Stigmatizimi i të majtës dje dhe sot

/Nebih Bushaj/

Regjimi hoxhaist ishte padyshim një nga më të egrit e ish-bllokut të Lindjes, me mungesë të theksuar te lirisë dhe të drejtave njerëzore, demokracisë e drejtësisë, sidomos asaj sociale. Duke qenë i tillë ai la shenja tek shumica dërrmuese e popullsisë shqiptare saqë u rrëqethen mishtë sa herë dëgjojnë për të apo sidomos kur ndonjë nostalgjik që arriti ta milte atë sistem e lavdëron e madje dëshiron rikthimin e tij.

Është normale të irritohesh kur pret demokraci e merr diktaturë, pret drejtësi sociale e merr burokraci sistemore, pret të hash me lugë floriri, siç edhe të premtuan, e merr ¼ e bukës racion ditor, kur pret liri dhe të drejta e merr ndërhyrje të strukturave të shtetit deri në brekë, pa të drejtë fjale, liri shprehjeje, të drejtë të zgjidhesh e të zgjedhësh i lirë, madje edhe pa të drejtë ta braktisësh një ferr të tillë.

Gjithë ajo qasje e regjimit të djeshëm, ndërkohë që shitej si socialist e madje komunist gjatë atij gjysmë shekulli, natyrisht kanë sjellë një perceptim të gabuar të shoqërisë shqiptare për socializmin e komunizmin në veçanti dhe të majtën në përgjithësi. Sot pjesa dërrmuese e atyre që e jetuan atë sistem, por edhe e fëmijëve të tyre, kanë një alergji ekstreme jo vetëm për çfarë kasta e djeshme predikonte, por edhe për segmente tjera të spektrit të së majtës. Aq sa shumicën e elektoratit të PD sot e përbëjnë njerëz të thjeshtë, të varfër, të papunë, të shtypur në punë, të paarsimuar që sociologjikisht janë të majtë, por që e shohin PD si përfaqësuesen e tyre, si ajo që rrëzoi regjimin – të keqen e që solli demokracinë.

Vetë PD gjatë gjithë këtyre viteve tranzicion i ka mëshuar fort kësaj pike, duke akuzuar si “komunist” çdo kundërshtar të mundshëm, pavarësisht orientimit të tyre politik. Njëlloj siç akuzon Ramën si të tillë, megjithëse Rama është një neoliberal i thekur.

Shpesh njerëzit, duke mos pasur formimin e duhur politik, e konsiderojnë komuniste çdo sjellje autoritare e me tendenca diktatoriale të çfarëdolloj politikani a partie. Por e veçantë mbetet akuza nga PD drejtuar PS e madje edhe anasjellas. Me pak fjalë, është kthyer në trend politik etiketimi si “komunist” i kundërshtarit politik me qëllim dobësimin e tij, duke pasur parasysh që masa më e madhe e njerëzve irritohen nga e shkuara “komuniste”.

Këtë lloj qasjeje e kanë forcuar më shumë ca “intelektualë” që për arsye të caktuara sulmojnë jo vetëm PS si komuniste, duke qenë edhe trashëgimtarja e PPSH, por sidomos grupime vërtet të majta edhe përmbajtësisht, jo vetëm nga emri, qofshin këto vendase apo nëpër botë si demokratët e Sanders-it e laburistët e Corbyn-it. Madje ka nga ata që e mohojnë krejtësisht ekzistencën e të majtës duke pretenduar që e gjitha është një marrëzi që sjell vetëm të këqija e që duhet të ketë vetëm parti të djathta(!).

Me gjithë dëmin që PPSH i ka bërë të majtës në vend gjatë regjimit të para ’90, atë më së shumti e ka dëmtuar retorika boshe e PD bashkë me analistët e intelektualët e saj që shiten të pavarur të cilët këto tri dekada ia kanë dalë pjesërisht të shpëlajnë trush njerëzit për rrezikun që kanos çdo lëvizje apo parti e majtë, duke lënë të kuptohet që do të sjellin sërish sistemin e para ’90 –  shpesh edhe duke e thënë troç.

Ka nga ata që arrijnë deri aty sa të akuzojnë socializmin për vdekjen pak ditë më parë të një babai me të bijën tek mundohej të hynte ilegalisht ne SHBA, në një kohë që politikat ekonomike neoliberale të SHBA dhe ndërhyrjet e saj në punët e vendeve amerikano-latine janë shkaktaret e vërteta jo vetëm për rastin në fjalë, por edhe për Sirinë e gjithë vendet e Lindjes së Afërt e më gjerë.

Edhe pse mund të ketë raste përjashtimi ku këta intelektualë kanë pësuar një traumë aq të madhe nga regjimi i shkuar saqë as arsimimi që kanë marrë, deri edhe doktor shkencash nëpër universitete të botës, nuk i pengon ta demonizojnë të majtën se na paska qenë dikur një Enver a një Stalin, shumica prej tyre sigurisht nuk janë aq budallenj, por të djallëzuar. Synimi i vetëm i aktorëve politikë me të tillë qasje kuptohet që është ruajtja e status quo-së, me demokraci jofunksionale, me njerëz të dobët para kastës politike, të varfër e të paarsimuar, të shtypur e të pashpresë për ndryshim. Në të kundërt të humburit do të ishin ata, jo njerëzit e thjeshtë.

Imazhi: Allen Coffey

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!
error

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.