Pse greva e minatorëve është ndryshe

/Redi Muçi/

Në 30 vjet tranzicioni shoqëria shqiptare është mësuar me shumë padrejtësi, deri aty sa shpesh herë është thënë se aftësia për të reaguar ndaj tyre ka ardhur duke u shuar. Njësoj si një pacient i klinikave të çmendinës në fillimet e shekullit të shkuar, i cili pas elektroshokut të pestë a të gjashtë e ka të pamundur të reagojë, kështu edhe reagimi ynë kolektiv duket si në gjendje letargjie.

Është ndoshta e tepërt t’i listosh memories kolektive andrallat nëpër të cilat kemi ecur të gjithë bashkë. Ngjarjet tronditëse të ’97-s, e më pas ato të 21 janarit 2011, kanë qenë reagime konvulsive – spazma muskulare – ndaj një padrejtësie të rrënjosur në marrëdhëniet e pushtetit dhe ato ekonomike mes elitës së lindur e konsoliduar pas rënies së diktaturës dhe masës së gjerë të shoqërisë.  Reagime të kësaj natyre kaotike dhe të dhunshme janë simptomë e një shoqërie në fazë foshnjore të demokracisë – thënë ndryshe të organizimit nga poshtë për ndërtimin e mekanizmave socialë që ushtrojnë presion dhe i rezistojnë dhunës sistemore të elitave. Të paaftë të reagojmë të organizuar, kemi rrëmbyer kallashnikovë, hunj e gurë, për të luftuar me një elitë më të sofistikuar se ne.

Që hunjtë, gurët, e le më pastaj kallashnikovët, janë mjete që u ngjasojnë ushtave të indigjenëve aztekë në përballjen me barutin e konkuistadorëve evropianë, e ilustron më së miri përpjekja e dëshpëruar deri në qesharake e Lulzim Bashës për të yshtur militantët e tij partiakë nëpër “revolucione” që do të përmbysnin “narkoshtetin e Edi Ramës”. Armatosja me ushta e shqyta dhe thyerja e disa xhamave të godinës së kryeministrisë kanë shpërfaqur në mënyrën më brutale paaftësinë e këtyre metodave – e sidomos të këtij lideri – për të pjellë diçka më shumë se një rrëmujë dhe show televiziv.

Prej kohësh tashmë jemi të gjithë të vetëdijshëm se pushteti politik është ndërthurur pazgjidhshmërisht me pushtetin ekonomik të pak milionerëve, të njohur si “oligarkë” në gjuhën e sociologjisë politike. Influenca e tyre në hartimin e politikave qeveritare detyrimisht që bie ndesh me interesin publik, në tërësi, dhe me interesin e atyre që bukën e gojës e fitojnë nëpërmjet punës, në veçanti. Kjo veçanti buron prej faktit se oligarkët nuk janë më shumë sesa menaxherë të bizneseve ku punësohen me dhjetëra mijëra njerëz dhe fitimi i këtyre bizneseve varet posaçërisht nga mosrespektimi i të drejtave në punë të punëtorëve: që nga lehtësia me të cilën mund të pushohen nga puna te niveli i pagave, orët e punës, kushtet e punës etj.

Një sistem i tillë, që me plot gojën mund ta quajmë “oligarki” – ose pushteti ekonomiko-politik i milionerëve mbi masën e shoqërisë – nuk mund të luftohet me mjetet e shekullit të shkuar. Ai është tejet i sofistikuar për këto lojëra; ka një aparat represiv shtetëror në formën e policisë, të gjykatave dhe, po qe nevoja, edhe të ushtrisë, që nuk do t’ia dijë për të tilla forma gjullurdie. Atëherë pyetja është si luftohet oligarkia se bashku me aparatin represiv shtetëror? Përgjigja është përmes formave të organizimit kolektiv.

E vetmja mënyrë eficiente e presionit dhe rezistencës është reagimi kolektiv nga poshtë. Thënë ndryshe, vetëm bllokimi i procesit të prodhimit, bojkotimi i produkteve të caktuara, grevat që paralizojnë transportin dhe funksionimin normal të institucioneve përbëjnë mekanizmin për heqjen e tapetit nga poshtë këmbëve të oligarkisë politiko-ekonomike. Nëse bllokohet prodhimi, atëherë nuk plotësohet kërkesa në treg; nëse bojkotohen produktet, bie konsumi; nëse paralizohet transporti, paralizohet shpërndarja e mallit. Të treja këto forma rezistence kanë efekte mbi hyjninë e shoqërisë së tregut – fitimin e oligarkut. Mjafton të shohim çfarë po ndodh prej muajsh të tërë me jelekëverdhët në Francë.

Që të arrijmë t’i bëjmë ballë oligarkisë vendase nevojitet organizim. Format që bota i njeh prej kohësh tashmë janë organizimi në vendin e punës, organizimi në vendin e studimit, organizimi në vendin e banimit. Asgjë nuk lind nga hiçi, e as ndërgjegjja kolektive për të reaguar. Për këtë nevojiten struktura, të cilat ligji ynë, i përkthyer copy-paste nga konventat evropiane, i njeh. Çështja është si t’i vëmë në zbatim. Prandaj lufta për njohje të organizimit sindikal është shumëpërmasore: ajo nuk kërcënon vetëm fitimin e oligarkut, por përmes tij ai i ushtron presion edhe pushtetit politik që e mban në këmbë këtë sistem, ashtu si edhe institucionit ligjor që mbyll sytë përballë padrejtësive në vendin e punës të çdo shqiptari.

Për të ardhur te thelbi i këtij artikulli: ajo që po ndodh me minatorët e Bulqizës është e paprecedent. Jo sepse më parë nuk janë trajtuar po njësoj nga pronarë të tjerë; jo sepse dhunimin dhe pushimin nga puna të tyre, si me qenë një copë leckë, nuk e përjeton çdo shqiptar tjetër në vendin e tij/saj të punës. Por sepse Samir Mane është personifikimi par exellence i sistemit kleptokratik dhe dhunues të ngritur në këta 30 vjet dhe sepse minatorët e Bulqizës janë personifikimi i mbarë shoqërisë shqiptare.

Samir Mane është padyshim oligarku më i pasur dhe më i pushtetshëm sot në Shqipëri, me lidhje të konsoliduara me të treja partitë që kanë qeverisur në këto 30 vjet – PS, PD, LSI. Samir Mane është duke shfrytëzuar një pasuri kombëtare – minierën e kromit në Bulqizë – nëpërmjet një koncensioni që përbën formën tipike të kalimit të favoreve nga politikanët te oligarkët në këto 30 vjet. Nëpërmjet veprimeve të tij duke pushaur nga puna njëri pas tjetrit katër minatorë sindikalistë deri më sot, Samir Mane shpreh në mënyrën më brutale kapjen e drejtësisë në vend që supozohet se duhet të zbatojë ligjin dhe të institucioneve shtetërore si Inspektoriati i Punës, që është vigjilenti i shkeljeve në vendin e punës. Samir Mane, përmes pushtetit të tij ekonomik, ka blerë heshtjen e 90% të masmedias në vend dhe të portaleve të ndryshme gjobëvënëse, të cilat kanë për borxh të zmadhojnë çfarëdolloj idiotësie që ndodh në këtë vend, por jo të përmendin ngjarjet në Bulqizë. Për ato nuk flet as Edi Rama, as Lulzim Basha, as Monika Kryemadhi, madje as një tabor i tërë ambasadorësh, vëzhguesish, shoqëricivilsash që çirren për pronën publike dhe të drejtat e grave, patriotësh e nacionalistësh që bëjnë be e rrufe për Skënderbeun dhe shumë figura të tjera mender intelektuale. Samir Mane sundon mbi ta!

Minatorët e Bulqizës janë fytyra tragjike e shoqërisë shqiptare. E të gjithëve ne, veçse të dhunuar më shumë se secili prej nesh. Qyteti i Bulqizës mbijeton vetëm prej kromit, kurse ne të tjerët kemi mundësi të tjera. Minatorët e galerive të harruara edhe prej Dreqit kanë lënë aty gjymtyrët dhe jetët e tyre; tmerri ynë nga tërmeti që varrosi për së gjalli 51 prej nesh është përditshmëria e tyre. Puna e tyre është ekzistencialisht e ndershme: është minatori përballë shkëmbit që duhet thyer, është rroga në fund të muajit; të gjithë ne, me pedagogë, mjekë, policë e gazetarë, kemi gjetur mënyrat tona të “rregullimit” shpesh herë përtej asaj që konsiderohet e ligjshme. Minatorët po ndërmarrin për herë të parë hapin e madh për të gjithë ne që jemi tejet spurdhjakë për ta hedhur këtë hapin e ngritjes së një sindikate të pavarur nga influencat dhe interesat e partisë dhe oligarkisë. Minatorët janë duke farkëtuar mjetin me të cilin fitohet demokracia dhe për këtë po persekutohen nga Samir Mane. Samiri e di rrezikun që i kanoset pushtetit të tij nga Sindikata e Bashkuar e Minatorëve të Bulqizës, prandaj po lufton që ta mbysë që në djep.

Po persekutohen ata, jo ne, por përmes asaj që po ndodh sot në Bulqizë po konsolidohet sistemi oligarkik për të gjithë ne. Në Bulqizë sot po ndrydhet mekanizmi i vetëm për të luftuar oligarkinë – sindikata. Por mposhtja e saj në Bulqizë është mposhtje për mbarë Shqipërinë. Ne kemi në dorë që t’i bashkohemi luftës së tyre jo thjesht për arsye morale, por sepse lufta e tyre është lufta jonë kundër sistemit të ngritur prej 30 vjetësh. Ne mund të përhapim lajmin, të thyejmë barrierën mediatike, të bojkotojmë produket e Samir Manes – oligarkut që sot përfaqëson gjithë oligarkët.

Nga sot secili prej nesh e ka një zgjedhje për të bërë: të heshtë ose të veprojë. Nga sot për mua si individ, por edhe për secilin prej nesh, njerëzit që takoj përditë në rrugë, ata me të cilët flas e ndaj përditshmërinë, ndahen në dy kategori: ata që heshtin dhe ata që veprojnë.

Ka momente historike në rrugëtimin e çdo shoqërie që e vënë atë përballë një zgjedhjeje të tillë. Askujt s’i pëlqejnë këto dilema; ato janë tepër bezdisëse për rehatinë tonë, për hallet tona të përditshme. Por ato vijnë pavarësisht vullnetit tonë, pa na pyetur. Pak a shumë si tërmeti. Por kur vijnë, ato flasin lumenj fjalësh mbi çfarë jemi dhe këtë rrëfim ua tregojnë brezave që vijnë më vonë.

Imazhi: Villaggio Minatori e Centro Espositivo Alpinart, La miniera di Cogne: Commons Wikimedia

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.