/Alfred Bushi/
Organizata Politike është e vetmja organizatë emancipuese dhe progresiste në vendin tonë, që qëllim parësor të saj ka organizimin dhe çlirimin e shtresave të përjashtuara e të shfrytëzuara nga kapitali dhe sundimtarët politikë, të cilët qeverisin herë me anë të dhunës e herë me anë të mosveprimit. Me aksionet e këtyre ditëve Organizata Politike ka nxjerrë në pah disa probleme thelbësore që shoqëria jonë i trashëgon prej vitesh, të cilat ideologjia sunduese është orvatur gjithnjë t’i mbulojë, me ndihmën e aparateve ideologjike siç janë mass-media, me argumentet e saj të gënjeshtërta.
Puna
Prej kohësh hapësira e punës trajtohet si çështje menaxheriale, “punët e pronarit”, ku askush nuk mund t’i fusë hundët. Prona private ka qenë dhe mbetet e shenjtë për sistemin, që do tëthotë se ajo është e shenjuar nga vullneti i pronarit dhe e veçuar nga përfitimi i të shumtëve. E megjithatë koha ka ardhur që prona private të çshenjtërohet nga ky tis paprekshmërie. Pikërisht kjo ka ndodhur së fundmi. Me solidaritetin dhe ndihmën që aktivistët e Organizatës Politike i kanë dhënë Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës është bërë e mundur krisja e hapësirës së ngurtë të punës si hapësirë shfrytëzimi i punës nga kapitali, ose nga pronari. Ajo hapësirë tashmë është politizuar. Marrëdhëniet ekonomike kanë kaluar në plan të dytë, ndërsa raporti politik dhe ndërgjegjja klasore në plan të parë. Ekonomikja duhet të varet nga politikja. Drejtësia shoqërore duhet vënë në vend, çka do të thotë se punëtorët duhet të marrin atë që u përket nga mundi dhe djersa e punës së tyre. Çshenjtërimi i hapësirës së punës do të thotë drejtësi në vendin e punës, kthim i kësaj hapësire në interes të punëtorëve, sepse prodhimi në radhë të parë u përket atyre.
Shteti
Këto kohë është dëshmuar qartë edhe një herë se nga anon ligji, shteti, policia. Një shtet që nuk të mbron kur dhunohesh nga një i fortë, nuk është shtet i të gjithëve. Mund tëndodhë me raste që ta kesh ligjin në anën tënde, mirëpo sovrani siç dihet nuk njeh ligj. Ai është përtej ligjit, ai vepron me vendime, urdhra të cilat në fund të ditës ose interpretojnë ligjin, ose dalin jashtë tij. E ky interpretim çuditërisht shkon gjithnjë në anën e më të fortit. Të dobëtit, të përjashtuarit, duket sikur jetojnë në një “Gjendje Natyrore” të vazhdueshme. Për ta nuk ekziston një autoritet mbi palët i cili të garantojë rendin dhe drejtësinë përballë të fortëve a të pasurve. Minatorët e Bulqizës e kanë provuar në kurrizin e tyre tëhuajsimin e shtetit. Aktivistët e OP-së po ashtu. Shfrytëzimi i pacak i pronarit në vendin e punës dhe dhuna e presioni i policisë jashtë vendit të punës tregojnë ose se nuk ka shtet, ose se ai është në anën e gabuar, pra në anën e më të fortit.
Sipërmarrësi ose pronari
Në Shqipëri figura e sipërmarrësit – i cili me iniciativën dhe punën e tij (në të vërtetë me punën e të tjerëve)ia ka dalë mbanë në jetë – ka qenë, për arsye të ndryshme, një figurë e respektuar. Mirëpo sot, falë grevës së minatorëve të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës dhe aksioneve të OP-së, Samir Manja, i cili jo me punën e tij, por me punën e të tjerëve është bërë pasunari më i madh i vendit, është një figurë tashmë krejtësisht e diskredituar. Pas heqjes padrejtësisht nga puna të katër minatorëve themelues të SMBB-së dhe burgosjes së aktivistëve të Organizatës Politike që dolën në solidaritet me minatorët, Samir Manja sot është personi më i urryer në vend. Sot është thyer hegjemonia e ideologjisë sunduese, e cila e lartësonte figurën e sipërmarrësit si të nderuar dhe të respektueshme. Sot askush nuk do që të jetë si Samir Manja. Veprimet tona kanë pasur për qëllim të tregojnë se nuk mund të jesh edhe bamirës, edhe shfrytëzues e shtypës i punëtorëve. Të gjithë e dinë, falë veprimtarisë së minatorëve dhe aktivistëve, pavarësisht blerjes së mediave tradicionale, se Samir Manja shtyp punëtorët dhe perandorinë e tij e ka ndërtuar mbi shfrytëzimin dhe vdekjen e punëtorëve.
Sindikatat
Problemi i sindikatave është një nga çështjet më të rëndësishme të shoqërisë tonë, të cilën Organizata Politike e ka denoncuar prej kohësh. Dy konfederata sindikale ekzistuese janë të korruptuara e të pandreqshme. Njëra është e babait (partisë në pushtet), kurse tjetra e njerkut (opozitës). Kur ndërrohen partitë në pushtet, ndërron edhe pozicioni i tyre. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë e drejtuar nga Kol Nikolla, e cila ka sindikatën e vjetër të minierës së Bulqizës, është e babait. Veçse këtë herë kësaj pseudosindikate i kanë dalë dy baballarë: njëri është Partia Socialiste dhe tjetri Samir Manja. Ndërhyrja këtë herë është nga ana e babait të dytë, i cili po e shtyn të shkruajë letra anonime lart e poshtë për “arritjet” e Albchrome-it ndër vite.
Por ajo që Kola me Konfederatën e tij nuk thonë, ndonëse e kanë për detyrë, janë shkeljet që Albchrome-i i Samir Manes ka bërë gjatë këtyre viteve. Shkelje që, pas kërkesës sonë, na i tregon Inspektorati Shterëror i Punës. Së pari, kemi shkelje të legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë, që do të thotë moskryerje të vlerësimeve të rreziqeve në punë, moskryerje e ekzaminimeve mjekësore periodike për punëtorët, mospërshtatje e procesit të punës me punëtorin. Moskryerja e këtyre detyrimeve ligjore e teknike mund të shkaktojë aksidente të rënda në punë, por Kola me shokë nuk duan t’ia dinë, se nuk hyjnë vetë brenda në minierë. Së dyti, kemi shkeljen e Kodit të Punës, siç janë mospasja e dhomave higjenike për gratë dhe mospasja e një dhome ngrënieje. Të gjitha këto shkelje, pseudosindikata e Kolës nuk i ka ngritur kurrë, madje është përpjekur t’i heshtojë nëpërmjet mosangazhimit apo shtyrjes në kohë.
Veprimtaria e SMBB-së dhe aksionet e Organizatës Politike kanë treguar se sindikata e vjetër tashmë ka vdekur dhe vendin e saj e ka zënë një sindikatë e vërtetë që mbron interesat e punëtorëve. Ky shndërrim nuk është edhe aq çështje vullnetesh sesa domosdoshmëri historike. Sindikatat e korruptuara duhet të merrnin fund herët a vonë!
Masmedia
Ngjarjet e fundit kanë treguar për të disatën herë se mjetet tradicionale të komunikimit masiv, si televizioni, radioja, gazetat e shkruara, nuk janë të lira. Përkundrazi janë të financuara, kontrolluara dhe të ndikuara në mënyra në ndryshme nga oligarkët ose përfaqësuesit e interesave të tyre. Nuk mund të shpjegohet ndryshe fakti se thuajse asnjë gazetë, radio apo televizion, madje as ai që paguhet me taksat tona, nuk e ka transmetuar atë që ndodhi në Bulqizë. Nuk pati interesim nga askush për grevën disaditore, as për heqjet e njëpasnjëshme nga puna, sikur të ishim në gjendje lufte, e as për kërcënimet që u janë bërë minatorëve. Ashtu siç nuk pati as edhe më të voglin interesim për aksionet denoncuese të aktivistëve të OP-së dhe as për arrestimin e padrejtë të tyre. Kur ka qenë fjala për luftën kundër oligarkëve të mëdhenj të vendit masmediat gjithnjë na kanë bojkotuar. Oligarkia, ose qeverisja e më të pasurit, ka të bëjë pikërisht me kontrollin e çdo sfere të jetës shoqërore nga ana e një grup pasanikësh. Këta kontrollojnë sferën e ekonomike, atë poliitke dhe atë të masmediave.
Për ta mbyllur, duhet thënë se pavarësisht kësaj panorame në dukje të pashpresë, ekziston gjithnjënjë rrugëdalje. Gjetja e kësaj rrugëdaljeje është në duart e të përjashtuarve e të shfrytëzuarve të këtij sistemi. Pasi në gjirin e këtij të fundit, përveç problemit, gjendet edhe zgjidhja. Ajo qëndron tek organizimi i minatorëve, studentëve dhe i të gjithë të shfrytëzuarve dhe të shtypurve të kësaj shoqërie.
Imazhi: Jacobin
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).