ku unë ligjëroj, Departamentit të Shkencave Politike, studentë tejet politikë – ata kishin lexuar Marksin, kishin lexuar Leninin – morën pjesë për të parën herë në jetën e tyre krahpërkrah njerëzve normalë.

U dëshpëruan: “Ata nuk kuptojnë asgjë prej gjëje! Ne po iu themi, ju jeni punëtorë, edhe në qoftë se nuk e dini këtë!” Njerëzve duhet t’u jenë dukur si të ishin prej ndonjë planeti tjetër. Studentët u kthyen në shtëpi tejet të zymtë, duke thënë: “Ata nuk kuptojnë asgjë prej gjëje!”

(Unë do t’iu thosha): “A s’po e shihni se problemi qëndron te ju; se në politikë asgjë nuk ka të bëjë me të pasurit të drejtë; se në politikë gjithçka ka të bëjë me të arriturit sukses?!” Mund të bësh analizën më të mirë, t’i kuptosh nyjëtimet e zhvillimeve politike që prej shekullit XVI, ta dish se materializmi historik është kyçi i të kuptuarit të proceseve shoqërore. E çfarë pastaj?! Çfarë e ke ndërmend të bësh? T’u çirresh njerëzve?: “Ju jeni punëtorë dhe as që jeni të vetëdijshëm për këtë!”

Armiku s’do asgjë më shumë sesa të na përqeshë. Mund të veshësh një bluzë me drapër e çekan të shtypur në të. Madje mund të valëvitësh edhe një flamur të madh dhe më pas të kthehesh në shtëpi me atë flamur, ndërkohë që armiku zgërdhihet me ty. Për shkak se njerëzit, punëtorët zgjedhin armikun para teje. Ata i besojnë atij. Ata e marrin vesh atë teksa flet. Ty nuk të marrin vesh. Ti mbase e ke mirë! Po deshe mund t’ua kërkosh djalit a vajzës tënde të ta gdhendin këtë epitaf në gur varri: “Ai gjithmonë e pati mirë – por askush kurrë nuk e diti këtë.”

Kur studion lëvizjet e suksesshme transformuese, e sheh se çelësi i suksesit është në të thururit e njëfarë ngjasimi ndërmjet analizës sate dhe asaj që ndjen shumica. Kjo është shumë e vështirë. Kjo do të thotë t’ia dalësh mbanë me kontradiktat.

Mendoni se unë kam ndonjë problem ideologjik me grevat à la “wildcat strike”[4] dyzetetetëorëshe apo shtatëdhjetëedyorëshe? Jo, aspak! Puna është se të organizosh një grevë s’ka të bëjë fare me atë se si unë apo ti duam ta bëjmë. Kjo ka të bëjë me fuqinë sindikale dhe që të dy ne, unë dhe ti, jemi domethënës këtu.

Ti dhe unë mund të duam që bota të ishte një parajsë për tërë njerëzimin. Ne mund të ëndërrojmë çfarëdo që duam e ta shtypim atë ëndërr në bluzën tonë. Por politika ka të bëjë me fuqinë dhe jo me dëshirat tona dhe me ato që themi nëpër mbledhje. Në këtë vend kemi vetëm dy sindikata me mundësi për të organizuar një grevë të përgjithshme: CCOO-në dhe UGT-në[5]. A më pëlqen kjo? Jo. Por ja që kështu është situata dhe të organizuarit e një greve të përgjithshme është shumë ë vështirë.

Unë vetë i kam mbrojtur “picket lines”[6] përballë depove të autobusëve në Madrid. Njerëzit atje, në agim, e keni parasysh se ku kishin për të shkuar? Në punë. Ata nuk ishin dezertorë. Por ata do të dëboheshin nga puna sepse s’kishin fare sindikata për t’i mbrojtur. Sepse, punëtorët që mund ta mbrojnë vetveten, sikurse ata të kantierit detar apo të minierave, kanë sindikata të fuqishme. Por çunat e gocat e “call center”-ave a picerive, ose vajzat që punojnë si shitëse lokalesh me pakicë – nuk mund ta mbrojnë veten.

Ata do të dëboheshin nga puna menjëherë të nesërmen grevës dhe ju s’do të ishit atje, unë s’do të isha atje dhe asnjë sindikatë s’do të ishte atje për t’iu garantuar se do të bisedonte me shefin dhe t’ia thoshte në fytyrë se më mirë bën të mos e pushosh nga puna këtë punëtor që ka ushtruar të drejtën e grevës, përndryshe do ta paguash shtrenjtë. Kjo nuk ndodh, sado entuziastë qofshim.

Politika nuk është ashtu siç ju apo unë do të donim të ishte. Është ajo që është… dhe është e tmerrshme. E tmerrshme! Prandaj ne duhet të flasim rreth unitetit popullor dhe duhet të jemi modestë. Ndonjëherë të bie të flasësh me njerëz që nuk e pëlqejnë fjalorin tënd  e për të cilët s’kanë kuptim konceptet që shpjegon. Çfarë na tregon kjo? Që ne po pësojmë debakël tash e sa vite. Të humbasësh vazhdimisht nënkupton vetëm një gjë: “sensi komun” i njerëzve dallon (prej asaj që ne mendojmë se është e drejtë). Por ky nuk është lajm. Revolucionarët gjithnjë e kanë ditur këtë. Kyçe është t’ia dalësh në mbudhjen e “sensit komun” kah ndryshimi.

Sezar Rendueles[7], një djalë tejet i zgjuar, thotë se shumica e njerëzve janë kundër kapitalizmit dhe nuk e dinë këtë. Shumica e njerëzve e mbrojnë feminizmin pa e lexuar Judith Butler-in e as Simone de Beauvoir-in. Kurdo që sheh një baba teksa pastron enët apo loz me të bijën e tij dhe një gjysh duke e mësuar nipin a mbesën që t’i ndajë lodrat me të tjerët, je duke parë më shumë transformim shoqëror sesa në të gjitha flamujt e kuq që mund të sjellësh në një demonstratë. Nëse nuk ia dalim ta kuptojnë se këto gjëra mund të shërbejnë si ngjitës, atëherë armiqtë s’do reshtin së qeshuri me ne.

Ashtu na do armiku. Na do të vegjël, duke folur një gjuhë që asnjeri s’e merr vesh, të ngelur pakicë, duke u fshehur prapa simboleve tona tradicionale. Ai kënaqet kësisoj sepse e din se për sa kohë që ne ngelemi të këtillë, nuk jemi të rrezikshëm për të.

Ne mund të kemi një diskurs me të vërtetë radikal, le të themi, ne duam të bëjmë një grevë të përgjithshme à la“wildcat”, të flasim për popullin e kapur krahpërkrah, t’i vringëllojmë simbolet tona, të mbajmë lart portrete revolucionarësh të mëdhenj përgjatë demonstratave tona – armiku do të ishte shumë i kënaqur me këtë! Ata do të na përqeshnin. Megjithkëtë, kur mbledh në një vend qindra-mijëra njerëz, kur fillon të bindësh shumicën, qoftë edhe ata që më parë votonin armikun – vetëm atëherë armiku zë e frikësohet. Kjo pra quhet “politikë”. Kjo është ajo që ne duhet ta marrim si mësim.

Këtu pashë një shok që foli rreth sovjetëve të vitit 1905. Asokohe një tullac u tregua gjenial. Ai e kuptoi analizën konkrete të situatës konkrete. Në kohë lufte, në vitin 1917, kur regjimi ishte shkërmoqur në Rusi, ai u tha rusëve –  qofshin ata ushtarë, fshatarë a punëtorë – një gjë tejet të thjeshtë. Ai iu premtoi: “bukë dhe paqe”.

Dhe kur ai thoshte “bukë dhe paqe”, që ishte mu ajo që dëshironte gjithsecili– pra që lufta të merrte fund dhe të kishin mjaftueshëm bukë për të ngrënë – shumë rusë, që as ia kishin idenë nëse ishin “të majtë” apo “të djathtë”, por që kishin uri, thanë: “Tullaci e ka mirë!” Dhe tullaci ia doli për mrekulli. Ai s’u foli rusëve për “materializmin dialektik”; iu foli për “bukë e paqe”. Ky është një nga mësimet më të vyera të shekullit XX.

Të mundohesh ta transformosh shoqërinë duke imituar historinë, duke imituar simbolet, është qesharake. Nuk ka përsëritje të eksperiencave të vendeve të tjera e as të ngjarjeve të shkuara historike. Çelësi është t’i analizosh proceset, mësimet nga historia. Dhe ta kuptosh se në secilën kohë, parulla “bukë dhe paqe” po qe se nuk ndërlidhet me atë që njerëzit mendojnë e ndjejnë, përbën përsëritjen, porsi një farsë, e një fitoreje tragjike nga e shkuara.

– Shtator 2014

Përkthimi dhe shënimet: Fitim Salihu

Shënime:

[1] Pablo Iglesias Turrion (1978) është sekretar i përgjithshëm i “Podemos”-it që nga themelimi i saj më 2014. Është profesor i Shkencës Politike dhe Teorive Politike në një universitet në Madrid. Ka moderuar disa emisione të njohura televizive në Spanjë dhe ka shërbyer si këshilltar politik i qeverive majtiste të Venezuelës dhe Bolivisë. Është anëtar i Kongresit të Deputetëve të Spanjës dhe ka qenë deputet i Parlamentit Evropian. – vërejtje e përkthyesit.

[2] Lëvizja e të indinjuarve (“indignados”) apo Lëvizja 15-M (“15 Maji”) ka qenë lëvizje shoqërore e rinisë spanjolle që nisi më 15 maj 2011 si shenjë pakënaqësie me establishmentin politik dhe politikat ekonomike të Spanjës, sidomos me masat shtrënguese. Protestat masive paqësore patën vazhduar për disa muaj. – vërejtje e përkthyesit.

[3] “Podemos” në shqip përkthehet “Ne mundemi”. “Podemos”-i u themelua në mars 2014 dhe sot është forca e tretë politike në Spanjë. “Podemos” është parti e majtë që prioritare ka temat e papunësisë, pabarazisë dhe shtrëngesave ekonomike pas krizës financiare. – vërejtje e përkthyesit.

[4] “Wildcat strike action” në gjuhën angleze nënkupton aksionet greviste të punëtorëve pa lejen e udhëheqjes sindikale

[5] CCOO (Comisiones obreras – Komisionet punonjëse) është sindikata më e madhe në Spanjë që shihej si e afërt me Partinë Komuniste dhe që vepron që nga fillimvitet ’60. Në anën tjetër, UGT (Unión General de Trabajadores – Bashkimi i Përgjithshëm i Punëtorëve) është sindikatë e themeluar më 1888 dhe që sot shihet si e afërt me PSOE-në, Partinë Socialiste. – vërejtje e përkthyesit.

[6] “Picket lines” përdoret në gjuhën angleze për të përshkruar një kordon – me trupa të gjallë apo me mjete të forta – që shërben për të ndaluar hyrjet në një objekt ndërmarrjeje apo kompanie gjatë një greve punëtore, qoftë për të paralizuar punën e kompanisë, ashtu edhe për t’u pamundësuar punëtorëve të tjerë hyrjen në punë apo për të thyer grevën. – vërejtje e përkthyesit.

[7] Sezar Rendueles (1975) është socialog marksist dhe ligjërues universitar në Madrid. – vërejtje e përkthyesit.

Imazhi: Ministerio de Cultura de la Nación Argentina/Flickr

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.