Lufta Civile në Spanjë

/Noam Chomsky/

Lufta Civile në Spanjë nuk është vetëm një ndër ngjarjet më kritike të historisë moderne, por edhe një prej më të studiuarat. Megjithatë ekzistojnë boshllëqe të habitshme. Gjatë muajve që pasuan kryengritjen e Frankos në korrik të 1936-s, ndodhi një revolucion social me shtrirje të paprecedent në pjesën më të madhe të Spanjës. Ai nuk pati një “pararojë revolucionare” dhe në dukje ishte kryesisht spontan, duke përfshirë masat e punëtorëve urbanë dhe ruralë në transformimin radikal të kushteve sociale dhe ekonomike ekzistuese, me një sukses mbresëlënës deri ditën kur u shtyp me forcë. Ky revolucion kryesisht anarkist dhe transformimi social masiv që solli trajtohen nëpër studimet e fundit historike si një lloj lajthitjeje, si një telash i shtuar ndaj vazhdimit të luftës së suksesshme për të shpëtuar regjimin borgjez nga rebelimi i Frankos.  

Kryengritja e Frankos e korrikut 1936 u parapri nga disa muaj grevash, shpronësimesh dhe betejash të fshatarëve me Rojet Civile (një ndër dy forcat policore në Spanjë – Shën. përkth.). Lideri socialist Largo Caballero (kryeministër i Spanjës nga shtatori 1936 deri në maj 1937 – Shën. përkth.) kishte kërkuar që në qershor që punëtorët të armatoseshin, por Azaña (President i Republikës Spanjolle – Shën. përkth.)  kishte refuzuar. Kur grushti i shtetit u bë realitet, qeveria republikane u paralizua. Punëtorët i rrëmbyen armët vetë në Madrid dhe në Barcelonë, duke shqyer depot e armatimeve dhe marrë në kontroll edhe anijet nëpër porte, duke ia dalë që të nënshtrojnë kryengritjen teksa qeveria po lëkundej e ndarë mes dy rreziqeve: të fitores së Frankos nga njëra anë dhe armatimit të klasës punëtore nga ana tjetër. Në shumë qytete e fshatra të Spanjës pushteti real kaloi në duart e punëtorëve anarkistë dhe socialistë që luajtën rolin kryesor në mposhtjen e kryengritjes.

 Muajt që pasuan janë përshkruar shpesh si një periudhë “dypushtetit”. Në Barcelonë industria dhe tregtia u kolektivizuan në masë dhe vala e kolektivizimit u shtri edhe në zonat rurale nëpër qyteza dhe fshatra në Aragon, Kastijë dhe Levante, e në një shkallë më të ulët por të rëndësishme edhe në pjesë të Katalunjës, Astuarias, Estremaduras dhe Andaluzisë. Pushteti ushtarak ushtohej nëpërmjet komiteteve të mbrojtjes; organizimi social dhe ekonomik mori shumë forma duke ndjekur linjat programore të Kongresit të Saragozës të anarkistëve të CNT (Confederacion Nacional del Trabajo) të majit 1936. Revolucioni ishte “apolitik,” në kuptimin që organet e tij të pushtetit dhe administrimit ngelën të ndara nga qeveria qendrore republikane dhe – edhe pasi disa udhëheqës anarkistë hynë në qeveri në vjeshtën e 1936 – ato vazhduan të funksionojnë në mënyrë të pavarur deri kur revolucioni u shtyp nga forcat fashiste dhe ato republikane nën udhëheqjen komuniste. […] Shkalla e kolektivizimit rural dëshmohet nga të dhënat e mëposhtme të nxjerra nga burime anarkiste: në Aragon 450 kolektivë me 500.000 anëtarë; në Levante 900 kolektivë që përgjigjeshin për gjysmën e prodhimit bujqësor dhe 70% të tregtisë në zonën bujqësore më të pasur të Spanjës; në Kastijë 300 kolektivë me rreth 100.000 anëtarë.

Periudha nga korriku deri në shtator u karakterizua nga një revolucion social spontan, i shtrirë por i papërfunduar. […] Qeveria qendrore ra gjithnjë e më tepër nën kontrollin komunist – në Katalunjë nën kontrollin e PSUC që dominohej prej tyre – kryesisht si rezultat i ndihmës së çmuar të Rusisë. Suksesi më i madh i komunistëve ishte në zonat e pasura të Levantes ku fshatarët e kamur iu bashkuan Federatës së Fshatarëve që partia kish organizuar për të mbrojtur këtë kategori.[1] […] Suksesi i kundërrevolucionit reflektonte dominimin në rritje të republikës nga ana e komunistëve.

Faza e parë e kundërrevolucionit ishte legalizimi dhe rregullimi i atyre arritjeve të revolucionit për të cilat dukej se nuk kish më kthim prapa. Dekreti i 7 tetorit nga ana e ministrit të Bujqësisë komunist Vincente Uribe, legalizoi disa prej shpronësimeve të ndodhura – tokat e atyre që i ishin bashkuar revoltës së Frankos. Padyshim që këto shpronësime kishin ndodhur që më parë, fakt ky i cili nuk e pengoi shtypin komunist që ta përshkruante dekretin si “masa më revolucionare e ndërmarrë që prej kryengritjes.”[2] Në fakt duke përjashtuar nga dekreti pronat e atyre që nuk kishin marrë pjesë direkt në rebelimin e Frankos, dekreti përbënte një hap pas nga pikëpamja e revolucionarëve. […] Kërkesa për një dekret më të gjerë ishte e papranueshme nga ministria e drejtuar nga komunistët, pasi partia komuniste “kërkonte mbështetjen e klasave të pronarëve në luftën kundër Frankos.” […] Dekreti i 24 tetorit 1936, i shtyrë përpara nga një anëtar i CNT që ishte bërë Këshilltar për Ekonominë në qeverinë lokale të Katalunjës, i jepte status ligjor kolektivizimit të industrisë në Katalunjë. Edhe në këtë rast hapi i ndërmarrë ishte prapakthyes nga pikëpamja revolucionare. Kolektivizimi kufizohej vetëm në sipërmarrje që punësonin mbi njëqind punëtorë dhe përcaktonte një sërë kushtesh që ua hiqnin kontrollin komiteteve të punëtorëve për t’ia kaluar atë burokracisë shtetërore.

Faza e dytë e kundërrevolucionit, nga tetori 1936 deri në maj 1937, përfshin shkatërrimin e komiteteve lokale, zëvendësimin e milicisë me ushtri të rregullt dhe rikthimin e sistemit social dhe ekonomik të pararevolucionit kudo ku kjo të ishte e mundur. Në fund, në maj 1937 u organizua një sulm i drejtpërdrejtë ndaj klasës punëtore të Barcelonës (Ditët e Majit). Pas suksesit të këtij sulmi, procesi i likuidimit të revolucionit u përmbyll. Dekreti i kolektivizimit i 24 tetorit u shfuqizua dhe industria u “çlirua” nga kontrolli i punëtorëve. Ushtritë e komanduara nga komunistët iu sulën Aragonës duke shkatërruar shumë kolektivë, duke shpërbërë organizatat e tyre dhe e kthyer zonën nën kontrollin e qeverisë qendrore. Në të gjitha zonat në kontrollin e republikanëve, qeveria që tashmë dominohej nga komunistët veproi në përputhje me planin e deklaruar në Pravda më 17 dhjetor 1936: “Sa i përket Katalunjës, spastrimi i elementëve trockistë dhe anarko-sindikalistë ka filluar tashmë dhe do të vazhdojë me të njëjtën vendosmëri si në Bashkimin Sovjetik.” – dhe mund të shtoj këtu, në po të njëjtën mënyrë.

[…] Kundërrevolucioni i drejtuar nga komunistët duhet kuptuar, padyshim, në kontekstin e luftës antifashiste që po zhvillohej dhe në përpjekjen e përgjithshme të Bashkimit Sovjetik për të ngritur një aleancë antifashiste me demokracitë perëndimore. Një prej arsyeve për politikën e flaktë kundërrevolucionare të komunistëve ishte besimi i tyre se Anglia nuk do ta toleronte kurrë triumfin e revolucionit në Spanjë, ku Anglia kishte interesa tregtare substanciale, ashtu si edhe Franca dhe në një shkallë më të vogël SHBA. Gerald Brenan-i shkruan se politika kundërrevolucionare e komunistëve (të cilën ai e quan “jashtëzakonisht e duhur”) ishte

“…politika që i përshtatej më shumë vetë komunistëve. Rusia është një regjim totalitar që drejtohet nga një burokraci: mënyra e të menduarit e udhëheqësve të saj, që kanë kaluar kalvarin më të tmerrshëm në histori, është cinike dhe oportuniste: e gjithë coha e shtetit është dogmatike dhe autoritare. Të prisje që këta njerëz do të udhëhiqnin një revolucion social në një vend si Spanja, ku idealizmi më marrok kombinohej me pavarësinë më të plotë të karakterit, do të ishte e pamendueshme. Është e vërtetë se rusët mund të ngjallnin idealizëm me bollëk tek admiruesit e tyre të jashtëm, por ata mund ta kultivonin atë deri në pikën e krijimit të një morse burokratike shtetërore, ku gjithkush mendon njësoj dhe i bindet urdhrave të shefit që ka mbi kokë.”

Siç vë në dukje Brenan-i, rusët e tërhoqën mbështetjen e tyre sapo u bë e qartë se britanikët nuk do lëkundeshin nga politika e tyre e paqtimit, fakt ky që konfirmon akoma më qartazi tezën se mbështetja e Bashkimit Sovjetik për Republikën lidhej vetëm me konsiderata mbi politikën e tyre të jashtme.

E përktheu Redi Muçi

Imazhi: Poster i propagandës anarkiste gjatë Luftës Civile, ku vihet theksi te nevoja për të fituar luftën mbi fashizmin përpara se të vazhdohet me revolucionin social. Kjo qasje konsiderohet si një ndër gabimet kryesore që solli eventualisht fitoren e Frankos.


[1] Gerald Brenan-i e përshkruan situatën si më poshtë te “Labirinti spanjoll”: Të paaftë për të tërhequr rreth vetes punëtorët e krahut që i qëndruan besnikë sindikatave të tyre, komunistët u kthyen në strehë të të gjithë atyre që kishin vuajtur nga tepritë e revolucionit dhe që i druheshin asaj çka ato do sillnin. Kultivuesit e kamur katolikë të portokajve në Valencia, fshatarët në Katalunjë, dyqanxhinjtë dhe biznesmenët, oficerët e ushtrisë dhe zyrtarët e qeverisë u regjistruan në radhët e saj… Kështu [në Katalunjë] u krijua një situatë e re dhe e çuditshme: nga njëra anë qëndronte proletariati kompakt i Barcelonës me traditën e vet të gjatë revolucionare dhe nga ana tjetër qëndronin punëtorët jakëbardhë dhe mikroborgjezia e qytetit, e organizuar dhe e armatosur kundër tij nga partia komuniste.

[2] Legalizimi i veprimeve revolucionare të ndërmarra që më parë sjell ndër mend sjelljen e “pararojës revolucionare” në Bashkimin Sovjetik më 1918. Arthur Rosenburg-u te “Një histori e bolshevizmit” përshkruan se si shpronësimet, “e realizuara nga veprimet spontane të punëtorëve dhe në kundërshti me vullnetin e bolshevikëve,” u legalizuan pa ndonjë qejf nga Lenini muaj më vonë dhe u vendosën nën kontrollin e partisë qendrore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.