14 bojkote që tërhoqën vëmendjen e botës

Me përjashtime të pakta, bojkoti është një fenomen relativisht i ri në shoqërinë shqiptare. Si një shoqëri së cilës brenda një shekulli iu desh të kapërcente sipër formave të qeverisjes dhe sistemeve ekonomike nga të cilat vendet e botës kanë kaluar për shumë shekuj – nga periferi e perandorisë osmane në feudalizmin e Zogut, diktaturën e ekonomisë së planifikuar të Hoxhës e deri në tranzicionin e kapitalizmit të sotëm – duket sikur koha ka qenë e pamjaftueshme për krijimin e kushteve dhe ndërgjegjes sociale që do të sillte forma të organizimit të tilla si grevat apo bojkotet, si mjet presioni nga poshtë ndaj politikës dhe elitës. Këtë mungesë eksperience nga e shkuara – apo mungesë tradite – e vuajmë ende sot në hapat tona foshnjore drejt organizimit të shoqërisë në sindikata, unione, këshilla etj.

Ndër bojkotet me ndikim në shoqërinë shqiptare mund të përmendet ndalja e mësimit nga studentët e viteve 1990-1991 e cila, bashkë me demonstratat dhe grevën e urisë, detyroi pushtetin e asaj kohe të pranonte ndryshimin e regjimit; bojkotimi i punës nga punëtorët më 1991 duke pezulluar procesin e prodhimit e duke shkaktuar kështu paralizimin e vendit dhe rrëzimin e Partisë së Punës nga pushteti i fituar në zgjedhjet e para pluraliste në vend; protestat studentore të dhjetorit 2018 që u shoqëruan nga bojkoti i janarit 2019 e që duke detyruan kryeministrin të shkarkonte gjysmën e kabinetit qeverisës duke e vënë atë në pozitën më të vështirë që ka qenë ndonjëherë që prej ardhjes në pushtet.

Shqipëria ndodhet përsëri përballë një momenti kyç të historisë saj, kur bojkoti është gjuha e bashkëpunimit dhe koordinimit masiv për ndryshime rrënjësore. Në një ndër sektorët me rëndësi kombëtare për ekonominë e vendit – ai minerar – për herë të parë u krijua një sindikatë e pavarur e minatorëve, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Oligarku më i fuqishëm në vend dhe njëkohësisht pronari me koncesion i minierës – Samir Mane – vazhdon të pushojë nga puna një e nga një minatorët sindikalistë. Bojkoti ngelet e vetmja rrugëdalje. Ai duhet të jetë i dykahshëm: nga njëra anë, minatorët po përgatiten të bojkotojnë procesin e prodhimit në minierë; nga ana tjetër, të gjithë qytetarët e Shqipërisë me ndërgjegje kolektive duhet të bojkotojmë masivisht produktet e panumërta të këtij oligarku – që nga qendrat tregtare QTU dhe TEG, te dyqanet SPAR, JUMBO, Neptun etj. Kjo luftë është për të drejtën e organizimit sindikal në vendin e punës, për të fituar realisht – dhe jo thjesht në letër – mbrojtjen e ligjit si punëtorë kundër abuzimit të çdo pronari që sillet si sulltan. Për më tepër, ajo përbën veprimin e parë konkret për tkurrjen e pushtetit të oligarkëve mbi shoqërinë shqiptare.

Më poshtë ju sjellim të përkthyera 14 raste nga bota kur bojkoti solli ndryshime rrënjësore në shoqëritë ku njerëzit e thjeshtë u bënë bashkë, me shpresën se bojkoti ndaj oligarkut Samir Mane do të përbëjë një ngjarje historike për vendin tonë.

Organizata Politike

* * *

Bojkoti është formë proteste për arsye morale, sociale ose politike, kundër një personi a një organizate. Është refuzim masiv për të blerë produkte, shërbime apo edhe thjesht pasur lidhje me to. Qëllimi i një bojkoti është të shkaktojë humbje ekonomike në mënyrë që personi a organizata të ndryshojë praktikën apo politikën përkundrejt njerëzve që po protestojnë.

Turpërimi publik dhe mënjanimi në masë kanë histori të gjatë, por termi ‘bojkot’ nisi nga një person i gjallë me atë emër.

Bojkotet janë përdorur me sukses kundër individëve, kompanive, qyteteve deri edhe shteteve.

Në kohën e rrjeteve sociale mund të fillosh një bojkot edhe me një hashtag(#). Këtu po listojmë disa bojkote të paharrueshëm.

Imazhi: Wikipedia

1. Bojkoti i parë zyrtar

Termi bojkot vjen nga një njeri me këtë mbiemër. Në Irlandën e shekullit XIX, pjesën më të madhe të tokave e zotëronin anglezë të pasur që nuk jetonin në Irlandë. Ata punësonin dikë për të menaxhuar pronat e tyre dhe për të mbledhur qiranë nga fermerët që punonin në këto toka. Çarls Bojkot (Charles Boycott) ishte menaxher tokash në pronat e Kontit të Ernit. Në vitin 1880, pas një sezoni të keq të korrash, qiramarrësit e kontit kërkuan ulje të qirasë me 25%. Konti u ofroi 10%. Kur qiramarrësit nuk pranuan, konti urdhëroi menaxherin e tokave – Bojkotin – t’i dëbonte ata që nuk paguanin qiranë. Irlandezët vendas filluan të mënjanonin Bojkotin dhe çdokënd që kishte lidhje me të; askush nuk po i merrte me qira arat boshe te kontit dhe asnjë biznes lokal nuk po i shiste asgjë Bojkotit, madje as ushqim. Ai u detyrua të largohej për në Dublin dhe madje provoi të zhvendosej në SHBA, por reputacioni i keq e ndoqi kudo dhe çdo biznes që bashkëpunonte me të kërcënohej nga një ‘bojkot’. I pari që e përfshiu fjalën bojkot ishte Fjalori i Gjuhës Angleze i Oksfordit më 1888.

Imazhi: Wikimedia Commons

2. Ligji i vulës

Pas luftës Franceze dhe Indiane të 1763, Britania gjendej e zhytur në borxhe dhe i duhej të mblidhte para. Duke vlerësuar se kolonitë amerikane do të ishin një burim imirë të ardhurash, Britania vendosi një seri taksash për sheqerin dhe të mira tjera, duke përfunduar me Ligjin e Vulës më 1767. Ligji i Vulës ishte një taksë e drejtpërdrejtë e brendshme, e sajuar për të mbledhur para që do të paguanin kostote mbajtjes së ushtarëve anglezë në Botën e Re. Kolonët protestuan duke e quajtur këtë ‘taksim pa përfaqësim’ ngaqë amerikanët nuk kishin të drejtë vote për të zgjedhur përfaqësues në parlamentin britanik dhe kërkonin që vetëm asambletë e tyre lokale të kishin të drejtë t’i taksonin. Pasi kolonët ndërmorën një bojkot të suksesshëm të prodhimeve britanike dhe kërcënuan me jetë inspektorët e taksave, duke i detyruar shumicën të japin dorëheqjen, Britania e anuloi Ligjin e Vulës më 1766.

Imazhi: Work+Money

3. Bojkoti i sheqerit të skllevërve

Më 1791 abolicionistët (ajo pjesë e shoqërisë amerikane që kërkonte zhdukjen e institucionit të skllavërisë – shën. përkth.) nuk ia dolën të bindnin Parlamentin Anglez të kalonte një ligj që do t’i jepte fund skllavërisë në kolonitë e vendit. Abolicionistët bënë thirrje të bojkotohej sheqeri i Karaibeve. Sheqeri i Botës së Re, së bashku me rumin, pambukun, kafenë dhe duhanin vareshin nga puna e skllevërve. Nismëtarët e bojkotit shpresonin që presioni ekonomik do të mund të sillte fundin e tregtisë shfrytëzuese të jetëve njerëzore. Aktivisti dhe autori Uilliam Foks (William Fox) botoi një pamflet ku i bëhej thirrje familjeve angleze të refuzonin blerjen e ‘sheqerit të skllevërve’. Në kulmin e bojkotit vlerësohej se rreth 400 mijë shtëpi kishin ndaluar së përdoruri sheqer, ose përdornin sheqer që nuk kishte prejardhje nga Karaibet. Importuesit e sheqerit nga Inditë Lindore – ku nuk përdorej puna e skllevërve – përfituan nga rasti duke bërë thirrje të blihej malli i tyre pasi nuk prodhohej nga skllevërit. Në periudhën e Regjencës, familjet krenoheshin duke mbajtur kavanoza me sheqer jokaraibas nëpër shtëpi për t’u treguar miqve se po ndihmon bojkotin e sheqerit. Shitjet e sheqerit ranë me 1/3 në dy muajt e parë të bojkotit pasi shumë shitës refuzuan të shisnin sheqer nga Karaibet, ose e ndalën tërësisht shitjen e sheqerit. Në dy vitet e mëpasshme shitjet e sheqerit nga vende të tjera u dhjetëfishuan. Abolicionistët e rifilluan bojkotin në vitet 1820 në një tjetër tentativë për t’i dhënë fund skllavërisë në Perandorinë Britanike.

Imazhi: Wikimedia Commons

4. Bojkoti i Kompanisë Motorike Ford

Henri Fordi (Henry Ford), themeluesi i Kompanisë Motorike Ford, njihej si diskriminues i hebrenjve. Në vitet 1920 ai drejtonte një gazetë të përjavshme – Dearborn Independent – që publikonte artikuj antisemitë. Ndërsa Fordi pretendonte se nuk i shkruante vetë artikujt, ata publikoheshin me emrin e tij. Lidhja Anti-Shpifje e paditi Fordin për shpifje dhe ndihmoi në organizimin e një bojkoti. Hebrenjtë, por edhe të krishterë e liberalë iu bashkuan bojkotit dhe refuzuan të blejnë makina Ford. Korporata e Filmave Fox kërcënoi se do të shfaqte imazhe të makinave të prishura Ford në fillim të filmave në gjithë vendin. Më në fund Fordi kërkoi falje dhe e mbylli gazetën më 1927 si rezultat i rënies së biznesit të makinave që zotëronte.

Imazhi: Wikimedia Commons

5. Marshimi i Kripës

Më 1882 Anglia miratoi Ligjin e Kripës, që i detyronte indianët që kishte nën hyqëm (India ishe koloni e Perandorisë Britanike) të blinin kripë me taksë të lartë nga anglezët. Indianët nuk lejoheshin të mblidhnin apo shisnin kripë. Një i ri i quajtur Mohandas Gandi ishte rikthyer në vendlindjen e tij në Indi pas 20 vitesh në Afrikë të Jugut dhe filloi punën si aktivist për pavarësinë e Indisë. Gandi vendosi që kundërshtimi i Ligjit të Kripës, ose bojkotimi i kripës angleze, do të ishte një mënyrë e mirë për ta filluar fushatën e tij ‘satyagraha’, ose ndryshe, të mosbindjes masive civile. Më 1930 ai dhe mijëra ndjekës të tij marshuan drejt detit për të prodhuar kripë nga uji i detit. Miliona indianë ndoqën të njëjtën praktikë në mbarë vendin dhe autoritetet britanike arrestuan më shumë se 60 mijë vetë. Raportimet në gazeta ndërkombëtare mbi dhunën e policisë britanike ndaj protestuesve paqësorë indianë shkaktuan indinjatë mbarëbotërore.Gandi do të vazhdonte të organizonte bojkote të ngjashme paqësore mbi produktet angleze, duke shtuar presionin mbi qeverinë britanike. Ai madje shkoi më tej, duke ukërkuar indianëve t’i tirrnin dhe endnin vetë rrobat e tyre në një bojkot të suksesshëm të fabrikave angleze.

Gene Herrick / AP Photo

6. Bojkoti i Autobusit të Alabamës

Më 1955, Roza Parks, grua me ngjyrë, refuzoi t’i lëshonte vendin e parë një burri të bardhë në krye të një autobusi në Montgomeri, Alabama. Pavarësisht se afro-amerikanët përbënin 75% të udhëtuesve, ligjet e ndarjes racore në shtetet e jugut i ndalonin njerëzit me ngjyrë të qëndronin në krye të autobusit, pasi ato ndenjëse ishin të rezervuara për të bardhët. Udhëheqësit e njerëzve me ngjyrë thirrën një bojkot të gjithë autobusëve. Për më shumë se një vit afro-amerikanët ecnin në këmbë, merrnin taksi, përdornin biçikletat ose ndanin makinën me të tjerë në vend se të përdornin autobusët. Bojkoti zgjati 381 ditë (dhe gati e falimentoi kompaninë) derisa Gjykata e Lartë urdhëroi që ndarja racore në çfarëdolloj forme transporti ishte e jashtëligjshme. Bashkia e Montgomerit nxori një vendim ku ndalonte ndarjen racore në autobusë. Ky ishte bojkoti i parë i suksesshëm i Lëvizjes për të Drejta Civile në Amerikë.

Imazhi: Google Arts & Culture

7. Bojkoti i Autobusit në Afrikën e Jugut

Pas një rritjeje të konsiderueshme të çmimit të biletës së autobusëve të Johanesburgut më 1957, njerëz nga shumë qyteza refuzuan përdorimin e sistemit të autobusëve, duke ecur deri në 20 milje (32 km) në ditë. Rreth 60 mijë vetë u përfshinë në bojkot.Të zinjtë në Afrikën e Jugut kishin protestuar me sukses për çmimin e biletës së autobusit më 1943 dhe 1944, çka mund ta ketë frymëzuar Bojkotin e Autobusit në Alabama. Greva zgjati gjashtë muaj, derisa Dhoma e Tregtisë lokale ra dakord të subvenciononte shtesën që çmimi të mbetej sa ç’ishte më parë. Ndërkohë që Bojkoti i Autobusit në Alabama hapi rrugën për Lëvizjen e të Drejtave Civile, bojkoti në Johanesburg filloi të mobilizonte të zinjtë të protestonin kundër Aparteidit (sistemit të ndarjes racore).

Imazhi: Wikimedia Commons

8. Bojkoti i rrushit në Delano

Më 1965 punëtorët filipino-amerikanë të fermave filluan grevën kundër kultivuesve të rrushit në rajonin Delano të Kalifornisë, duke kërkuar pagë dhe kushte më të mirapune. Një javë më vonë, Shoqata Kombëtare e Fermerëve Meksikano-Amerikanë, e udhëhequr nga Çezar Çavezi (Cesar Chavez), iu bashkua atyre. Të dy grupet u shkrinë, duke formuar Fermerët e Bashkuar të Amerikës. Çavezi u bë shpejt fytyra publike e lëvizjes. Ai u kërkoi punonjësve të portit dhe fabrikave që t’i bashkoheshin bojkotit dhe të refuzonin të ngarkonin apo shkarkonin rrush. Kërkesa e tij pati sukses. Mijëra tonelata rrushi u kalbën nëpër porte. I frymëzuar nga ky sukses, Çavezi vendosi ta përcjellë bojkotin e tij te populli amerikan dhe bëri thirrje publikisht për një bojkot mbarëkombëtar të rrushit Delano. Çavezi kishte lexuar mbi Marshin e Kripës së Gandit, si dhe bojkotin e autobusëve në Montgomeri. Ai ishte i vendosur që bojkoti i rrushit do të ushtrohej pa dhunë dhedo të korrte simpatinë e publikut. Miliona vetë ndaluan blerjen e rrushit. Deri në vitin 1970 bojkoti ia arriti suksesit. Kultivuesit e rrushit nënshkruan për herë të parë marrëveshje kolektive me sindikatat e punëtorëve të fermave, duke siguruar që më shumë se 10,000 punëtorëfermash të merrnin pagë, përfitime dhe kushte më të mira pune.

Imazhi: Wikimedia Commons

9. Bojkoti i Nestlé-s

Nestlé-ja është një kompani shumëkombëshe me bazë në Zvicër, e cila prodhon një gamë të gjerë artikujsh ushqimorë, duke përfshirë edhe produkte për foshnjat. Grupe si Rrjeti Ndërkombëtar i Veprimit për Ushqimin e Fëmijëve dhe Shpëtoni Fëmijët e akuzuan Nestlé-në për përdorimin e strategjive agresive dhe joetike të marketingut për të bindur nënat në vendet në zhvillim që të përdornin qumështin pluhur të foshnjës përkundrejt qumështit të gjirit. Nestlé-ja i mohoi këto akuza dhe ipaditi kritikët për shpifje. Më 1977, Koalicioni i Veprimit për Formulën e Foshnjave kërkoi për herë të parë një bojkot të Nestlé-së. Bojkoti u përhap në Evropë dhe më gjerë. Deri në vitin 1984, duke ndjerë efektet e këtij aksioni të gjatë, Nestlé-ja u takua me organizatorët e bojkotit dhe ra dakord të respektojë një Kod Ndërkombëtar të Tregut për Zëvendësuesit e Qumështit të Gjirit, të hartuar nga Asambleja Botërore e Shëndetit. Bojkoti u ndal. Sidoqoftë, në vitin 1984 grupe në Mbretërinë e Bashkuar mendonin se Nestlé-ja po tregtonte sërish në mënyrë joetike formulën e foshnjave dhe rifilloi bojkotin, i cili vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Imazhi: Wikimedia Commons

10. Bojkoti i Afrikës së Jugut

Në vitin 1986, Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi Ligji AntiAparteid, i cili ndaloi importet nga Afrika e Jugut dhe linjat ajrore nga SHBA, si dhe dërgimin e ndihmës së huaj për këtë vend. Për rrjedhojë shumë kompani ndërkombëtare u larguan nga Afrika e Jugut, duke shkaktuar rënie të mëdha të ardhurash dhe shkurtim të vendeve të punës. Më 1990 udhëheqësi i atëhershëm i Afrikës së Jugut F.W. de Klerk hoqi statusin e jashtëligjshmërisë për Kongresin Kombëtar Afrikan (ANC) – partinë e Nelson Mandelës – dhe liroi të gjithë të burgosurit politikë. Më në fund, më 1993, pasi de Klerku njoftoi se Afrika e Jugut do të mbante zgjedhje të lira dhe të hapura për të gjithë, të bardhë dhe të zinj, duke i dhënë fund sistemit të vjetër racist të Aparteidit, sanksionet e SHBA u hoqën. Pas zgjedhjeve të para përnjëmend demokratike të Afrikës së Jugut, Nelson Mandela u bë udhëheqësi i parëi zi i vendit.

Imazhi: Brian Bohannon / AP Photo

11. Bojkoti i Taco Bell-it

Për shumë vite, punëtorët e fermave – migrantë nga Meksika, Haiti dhe Guatemala – në rajonin ku rriteshin domate në Florida detyroheshin të duronin paga të ulëta, abuzime, ngacmime seksuale dhe kushte pune “prej skllevërish”. Më 1991 Koalicioni i Punëtorëve të Immokalee (CIW) u formua për të protestuar për kushte më të mira pune. Me gjithë fushatat e mirorganizuara të ndalimit të punës të CIW, pagat e punëtorëve të fermave mbetën nën pragun e varfërisë. CIW vendosi të ndikonte mbi kompanitë që blinin domate në vend të kultivuesve. Në vitin 2001 CIW bëri thirrje për një bojkot mbarëkombëtar të Taco Bell-it, për ta detyruar kompaninë të pranojë përgjegjësinë për abuzimet në zinxhirin e tyre të furnizimit. CIW gjithashtu shënjestroi shitësit me pakicë, të tillësi Whole Foods dhe Wal-Mart. Pas katër vjetësh, bojkoti kundër Taco Bell pati sukses. Linja e restoranteve të tyre ra dakord për të blerë vetëm nga kultivuesit që siguronin paga më të larta dhe kushte më të mira pune për punëtorët e fermave.

Marcio Jose Sanchez / AP Photo

12. Bojkoti i NFL

Në vitin 2016, Kolin Kiperniku (Colin Kaepernick), asokohe një qendërmbrojtës me skuadrën 49-at e San Franciskos, u ul në një gju ndërsa po luhej himni kombëtar. Kiperniku tha se e bëri këtë gjest për të protestuar kundër padrejtësive me bazë racore dhe dhunës shpërpjesëtimore të policisë në SHBA, çka solli në nisjen e një lëvizjeje të njohur si “ulja në një gju”. Fushata mori dhenë. Kiperniku nuk u pranua nga asnjë ekip i NFL (Liga Kombëtare e Futbollit) vitin pasues. Mbështetësit e Kipernikut i nxitën tifozët të bojkotojnë ndeshjet e NFL pasi kontratat televizive janë ato që sjellin të ardhura nga reklamat dhe partneritetet. Faqja e peticionit Change.org, bëri thirrje për një bojkot të NFL dhe arriti të marrë më shumë se 200,000 mbështetës. Është ende e paqartë nëse bojkoti ishte i suksesshëm. Ndërsa revista Sports Illustrated raportoi që numri i shikuesve të NFL kishte rënë gati 10 për qind në 2017, ky numër kishte rënë gjithashtu me 8 për qind vitin e mëparshëm kur nuk kishte bojkot. Kritikët e NFL flasin edhe për një shqetësim në rritje mbi dhunën në futboll si një ndër faktorët në rënien e shikueshmërisë. Deri më sot shikueshmëria për sezonin 2018 ka ardhur përsëri në rritje.

Brian Blanco / AP Photo

13. Bojkoti i Karolinës së Veriut

Në vitin 2016 Karolina e Veriut miratoi një projektligj – të njohur si “taksa e tualeteve” – që kufizonte mbrojtjen ligjore për komunitetin LGBT dhe vendoste rregulla në lidhje me përdorimin e tualetit në ndërtesat publike. Mbrojtësit e të drejtave të homoseksuale e kritikuan projektligjin dhe bënë thirrje për bojkotimin e shtetit derisa ai të shfuqizohej. Pothuajse 30 qarqe, shtatë shtete, rrethi i Kolumbias dhe 29 qytete i ndaluan punonjësit që të udhëtonin për në Karolinën e Veriut për të bërë biznes. Grupime të shumta sportive profesionale dhe amatore të sportit, përfshirë ShoqatënKombëtare të Atletikës së Kolegjit, Konferencën e Bregut Atlantik dhe Shoqatën Kombëtare të Basketbollit, anuluan takimet sportive në Karolinën e Veriut ose i transferuan ato në shtete të tjera. Kompanitë e argëtimit, ato të filmave dhe transmetimit anuluan xhirimet e planifikuara dhe thanë se nuk do të planifikonin ndonjë projekt të ri në këtë shtet derisa të shfuqizohet projektligji. Në fund, sipas një raporti të Associated Press, Karolina e Veriut ka humbur më shumë se 3.76 miliardë dollarë në të ardhura. Projektligji u shfuqizua më në fund më 2017.

AP Photo / Wilfredo Lee

14. Bojkoti i NRA

Pas masakrës me armë në shkollën e mesme Marjory Stoneman Douglas në Parkland të Floridës, në të cilën u vranë 17 persona, aktivistët kundër armëve filluan të bëjnë thirrje për bojkot kundër Shoqatës Kombëtare të Armëve (NRA), organizatës lobuese për të drejtën e mbajtjes së armëve, si mënyrë presioni ndaj ligjvënësve përmiratimin e ligjeve më të rrepta të kontrollit ndaj armëve në shkallë kombëtare. Disa nga aktivistët që drejtuan thirrjen për një bojkot ishin të mbijetuarit e të shtënave, përfshirë David Hogun (David Hogg), atëherë një i ri 17-vjeçar. Hogu dhe të mbijetuar të tjerë iu drejtuan rrjeteve sociale për të bërë publik rastin e tyre. Hogu sugjeroi që njerëzit duhet të bojkotonin edhe shtetin e Floridës, i cili varet shumë nga turizmi, pasi përfaqësuesit e shtetit refuzuan të miratojnë legjislacionin për kontrollin e armëve. Nëse ligjvënësit nuk do t’i dëgjojnë studentët, shkruante Hogu në një status, “mbase [ata] do të dëgjojnë industrinë e turizmit miliarda-dollarëshe në Florida”. Bojkoti arriti të bindte 17 organizata të hiqnin dorë nga miratimi ose mbështetja financiare e NRA, duke përfshirë linjat ajrore, kompanitë e makinave me qira, bankat, etj. Shitësit me pakicë të armëve kanë vendosur gjithashtu kufizime të reja në shitjen e tyre.

E përkthyen Klejda Rrapaj dhe Nebih Bushaj

Imazhi kryesor: Martin Abegglen / Flickr

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!
error

Lër një përgjigje

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.