Jezu revolucionari

/Phil Gasper/

…Ungjijtë na paraqesin dy figura të Jezuit. Në njërën anë është qenia hyjnore që predikon shëlbimin në botën tjetër. Në tjetrën është Jezui i traditës së revolucionit popullor hebraik – një figurë që u kundërvihet mbretërve dhe shtypësve dhe u premton ndjekësve të tij begati në këtë botë.

Ka plot të dhëna që tregojnë se figura e parë është produkt i përpunimeve të mëvonshme. Për shembull, në ungjillin sipas Markut, i pari i Dhiatës së Re, nuk përshkruhen lindja dhe fëmijëria e Jezuit. Historia e lindjes nga virgjëresha haset më së pari te Mateu dhe Luka, të cilët përpiqeshin të dëftonin se lindja e Jezuit përmbushte profecinë e Dhiatës së Vjetër, që e bënte atë Mesi: udhëheqësin e premtuar që do t’i çlironte hebrenjtë nga romakët. (Titulli “Krisht” do të thoshte “i mirosuri”.)

Luka e quan hera-herës Jozefin baba të Jezuit, çka tregon se historia e lindjes nga virgjëresha është futur më vonë në ungjill. Luka thotë gjithashtu se Jozefi rridhte nga familja e mbretit David, nga trashëgimtarët e të cilit mendohej se do të vinte Mesia, dhe harton një histori të detajuar të censusit romak për të provuar se Jezui kishte lindur në Betlehem, vendlindja e Davidit.

Është e ditur që kjo histori është e trilluar sepse nuk ka të dhëna për census në atë kohë dhe do të ishte absurde të mendohej se romakët u kërkonin njerëzve të ktheheshin në vendin e origjinës për t’u numëruar.

Sidoqoftë, tri ungjijtë e parë nuk e ngrenë kurrë pretendimin se Jezui është hyjnor. Vetëm në Ungjillin sipas Gjonit, i fundit në radhë dhe i refuzuar nga disa të krishterë që në shekullin e tretë, Jezui përfytyrohet si hyjni.

Sakaq, figura e dytë e Jezuit u shkon për shtat rrethanave shoqërore dhe politike të kohës së tij. Palestina ishte koloni romake që prej vitit 63 p.e.s. dhe sundohej ose indirekt nga mbretër lokalë që i bindeshin Romës, ose drejtpërdrejt nga guvernatorë romakë. Saducenjtë, një aristokraci klerikale tejet e pasur, bashkëpunonin me romakët. Atyre u kundërviheshin farisenjtë, masa e popullit, e udhëhequr nga rabinët. Patriotët më radikalë ishin zelotët – më të varfrit e të varfërve, të cilët e dëshironin me gjithë shpirt ardhjen e Mesisë.

Jozefi[1] shkruan se zelotët “i shtynin vazhdimisht hebrenjtë drejt revoltës… duke dënuar me vdekje ata që vazhdonin t’i bindeshin sundimit romak… dhe plaçkitnin shtëpitë e elitës.” Të gjitha këto revolta, shpeshherë të udhëhequra nga Mesi të vetëshpallur, u shtypën nga romakët. Jozefi u referohet “mashtruesve dhe sharlatanëve të cilët, me pretendimin e frymëzimit hyjnor që kërkonte ndryshime revolucionare…, e bindin shumësinë të vepronte çmendurisht.”

Një prej këtyre agjitatorëve ishte edhe kushëriri i Jezuit, Gjon Pagëzori. Ja si e shpjegon Jozefi se ç’i ndodhi atij: “Herodi u alarmua kur pa se turma njerëzish, të përndezur nga predikimet e tij, iu bashkuan Gjon Pagëzorit. Elokuenca, që ka një efekt të madh mbi njerëzinë, mund të shpjerë në revoltë… Kësisoj Herodi e pa të udhës ta hiqte qafe përpara se veprat e tij të shkaktonin ndonjë kryengritje apo përmbysje… Për shkak të dyshimeve të Herodit, Gjoni u çua i lidhur në fortesën e Makaresë dhe aty e vranë.”

Të gjitha të dhënat tregojnë se Jezui ishte njëri nga Mesitë e vetëshpallura që luftonin për t’i dhënë fund pushtimit romak dhe ndërtuar një shoqëri barazimtare, në të cilën do të zhdukej ndarja midis të pasurve dhe të varfërve.

Sipas filozofit Celsus, Jezui ishte “kapoja e rebelimit”. Saducenjtë dhe farisenjtë kritikohen vazhdimisht në ungjij, por jo zelotët. Simoni, një prej ndjekësve të Jezuit, identifikohet si zelot.

Pavarësisht të gjitha redaktimeve të mëvonshme, mjaft prej ideve radikale të Jezuit mbijetuan: “Mos mendoni se kam ardhur për të sjellë paqen në botë! Jo, unë nuk kam ardhur të sjell paqen, por shpatën.” Thuhet vazhdimisht se mbretëria e zotit është fare pranë. Sipas historianit Archibald Robertson, “Shtresa më e hershme e ungjijve… na shpërfaq një lëvizje revolucionare të udhëhequr fillimisht nga Gjon Pagëzori dhe më vonë nga Jezui… e cila synonte të përmbyste sundimin romak dhe herodian në Palestinë dhe të vendoste ‘mbretërinë e zotit’ mbi tokë, ku të parët do të ishin të fundit dhe të fundit do të dilnin të parët, të pasurit do të dëboheshin dhe të varfrit do të ngopeshin me të mira, shtëpi dhe tokë.

Nëse Jezui luftonte për të tilla qëllime, nuk është çudi që romakët e kryqëzuan dhe ndjekësit e tij u përndoqën. Afërmendsh, ky Jezu qëndron në polin e kundërt të parimeve të Partisë Republikane (SHBA – shën përkth.) të sotme. Shumë prej të krishterëve të parë praktikonin një formë komunizmi. Sipas Veprave të Apostujve, “Besimtarët rrinin bashkë dhe gjithçka e kishin të përbashkët. Me të shitur ato që kishin, ata u falnin të tjerëve sipas nevojës.”

***

Shkatërrimi romak i Jerusalemit në vitin 70 e.s. e rrënoi bazën e revoltës hebraike. Me mposhtjen e shpresave kombëtare të hebrenjve, krishterimi u bë gjithnjë e më tepër një fe jo më e Mesisë revolucionare hebraike, por e një Mesie universale, mbretëria e të cilit nuk shtrihej në këtë botë.

Pali, autori i shumë prej librave të Dhiatës së Re, flet për shëlbimin vetjak, jo për rrëzimin e mbretërve nga froni apo marrjen nga të pasurit për t’u dhënë të varfërve. Po Klementi i Aleksandrisë, një prej teologëve më të zëshëm të krishterë që ka jetuar në fund të shekullit të dytë e.s. (150-220), e sulmonte ndarjen midis qiellit dhe tokës, si dhe atë midis njerëzve të lirë dhe skllevërve, duke e denoncuar shoqërinë e vjetër dhe ideologjinë që e mbështeste.

Në fund të shekullit të parë Roma u mposht nga fiset gjermanike, duke parandaluar shtrirjen e mëtejshme të perandorisë. Me ndërprerjen e furnizimit me skllevër, perandoria nisi të bjerë dalëngadalë. Ajo ra në kaos në fund të shekullit të tretë. Perandorët Dioklecian (nga viti 284 deri më 305) dhe Konstandin (nga viti 306 deri më 337) u shtrënguan ta riorganizonin me themeli perandorinë sipas modelit të një shoqërie të bazuar mbi bujkrobër të varfëruar, të lidhur pas tokës, që prodhonin ushqim për pronarë tokash të fuqishëm.

Krishterimi përfaqësonte një prej sfidave ndaj status quo-së, çka donte të thoshte se ose do të shtypej, ose do të kooptohej. Diokleciani provoi rrugën e shtypjes. Kur ajo dështoi, Kostandini mori rrugën tjetër, duke u konvertuar në të krishterë dhe ia nënshtruar kishën sundimit perandorak.

Disa të krishterë ngritën krye kundër aleancës me perandorinë, por shumë syresh shquan avantazhe për kishën në situatën e re. Figura më e rëndësishme e rrymës së dytë ishte Agustini (354-430), peshkopi i qytetit afrikano-verior të Hipos. Agustini formuloi ideologjinë e një aleance të re midis kishës dhe shtetit, e cila do të formonte mijëvjeçarët e ardhshëm të historisë perëndimore. Sipas kozmologjisë së tij, zoti i përjetshëm, i pafundmë dhe i përkryer, i ndarë nga toka e fundme dhe e degjeneruar, pasqyronte realitetet shoqërore të perandorisë së vonë: në njërën anë një perandor me fuqi si të zotit, kurse në tjetrën nënshtetas pa kurrfarë autonomie.  

Agustini besonte se zoti i kishte vënë njerëzimit mbi krye një barrë gjithnjë e me të rëndë të keqeje dhe mjerimi, si ndëshkim për mëkatin fillestar të Adamit. Ai mendonte se drejtësia e zotit dukej “në agonitë e foshnjave”. Në thelb, të këqijat e kësaj bote thjesht duheshin duruar, ide e huazuar nga filozofët stoikë grekë dhe romakë. E vetmja shpresë gjendej te besimi në shëlbimin në botën tjetër.

Sidoqoftë, pikëpamjet e Agustinit hasën kundërshti, bazuar në argumente që nuk ishin vetëm të natyrës teologjike. Në Egjipt dhe në Afrikën e Veriut lëvizja donatiste mes të krishterëve udhëhoqi opozitën kundër perandorisë dhe aleancës së shtetit me kishën. Fshatarët dhe punëtorët bujqësorë donatistë sulmonin pronarët e mëdhenj të tokave, tagrambledhësit dhe fajdexhinjtë, çlironin skllevërit dhe shkatërronin regjistrat e qirave dhe titujve pronësorë. Donatistët kishin nën kontroll shumë kisha të Afrikës së Veriut dhe për t’i mposhtur nuk mjaftuan as legjionet perandorake romake.

 Agustini, “çekani i donatistëve”, luajti një rol kyç në shtypjen e revoltës. Ai përdori burimet e kishës për të sulmuar udhëheqësit e “herezisë” donatiste. Donatistët u mundën në fund nga kombinimi i Inkuizicionit të parë Katolik dhe trupave perandorake.

Mirëpo fitorja romake ishte jetëshkurtër. Pas bastisjes së Romës, vandalët pushtuan Afrikën e Veriut më 430, vitin e vdekjes së Agustinit. Ata trashëguan çifligjet e mëdha dhe e krodhën pjesën më të madhe të popullsisë në bujkrobëri. Sipas një historiani,“Me kolapsin e perandorisë në perëndim, kozmologjia e Agustinit u përvetësua nga të krishterët në mijëvjeçarin pasues. Pikëpamja e një bote të krijuar nga hiçi, të zhytur në mëkat dhe mjerim dhe të sunduar me të drejtë nga autoriteti i rreptë i kishës dhe shtetit i përshtatej më së miri shoqërisë së ngurosur të latifondistëve të vetëmjaftueshëm, të cilit nuk kishin nevojë as për tregtarë, as për filozofë dhe as për shkencëtarë. Atyre u nevojitej një fe e cila do t’i shtynte bujkrobërit të pranonin fatin e tyre.

Bota e Agustinit, si ajo e paganizmit që njihnin më parë fshatarët, ishte një botë me një hendek të thellë midis qiellit dhe tokës, një toke të populluar nga demonë dhe shpirtra, shtriga dhe djaj. Ndërkohë që shoqëria romake kthehej pas në nivelin e një bujqësie primitive dhe të varfëruar, kozmologjia e Agustinit tërhiqej kah bota magjike dhe joracionale e mitit.

Me rritjen e pasurisë dhe ndikimit, Kisha reshti së qeni demokratike në strukturën e saj të brendshme. Pushteti i peshkopëve u rrit, ndërsa peshkopi i Romës u bë sundues mbi peshkopët e tjerë. Pronat e kishës nuk ishin më zotërime të përbashkëta të bashkësisë së krishterë, por u takonin klerikëve. Kisha iu kundërvu edhe heqjes së skllavërisë – çdo famullitar kishte të drejtë të mbante një sllav mashkull dhe një femër. Edhe manastiret kishin shumë skllevër dhe Kisha vazhdoi të mbante skllevër gjatë mesjetës.

***

Sa më sipër ishte fort larg përshkrimit të Jezuit në ungjij: “Ai i ngopi të uriturit me gjëra të mira dhe i dëboi pasanikët duarbosh.” Sidoqoftë, linja radikale në Krishterim është ringjallur shpeshherë në histori, sa herë që lëvizjet shoqërore kundër shtypjes janë përpjekur të gjejnë një ideologji përligjëse të qëllimeve të tyre.

Lëvizje të tilla shtrihen nga kryengritja fshatare në Gjermaninë e fillimshekullit XVI, e udhëhequr nga Thomas Munzer-i; sektet radikale gjatë Revolucionit Anglez të një shekulli më vonë; deri te roli i kishave zezake në lëvizjen për të drejta civile dhe teologjia e çlirimit në të shkuarën tonë të afërt.

Socialistët njësohen me të gjitha këto lëvizje radikale, por ne nuk i trajtojmë ato në mënyrë jokritike. Historia e krishterimit, duke përshirë rigjallërimet periodike të rrymave radikale brenda tij, vetëm sa ilustron çka thotë Marksi për fenë, sidomos në pasazhin e famshëm të “Kritikës së filozofisë hegeliane të së drejtës”: “Varfëria fetare është në të njëjtën kohë shprehja e varfërisë së vërtetë dhe protesta kundër kësaj varfërie të vërtetë. Feja është psherëtima e krijesës së shtypur, zemra e një bote pa zemër, ashtu sikurse ajo është shpirti i një sistemi pa shpirt. Feja është opium për popullin. Heqja e fesë, su lumturi iluzore e popullit, është kërkesa e lumturisë së tij të vërtetë. Kërkesa për të hequr dorë nga iluzionet në lidhje me gjendjet e vet, është kërkesa për të hequr dorë nga një gjendje që ka nevojë për iluzione. Pra, kritika e fesë është në embrion kritikë e asaj lugine lotësh, aureola e shenjtë e së cilës është feja.”[2]

Besimet fetare kanë shkaqe shoqërore. Ndikimi i tyre vjen pjesërisht për shkak se u japin një zgjidhje – ndonëse imagjinare – vuajtjes dhe shfrytëzimit të shoqërisë klasore. Për pasojë besimet fetare me gjasë do të ekzistojnë për aq sa do të ekzistojë shoqëria klasore dhe mund të zhduken vetëm nëse shoqëria klasore – “gjendja që ka nevojë për iluzione” – përmbyset nga revolucioni socialist.

Po eliminimi i fesë sigurisht që nuk nënkupton shtypjen e saj nga shteti. Engelsi argumentonte fort kundër atyre që ishin në favor të shtypjes së fesë gjatë Komunës së Parisit më 1871, duke vënë në dukje se rezultat i kësaj do të ishte thjesht përforcimi i fesë.

Përkundrazi, me zhbërjen në rritje të karakteristikave të pabarabarta të shoqërisë klasore, nevoja për fenë do të pakësohet gradualisht. Ashtu si shteti, edhe feja do të shuhet. Por si sot, ashtu edhe gjatë pushtetit punëtor, socialistët duhet ta mbrojnë lirinë e ushtrimit të fesë si një të drejtë themelore.

Njëkohësisht feja është “shprehja e varfërisë së vërtetë dhe protesta kundër kësaj varfërie të vërtetë”. Në mënyrë tipike, fetë edhe e projektojnë zgjidhjen e kontradiktave shoqërore në qiell apo botën e përtejme, edhe mundësojnë brenda shoqërisë ekzistuese një hapësirë të ngushtë brenda së cilës këto kontradikta mund të shmangen përkohësisht.

Siç e kemi parë, në disa kontekste feja mund të bëhet mjet i përpjekjeve politike dhe shoqërore, justifikimi ideologjik i të cilave është tentativa për ta ndërtuar parajsën mbi tokë. Po mbramësisht, edhe lëvizjet fetare radikale mbeten utopike. Ato nuk na pajisin me strategjinë e duhur për të arritur qëllimet e tyre afatgjata: e vetmja strategji e suksesshme bazohet te analiza klasore e shoqërisë e cila, e çuar deri në fundin e vet logjik, shpërbën bazat e besimit fetar.

Megjithatë, çdo lëvizje mirëfilli revolucionare i mirëpret në radhët e saj edhe besimtarët dhe jobesimtarët, nëse duan të luftojnë vërtet kundër kapitalizmit. Sipas Leninit, në programin politik të një organizate socialiste nuk ka vend për ateizmin. Uniteti në luftën kundër kapitalizmin ka më shumë rëndësi se dakordësia mbi çështjet teologjike. Këto të fundit do të zgjidhen jo edhe aq nëpërmjet argumentimit teologjik, por nga praktika revolucionare.   

Faqe komercializmit të shfrenuar që na përpin në këtë periudhë të vitit, ndodh të dëgjojmë personalitete fetare që na thonë se është koha të ringjallim “frymën e vërtetë të Krishtlindjes”. Nëse kjo do të thotë ringjallje e barazimtarisë radikale të të krishterëve të hershëm, të cilët Friedrich Engels-i i quante “partia e rrezikshme e revoltës”, atëherë socialistët duhet ta mbështetin.

Po neve nuk na duhet thjesht fryma e të krishterëve të hershëm, por një strategji revolucionare e bazuar te politika klasore, e cila mund ta ndërtojë vërtet shoqërinë që aspironin ata.

E përktheu Arlind Qori

Marrë nga Socialist Worker

Imazhi: Zone of non-being

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).


[1] Historian hebreo-romak i shekullit të parë e.s.

[2] Marrë nga përkthimi shqip: Marks, Karl. (1979). Rreth kritikës së filozofisë hegeliane të së drejtës. Tiranë: 8 Nëntori, f. 8.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.