Profeti i pabarazisë

/Anton Jäger, Dominik Leusder/

Shqyrtim i librit Kapitali dhe Ideologjia të Thomas Piketty-i

Përpara Thomas Piketty-së, ishte Bernard Sanders-i. “Amerikanët janë të inatosur” – deklaronte ai në sallën e Senatit në 2012. “Të inatosur sepse shtresa e mesme po rrënohet për shkak të recesionit të shkaktuar nga Wall Street-i…të inatosur se papunësia ka kapur majat, se 50 milionë njerëz nuk kanë sigurim shëndetësor dhe se familjet punëtore nuk mund të përballojnë tarifat universitare për fëmijët e tyre.” Sanders-i vazhdoi të citonte statistika për shpërndarjen e shtrembëruar të të ardhurave në një vend ende të tronditur nga recesioni i rëndë.  

Një vit më vonë doli në skenë vepra madhore e Piketty-së rreth dinamikave të pabarazisë në shoqëritë kapitaliste, Kapitali në shekullin e njëzetenjë. Betejat për rishpërndarjen ekonomike gjetën një intelektual të ri mbështetës. Por duket se jemi ende larg vënies në jetë të një programi të tillë në praktikë, veçanërisht pas humbjeve elektorale të Sanders-it dhe Corbyn-it.

Vepra e pritur gjatë nga Piketty-ja, Kapitali dhe ideologjia, mund të na ndihmojë për të kuptuar arsyen. Nëse synimi i librit të tij të parë ishte për të përshkruar evolucionin e të ardhurave dhe pasurisë në vendet industriale, ky libër i ri përqendrohet në qëndrueshmërinë dhe legjitimimin e pabarazive të tilla. Çdo shoqëri kapitaliste vjen me justifikimin e saj për një komplet të të drejtave të pronësisë. Piketty-ja e përkufizon ideologjinë paksa thjesht si “një grupazh idesh të arsyeshme apriori dhe diskurset që përshkruajnë se si duhet të strukturohet një shoqëri.”

Kapitali dhe ideologjia përshkruan gjatë regjimet e pronësisë në shoqëritë “pronësues” në Evropën e shekullit të tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë, ku shenjtëria e të drejtave të pronësisë u ngrit në ekstreme. Heqja e skllavërisë mund të jetë parë si një arritje kurorëzuese për vlerat liberale të iluminizmit, por skllavopronarët – në harmoni të plotë me normat mbizotëruese – u kompensuan në mënyrë luksoze për pronën e tyre. Haitit iu desh më tepër se një shekull për të paguar “borxhet” e skllevërve; Perëndimi nuk do t’ua falë kurrë njerëzve të atij vendi faktin e të qenit kombi i parë i dekolonizuar. 

Megjithëse Revolucioni Francez kishte shpallur formalisht barazi të të drejtave, e drejta e pronësisë u shenjtërua si një fe e re. Pjesë e këtij shenjtërimi, argumenton Piketty-ja, buron pikërisht prej një mungese marrëveshje se ku duhej të ndalej rishpërndarja, nëse do të ndodhte, dhe frikërave të vazhdueshme se ajo mund të shkonte tepër larg. Ky lloj argumenti do të tingëllojë tepër familjar për ata që kanë ndjekur përpjekjet e fundit për të penguar reformat progresive, duke iu referuar në mënyrë të mjegullt “pasojave të pasynuara” dhe “rrezikut moral”.

Përmendja konstante e regjimeve socialiste të veçanta si gogol janë një ekuivalent tjetër bashkëkohor i argumentit “të pasojave serioze” të shekullit të tetëmbëdhjetë. Një shembull i spikatur është ideja se masat e zakonshme rishpërndarëse si kujdesi shëndetësor i financuar publikisht – i cili në SHBA do të kërkonte transferimin e të ardhurave nga fitimet e korporatave drejt pagave – mund të çonte në rezultate të stilit venezuelian.  

Kthimi në normalitet

Megjithatë shqetësimi kryesor i Piketty-së nuk ka të bëjë me regjimin e pabarazisë në vetvete apo problemin e legjitimitetit të tij, por me zhvillimin e taksimit progresiv. Libri tregon një histori të njohur se si rritja e normës së taksimit të të ardhurave margjinale bëri të mundur shtetin modern. Të ardhurat nga taksat e shteteve evropiane u rritën qëndrueshëm nga një mesatare modeste prej 1-3 % të të ardhurave kombëtare në shekujt përpara Revolucionit Industrial deri 30-50 % në periudhën e pasluftës.

Politikat fiskale progresive dhe regjimet e mirëqenies sociale e stabilizuan kapitalizmin duke zgjidhur problemin e thellimit të pabarazive. Piketty-ja u bën jehonë ekonomistëve dhe historianëve të tjerë të kohëve tona duke argumentuar se periudha vijuese “neoliberale” thjesht ka qenë kthimi i kapitalizmit në normalitet: regjimi i vjetër i shenjtërisë së të drejtave të pronës ka riafirmuar veten pas tri dekadash të ëndrrave drithëruese luftënxitëse. 

Trajektorja bazë e kapitalizmit ka qenë gjithnjë e pabarabartë. Qyshse forcat që e patën kundërpeshuar ideologjinë e pronës ose u shitën ose u dobësuan – kryesisht partitë socialdemokrate të cilat, sipas Piketty-së, kanë “brahmnizuar[i]” veten e tyre në shtresa ekskluzive të klasës së mesme dhe tashmë janë duke pësuar rrjedhje të mbështetjes jashtë zonave punëtore të populluara nga pakicat etnike – “hiperkapitalizmi” i tridhjetë viteve të fundit është shfaqur triumfues.

Pas diagnozës, Piketty-ja vijon me një recetë. Zgjidhja, argumenton ai, gjendet në restaurimin e një regjimi taksimi progresiv, tashmë në nivel global, duke mundësuar kësisoj një tranzicion politikash paqësore kah një “socializmi pjesëmarrës”, në të cilin çdokush do të gëzojë “të drejtë universale për edukim dhe financim kapitali, lëvizje të lirë të njerëzve dhe praktikisht zhdukje thuajse të plotë të kufijve”.

Por vizioni socialist i Piketty-së shkon më tutje se sa kjo thirrje për rishpërndarje permanente përmes sistemit të taksimit. Plani i tij vendos hapur në pikëpyetje të drejtat e pronësisë borgjeze dhe kësisoj shkon mjaft më tutje se propozimet e fushatës së Bernie Sanders-it. Ky është –  thënë nga një ekonomist i spikatur mainstream – një udhëzues i drejtpërdrejtë i tejkalimit të kapitalizmit të kohëve të sotme.

Hije të Marksit

Është befasuese se shumica e komentuesve mbi punën e Piketty-së nga e majta socialiste e ka hedhur poshtë punën e tij – për aq sa mund të ketë pasur një angazhim serioz mbi të. Reagimi më i zakonshëm ka qenë akuza ndaj Piketty-së si pamjaftueshmërisht marksist, pavarësisht elozheve në titujt e librave të tij.

Megjithatë qëndron një pyetje legjitime se sa duhet ta ndjekin socialistët Piketty-në. Kapitali dhe ideologjia premtoi të ndreqte të metat e punës së tij të mëparshme, fokusi sasior e të cilës mbi pabarazinë la të patrajtuar çështjen se si elitat i justifikojnë këto pabarazi. Ashtu si me vëllimin e parë, aspekti më impresionues i punës së Piketty-së është empirik: ai bën bashkë një larmi burimesh – dokumente trashëgimie, lista të censuseve, fatura taksash, harta kadastrale – për të përpiluar komplete masive të dhënash sasiore. 

Disa ekonomistë marksistë mund të ankohen për çka duket si paaftësia e Piketty-së për të rrokur disa prej koncepteve më të brendshme të lidhura me traditën e tyre. Megjithatë atje ku ai qartësisht i lë pas shumicën e tyre përbën qartësisht një kuriozitet empirik: kemi të bëjmë me një përpjekje serioze për të skicuar botën tonë shoqërore pa gjetur strehë në abstragime të lehta. Piketty-ja e dashuron një grafik të mirë, çka vihet re me gëzim.

Por në fund të fundit grumbullimi i të dhënave nuk e zëvendëson teorinë e historisë. Shumë shpesh Kapitali dhe ideologjia ngjan si një formë strukturalizmi për epokën e ligjërimeve të TED Talk-ut. Megjithëse Piketty-i ka lexuar literaturën dhe zotëruar statistikat, analizës së tij i mungon elementi lidhës i të gjithë këtyre fakteve së bashku.

Në fund të fundit vlejnë disa kritika të natyrës marksiste ndaj punës së ekonomistit të madh.

Siç vuri në dukje filozofi francez Frédéric Lordon-i, Piketty-ja dukshëm po “luan marksistin” pa i mësuar veglat, duke e vetësinkronizuar rrugën e tij në një ligjërim tashmë të njohur, por pa kapjen e duhur të notave. Kur u pyet nëse e kishte lexuar Kapitalin e Karl Marksit, Piketty-ja u përgjigj se ajo punë i dukej “tepër e vështirë”.

Në përfundim, nocioni i Piketty-së për kapitalin është ngurtësisht shumë ekonomik, duke i munguar konteksti i pasur shoqëror në të cilin e vendos Marksi atë, i kapur kryesisht në nivelin sipërfaqësor të vlerave në bilance dhe të trashëgimisë. Tekefundit metodologjia e Piketty-së është sasiore. I hipnotizuar nga numrat, ai e shqyrton me vështirësi çështjen se si forma të caktuara pasurie ndryshojnë gjatë periudhave historike.  

Kohë moderne

Prapëseprapë marksistët mund të mësojnë shumë nga puna e Piketty-së. Atë që i mungon në sintezë, e kompenson në sofistikimin dhe qëllimin e dukshëm. Asnjë shoqëri nuk është e destinuar të jetë e pabarabartë, këmbëngul ai. Suedia ishte dikur një nga vendet më të pabarabarta në hemisferën perëndimore – vetëm në dekada betejash të zhvilluara nga lëvizja punëtore e vendit, ajo u bë një shembull i mobilitetit shoqëror. Pabarazia u reduktua jo për shkak të kulturës apo natyrës, por përmes vullnetit politik për të zëvendësuar një ideologji sunduese me një tjetër.

Piketty-i e përmbledh argumentin qendror të librit të tij qysh në faqe e para: “Çdo shoqëri duhet të përpiqet t’u përgjigjet pyetjeve se si të organizohet, zakonisht në bazë të përvojës së saj historike, por ndonjëherë edhe në bazë të përvojave të shoqërive të tjera.” Në këtë kontekst “ideologjia” është një mënyrë për të justifikuar rregullimet shoqërore që mund t’i shërbejnë në mënyrë shpërpjesëtimore grupeve të caktuara. Çdo shoqëri do të duhet të përballet një ditë me justifikimin e saj intelektual mbi mënyrën e organizimit.

Por Piketty-i e thekson rëndësinë e ideologjisë – në kuptimin e tij të termit – edhe si shpjegim për stabilitetin e kapitalizmit modern. Ky stabilitet ndoshta i detyrohet shumë më tepër një gjendjeje dorëzimi, pasi njerëzit bëjnë paqe me një botë që është armiqësore për lulëzimin e tyre. Ata e dinë që kjo botë është produkt i veprimeve njerëzore, por nuk mund t’i kontrollojnë ato.

Marrëdhënia jonë e përditshme me tregjet është një shembull i përsosur i funksionimit të kësaj dinamike. Ndonëse e dimë që veprimi i qenieve njerëzore është ai që përcakton çmimet në treg, ne nuk mund të vendosim të gjithë së bashku për t’i ndryshuar ato. Ne varemi nga tregjet për të mbijetuar dhe duhet t’i pranojmë ato sikur të ishin një produkt i pandryshueshëm i natyrës. “Ideologjia”, në këtë rast, nuk është aq shumë çështje e manipulimit të vetëdijshëm të elitës sesa është një fat ndaj të cilit ne heqim dorë vetë.

Në fund, është më e lehtë të justifikojmë vuajtjet tona sesa të imagjinojmë se gjërat mund ndryshojnë. Fushata e Bernie Sanders-it u kërkoi amerikanëve të vinin një bast për “revolucionin politik”: shumë prej tyre e konsideruan bastin shumë të rrezikshëm.

Ekonomia WikiLeaks

Vetë Piketty-i e konsideroi dorëzimin si një pengesë për përpjekjet e tij politike në vitet e fundit. Pavarësisht përpjekjeve të shumta të Corbyn-it dhe Sanders-it, dendësia e bashkimit në sindikata është ende duke rënë në të gjithë botën e zhvilluar kapitaliste, dhe një raund i ri i hedhjes në treg të parasë nga bankat qendrore është duke e shtyrë pabarazinë në nivele tejet të larta. Në këtë peizazh, Piketty-ja rrezikon të bëhet i barazvlefshmi politik i WikiLeaks-it.

WikiLeaks-i luajti një rol të guximshëm, duke treguar krimet që po kryheshin nga qeveritë në të gjithë botën: mbikëqyrje masive, vrasje pa gjyq dhe luftëra të paligjshme. Megjithatë ndikimi publik i zbulimeve të tilla ishte i kufizuar. Në mungesë të një lëvizjeje të besueshme sociale që mund të sfidojë status-quo-në, vetëm sinjalizimi nuk mund t’i zgjojë njerëzit nga vetëkënaqësia e tyre. Sigurisht gjërat mund të shkojnë keq, por çfarë ndryshimi sjell kjo njohuri nëse nuk shohim asnjë mënyrë për t’i përmirësuar punët?

Gjatë dhjetë viteve të fundit kemi qenë dëshmitarë të një shpërthimi të bursave studimore mbi pabarazinë empirike, të shtyrë pjesërisht nga një revolucion i të dhënave në ekonometri dhe arkivat gjithnjë e më të digjitalizuara. Lëvizjet politike që sfidojnë këto pabarazi i kanë përdorur të dhënat e Piketty-së si armë intelektuale. Por pa një strategji praktike dhe peshën organizative për ta realizuar atë, këto lëvizje hasën në vështirësi për të fituar mbështetjen e gjerë popullore që u duhej për të sjellë ndryshime.

E përktheu Jani Marka

Në fund, “pabarazia” bëhet problem pasi të kemi vendosur ta bëjmë të tillë, jo më parë. Dhe, siç na kujton Machiavelli, profetët e vetëm që kanë dalë fitues ishin ata që i siguruan vetë armët e tyre.

Marrë nga revista Jacobin

Imazhi: Farley Aguilar


[i] Brahminizimi, këtu dhe i vendosur në thonjëza, nënkupton një proces historik ku grupe të caktuata ndjekin praktikat e klasave më të larta dhe përfshihen në to. – Shën. përkth..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.