Pse ka krizë politike?

/Redi Muçi/

Le ta themi hapur: nuk ka krizë politike sepse Shqipëria u kanabizua dhe u kthye në ‘narkoshtet’. Nuk ka krizë sepse Edi Rama i ka kapur tashmë të gjitha pushtetet ashtu siç nuk ia ka dalë ta bëjë Sali Berisha në ditët e lavdisë së tij prej satrapi. Nuk ka krizë sepse e gjithë ekonomia është grumbulluar në fare pak duar oligarkësh dhe orientohet nga paratë e krimit. Nuk ka krizë sepse Erion Veliaj ka perfeksionuar artin e vënies në rresht të punonjësve të administratës publike nëpër fushata elektorale si kurrë më parë.


Sa më sipër janë të vërteta që i njohim të gjithë, por nuk janë arsyet e krizës politike. Teksa Lulzim Basha përgatitet për kuturisjen e radhës në një protestë krejt të pakuptimtë politikisht, vlen të bëhet një analizë e situatës jashtë “llogoreve të politikës” – siç do thoshte Fatos Lubonja.
Jetojmë në kohë interesante. Në teatrin 30-vjeçar të politikës pluraliste – që plurale ka qenë vetëm në metodat e vjedhjes – kemi parë performanca nga më të larmishmet: që nga grevat e urisë e deri te çadrat e lirisë. Por asnjëherë s’kemi parë djegien e mandateve parlamentare, asnjëherë sulmin frontal ndaj “partnerëve ndërkombëtarë” duke evokuar teoritë konspirative anti-sorosiane, por edhe kurrë më parë nuk është mbështetur në mënyrë kaq ashiqare nga ndërkombëtarët njëra palë.


Për sistemin e ngritur në këto 30 vjet mund të veçohen dy aspekte karakterizuese: a) pandëshkueshmëria e politikanëve të të dyja krahëve të përfshirë në skandale korrupsioni, vrasjesh etj. dhe b) ideja e “fazës së tranzicionit” drejt integrimit në Bashkimin Evropian.


Po ta nisim nga kjo e dyta, retorika e përdorur nga funksionarët dhe ambasadorët e huaj në vend ka qenë ajo e hapave të sigurt të Shqipërisë drejt integrimit, çka e justifikonte aktualitetin problematik githmonë si një fazë tranzitore drejt një të ardhmeje të dëshiruar. Për politikanët ky ka qenë përherë projekti iluziv që i paraqitej elektoratit, në mungesë të çfarëdolloj projekti politik tjetër konkret, teksa agjenda e palëve merrte përherë trajtën e politikave neoliberale ekstreme të privatizimeve masive dhe spekulimeve korruptive dhe monopoliste.


Për ndërkombëtarët kjo retorikë ka shërbyer për t’u dhënë atyre legjitimet në sytë e shqiptarëve si arbitrat e lojës së pistë që luanin partitë politike. Komentet e ambasadorëve interpretohen edhe sot si këshilla dashamirëse lidhur me standardet që vendi dhe politika duhet të arrijnë për të merituar integrimin.


Për më tepër, në perceptimin tonë popullor mbeshtetja te një “vëlla i madh” që ndërhyn në politikat e brendshme rezonon të shkuarën e vendit, që në marrëdhëniet e Mbretit Zog me Italinë fashiste, e më pas të regjimit të Enver Hoxhës fillimisht me Bashkimin Sovjetik e më pas me Kinën. Kështu, Amerika dhe BE duket se kanë zënë këtë pozicion në mendjen shqiptare, duke i mveshur vetes kompetenca shumë më të gjera sesa thjesht ato të përfaqësuesve të interesave të vendeve përkatëse.


Sa i përket kulturës së pandëshkueshmërisë së politikanëve, ajo lidhet me paaftësinë e viteve të pas-diktaturës për të ngritur institucione ligjore në vend, përfshi këtu edhe një sistem drejtësie funksional dhe të pavarur. Përgjithësisht rregullat e lojës politike kanë nënkuptuar se përtej spektaklit publik me akuza të ndërsjellta, të dyja krahët kanë shërbyer si patericë e njëra-tjetrës në abuzimin me pushtetin. Edhe vetë sistemi i drejtësisë këto 30 vjet ka qenë një lloj komisioni bipartizan, herë i kontrolluar nga PD e herë nga PS. Ai përgjithësisht ka pasqyruar në të gjitha nivelet e tij shkallën e korrusionit të përhapur masivisht në shoqëri, duke u kthyer nga organ i drejtësisë në ankand për atë që ofronte ryshfetin më të majmë. Si i tillë, sistemi gjyqësor nuk ka përbërë asnjëherë kërcënim serioz për politiknët shqiptarë.


Pse ka krizë sot? Sepse Amerika, duke përfituar nga statusi i partnerit strategjik dhe i arbitrit dashamirës që kërkon më të mirën për ne, ka ndërhyrë në sistemin politik për të detyruar palët të hartojnë një reformë në drejtësi, e cila – në mënyrë të paprecedent përmes ndërhyrjes në kushtetutën e vendit – ia kalon kompetencat hetuese dhe vendimmarrëse të sistemit gjyqësor një njësie speciale të krijuar dhe kontrolluar nga amerikanët dhe evropianët.


Kjo është arsyeja pse janë prishur ekulibrat e hershëm mes palëve duke sjellë reagimin e opozitës, i kamufluar ky si denoncim i keqqeverisjes së Edi Ramës dhe lidhjes së tij me botën e krimit. Kjo ka sjellë edhe vetëmitizimin e Ilir Metës në hero kombëtar. Frika i bën qentë të lehin më shumë sesa trimëria.


A do kishte ndodhur kjo reformë, trajtat e së cilës janë ende shumë të paqarta, me vullnetin e aktorëve të politikës shqiptare? Përgjigja është jo! A është kjo një reformë e shumëpritur nga shqiptarët, të lodhur nga kultura e pandëshkueshmërisë dhe shpresëplotë se politikanët do përfundojnë pas hekurave. S’do mend se po!


Por pyetja më e rëndësishme është: a kemi të bëjmë përnjëmend me ngritjen e një institucioni të pavarur që do t’i shërbejë shoqërisë në vitet që do të vijnë dhe do vendosë drejtësinë në vend, apo me një rast unik të dorëzimit të pushtetit gjyqësor një vendi të huaj nëpërmjet ndërhyrjes në kushtetutë? Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje ngelet për t’u parë.


Premisat, megjithatë, nuk janë fort të mira; Edi Rama – ky qen i vjetër i politikës – nuk po leh, çka lë vend për dyshim se një marrëveshje pandëshkueshmërie është bërë mes hartuesve të reformës dhe kreut të qeverisë. Kjo jo vetëm që do kompromentonte paanësinë e sistemit të ri gjyqësor, por do t’i jepte një vrull të ri abuzimeve të Edi Ramës me pushtetin e pakufi që ka akumuluar në duart e tij.
Për më tepër, politika perëndimore në këto vite “tranzicioni” nuk ka qenë ajo e forcimit të institucioneve, siç mund të kish qenë media e pavarur, por kryesisht ajo e krijimit të një protektorati që ndjek besnikërisht interesat e “aleatëve”. Rasti i Eulex-it në Kosove gjithashtu është një ogur i keq.


Mbështetja amerikane ndaj diktatorëve gjatë shekullit të shkuar në Amerikën Latine, Lindjen e Mesme e më gjerë, lë pak vend për dyshim se demokracia dhe forcimi i institucioneve nuk është prerogativa e politikës së tyre të jashtme, por ruajtja e interesave dhe “stabiliteti”.


Teksa përbyllja e reformës në drejtësi me ngrtijen e Gjykatës Kushtetuese dhe e njësisë antikorrupsion (SPAK) duket mjat e afërt, teoritë konspirative dhe strehimi në nacionalizmin e maskarenjve duket se do të intensifikohen. Edhe pse lufta brenda llojit të politikanit shqiptar është një spektakël i gjithi për t’u shijuar, kjo nuk është koha për t’u rehatuar. Tentativa e pritshme e amerikanëve për t’i dhënë legjitimitet reformës në drejtësi duke dënuar me burg një apo disa prej peshqve të mëdhenj të politikës nuk mund të garantojë një institucion të pavarur të drejtësisë. Madje nuk ka asnjë garanci se ajo nuk do të përdoret abuzivisht në të ardhmen. Për këtë nevojitet një shoqëri e shëndoshë dhe e organizuar nëpër sindikata, unione, organizata, komunitete. Nevojitet një shoqëri aktive, njësoj si ato në Evropë ku aderojmë të hyjmë.

Imazhi: Top Story

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!
error

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.