Pushteti shtetëror dhe interesat klasorë (i)

/Ralph Miliband/

Puna e zhvilluar pesëmbëdhjetë vitet e fundit nga individë të cilët, nisur nga një qasje marksiste, shkruajnë mbi shtetin në shoqërinë kapitaliste tani mbush shumë rafte librash; dhe sado që dikush mund të jetë kritik mbi një shkrim, libër apo rrymë të caktuar është padyshim shumë e dobishme që një punë e tillë është bërë dhe është e disponueshme. Sidoqoftë ka një boshllëk shumë të madh në literaturë pasi vetëm një pjesë shumë e vogël e kësaj pune ka të bëjë me çështjen e autonomisë së shtetit. Ç’shkallë autonomie ka shteti në shoqërinë kapitaliste? Kujt i shërben ai në realitet? Këto dhe mjaft pyetje të tjera të ngjashme janë qartësisht të një rëndësie shumë të madhe teorike dhe praktike, duke marrë në konsideratë synimin dhe impaktin real apo potencial të veprimit të shtetit mbi shoqërinë që drejton, dhe shpesh përtej kësaj. Kjo çështje sidoqoftë është hetuar dhe “teorizuar” shumë pak bazuar në perspektivën marksiste. Ky artikull synon të japë një kontribut modest në punën që duhet bërë mbi këtë çështje.

Në vëllimin e parë të veprës Karl Marx’s Theory of Revolution, Hal Draper-i shpalos në mënyrë shumë të vlefshme çka mendojnë Marksi dhe Engelsi mbi autonominë e shtetit, si dhe tregon se sa i madh është vendi që ky i fundit zë në mendimet dhe shkrimet e tyre politike. Këtë përpiqesha të sugjeroja në një artikull me titull Marx and the state të botuar më 1965, në të cilin shkruaja, sipas një formulimi që nuk me duket shumë i kënaqshëm, se te Marksi ekzistonte një pikëpamje “dytësore” mbi shtetin (e para e shihte shtetin si “instrument” të një klase sunduese, e cila ishte e tillë për shkak të pronësisë ose kontrollit – ose të dyjave – të mjeteve kryesore të veprimtarisë ekonomike). Kjo pikëpamje “dytësore” e sheh shtetin si “të pavarur dhe mbi të gjitha klasat shoqërore, si forca dominuese në shoqëri dhe jo instrument i një klase sunduese”, dhe bonapartizmin si “shfaqja ekstreme e pavarësisë së shtetit”. Nga ana tjetër vëreja po ashtu se, për Marksin, shteti bonapartist, “sado i pavarur mund të ketë qenë politikisht nga ndonjë klasë e caktuar, ai mbetet, dhe nuk mund të jetë ndryshe në një shoqëri klasore, mbrojtës i klasës ekonomikisht dhe shoqërisht sunduese”. Disa vite më vonë, në një analizë kritike të veprës Political Power and Social Classes të të ndjerit dhe shumë të munguarit Nicos Poulantzas, e riformulova këtë çështje duke pohuar se duhet bërë dallim mes shtetit që vepron në mënyrë autonome në interes të klasës sunduese dhe veprimit të shtetit sipas urdhrave të kësaj klase, duke e cilësuar këtë të dytin si deformim vulgar të mendimit të Marksit dhe Engelsit. Ajo çfarë kundërshtoja në këtë rast ishte pikëpamja e prerë mbi shtetit si “instrument” i thjeshtë i klasës sunduese që vepron duke iu bindur diktatit të kësaj të fundit.

Debate mbi “autonominë” e shtetit

Megjithatë merita e të hulumtuarit në mënyrë të thelluar të konceptit të autonomisë i përket padyshim Poulantzas-it; është ai krijuesi i shprehjes që do të përbëjë bazën e  pjesës dërrmuese të diskutimeve të mëvonshme mbi këtë argument: “autonomia relative e shtetit”. Në thelb, sipas kësaj pikëpamjeje, shteti mund të kishte efektivisht një shkallë të lartë autonomie, po prapëseprapë mbetej në të gjitha funksionet e tij shtet i klasës sunduese.

Ka pasur një diskutim mjaft të madh mes marksistëve dhe të tjerëve rreth natyrës së shtrëngimeve dhe presioneve që e shtyjnë shtetin të plotësojë nevojat e kapitalit, veçanërisht nëse këto shtrëngime dhe presione ishin “strukturore” dhe jopersonale, apo të prodhuara nga një klasë sunduese e pajisur me një arsenal armësh dhe burimesh. Megjithatë, përtej dallimeve të shpalosura në këto diskutime, kishte edhe një element të rëndësishëm dakordësie, sipas të cilit shteti ishte vërtet i shtrënguar nga forca që qëndronin jashtë tij dhe se këto shtrëngime e kishin origjinën në kontekstin kapitalist kombëtar dhe ndërkombëtar në të cilin vepronte. Shteti mund të shtrëngohej nga kërkesat urdhëruese të kapitalit për riprodhimin dhe akumulimin e tij; ose nga presionet e lobeve, organizatave dhe agjencive në shërbim të kapitalit apo të ndonjë “fraksioni” të tij; ose nga ndikimi i kombinuar i këtyre dhe forcave ndërkombëtare siç mund të jenë shtete të tjera kapitaliste, Banka Botërore apo Fondi Monetar Ndërkombëtar. Megjithatë këta ishin faktorët që gjithsesi duhej të merreshin në konsideratë për të shpjeguar veprimet e shtetit. Siç është vërejtur herë pas herë në lidhje me këtë çështjeje, qasja marksiste mbi shtetin, si i nxitur nga forca të jashtme ndaj tij, ndan të njëjtën “problematikë” me qasjen liberale ose “demokratike pluraliste” të shtetit, pavarësisht dallimeve të tjera të rëndësishme mes tyre: ndërsa qasja marksiste shtrëngimet kryesore ndaj shtetit ia atribuon kapitalit ose kapitalistëve ose të dyve, ajo “demokratike pluraliste” presionet e ndryshme të ushtruara mbi një shtet në thelb demokratik ia atribuon një pluraliteti grupesh, interesash dhe pjesësh shoqërore në konkurrencë me njëra-tjetrën. Në të dyja perspektivat, shteti nuk vepron por u përgjigjet forcave të jashtme: ai mund të duket si një “subjekt historik”, por në realitet është objekt procesesh dhe forcash që veprojnë në shoqëri.

Kjo perspektivë është vënë në pikëpyetje viteve të fundit jo vetëm nga e djathta, e cila këmbëngul prej kohësh mbi parësinë e shtetit, por edhe nga njerëz të ndikuar fuqishëm nga marksizmi. Dy shembuj të njohur të kësaj sfide janë Revolution from Above: Military Bureaucrats and Developement in Japan, Turkey, Egypt and Peru e Ellen Kay Trimberger-it, si dhe e shumë vlerësuara States and Social Revolution e Theda Skocpol-it, në të cilën, sidoqoftë, nuk trajtohet shteti bashkëkohor, por shteti në lidhje me Revolucionin Francez, Rus dhe Kinez.

Në traditën marksiste, shkruan Skocpol-i, “cilatdo qofshin variacionet e formave të tij historike, shteti si i tillë shihet si karakteristikë e të gjitha mënyrave klasore të prodhimit; dhe, në mënyrë të pandryshueshme, i vetmi funksion i domosdoshëm dhe i pashmangshëm i shtetit është të përmbajë konfliktin klasor dhe të ndërmarrë politika të tjera në mbështetje të sundimit të klasës që është përvetësuese e mbivlerës dhe zotëruese e pronës.” Kjo qasje, argumenton ajo, dështon në trajtimin e shtetit “si një strukturë autonome – strukturë me një logjikë dhe interesa të veta jo medoemos ekuivalente ose të shkrira me interesat e klasës sunduese në shoqëri ose me tërësinë e grupeve politike.

Kjo më duket një kritikë e vlefshme: tradita marksiste priret ta nënvlerësojë ose thjesht ta injorojë faktin që shteti ka interesa të veta ose, thënë me fjalë më të përshtatshme, që njerëzit të cilët e drejtojnë shtetin besojnë se ai ka dhe se edhe ata kanë interesa të tyre. Paaftësia për ta marrë në konsideratë këtë fakt, natyrisht, frenon dhe ndalon zbulimin e mënyrave me të cilat interesat klasore dhe interesat shtetërore ndërlidhen dhe pajtohen me njëri-tjetrin.

Nga ana e saj, Skocpol-i shkon shumë më larg se sa thjesht pohimi që shteti ka interesa të veta ose se ata që e drejtojnë atë kanë interesa të tilla. Në fakt ajo vijon duke argumentuar se perspektiva marksiste e bën “praktikisht të pamundur edhe thjesht shtrimin e mundësisë që mund të lindin konflikte thelbësore interesash mes klasave sunduese ekzistuese apo mes një tërësie grupesh nga njëra anë dhe drejtuesve të shtetit nga ana tjetër”. Mirëpo përkundër asaj që duket se beson ajo, argumenti i dytë nuk rrjedh nga i pari, madje ai ngre një çështje krejtësisht tjetër, të një rëndësie të madhe, por e cila nuk duhet ngatërruar me të parën. Fjalia e parë i referohet interesave që shteti mund të ketë dhe e lë të hapur çështjen se si këto mund të pajtohen me interesat e tjera në shoqëri. Fjalia e dytë, nga ana tjetër, supozon që shteti mund të ketë interesa “thelbësisht” të kundërta me ato të të gjitha forcave dhe interesave të tjera në shoqëri. Këtu kemi të bëjmë me një version shumë të fortë të autonomisë së shtetit, e cila duhet diskutuar veçmas nga versioni tjetër që është shumë më i dobët.

Qëllimi i veprimit të shtetit

Ndoshta gjëja e parë që duhet vënë në dukje nga ky diskutim është se sa e madhe është sfera e veprimit që ka shteti në shoqëritë kapitaliste në të gjitha hapësirat e jetës. Ai është thellësisht dhe tërësisht i përfshirë në çdo aspekt të jetës ekonomike. Shteti është i pranishëm vazhdimisht dhe aktivisht në konfliktet klasore dhe në çdo lloj konflikti tjetër. Ai luan një rol të madh dhe gjithnjë në rritje në manipulimin e opinionit dhe në “inxhinierinë e konsensusit”. Ai ka, sipas frazës së famshme të Max Weber-it, “monopolin e përdorimit legjitim të forcës fizike”. Vetëm ai është përgjegjës për çështjet ndërkombëtare dhe për të vendosur se cili duhet të jetë niveli dhe natyra e armatimit të vendit.

Të flasësh për “shtetin” në këtë mënyrë është sigurisht stenografike dhe mund të na mashtrojë. Këtu u referohemi disa personave që janë përgjegjës për pushtetin ekzekutiv të shtetit – presidentë, kryeministra, kabinetet e tyre dhe këshilltarët e tyre kryesorë civilë dhe ushtarakë. Mirëpo kjo ka si kusht paraprak unitetin e pikëpamjeve dhe interesave, një unitet i cili mund të mos ekzistojë: ndarjet e mëdha mes njerëzve të përfshirë në këto çështje në realitet janë shumë të zakonshme, me ministra që janë në kontrast me kolegët e tyre dhe këshilltarë civilë e ushtarakë në kontrast me eprorët e tyre politikë. Nëse këto ndarje janë aq të thella sa të bëjnë të pamundur një kompromis të mundshëm dhe të paralizojnë pushtetin ekzekutiv, atëherë duhet bërë njëfarë rindërtimi i aparatit vendimmarrës. Në fund të fundit vendimet duhen marrë; dhe është pushteti ekzekutiv i cili i merr ato, “vetiu”.

Sigurisht që ka shumë influenca dhe shtrëngime të forta, nga jashtë shtetit, si ndërkombëtare ashtu dhe të brendshme, të cilat prekin natyrën e vendimeve të marra; dhe këto mund të jenë shumë të forta dhe efektive. Por  në instancë të fundit janë një grup shumë i vogël njerëzish në shtet – shpesh një person i vetëm – që vendos çfarë duhet dhe nuk duhet bërë; dhe është vetëm në raste tepër të jashtëzakonshme që ata të cilët marrin vendimet lihen pa asnjë alternativë zgjedhjeje. Mjaft më shpesh ekziston një shkallë zgjedhjesh: edhe aty ku qeveritë i nënshtrohen vullnetit detyrues të qeverive të tjera, zakonisht u lihet njëfarë lirie vendimmarrëse mbi çështje të cilat prekin fort dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë jetët e të qeverisurve. Mënyra më e mirë, me gjasë, për të nxjerrë në pah kuptimin e autonomisë së shtetit është të thuhet që nëse do të shpërthente një luftë bërthamore, si mes “superfuqive” ashtu edhe mes fuqive më të vogla të armatosura me mjete të përshtatshme për këtë luftë, kjo do të ndodhë sepse qeveritë kanë vendosur kështu, pa u ndikuar nga asgjë. Nuk ka asnjë procedurë demokratike për të nisur një luftë bërthamore.

Shkalla e autonomisë që gëzojnë shtetet për sa i përket shumicës së synimeve të tyre në lidhje me forcat shoqërore në shoqërinë kapitaliste varet kryesisht nga shkalla me të cilën lufta e klasave dhe presioni nga poshtë sfidojnë hegjemoninë e klasës sunduese në një shoqëri të tillë. Aty ku një klasë sunduese është vërtet hegjemone në terma ekonomikë, socialë e politikë dhe, për rrjedhojë, e lirë nga çfarëdolloj kërcënimi i madh dhe real nga poshtë, mundësia është që vetë shteti t’i nënshtrohet hegjemonisë së saj, dhe do të jetë fuqimisht i shtrënguar nga forma të ndryshme të pushtetit klasor që klasa sunduese ka në dispozicion të saj. Nga ana tjetër, aty ku hegjemonia e një klase sunduese vihet në pikëpyetje me këmbëngulje dhe me forcë, ka të ngjarë që autonomia e shtetit të jetë e konsiderueshme, aq sa, në kushtet e një luftë intensive, ai  mund të marrë formën “bonapartiste” e autoritare dhe ta çlirojë veten nga shtrëngimet dhe kontrollet kushtetuese.

Është e rëndësishme të theksohet që klasa kapitaliste ka gëzuar shumë rrallë një hegjemoni të plotë ekonomike, shoqërore, politike e kulturore. Një prej vendeve kryesore kapitaliste që i është afruar më shumë një të tillë hegjemonie janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës – shembulli i parë në botën kapitaliste i një shoqërie ku sipërmarrjeve nuk u është dashur ta ndajnë pushtetin me një aristokraci të mirërrënjosur dhe ku ka qenë e mundur të shmanget kërcënimi serioz politik nga organizimi i punëtorëve. Kudo sipërmarrjeve u është të bashkëjetojë me forcat shoqërore të lindura më parë dhe të sfidoheshin nga punëtorët. Për më tepër u është dashur të merren me struktura të lashta shtetërore dhe me pushtete që bënin një rezistencë të fortë ndaj ndryshimit. Hegjemonia kapitaliste ka qenë kësisoj shumë më e kundërshtuar dhe e pjesshme në pjesën tjetër të botës së kapitalizmit “të vonë” sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës; madje edhe në Shtetet e Bashkuara kontradiktat ekonomike e shoqërore dhe presioni nga poshtë, veçanërisht që nga Depresioni i Madh, e kanë fuqizuar shtetin dhe i kanë dhënë atij autonomi më të madhe nga ç’kishte në periudhën, le të themi, mes Luftës Civile dhe Depresionit të Madh.

Ideja që lufta e klasave ka një rëndësi vendimtare në përcaktimin e natyrës dhe formës së shtetit përbën një pohim të njohur të marksizmit klasik; po ashtu është edhe pikëpamja sipas së cilës qëllimi i autonomisë së shtetit është të mbrojë dhe t’i shërbejë rendit shoqëror ekzistues dhe klasës sunduese që është përfituesja kryesore e këtij rendi shoqëror. Siç kam vënë në dukje më herët, ajo që vihet në pikëpyetje me të drejtë është pikëpamja e fundit. Pasi pyetjes: “Për çfarë shërben autonomia e shtetit?” nuk mund t’i përgjigjemi thjesht në termat e sipërpërmendur. Çështja nuk është se këto terma janë të gabuar; porse ato janë të papërshtatshëm për të shpjeguar dinamikën e veprimit shtetëror dhe nuk mund të na japin një “model” të kënaqshëm të shtetit në lidhje me shoqërinë në një kontekst kapitalist. Dinamikën e veprimit shtetëror marksizmi  e shpjegon në termat e kërkesave urdhëruese të kapitalit apo presioneve të pareshtura të kapitalistëve; dhe këto janë vërtet të një rëndësie të madhe. Mirëpo të përqendrohemi ekskluzivisht te këto do të thotë të lëmë mënjanë të tjera shtysa shumë të fuqishme të veprimit shtetëror që vijnë nga brenda shtetit nga njerëz që kanë në dorë pushtetin vendimmarrës. Këto shtysa sigurisht ekzistojnë; dhe ato nuk mund të konsiderohen si sinonime të qëllimeve të klasave sunduese.

Vijon

E përkthyen Alfred Bushi dhe Enriko Peçuli

Marrë nga revista New Left Review

Imazhi: Rufino Tamayo

One comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.