Konsumerizmi i pafre

/Adam Stoneman/

Konsumi në dukje — krekosja e mirëqenies si shprehje e pushtetit ekonomik — nuk është dukuri e re, por ndoshta kurrë nuk ka qenë kaq e lehtë për t’u praktikuar. Media sociale ka ndihmuar për ta normalizuar atë, duke mbështetur një imazh individualizmi konkurrues dhe entërprejnërshipi, në të cilën përvoja e bollëkut duhet me doemos të dokumentohet e të shpërndahet online. I kredhur në harenë e një blerjeje të mirë, instinkti e shtyn ta shpërndajë atë me miqtë dhe ndjekësit online.

Në ballë të kësaj krekosjeje të kamjes qëndron klasa e re — djemtë dhe vajzat e njëpërqindëshit, të cilët kanë marrë përsipër të shpalosin pasurinë e prindërve të tyre ne Instagram dhe Snapchat. Fotografitë e tyre më pas përzgjidhen dhe publikohen në blogjet e njohura si Rich Kids of Instagram apo Private School Snapchats.

Ora Rolex, avionë privatë, jahte, këpucë Louboutin, makina sportive luksoze, karta krediti ekskluzive, çanta udhëtimi, fatura milionadollarëshe të shpenzuara për shampanjë — këta janë shënjuesit kulturorë të fëmijëve të “rrjetit të vlerave individuale ultra të larta” në botë.

Imazhet janë me dashje shabllon, të kapura me kamera ajfoni, të kompozuara nxitimthi, me filtra paraprakë dhe me hashtagje të parashikuara: #YOLO (You only live once), #blessed, apo #donthateappreciate.

Ndonëse mediumi i transmetimit të fotove është i ri, imazhet dhe raportet sociale që ato përfaqësojnë të sjellin ndër mend përshkrimet e mëhershme të mirëqenies, sidomos në pikturat e vajit të cilat ishin popullore mes elitave evropiane të shekujve XVII dhe XVIII.

Këto piktura vaji janë prodhuar gjatë një periudhe të shënjuar nga konsolidimi i borgjezisë merkantiliste (tregtare), ngritja e një klase e cila përfitoi nga zgjerimi i rrugëve të tregtisë me kolonitë. Ajo ishte epoka e udhëtimeve të gjata, kur bijtë fisnikë të Evropës veriore udhëtuan drejt Francës dhe Italisë në kërkim të së shkuarës dhe origjinës së kulturës evropiane, gjatë rrugës do të ndesheshin me artin, muzikën, ushqimin dhe do të shijonin garat rastësore të orgjive dhe dehjeve. Udhëtimet shpesh zgjasnin disa vite dhe mbështeteshin nga të ardhura dukshëm të pafundme nga shtëpia.

Sikurse fotot e shpërndara në Instagram, pikturat e vajit të kësaj periudhe kërkonin të tërhiqnin vëmendjen mbi prestigjin dhe statusin e subjektit — dhe ilustrojnë rolin e përshkrimit në mbrojtjen dhe përforcimin e privilegjit social.

Kritiku i artit dhe shkrimtari anglez John Berger, duke zbuluar Ways of Seeing [1] sfidoi pretendimin e neutralitetit në kodin e artit perëndimor duke nxjerrë në pah funksionet ideologjike të këtyre imazheve. Ai provoi se të gjitha imazhet, nga pikturat e mjeshtërve të mëdhenj e deri të billbordet e edvërtejzingut mund të kuptohen në termat e domethënies së tyre sociale dhe politike. Kontributi i madh i Bergerit nuk qëndronte në tregimin e mënyrës se si të lexojmë imazhe politike, por si t’i lexojmë politikisht imazhet.

Skeçet si vijon, që bëjnë bashkë një përzgjedhje dy llojesh të ndryshme imazhesh (piktura vaji evropiane të 1650-1750 dhe foto Instagrami të 2012-2014) na japin të kuptojmë idenë e Bergerit. Vepër e analizës vizuale më shumë se histori arti, krahasimi lidh një kulturë të së tanishmes me një të së shkuarës — të dyja për të kuptuar më mirë si përzgjedhjen në vetvete , ashtu edhe botën dëshpërimisht të pabarabartë që e prodhon atë.

Zoti dhe zonja Andrews e Thomas Gainsborough-ut është një portretizim ikonik i zbarkimit të zotërinjve në Anglinë e shek. XVIII. Në pikturë kremtohet martesa e Robert Andrews-it të Auberive me Frances Carter-in e Ballingdon House-it. Martesa e tyre ishte stisur nga baballarët dhe kombinuar nga pronat e familjeve te afërta në Sadbëri, Sufolk (Sudbury, Suffolk).

Piktura përshkruan fuqinë e perspektivës dhe perspektivën e pushtetit — Andrews-i është zot i gjithçkaje që vështron. Ky është shembull i një “copëze bisede jashtë në natyrë”, dy portrete me sfond peizazhin. Peizazhi i Eseksit dominon imazhin. Gruri i sapokorrur është mbledhur përballë, ndërsa në sfond rrethimi i deleve dhe gjedhëve dëshmon teknikat e përparuara bujqësore, për të cilat zoti Andrews ishte i njohur.

Këmisha e zbërthyer dhe animi i shkujdesur në stolin elegant rokoko të drurit mund të jetë marrë nga ndonjë libër me rregulla mirësjelljeje që këshillonte xhentëllmenët si të silleshin “çlirët”. Shikimi në sytë e tij është i sigurt dhe zotërues. Zonja Andrews, nga një familje e pasur tekstilesh me prejardhje hygenote, qëndron ulur dhe mban një kapelë të thjeshtë stil bareshe, ndërsa këmbët e saj në pantofla të trëndafilta mëndafshi konfirmojnë pozitën e saj shoqërore.

Mirëqenia po rritet sërish në mënyrë të përqendruar në skalionet e larta të shoqërisë. Në librin e tij Kapitali në shek. XXI, Thomas Piketty argumenton se periudha e barazisë relative ekonomike e gëzuar në Perëndim për disa dekada pas Luftës së Dytë Botërore ishte një anomali historike e pagjasë të përsëritet. Trashëgimia po kthehet edhe një herë në rrënjën kryesore të skalioneve të sipërme në Perëndim, dhe ne po kthehemi në nivele pabarazie të kohës së zotit dhe zonjës Andrews.

Imazhi: @carlosestini/Instagram

Çifti i të rinjve që po qëndrojnë pranë njëri-tjetrit në fotografinë tjetër janë Carlo Sestini Branca dhe motra e tij nga njerku, Oona Ortmans. Xhaxhai i tij, kont Branca, është një fisnik italian i cili drejton distilerinë e famshme të familjes në Milano. Prapa tyre shtrihet një fushë bari në Saint Tropez, por objekti që bie në sy është helikopteri privat, jo toka ku është ulur. Përdorimi i helikopterit privat është mënyra e tyre e preferuar e transportit, që i çon nga pronat në fshat në koktejl bare, nga penthauzi në ishullin privat.

I ri duke pirë, Bartolomé Esteban Murillo (1700–1750)

Çifti i buzëqesh kamerës, ndihen rehatshëm, veshjet e shkujdesura — të cilat flasin për një kulturë më informale nga ç’do ta kishte imagjinuar Zoti Andrews — na tregojnë se kanë vende për të vizituar: tek e fundit, e dinë se pas helikopterit në sfond qëndron piloti i cili po pret për t’u nisur.

Djaloshi në pikturën e Bartolomé Esteban Murillo-s na hedh një vështrim të ngrohtë teksa qëndron i mbështetur në tryezë, duke mbajtur një shishe vere me njërën dorë, ndërsa me tjetrën afron në buzë një gotë flaut. Një kurorë gjethesh rrushi sillet përqark kokës së tij, duke na sugjeruar se kemi të bëjmë me një ndjekës të ri të Bakut, perëndisë romake të verës.

Peshqiri i varur nga shpatulla ndoshta do të na shfaqë pozicionin e tij të shërbyesit. Murillo-ja zakonisht ka pikturuar fëmijë të varfër në rrugët e Seviljes, të cilët i ka portretizuar si të shkujdesur dhe të gëzuar — shprehje e këndvështrimit të tij se ne duhet të jemi të lumtur me pozicionin tonë shoqëror në jetë.

I riu Anton Thumberg, djali i një multimilioneri suedez, është duke mbajtur disa shishe shampanje në temperatura të ulëta, duke na treguar dobësinë e tij për tepri.

Imazhi: @thuniss/Instagram

Buzët e tij kanë citur jo buzët e ndonjë gote shampanje, por cepin e një karte të artë American Express, që qëndron e padobishme mes shisheve të shampanjës; e cila së bashku me orën Rolex përbëjnë një kombinim paksa të çuditshëm sendesh për vaskë. Ai është duke mbajtur të paktën shtatë litra shampanjë, duke përfshirë Veuve Clicquot, Moët dhe Dom Pérignon — një triumvirat shampanjash të njerëzve selebriti.

Por e gjitha kjo nuk ka të bëjë me shijen dhe kënaqësinë. Ka të bëjë me spektaklin e qejfit — përmbushja e tij qëndron jo prej shampanjës në vetvete, por prej të kuptuarit se të tjerët e kanë marrë vesh se ai e zotëron atë. E tillë është logjika e “zhytjes”, zakoni elegant i të porositurit dy shishe shampanjë dhe përdorimi i njërës thjesht për t’u larë — një krekosje mburravece që tregon përbuzje për çmimin dhe përmbushjen në mohimin që u bëhet të tjerëve në shijimin e pasurisë, dhe jo për ta ndarë me ta.

Fotoja është tregues i mospërfilljes me të cilën fëmijët e pasur të Instagramit i trajtojnë jo të pasurit. Slogani “Ti nuk mund të rrish me ne” është një motiv i shpeshtë në fotot e tyre, po aq sa janë edhe fyerjet “fshatar” apo “insekt”. Private School Snapchats shpalosin veçanërisht shembullin britanik të urrejtjes klasore, duke përfshirë foton e një medaljeje të “gjuetisë së barbonëve” dhe krahasimin e shkollave shtetërore me Aushvicin.

Diçka e tillë bie në kontrast me këndvështrimin dukshëm më paternalist të Murillo-s mbi të varfrit si sanctus pauper [2]. Portreti i Murillo-s të paktën përshkruan një moment kënaqësie dhe dëshire, duke mos qenë në gjendje të provojë kënaqësinë e orgjisë prej kartës së kreditit të rrasur në gojë, rioshi Anton zor se mund të quhet pasardhës i zotit të verës.

Imazhi: @bon_et_copieux/Instagram

“Paraja kurrë nuk e ka bërë njeriun të lumtur e as nuk do ta bëjë ndonjëherë. Nuk ka asgjë në natyrën e saj që të prodhojë lumturi.” – shkroi Benjamin Franklin-i, fytyra e të cilit stolis secilën nga kartëmonedhat njëqind dollarëshe të vendosura me kujdes në kutinë e luksit Hermés në fotografi. Një fjongo e hollë qëndron mbi shifrat kryesore të kartës së paladiumit JPMorgan. Kartat e paladiumit, të vendosura dekorativisht si erashkë, na ngacmojnë. Kartat e paladiumit u rezervohen klientëve që zotërojnë mbi 25 milionë dollarë amerikanë pasuri të rrjedhshme (“kjo kartë është për një përqindëshin e një përqindëshit” sipas Bloomberg View).

Kjo është një vendosje obsesive e cila të bën të mendosh për mënyrën se si një djalë i vogël mund të sistemojë koleksionin e tij të lodrave në dhomën e gjumit. Një kompozim i fetishizmit të mallit: pronari i letrave dhe metalit të shtrenjtë (paladiumit) është i marrosur pas vlerës të cilën e shikon të mbërthyer tek objektet në vetvete.

Ndalesat kulturore përkundrejt kapardisjes së mirëqenies ishin dominuese në epokat e hershme. Në shek. XV piktorët flamandë pikturonin ndonjëherë një kafkë në sfond të portreteve të pozuesve pasanikë, për t’u kujtuar atyre natyrën efemere të jetës dhe kënaqësive të saj tokësore.

Natyrë e qetë me buqetë dhe kafkë, Adriaen van Utrecht (1642)

Fotografitë e Instagramit përfaqësojnë një fyerje të pikturave tradicionale flamande të kotësisë [3], të njohura në Hollandën e shek. XVI dhe XVII, në të cilën piktura e Adriaen van Utrecht-it është një shembull i mirë.

Në pikturë gjenden objekte simbolike të vendosura me kujdes: pasuria materiale e vendosur në kupë, qelqurina, monedha, kërkesat intelektuale dhe kulturore nëpërmjet librit dhe flautit; përkohshmëria te sahati dhe te tufa e luleve — dhe gonxhja e fishkur në cepin e përparmë të tryezës që pëshpërit “Edhe mishi është si bari”. Kafka si memento mori na kujton shoqërinë konstante të vdekjes dhe funksionin e saj si “rrafshuese e madhe”.

Ndërsa fotografia, përkundrazi, është e zhveshur nga një simbolizëm i tillë: ajo qëndron në shterpësinë e pastër të krekosjes. Nuk është vdekja, por vdekësia, një ndjesi e ftohtë dhe çnjerëzore. Nuk ka kohë në fotografi, as jetë e as vdekje, vetëm instrumente të kapitalit.

Dëshmia e luksit të shfrenuar e të harlisur në foton më sipër pasqyron nevojën e pangopur për rritje konstante — cilësia e pacak dhe e padrejtim e prirjes për të akumuluar, zotëruar dhe konsumuar. Sistemi i tanishëm e inkurajon dhe e lehtëson këtë prirje gjithnjë e më shumë për një pakice të vogël të shoqërisë.

Kjo mënyrë dekadente qëndron në kontrast të thellë me parimet e shtrëngimit ekonomik që u janë imponuar shumicës së ekonomive në recension të Perëndimit. Në mes të thellimit të pabarazive, imazhe si këto mund të provokojnë zemërim: Lord Aleem-i, një nëntëmbëdhjetëvjeçar, i vetëshpallur si fëmijë i pasur i Instagramit, rregullisht postonte fotografi të koleksionit të makinave të tij të luksit përpara vilës, derisa katër prej makinave të tij pesëqind mijë paundëshe iu vu zjarri nga piromanët para disa muajsh.

Por me gjithë zemërimin, këto imazhe dekadence mund të ofrojnë mundësinë të imagjinojmë një botë shumë ndryshe, ku mirëqenia nuk përcaktohet thjesht nga paratë dhe zotërimet, por nga shëndeti i mirë, përvojat e vlefshme dhe ndërveprimet e forta shoqërore, një botë ku krekosja sfiduese nuk praktikohet më sepse luksi zotërohet bashkërisht.

 

 

Artikulli origjinal është botuar në JacobinTë gjitha shënimet janë të përkthyesit.

 

E përktheu: Kristi Çunga

 

Shënime të përkthyesit:

[1] Cikël dokumentarësh i vitit 1972 i transmetuar nga BBC, që më pas u bë libër.

[2] sanctus pauper — (lat. i varfër i shenjtë) gjatë periudhës mesjetare kështu konsideroheshin ata të varfër të cilët nuk zemëroheshin me Zotin prej barrës së varfërisë që ai u kishte lënë për pjesë, e në këtë mënyrë Zoti do t’i shpërblente në jetën tjetër.

[3] Të njohura ndryshe si vanitas.

Imazhi në ballinë: Mr and Mrs Andrews, Thomas Gainsborough (1750), vaj në kanavacë, 69.08 cm × 119.04 cm.

 

 

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.