Pushteti shtetëror dhe interesat klasorë (ii): Shtysat e pushtetit ekzekutiv

Vijim

/Ralph Miliband/

Dy shtysat kryesore të prodhuara nga pushteti ekzekutiv i shtetit janë interesi personal në njërën anë dhe një koncept i “interesit kombëtar” në tjetrën.

Ata që janë në pushtet duan t’i ruajnë këto shtysa. Ekziston një lloj dijeje e rreme e sofistikuar sipas të cilës të gjithë “politikanët” dhe njerëzit me pushtet nuk i motivon kurrgjë pos interesit personal dhe mundohen t’i shërbejnë vetes duke fituar apo duke u kapur pas posteve. Është mandej naive të mendosh se, çfarëdo motivi tjetër të kenë këta njerëz, ata nuk i motivon fare ideja e interesit personal, domethënë kryesisht dëshira për të fituar dhe ruajtur pushtetin. Për një njeri me pushtet, Lyndon Johnson-in, ish-President i SHBA, thuhej se qysh në fillimet e tij ai shquhej nga “dëshira për të sunduar, nevoja për të sunduar, për të imponuar vullnetin e tij… prepotenca ndaj vartësve ishte po aq impresionuese sa nënshtrimi ndaj eprorëve të tij… dashakeqësia dhe mizoria, kënaqësia jo vetëm për të mposhtur, por për të shkatërruar… mbi të gjitha, ambicia personale e gjithanshme e cila i bënte pengesat dhe skrupujt të tepërt. Karakteristika të tjera ishin gjithashtu frika – vetmia, tmerret, pasiguritë – të cilat flinin brenda tij dhe e bënin kafshëror agresivitetin, energjinë dhe ambicien e tij”.

Lyndon Johnson-i ka qenë padyshim një politikan i neveritshëm. Megjithatë ndjesitë dhe motivet që i mvishen nuk janë unike; dhe termat e ndryshëm që përdoren për të përshkruar forcat që motivojnë burra e gra në pushtet, nuk e prekin thelbin e gjësë: thelbi është se ka shumë njerëz për të cilët ushtrimi i një pushtetit të madh është një përvojë tejet e kënaqshme, për hir të të cilit, përgjatë historisë, janë kryer shumë akte të jashtëzakonshme mizorie. Ky thelb nuk do të kishte hiç vlerë të përmendej po të mos ishte i integruar kaq mbrapsht në pikëpamjen marksiste të shtetit.

Arsyeja e kësaj, ose të paktën një arsye, është cekur tashmë dhe gjendet në theksin që vë marksizmi në proceset ekonomike dhe shoqërore si përcaktuese të veprimit politik. Ky theks është tërësisht legjitim, por mund të deformohet lehtësisht në një nënvlerësim të peshës që kanë proceset politike. Prirja për të shkuar drejt një forme ose tjetre të “reduksionizmit ekonomik” ka pasur një ndikim të rëndësishëm në diskutimin marksist mbi politikën dhe shtetin, edhe atëherë kur ky deformim është pranuar dhe ka pasur angazhim në korrigjimin e tij.

Shteti nuk është i vetmi institucion që mundëson ushtrimin e një pushteti të madh; por deri më tani është më i rëndësishmi. As nuk bën të mundur vetëm ushtrimin e pushtetit si të tillë, sado me rëndësi qoftë: ai është po ashtu burimi i pagave të larta, statusit, privilegjeve dhe aksesit në pozita të mirëpaguara e të dëshirueshme jashtë sferës shtetërore. Ky pushtet nuk është i rëndësishëm vetëm për ata që janë në qendër të proceseve vendimmarrëse. Me mijëra njerëz në pozita të larta shtetërore janë të përfshirë, duke përfituar nga shteti paga të larta dhe çdo gjë tjetër që vjen me shërbimet shtetërore të këtyre niveleve, jo vetëm në departamente shtetërore, por edhe nëpër borde, komisione, këshilla dhe të tjera institucione publike. Këta njerëz përbëjnë një “borgjezie shtetërore”, të lidhur por të shkëputur prej atyre që drejtojnë ndërmarrjet kapitaliste dhe korporatat. Shqetësimi i tyre i parë është natyrisht puna dhe karriera. Interesat kapitaliste në këtë rast nuk rrezikojnë të anashkalohen; mirëpo këto nuk janë shqetësimi i vetëm dhe as kryesori për këta mbartës të ofiqeve shtetërore.

Ata që kërkojnë pushtetin shtetëror e kanë të lehtë ta bindin veten se arritja dhe ruajtja e tij shkojnë në sintoni me “interesin kombëtar”, shërbimi ndaj të cilit, pohojnë ata, është shqetësimi i tyre parësor. Edhe në këtë rast do të ishte naive t’i trajtonim këto pohime thjesht si mashtrime apo si të nxjerra vetëm nga dëshira për të vënë apo pasur pushtet shtetëror. Është më e arsyeshme të mendojmë se njerëzit në pushtet motivohen nga çka kuptojnë se është “interesi kombëtar”, bashkë me shqetësimin për ruajtjen e punës së tyre. Ky me shumë gjasë është rasti ku “interesi kombëtar” ndërthuret me një ndjenjë më të madhe e të fuqishme: nacionalizmin. Në marksizmin klasik ekzistonte një tjetër shpresë dhe një tjetër besim: internacionalizmi proletar ose revolucionar, i cili do të motivonte jo vetëm klasën punëtore, por edhe drejtuesit e saj, qoftë në opozitë apo pushtet. Rënia e internacionalizmit në vitin 1914 i dha një goditje të fortë kësaj shprese. Një tjetër goditje, me mënyra të tjera, erdhi nga fakti se vetëm regjimi sovjetik u mbijetoi krizave revolucionare që shpërthyen pas Luftës së Parë Botërore. Megjithëse disa protesta nga ana e internacionalistët revolucionar mund të lexohen si veprime të njerëzve me pushtet (Kuba në Afrikë?), kornizën kryesore, madje ekskluzive, të veprimit shtetëror e përvijon kudo nacionalizmi dhe ajo që merret si “interesi kombëtar”. Kjo mandej lidhet ngushtë lehtësisht me rendjen pas interesit personal nga ata që kontrollojnë pushtetin shtetëror.

Nëse biem dakord se interesi personal dhe konceptimi mbi “interesin kombëtar” kanë qenë dhe mbeten influenca të fuqishme në përvijimin e veprimeve dhe politikave të atyre që e kanë pushtetin shtetëror, pyetja që lind vetvetiu më pas është se si lidhet kjo me interesat e klasave sunduese – me fjalë të tjera, cila është marrëdhënia mes pushtetit shtetëror dhe interesave klasore?  

Përgjigja është se, përgjatë historisë së kapitalizmit, kjo marrëdhënie ka qenë përgjithësisht shumë e mirë. Njerëzit që kanë drejtuar shtetin kanë qenë përgjithësisht të mbrujtur me besimin se “interesat kombëtare” lidheshin ngushtësisht me mirëqenien e sipërmarrjeve kapitaliste, ose të paktën që nuk mund të ekzistonte ndonjë marrëveshje alternative e arsyeshme, përpos socializmit, që do të mund të ishte më e volitshme për interesat kombëtare. Prandaj pushtetarët kanë qenë veçanërisht të vëmendshëm ndaj interesave të sipërmarrjeve kapitaliste, pavarësisht opinionit të tyre mbi kapitalistët. Megjithatë të qenët të vëmendshëm ndaj këtyre interesave mund të ketë edhe kuptimin e refuzimit të plotësimit të dëshirave të kapitalistëve: shumë shpesh, pikërisht sepse donin të siguronin kushte më të mira për zhvillimin e kapitalizmit, ata merrnin vendime që shkonin kundër dëshirave të vetë kapitalistëve.   

Njëfarë tensioni mes pushtetit shtetëror dhe interesave klasore është në fakt i pashmangshëm, sado e mirë të jetë marrëdhënia midis tyre. Dinamika e kapitalizmit është akumulimi i kapitalit dhe maksimizimi i fitimeve afatgjata për secilën sipërmarrje individuale. Ky është qëllimi më i lartë, shqetësimi më i madh për ata që drejtojnë sektorin privat të jetës ekonomike: çdo gjë tjetër kalon përmes dhe i nënshtrohet këtij qëllimi. Por kjo nuk mund të jetë dinamika e pushtetit shtetëror. Për ata që e kontrollojnë këtë pushtet, “interesi kombëtar” kërkon në thelb mbrojtjen e rendit shoqëror ekzistues nga çdo kërcënim i brendshëm, si dhe mbrojtjen më të përshtatshme sipas tyre kundër konkurrencës tregtare, ushtarake apo ideologjike të shteteve të tjera. Sigurisht kjo mund të përfshijë, dhe shpesh kjo ka ndodhur, edhe një veprim ofensiv të jashtëm. Këto dy shqetësime të ngjashme përfshijnë, ose të paktën përpiqen të përfshijnë, interesat e klasës kapitaliste: por kjo nuk është njësoj si të thuash se veprimi shtetëror dhe interesat klasore përputhen plotësisht. Në të vërtetë ka gjithmonë mundësi të ketë papërputhshmëri midis asaj që shteti bën – pavarësisht përkushtimit të atyre që e udhëheqin shtetin ndaj interesave kapitaliste – dhe këtyre interesave. Shteti, për shembull, ka nevojë për të ardhura; dhe këto nuk mund të vilen të gjitha nga klasat e nënrenditura. Duhet të taksojë kapitalin dhe kapitalistin, dhe në këtë mënyrë të marrë pjesë nga mbivlera e tyre: prandaj ka gjithmonë ankesa të vazhdueshme nga biznesmenë të mëdhenj apo të vegjël për politikat shtetërore të taksimit dhe ankesa që shteti, me pleksjen e tij të verbër burokratike e lakmitare, është duke e penguar sipërmarrjen private. E njëjta gjë ndodh me reformat dhe rregullimin: frenimi i presionit nga poshtë dhe mbajtja e një force punëtore të shëndetshme dhe eficiente  kërkojnë që shteti të marrë disa masa reformuese dhe rregullatore, të cilat kapitali i sheh si të papajtueshme e shtrënguese dhe të cilat në asnjë mënyrë nuk do t’i merrte vetë.

Shteti dhe klasa: partneritet?

Thënë shkurt, një “model” realist dhe i saktë i marrëdhënies mes klasave sunduese dhe shtetit në shoqëritë e zhvilluara kapitaliste është ai i partneritet midis dy forcave të ndryshme dhe të ndara, të cilat janë të lidhura nga shumë fije, por secila prej tyre karakterizohet nga një sferë e veçantë interesash. Kushtet e këtij partneriteti nuk vendosen një herë e përgjithmonë, por ndryshojnë vazhdimisht dhe ndikohen nga rrethana të ndryshme, veçanërisht nga gjendja e luftës së klasave. Nuk bëhet fjalë assesi për një shoqëri në të cilën shteti mund të konsiderohet si partner i nënrenditur. Përkundrazi kontradiktat dhe mangësitë e kapitalizmit, presioni i klasave dhe tensionet shoqërore që prodhon kapitalizmi, kërkojnë që shteti të marrë një rol gjithnjë e më të madh si mbrojtës i rendit shoqëror. Në fund të këtij procesi do të kemi një formë ose një tjetër “bonapartizmi”. Ndërkohë kjo sjell  një zgjerim konstant të pushtetit shtetëror brenda kuadrit të rendit kapitalisto-demokratik, elementët demokratikë të të cilit janë në rrezik të vazhdueshëm nga partneriteti mes shtetit dhe kapitalit.

Ky “model” partneriteti kërkon t’i japë rëndësinë e duhur rolit të pavarur dhe “egocentrik” të shtetit dhe t’i hapë plotësisht rrugën asaj që mund të quhet dimensioni makiavelian i veprimit shtetëror, të cilin tendencat marksiste të “reduksionizmi klasor” e kanë errësuar. Këtu nuk është fjala për çështjen e “përparësisë së politikës”: ai formulim shkon shumë larg në anën e kundërt dhe vuan nga një paragjykim “shtet-reduksionist”.

Duke folur për partneritet ndërmjet shtetit dhe klasës sunduese, orvatem t’i shmang të dyja format e “reduksionizmit”: nocioni merr në konsideratë të gjithë hapësirën që ka në praktikë veprimi politik dhe shtetëror; por ky nocion njeh edhe një kontekst kapitalist i cili ndikon thellë mbi gjithçka që bën shteti, veçanërisht për sa i përket çështjeve ekonomike ku përfshihen drejtpërdrejt interesat kapitaliste. Ideja e “rolit parësor të politikës” priret ta përjashtojë veten nga realiteti i vështirë i këtij konteksti kapitalist: mirëpo asnjë qeveri nuk mund të jetë indiferente ndaj këtij konteksti. Për aq kohë sa qeveritë veprojnë brenda tij, partneriteti do të ekzistojë. Nëse ata përpiqen t’i vënë seriozisht në rrezik interesat kapitaliste apo të ndërmarrin ndonjë veprim të cilin kapitalistët e gjykojnë si thelbësisht të rrezikshëm, partneriteti merr fund dhe zëvendësohet nga vendosmëria e interesave kapitaliste për t’i rrëzuar qeveri të tilla. As në këtë rast kjo vendosmëri nuk ka të ngjarë t’u atribuohet interesave kapitaliste; ajo do të ndahej plotësisht nga shumë forca në shoqëri dhe nga persona që gjenden në pozicione shtetërore: ushtarakë, funksionarë të lartë të administratës e shumë të tjerë.

Nocioni i partneritetit është kundërshtuar pak nga eksperienca e qeverive të majta të cilat kanë ardhur në pushtet në vendet kapitaliste në shekullin XX. Partneriteti mes kapitalit dhe këtyre qeverive ka vazhduar, mbase me tensione dhe mosmarrëveshje më të shumta se sa me qeveritë e djathta, por jo në atë shkallë sa të shpinte në prishjen e këtij partneriteti. Klasat sunduese, interesat e sipërmarrjeve dhe nga agjencitë e tyre të shumta mund t’i kundërviheshin fort qeverisë; mirëpo këto klasa e kuptonin që pavarësisht se qeveria mund të ndërmerrte disa veprime të dënueshme, ajo gjithashtu po përpiqej të ruante rendin shoqërore ekzistues, të ndihmonte sipërmarrjet, të disiplinonte dhe nënshtronte punën, dhe të mbronte, në çështjet ndërkombëtare dhe kombëtare (dhe në ato koloniale kohë më parë), atë që interesat e klasës sunduese dhe qeveria së bashku kanë rënë dakord që do të përbëjë “interesin kombëtar”. Sidoqoftë edhe kapitali e dinte që tashmë vetëm një pjesë e shtetit ishte në duar të huaja: drejtuesit e lartë të administratës, policisë, ushtrisë, gjyqësorit mbetën pak a shumë të paprekur, të shqetësuar dhe vigjilentë që të kufizonin dëmet që mund të bënte qeveria. Përpos kësaj, hegjemonia e ushtruar nga klasa sunduese në shoqërinë civile nuk u godit kurrë nga ardhja në pushtet e një qeverie të majtë. Të gjitha bastionet e zëna nga klasa sunduese mbeten në kontrollin e saj.  Nga ana tjetër qeveritë e majta janë përpjekur gjithnjë ta frenojnë aktivizmin e mbështetësve të tyre dhe t’i  ftojnë të presin me durim që ministrat socialistë të ecnin përpara me detyrat e tyre. I vetmi rast kur është thyer partneriteti ndërmjet një qeverie të majtë dhe interesave të klasës sunduese ka qenë ai i qeverisë së Salvador Allende-s në Kili. E vetmja shpresë e qeverisë, pas kësaj thyerjeje, ishte krijimi i një partneritet të ri mes vetes dhe klasave të nënrenditura. Ajo qeveri nuk qe në gjendje ta arrinte këtë objektiv dhe as u mundua mjaftueshëm për ta arritur atë. Autonomia e saj qe edhe dënimi i saj me vdekje.

Ky model partneriteti i propozuar është në kundërshtim me modelin e “shtetit për vete” të Theda Skocpol-it për të cilin kemi folur më lart. Sipas modelit të Skocpol-it, “mes klasës sunduese, apo një tërësie grupesh nga njëra anë, dhe drejtuesve të shtetit nga ana tjetër mund të lindin konflikte themelore  interesash. Sipas kësaj qasjeje, shteti nuk do të ishte partner apo aleat i askujt: do të ishte “për vete” dhe kundër të gjitha klasave apo grupeve shoqërore. Për sa i përket shteteve me një strukturë  klasore solide dhe një klasë sunduese të mirërrënjosur, një model i tillë duket i papërshtatshëm. Sepse me siguri, në të tilla vende, është e vështirë të shihet se cilat do të ishin interesat e “qeveritarëve” që do t’i vinin këta qeveritarë në një konflikt themelor me të gjitha klasat apo grupet shoqërore. Sikundër kam vërejtur më parë, ka gjëra që shteti do dhe bën, dhe që janë shumë shqetësuese për klasën sunduese: por kjo është një gjë krejtësisht e ndryshme nga fakti që ka një konflikt themelor ndërmjet tyre. Për më tepër, po të ndodhte një konflikt i tillë ndërmjet tyre, shteti do të vepronte në çdo rast në të atillë mënyrë që do të favorizonte ndonjë klasë tjetër ose klasa të tjera. Me fjalë të tjera, do të ishte krijuar një partneritet i ri; ose shteti do të vepronte, për çfarëdolloj arsyeje, në favor të një ose më shumë klasave, pa qenë i vendosur një partneritet i tillë. Në asnjë rast shteti nuk do të ishte “neutral” apo të vepronte ekskluzivisht “për vete”.

Natyrisht qeveritarët duke ndjekur atë që e konsiderojnë si interesi i tyre, dhe “interesin kombëtar”, mund të përdorin autonominë që kanë për të bërë politika dhe për të ndërmarrë veprime që rezultojnë të jenë të dëmshme dhe shkatërrimtare për të gjithë (me shumë mundësi përfshirë edhe ata që i marrin këto vendime). Historia është e mbushur me të tilla dështime të artit të të qeverisurit. Kështu mund të thuhet që vendimi i Amerikës për t’i shpallur luftë Vietnamit ka qenë shumë i dëmshëm për të gjitha klasat në Shtetet e Bashkuara, për të mos folur për shkatërrimin që i ka sjellë popullit Vietnamit. Mirëpo vështirë se mund të thuhet që vendimi për të bërë luftën në Vietnam është marrë në interes të qeveritarëve dhe në kundërshtim të plotë me interesat e klasës kapitaliste të Shteteve të Bashkuara. Përkundrazi, mes tyre ka pasur një dakordësi të përkryer, siç dëshmon mbështetja që pjesa dërrmuese e kapitaliste i dhanë luftës deri në fund të saj. Një tjetër shembull është ai i iniciativave ekspansioniste të Hitlerit, përfshirë vendimin e tij për ta çuar Gjermaninë në luftë. Kjo sipërmarrje shkoi keq për të gjitha palët: megjithatë nuk kishte një kundërshti themelore ndërmjet interesave ekonomike në Gjermani dhe udhëheqësve nazistë. Edhe këtu ekzistonte një mbështetje e gjerë nga ana e sipërmarrjeve për politikat naziste. Sidoqoftë në këtë rast mund të thuhet se regjimi nazist përbën shembullin ku interesat e shtetarëve bien thellësisht në kundërshti me interesat e të gjithë të tjerëve: është e qartë që lufta ishte humbur që më 1943 dhe të vetmit persona interesi i të cilëve ishte që ajo të mos përfundonte qenë udhëheqësit nazistë. Sigurisht, mund të sillen edhe raste të tjera të ngjashme, por ato nuk përbëjnë një bazë të fortë për një “model” të shtetit që është “për vete” dhe kundër të gjithë të tjerëve.

 Pushteti shtetëror në socializëm

Modeli i partneritetit i propozuar këtu më duket i dobishëm për të përcaktuar marrëdhënien ndërmjet shtetit dhe klasës punëtore në një shoqëri socialiste. Në perspektivën marksiste klasike, kjo marrëdhënie përcaktohet në termat e diktaturës së proletariatit. Bazuar në Luftën civile në Francë të Marksit dhe Shteti dhe revolucioni të Leninit, kjo do të thotë në realitet zhbërje e pushtetit shtetëror në pushtet klasor. Shteti nuk zhduket, por funksionet dhe pushtetet e tij shndërrohen në mbeturinore dhe të varura. Göran Therborn-i është brenda kësaj traditë kur pohon se “një strategji socialiste ose e një faze tranzitore të “demokracisë së avancuar” duhet të jetë çmontimi i qeverisë, administratës, aparatit gjyqësor dhe shtypës të shtetit borgjez ekzistues” dhe nxitja e “një programi politik të fokusuar në ndryshimet e organizimit shtetëror të cilat do të çojnë drejt një demokracie popullore”. Si partitë socialdemokrate, ashtu edhe ato komuniste kanë adoptuar perspektiva dhe strategji krejtësisht të tjetër një natyre. Sipas këtyre strategjive pushteti klasor është i varur plotësisht nga pushteti shtetëror. Për socialdemokracinë, pushtetit klasor ka pasur gjithnjë kuptimin e shpalosjes së fuqisë elektorale të klasës  punëtore dhe zgjedhjes së një qeverie socialdemokrate ose laburiste. Më t’u arritur ky qëllim, detyra e “zgjedhësve” ka përfunduar, përjashto veprimtaritë rutinë të partisë ose partive që janë në mbështetje të qeverisë. Në realitet, çdo shfaqje e pushtetit klasor (për shembull greva) është e papranueshme, mohohet ose kundërshtohet.

Partitë komuniste, në fjalimet dhe programet e tyre, e vënë më shumë theksin mbi aktivizmin e bazës, megjithatë vëmendja priret të përqendrohet në arritjen e pushtetit legjislativ dhe ministror në atë që në realitet është shteti i vjetër me një personel pjesërisht të rinovuar. Çfarëdo që mund t’i  ndodhë hegjemonisë së klasës sunduese, mbi këto baza është e pamundur që ajo të trashëgohet te klasat deri më tani të nënrenditura. Partneriteti mes pushtetit shtetëror dhe pushtetit klasor në një kontekst socialist do të thotë diçka tjetër: arritje e një pushteti real nga organet përfaqësuese popullore në të gjitha sferat e jetës, që nga vendi i punës e deri te qeveritë lokale; demokratizim tërësor i sistemit shtetëror dhe fuqizim i kontrollit demokratik mbi çdo aspekt të tij. Mirëpo përpos këtyre do të thotë edhe që pushteti shtetëror vazhdon dhe që nuk “shuhet”. Ai duhet, në fakt, të vazhdojë të ekzistojë gjatë dhe të kryejë funksionet e shumta që vetëm ai mund t’i kryejë. Në realitet, ai kërkon njëfarë autonomie për t’i kryer ato. Sepse klasa punëtore nuk është një bllok homogjen, me një qëllim të qartë dhe një zë të vetëm; dhe vetëm shteti është në gjendje të kryejë rolin e ndërmjetësit mes “fraksioneve” që përbëjnë shumicën e re hegjemone. Përpos kësaj, mbi shtetin bie gjithashtu një pjesë e madhe e përgjegjësisë për të mbrojtur liritë individuale, qytetare dhe ato politike, të cilat janë pjesë të pandashme të nocionit të qytetarisë socialiste. Në këtë mënyrë dhe me kontrollet e duhura, pushteti shtetëror në një shoqëri paskapitaliste nuk është në konflikt me pushtetin klasor, por është përplotësuesi tij i domosdoshëm.

E përkthyen Alfred Bushi dhe Enriko Peçuli

Marrë nga revista New Left Review

Imazhi: Bridgeman Images

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.