Marksizmi perëndimor (i)

/Perry Anderson/

Tradita klasike

Historia e marksizmit, që nga zanafillat e tij më shumë se 100 vite më parë, mbetet ende për t’u shkruar. Zhvillimet e doktrinës, në një periudhë relativisht të shkurtër kohore, kanë qenë komplekse dhe jo organike. Shkaqet dhe format e metamorfozës dhe zhvendosjeve të vazhdueshme mbeten ende të paeksploruara. Tema e kësaj eseje do të jetë “marksizmi perëndimor”, një term i cili në vetvete nuk nënkupton një shtrirje ekzakte në kohë dhe hapësirë. Qëllimi i kësaj eseje të shkurtër do të jetë kësisoj të trajtojë një trup të caktuar teorik nëpërmjet një qasjeje historike dhe të sugjerojë koordinatat strukturore të cilat përcaktojnë unitetin e këtij trupi teorik – në fjalë të tjera, të vërë në dukje të përbashkëtat mbi të cilat ndërtohet ky i fundit pavarësisht divergjencave dhe kundërshtive, si traditë e përbashkët intelektuale. Për të arritur diçka të  tillë nevojiten referenca mbi evoluimin fillestar të marksizmit, përpara shfaqjes së teorisë që do të trajtohet në këtë ese, sepse vetëm në të tillë mënyrë do të jetë e mundur të dallojmë risitë specifike të linjës zhvillimore që ato paraqesin. Një paraqitje adekuate e të gjithë lëmit të hershëm teorik të materializmit historik, sigurisht që do të kërkonte trajtim shumë më të hollësishëm nga sa na lejon kjo ese. Megjithatë, edhe një skeç përmbledhës në retrospektivë do të na ndihmojë të paraqesim zhvendosjet e njëpasnjëshme.

Themeluesit e materializmit historik, Marksi dhe Engelsi, lindën në dekadën e parë pas Luftërave Napoleonike. Marksi (1818-83) ishte i biri i një avokati në Trier, Engelsi (1820-95) i një industrialisti në Barmen: të dy ishin nga Rini me origjinë, me prejardhje të begatë borgjeze në rajonet më të përparuara dhe perëndimore të Gjermanisë. Jeta dhe vepra e tyre, e skalitur në kujtesën publike, ka pak nevojë për tejzgjatje. Është e ditur tepër mirë se si, nën tërheqjen gravitacionale të kryengritjeve të para proletare pas Revolucionit Industrial, Marksi në të njëzetat e tij progresivisht mbylli llogaritë me trashëgiminë filozofike të Hegelit dhe Feuerbach-ut, si dhe me teorinë politike të Proudhon-it, ndërsa Engelsi zbuloi realitetin e kushteve të klasës punëtore në Angli dhe denoncoi doktrinat që i legjitimonin këto kushte; si të dy shkruan “Manifestin e Partisë Komuniste” në vigjilje të trazirave kontinentale në vitin 1848 dhe luftuan në krahun e majtë të revoltave internacionale të po atij viti, në emër të kauzës të socializmit revolucionar; si u persekutuan nga triumfi i kundërrevolucionit në emigrim në Angli në të tridhjetat e tyre; si Marksi përshkroi bilancin historik të Revolucionit Francez që përfundoi me Perandorinë e Dytë, ndërkohë Engelsi paraqiti përmbledhjen e dështimit të revolucionit bashkëkohës në Gjermani; si Marksi i vetëm në Londër, në mjerim të tejskajshëm, ndërmori përpjekjen monumentale teorike të rindërtimit dhe paraqitjes të metodës kapitaliste të prodhimit si një e tërë, i ndihmuar vetëm nga solidariteti intelektual dhe material i Engelsit në Mançester; si pas 15 vitesh pune intensive, volumi i parë i “Kapitalit” u publikua vetëm pak kohë para se Marksi të arrinte të pesëdhjetat; si gjatë fundit të së njëjtës periudhë, ai mori pjesë në themelimin e Internacionales së Parë dhe më pas u përkushtua intensivisht për të udhëhequr punët praktike si një lëvizje e organizuar socialiste; si ai përkrahu Komunën e Parisit dhe udhëzoi partinë e sapoformuar të punëtorëve në Gjermani, duke formuar principet kryesore të një shteti proletar të së ardhmes; si në vitet e fundit të jetës së Marksit dhe, pas vdekjes së tij, Engelsi punoi ekspozicionin e parë sistematik të materializmit historik duke e shndërruar kësisoj në një forcë popullore politike në Evropë, dhe në të shtatëdhjetat e tij kryesoi rritjen e Internacionales së Dytë, përmes së cilës materializmi historik u bë doktrina zyrtare e shumicës të partive të klasës punëtore në kontinent.

Arritjet e shumta të këtyre jetëve të ndërthurua ngushtë mes vetes nuk janë prioriteti kryesor i këtij punimi. Për qëllimet tona do të jetë mjaftueshëm të vëmë në dukje disa momente kryesore me domethënie sociale të punës teorike të Marksit dhe Engelsit, të cilat mund të shërbejnë si standard krahasues për ngjarjet dhe zhvillimet e mëtejshme. Marksi dhe Engelsi ishin pionierë të izoluar të kohërave të tyre; asnjë bashkëkohës i asnjë kombësie nuk mund të thuhet se ka kuptuar ose ndarë tërësisht pikëpamjet e tyre të pjekura. Në të njëjtën kohë, puna e tyre ishte produkt i një përpjekjeje të gjatë të përbashkët, një bashkëveprimi intelektual të pakrahasueshëm në histori ende sot e kësaj dite. Të dy së bashku, përgjatë dëbimeve, varfërisë dhe punës së rëndë, nuk i humbën kurrë lidhjet me betejat kryesore të proletariatit të asokohshëm, pavarësisht mungesës së një marrëdhënieje organizative për më shumë se një dekadë. Thellësia e lidhjes historike mes mendimit të tyre dhe evoluimit të klasës punëtore u dëshmua më së miri nga vetë përvoja e hidhur e viteve 1850 e tëhu, kohë kur ata u detyruan të tërhiqeshin në ekzistencën e tyre “private”: periudhë e përdorur nga Marksi, nëpërmjet ndihmës së vazhdueshme materiale prej Engelsit për përgatitjen e Kapital-it, dhe në fund të saj e përfunduar me përfshirjen natyrale në Internacionalen e Parë, për t’u shndërruar më pas  praktikisht në udhëheqës të saj. Nga ana tjetër uniteti i jashtëzakonshëm mes teorisë dhe praktikës në jetët e Marksit dhe Engelsit, i arrirë kundrejt të gjitha pengesave madhore, nuk ishte gjithnjë një identitet i pathyeshëm dhe imediat. Ngjarja e vetme revolucionare në të cilën ata morën pjesë personalisht ishte kryesisht e përbërë nga radhët e artizanëve dhe fshatarësisë; proletariati gjerman luajti një rol tepër të vogël në ngjarjet e 1848-s. Kryengritja më e avancuar që ata dëshmuan për së largu, Komuna e Parisit, në mënyrë të ngjashme ishte artizane në karakterin e saj. Disfata e Komunës ndikoi në shpërndarjen përfundimtare të Internacionales të Parë dhe rrjedhimisht rikthimin e Marksit dhe Engelsit në aktivitetin formal politik. Shfaqja reale e partive punëtore industriale ndodhi pas vdekjes së Marksit. Marrëdhënia midis teorisë së Marksit dhe praktikës proletare kësisoj ishte gjithnjë asimetrike dhe indirekte: tepër rrallë kishte pika konkrete takimi mes tyre. Kompleksiteti i artikulimit objektiv ndërmjet “klasës” dhe “shkencës” në këtë periudhë (ende pothuajse e pastudiuar) reflektohej në natyrën dhe fatin e vetë shkrimeve të Marksit. Limitet e lëvizjes punëtore të atëhershme vendosnin caqe të caktuara mbi punën e Marksit dhe Engelsit. Diçka e tillë dëshmohet në dy nivele – si në përqafimin nga masat ashtu dhe në shtrirjen e teksteve të tyre. Influenca teorike e Marksit mbeti relativisht e kufizuar përgjatë jetës së tij. Pjesa më e madhe e shkrimeve të tij – të paktën ¾ e tyre – ishin ende të papublikuara kur ai vdiq: shkrimet e publikuara ishin shpërndarë në mënyrë rastësore në vende dhe gjuhë të ndryshme, por askund nuk ishin botuar në tërësinë e tyre. Do të duhej të kalonte një tjetër gjysmë shekulli përpara se të gjitha veprat e tij kryesore të gjendeshin në sferën publike dhe kështu historia e botimit të veprave të tij pas vdekjes do të ndikonte ndjeshëm në peripecitë e mëvonshme të vetë marksizmit. Regjistri i publikimeve të Marksit për aq sa ishte ende gjallë është tregues i barrierave penguese drejt shkrirjes të mendimit të tij në radhët e klasës të cilës i adresohej. Megjithatë mungesa e eksperiencës proletare të asaj epoke – ende në tranzicion midis punishtes dhe fabrikës, gjerësisht në mungesë të organizimit sindikal, pa shpresë për marrjen e pushtetit kudoqoftë në Evropë – kushtëzuan limitet e vetë mendimit të Marksit. Marksi la pas vetes një teori koherente dhe të përparuar të metodës kapitaliste të prodhimit, të paraqitur në veprën “Kapitali”, por nuk mundi të paraqiste një trup të ngjashëm sa i përket teorisë politike të strukturave të shtetit borgjez, ose të strategjive dhe taktikave të përpjekjes revolucionare socialiste të klasës punëtore drejt përmbysjes së këtij shteti. Në rastin më të mirë, ai la pas vetes disa parashtrime enigmatike në vitet 1840 dhe principe lakonike në vitet 1870 (diktatura e proletariatit), së bashku me analizën e famshme të Perandorisë së Dytë. Pra është e qartë që Marksi nuk mund të tejkalonte ritmin real historik të masave në krijimin e instrumenteve dhe metodave të tyre drejt vetë-emancipimit. Në të njëjtën kohë Marksi kurrë nuk paraqiti një sistem të plotë përshkrues mbi materializmin historik si të tillë. Këtë detyrë e mori përsipër Engelsi në fundin e viteve 1870 dhe në fillimin e 1880, me “Anti-Dyringun” dhe pasuesit e tij, si përgjigje ndaj rritjes së organizatave të reja të klasës punëtore në kontinent. Paradoksi final i marrëdhënies historike të veprës teorike të Marksit dhe Engelsit me përpjekjet praktike të proletariatit shtrihet në formën e veçantë të internacionalizmit të tyre. Asnjëri prej të dyve nuk kishte rrënjë në një parti politike nacionale pas 1848-s. Të bazuar në Angli, ku shumicën e kohës gjendeshin jashtë kornizave politike dhe kulturore, të dy vendosën kundër rikthimit në Gjermani në vitet 1860. Duke u tërhequr nga çdo rol praktik në ndërtimin e organizatave kombëtare të klasës punëtore në vendet kryesore industriale, ata këshillonin dhe udhëzonin militantët përgjatë Evropës dhe Amerikës Veriore. Korrespondenca e tyre shtrihej nga Moska në Çikago, nga Napoli në Oslo. Vetë pamaturia historike e lëvizjes proletare të asaj epoke u mundësoi atyre, me një çmim të caktuar, të ndiqnin një internacionalizëm të kulluar, i cili në fazat e mëvonshme të zhvillimit të tij nuk do të ishte i mundur.

Grupi i teoricienëve që pasuan Marksin dhe Engelsin në brezat pasardhës ishte ende i vogël në numër. Grupi përbëhej nga njerëz që në të shumtën e rasteve u shndërruan në ndjekës të materializmit historik në një fazë relativisht të vonë të zhvillimit të tyre individual. Katër figurat kryesore të kësaj periudhe ishin Labriola (1843), Mehring-u (1846), Kautsky (1854) dhe Plehanovi (1856). Të gjithë vinin nga rajone të prapambetura të Evropës lindore dhe jugore. Mehring-u ishte i biri i një fisniku nga Pomerania, Plehanov-i i biri i një pronari tokash nga Tambov-i, Labriora i biri i një pronari tokash nga Kampania, Kautsky i një piktori nga Bohemia. Plehanovi përqafoi marksizmin pas një dekade veprimtarie klandestine me narodnikët, në emigracion në Zvicër në vitet 1880; Labriola ishte një filozof hegelian i afirmuar në Romë, i cili u afrua drejt marksizmit në 1890; Mehring-u kishte një karrierë të gjatë si demokrat liberal dhe publicist në Prusi përpara së t’i bashkohej Partisë Social-Demokrate në Gjermani në vitin 1891; Kautsky ishte i vetmi që nuk kishte një të kaluar sa i përket aktivitetit politik dhe kulturor, duke iu bashkuar lëvizjes punëtore si një gazetar socialist në të njëzetat e tij. Asnjëri prej këtyre intelektualëve nuk gëzonte rol qendror në partitë e vendit të tyre, por të gjithë ishin të integruar për së afërmi në jetën politike dhe ideologjike të këtyre partive dhe mbanin poste zyrtare brenda tyre, me përjashtimin e Labriola-s i cili mbeti i papërfshirë në themelimin e Partisë Socialiste në Itali. Pasi ndihmoi në themelimin e Grupit për Emancipimin e Punës, Plehanovi ishte në bordin e parë editorial të Iskrës dhe në Komitetin Qendror të Partisë Social-Demokrate Ruse, i zgjedhur në kongresin e saj të dytë. Kautsky ishte redaktor i Die Neue Zeit-it, gazetë e cila u shndërrua në organin kryesor teorik të partisë dhe hartoi programin zyrtar në Kongresin e Erfurtit. Mehring-u ishte kontribuues i spikatur në Die Neue Zeit-in, Labriola në të ngjashmen franceze Le Devenir Social. Të katërt mbanin letërkëmbim personal me Engelsin, i cili ushtronte influencë formuese mbi ta. Drejtimi kryesor i punës së tyre në fakt mund të analizohet si vazhdimësi e punës së periudhës së fundit të Engelsit. Në fjalë të tjera, ata ishin të preokupuar me mënyra të ndryshme të sistematizimit të materializmit historik si një teori gjithëpërfshirëse të njeriut dhe natyrës, në gjendje për të zëvendësuar disiplinat rivale borgjeze dhe pajisur lëvizjen punëtore më një vizion të plotë dhe koherent të botës që të përbrendësueshëm lehtësisht nga militantët e lëvizjes. Kjo përpjekje, ashtu si me Engelsin, ndodhte në dy nivele: prodhimi i deklaratave të përgjithshme filozofike mbi marksizmin si një konceptim i historisë dhe shtrirja e kësaj disipline në dimensione të paprekura në mënyrë direkte prej Marksit. Ngjashmëria e titujve të disa prej ekspozicioneve të tyre kryesore nxjerr në pah dhe qëllimin e tyre të përbashkët: “Mbi materializmin historik” (Mehring), “Ese mbi konceptimin materialist të historisë” (Labriola), “Zhvillimi i konceptimit monist mbi historinë” (Plehanov), “Konceptimi materialist i historisë” (Kautsky). Në të njëjtën kohë Mehring-u dhe Plehanovi shkruan ese mbi artin dhe literaturën (“Legjenda e Lessing-ut” dhe “Arti dhe jeta sociale”), ndërkohë Kautsky ndërmori një studim të religjionit (Origjinat e krishterimit) – tema të cilat Engelsi i kishte cekur në periudhën e vonë të krijimtarisë së tij. Sensi i përgjithshëm i këtyre punimeve anonte më shumë nga një përpjekje për plotësimin se përparimin e trashëgimisë marksiste. Fillesat e publikimeve skolastike të dorëshkrimeve të Marksit dhe studimet biografike të jetës së tij, me qëllim shpërfaqjen e plotë të tyre kundrejt lëvizjes socialiste për të parën herë, u përkasin kësaj gjenerate. Engelsi kishte publikuar vëllimin e dytë dhe të tretë të “Kapitalit”; më pas Kautsky editoi ”Teorinë e mbivlerës”; Mehring-u bashkëpunoi në botimin e korrespondencës mes Marksit dhe Engelsit dhe në fund të jetës së tij përfundoi të parën biografi të plotë dhe serioze të jetës së Marksit. Sistematizimi dhe përmbledhja e një trashëgimie ende të re dhe të afërt në kohë me ta ishte qëllimi kryesor i këtyre pasardhësve të Marksit.

Ndërkohë e gjithë klima ndërkombëtare e botës kapitaliste po ndryshonte. Në vitet e fundit të shekullit XIX ndodhi një ngritje e konsiderueshme ekonomike në vendet kryesore industriale, me avancimin e monopolizmit brenda kufijve dhe ekspansionizmin imperialist përtej tyre, duke inauguruar një periudhë inovacioni teknologjik, rritjeje të përqindjes së fitimit, rritjeje të akumulimit të kapitalit dhe përshkallëzimi të rivalitetit ushtarak midis fuqive të mëdha. Këto kushte objektive ishin thellësisht të ndryshme krahasimisht me fazën e qetë të zhvillimit kapitalist gjatë recensionit të viteve 1874-1894, pas mposhtjes së Komunës dhe përpara konfliktit të brendshëm imperialist në luftërat Anglo-Boere dhe Spanjo-Amerikane (të ndjekura nga konflikti Ruso-Japonez). Ndjekësit e menjëhershëm të Marksit dhe Engelsit ishin formuar në një periudhë të qetësisë relative. Brezi i ardhshëm i marksistëve erdhi në një kohë të karakterizuar nga mjedise shumë më të trazuara, teksa kapitalizmi evropian rendte vrullshëm drejt shtrëngatës të Luftës së Parë Botërore. Teoricienët e kësaj periudhe ishin më të shumtë në numër se paraardhësit e tyre; dhe shfaqja e tyre konfirmonte më dramatikisht zhvendosjen që kishte filluar tanimë në periudhën e mëparshme – transferimin e të gjithë boshtit gjeografik të kulturës marksiste drejt Evropës lindore dhe qendrore. Figurat mbizotëruese të këtij brezi të ri vinin pa përjashtim prej rajoneve në lindje të Berlinit. Lenini ishte i biri i një punëtori administrate nga Astrakhani, Luxemburg-u e bija e një tregtari nga Galicia, Trocki i biri i një fermeri nga Ukraina, Hilferding-u i një funksionari siguracionesh dhe Bauer-i i një industrialisti tekstilesh nga Austria. Të gjithë të sipërpërmendurit shkruan punime madhore përpara Luftës së Parë Botërore. Buharini, biri i një mësuesi nga Moska, dhe Preobrazhensky i ati i të cilit ishte prift nga Oreli, u afirmuan pas luftës, por përsëri mund të cilësohen si produkte të mëvonshme të të njëjtit formacion. Datëzimi dhe shpërndarja zhvillimore e marksizmit mund të paraqitet si më poshtë:

Marks                    1818-1883 Trier (Rinland)

Engels                   1820-1895 Barmen (Vestfali)

Labriola                  1843-1895 Cassino (Kampania)

Mehring                  1846-1919 Shlave (Pomerani)

Kautsky                  1854-1893 Pragë (Bohemi)

Plehanov                 1856-1918 Tambov (Rusi qendrore)

Lenin                     1870-1923   Simbirsk (Volgë)

Luxemburg               1871-1919 Zarnosc (Galici)

Hilferding                1877-1941 Vjenë

Trocki                 1879-1940 Kherson (Ukrainë)

Bauer                    1881-1938 Vjenë

Preobrazhensky     1886-1937 Orel (Rusi qendrore)

Buharin                  1888-1938  Moskë

Thuajse të gjithë teoricienët e brezit të ri do të luanin rol kryesor në udhëheqjen e partive në vendet e tyre – rol shumë më qendror dhe aktiv se pararendësit e tyre. Siç dihet, Lenini ishte krijuesi i Partisë Bolshevike në Rusi. Luxemburg-u ishte intelekti udhëheqës i social-demokracisë në Poloni dhe më vonë themeluesja më e spikatur e Partisë Komuniste në Gjermani. Trocki ishte figurë kryesore në mosmarrëveshjet fraksionale në social-demokracinë ruse, dhe Buharini njeri i besuar i Leninit që përpara Luftës së Parë Botërore. Bauer-i drejtonte sekretariatin e grupit parlamentar të Partisë Social-Demokratë në Austri, ndërkohë Hilferding-u ishte deputet i shquar i Partisë Social-Demokrate në Gjermani. Një karakteristikë e përbashkët e të gjithë këtij grupi ishte formimi jashtëzakonisht i shpejtë i tyre: secila prej figurave të përmendura kishte përfunduar të paktën një punë serioze teorike në fund të të njëzetave të tyre. Cilat ishin risitë e gjendura në shkrimet e tyre? Të kushtëzuar nga avancimi i përshpejtuar historik në fund të shekullit, punimet e tyre shtrihen kryesisht në dy drejtime të reja dhe origjinale. Së pari, manifestimi i transformimeve të metodës kapitaliste të prodhimit, që rrjedhimisht kishte gjeneruar monopolizim dhe agresion imperialist, kërkonte analizë dhe shpjegim të pandërprerë ekonomik. Për më tepër, vepra e Marksit tani gjendej nën kritikën profesionale të ekonomistëve akademikë për të parën herë. “Kapitali” nuk mund të merrej më si i mirëqenë, por duhej zhvilluar më tej. E para përpjekje madhore në këtë drejtim u ndërmor nga Kaucki në veprën “Çështja agrare” në vitin 1899, një eksplorim i gjerë i ndryshimeve në agrikulturën evropiane dhe amerikane; punim i cili tanimë e rreshtonte Kautsky-n përkrah marksistëve të brezit të vjetër më të ndjeshëm ndaj nevojave të imponuara nga situata aktuale dhe njëkohësisht përforcoi autoritetin e tij brenda marksistëve të rinj. Më vonë në të njëjtin vit, Lenini publikoi “Zhvillimin e kapitalizmit në Rusi” – një studim masiv i ekonomisë rurale, inspirimi formal i së cilës ishte tepër afër me atë të Kautsky-t, por qëllimi më i guximshëm dhe risi. Ky punim përmbante të parin aplikim serioz të teorisë së përgjithshme të prodhimit kapitalist të paraqitur në “Kapitalin” e Marksit mbi një formacion konkret social, duke kombinuar disa metoda të ndryshme të prodhimit në një artikulim të totalitetit historik. Investigimi i Leninit mbi periferitë e Rusisë cariste paraqiste kësisoj një avancim kritik të materializmit historik si një i tërë; ai ishte vetëm 29 vjeç kur e përfundoi. Gjashtë vite më vonë Hilferding-u, i cili kishte fituar popullaritet nëpërmjet një kundërpërgjigjeje efektive ndaj kritikës së Böhm-Bawerk-ut mbi veprën e Marksit – e përfundoi studimin e tij “Kapitali financiar” në moshën 28-vjeçare. E publikuar në vitin 1910 vepra e tij shkonte përtej aplikimit “sektorial” ose “nacional” të metodës marksiste të aplikuar nga Lenini dhe Kautsky, duke marrë në konsideratë ndryshimet globale të prodhimit kapitalist në epokën e re të trusteve, tarifave dhe luftës tregtare. Duke e përqendruar analizën e tij mbi rritjen e influencës së bankave, etjes të monopolizimit dhe përdorimin e makinacioneve shtetërore për përhapjen agresive të kapitalit, Hilferding-u vuri në dukje tensionin ndërkombëtar dhe anarkinë që mbizotëronte në procesin e organizimit dhe përqendrimit të ekonomisë në kapitalizmin e çdo shteti. Ndërkohë në vitin 1907 (pas përfundimit të “Kapitalit financiar”, por përpara publikimit), Bauer-i kishte përfunduar një punim po aq madhor mbi “Çështjen kombëtare dhe social-demokracinë” kur ishte ende 26 vjeç. Bauer-i ceku një problematikë teorike dhe politike të paprekur më parë nga Marksi dhe Engelsi, problematikë e cila po shfaqej gjithnjë e më shumë përpara lëvizjes socialiste: në këtë fushë relativisht të re të mendimit ai paraqiti një sintezë ambicioze me qëllim shpjegimin e origjinës dhe kompozimit të kombit, duke përfunduar me një analizë të valës së aneksimeve imperialiste jashtë Evropës. Imperializmi në vetvete u shndërrua në objektin e një trajtimi serioz teorik në veprën e Luxemburg-ut “Akumulimi i kapitalit”, publikuar në vigjilje të Luftës së Parë Botërore në vitin 1913.

Vijon

E përktheu Frenklin Elini

Marrë nga libri i autorit “Considerations on Western Marxism”

Imazhi: Diego Rivera

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.