Demokracia në rrezik

/Arlind Qori/

Demokracia: fjala më e përdorur dhe më pak e provuar në historinë e Shqipërisë. Jo se shpluhurosjet gjenealogjike do të na linin pa gjurmët e demokracisë, por këto të fundit janë të rralla, të shpërhapura, të nënrenditura dhe kaherë të rrezikuara me fshirje. Fshirje jo vetëm si zhdukje e të shkuarës apo e tashmes, por mbi të gjitha si mbytje e çdo potenciali për të nesërmen.

Nejse…

Thuhet se në demokraci sovraniteti është i popullit. Ai ushtrohet drejtpërdrejt ose përmes përfaqësuesve. Në të parin populli vendos për gjithçka, në të dytin mbisundon jehona e interesave të tij. Sot në Shqipëri populli as vendos vetë, as përdor dot mekanizma të kontrollit të përfaqësuesve. Arsyeja kryesore gjendet te një bllok politiko-ekonomik – ku shkrihen interesat e burokracisë politike dhe oligarkisë ekonomike – i cili ka sovranitet të plotë. Fytyra më e shquar e këtij blloku është miliarderi Samir Mane, pronar i një morie biznesesh të mëdha dhe njeri me të cilin nuk guxon ta prishë asnjë politikan.

Njëqind e kusur vitet e fundit demokracia është ndërthurur me barazinë përpara ligjit (e mundësuar nga ndarja e pushteteve) dhe respektimin e të drejtave civile. Që prej të flamosurës “Kontratë sociale” të gjenevasit Rousseau, është kuptuar gjithashtu se barazia në bërjen e ligjit dhe ajo përpara ligjit janë të lidhura me kufizimin e pabarazive social-ekonomike. Kështu që “askush të mos ishte aq i pasur sa të blinte lirinë e të tjerëve dhe askush aq i varfër sa ta shiste lirinë e vet”. Sot në Shqipëri thellimi i pabarazive social-ekonomike dhe zhdrejtpeshimi në bërjen e ligjit ka prodhuar një pabarazi edhe më të thellë në mbrojtjen nga ligji. Nëse je i varfër, të burgosin, të rrahin, të përndjekin, të shtyjnë e pështyjnë, duke të dhënë në këmbim vetëm një gjysmë të drejte: ikjen me vrap e me natë nga ky vend.

Prej New Deal-it të Roosevelt-it e tëhu, demokracia ka pasur për themel respektimin e të drejtave bazike shoqërore: shtetin e përkujdesjes sociale, shëndetësinë dhe arsimimin në mos falas fare, të përballueshëm për të gjithë, strehimin e plotë, papunësinë e ulët, pensione të sigurta dhe të bollshme, ditën 8-orëshe të punës etj. Për materializimin e këtyre të drejtave janë ndërtuar institucione si Ministri Pune, komitete shtetërore e inspektorate të posaçme. Shqipëria e sotme nuk gëzon asnjë prej tyre. Emblematike është shkrirja e Ministrisë së Punës dhe copëzimi i funksioneve të saj në një aradhe institucionesh pa kurrfarë fuqie dhe lidhjeje me njëra-tjetrën. Po ashtu, vendit tonë i mungon njohja zyrtare e minimumit jetik, respektimi i pagës minimale, shërbimi spitalor publik dinjitoz, arsimimi që mundëson së paku drejtshkrimin masiv etj.

Kolona më e rëndësishme e demokracisë, së paku që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore, ka qenë njohja e rëndësisë së punëtorëve si klasë prodhuese dhe shtetformuese. Sigurisht edhe në Perëndimin e artë të viteve 1950-1970 punëtorët nuk kanë arritur të kenë asnjëherë më shumë sesa rolin e një partneri të dorës së dytë në shtetformim, por gjithsesi organizatat e tyre (sindikata, parti punëtore etj.) ia kanë dalë të luajnë një rol kyç në ndërtimin e shtetit të përkujdesjes sociale dhe mbushjen e formës së demokracisë politike me sadopak përmbajtje shoqërore. Sot në Shqipëri punëtorët janë të persekutuar si mos më keq. Çdo pronar – nga ai i Albchrome-it në Bulqizë tek ai i një fasonerie apo hoteli në bregdet – i trajton punëtorët si të ishin më pak se skllevër.

Mbase po e ekzagjeroj për të korrur duartrokitje virtuale, por po ta mendojmë ca më gjatë do të kuptojmë se gjatë punës punëtori shfrytëzohet më pa kriter se skllavi. Dikur skllavistët e Jugut të SHBA e mbronin skllavërinë duke përmendur një të vërtetë cinike: “Ne skllevërit i kemi pronë. Si çdo çekiç a parmendë, e shfrytëzojmë, por me karar, se na duhet edhe nesër dhe na kushton të blejmë një skllav të ri. Kurse ju, zotërinjtë sipërmarrës të Veriut, e merrni punëtorin me qira. Nëse vdes, gjymtohet apo çmendet nga intensiteti i punës, juve aq ju bën! Nesër merrni me qira një tjetër.” Afërmendsh, kjo nuk është thirrje për rikthimin e skllavërisë. Fundja, punëtori në kohën e tij të lirë – (vini re gjuhën si e bën pavetëdijshëm kontrastin midis kohës së lirë jashtë punës dhe kohës në punë, që nënkuptohet si e robëruar!) – bën ç’i do qejfi, së paku aq sa ia lejon xhepi.

Në Shqipërinë tonë, mjerisht, punëtorët nuk kanë asnjë të drejtë reale. Paga minimale jepet sipas qejfit të pronarit. Punëtorët vdesin e gjymtohen, por institucionet publike nuk marrin asnjëherë masa serioze. Mbi të gjitha, punëtorët kërcënohen kundër çdo ligji dhe arsyeje nëse guxojnë të organizohen sindikalisht. Rasti i minatorëve të Bulqizës është shfaqja më brutale dhe e paskrupullt e pushtetit despotik të pronarit. Fill pas themelimit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, administrata e Albchrome-it – me urdhrin e s’ka-se-si-ndryshe të pronarit Samir Mane – pushoi nga puna kryetarin e Sindikatës dhe dy prej përfaqësuesve kryesorë të saj. Sot ajo po planifikon të pushojë menjëherë nga puna mbi njëzet minatorë, duke mbajtur në ankth qindra të tjerë që kanë guxuar të dalin qoftë edhe 10 minuta në grevë apo janë parë të pinë kafe me të damkosurit.

Në gjithë këtë katrahurë sociale, media hesht, duke na kujtuar një prej kushteve bazike të çdo demokracie të mundshme: lirinë dhe baraspeshën e fjalës. Shpeshherë jemi ankuar se edhe kur nuk ta mbyll njeri gojën, të fortët e shoqërisë ia dalin ta strukturojnë aq pabarazisht mundësinë e të folurit publik, saqë liria shërben për pak gjë. Mirëpo javët e fundit po kuptojmë se si edhe liria, pa baraspeshën e fjalës, po kërcënohet. Gjatë tri dekadave të fundit nuk kishte ndodhur që një ngjarje madhore si greva e minatorëve të Bulqizës të heshtohej nga 99% e mediumeve. Jo thjesht nga televizionet e mëdha, por edhe nga ato që i shohin vetëm familjarët e gazetarëve; jo vetëm nga portalet e potershme të kalorësve prej plasteline të luftës kundër oligarkisë, por edhe nga faqet me 10 shikues. Është ironik fakti që duhej pritur reportazhi i Zërit të Amerikës (si përpara 30 viteve) që shtypja dhe përpjekja e të fitonin një farë jehone televizive.

Kam qenë fëmijë kur dëgjoja se si gazetarët rriheshin e burgoseshin pse thoshin dy-tri të vërteta gjatë sundimit të Berishës së parë. (Për ironi, një nga viktimat më të shquara të represionit shtetëror të asaj kohe ishte gazetari, sot oligark i pacipë, i quajtur Aleksandër Frangaj). Prapëseprapë disa gazeta vazhdonin të vendosnin gishtin në plagë. Isha student kur Fatos Nanoja u filmua në një buzuk grek natën kur në Otranto ishte mbytur një gomone me njerëz dhe s’mbeti televizion e gazetë pa bërë namin. Sapo kisha filluar ta mendoja veten aktivist kur grevën e minatorëve më 2011 e mbulonte krejt media opozitare e asaj kohe. Ndërsa sot… shkretëtirë.

Shkretëtirë që shtrihet edhe në fushën e tanimë famëkeqes shoqëri civile. Historia e kësaj të fundit nis lavdishëm në Skocinë e shekullit XVIII, me iluministë të takëmit të David Hume-it dhe Adam Smith-it, ku ndanë dhe në autonomi nga shteti krijoheshin organizma që kishin rol kritik ndaj mënyrës se si ushtrohej pushteti dhe organizohej shoqëria. Në Shqipërinë e sotme mizëria numerike e ojf-ve dhe gruptheve “qytetare” fsheh hegjemoninë e parasë dhe pushtetit që qëndron pas pjesës më të madhe të tyre.

Pakkush e di se në minierën e Bulqizës punojnë edhe gra. Ndaj tyre presioni është shumë herë më i madh se ndaj punëtorëve të nëntokës. Por ojf-të e mirëfinancuara nuk kanë kohë për to, përderisa fati i tyre del jashtë vathës së “numrit të grave në parlament”, ndërkohë që të tjera grupime për të drejtat e grave e kanë të vështirë të përfytyrojnë trajta të tjera dhune, të ndryshme nga ajo e drejtpërdrejta e burrit ndaj gruas në shtëpi.

Në Bulqizë po shkelen të drejtat elementare të njeriut, duke pamundësuar edhe një tubim paqësor të ligjshëm, por ustallarët e mbrojtjes së të drejtave të njeriut e kanë mendjen gjetkë, kurse përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare që paguhen për këtë punë as që duan t’ia dinë.

Për të mos folur pastaj se në Shqipëri ekzistojnë në letër dhjetëra sindikata, të organizuara me demek në federata dhe konfederata. Po ca prej dhunës së pushtetit, ca prej joshjes së parasë, sindikatat tradicionale kanë më shumë zyrtarë të paguar se anëtarë realë nga radhët e punëtorëve. Ato janë feude të kopukëve që kalojnë kohën duke bërë transaksione ekonomike me ndërtesa e troje dhe që, për t’u mbrojtur, kanë zënë vend në sqetullën e partive. Prandaj asnjëra prej tyre nuk bën zë për fatin e minatorëve të Bulqizës, madje më e pacipa syresh harton listat e grevistëve që duhen pushuar nga puna prej kompanisë.

Shumica e minatorëve të Bulqizës janë besimtarë të devotshëm, por deri më sot asnjë klerik nuk ka thënë gjysmë fjale në mbështetje të tyre: as hoxha i qytetit, as kryegjyshi i Tiranës, as vipat e bamirësisë në emër të zotit, lere më priftërinjtë e pastorët e televizioneve. Ata janë edhe patriotë dhe qytetarë të mirë, por për flamurtundësit jeta jote ka rëndësi vetëm kur bërtet “Poshtë serbi!”, ndërsa “qytetaristët” kanë gjithnjë nga një teori konspirative që u justifikon heshtjen dhe përgojimin.

“Eppur” – do të thuhej në kohën e Inkuizicionit – demokracia është më tepër se shuma e kushteve të saj. Ajo është përpjekja e vazhdueshme e të poshtmëve që refuzojnë shtypjen, e të pazëve që klithin derisa të shpojnë veshët e krejt shoqërisë, e atyre që vendosin në diskutim hierarkinë politiko-shoqërore në emër të barazisë. Demokracia e njëmendtë lind aty ku s’na e pret mendja, mes rreziqeve mbytëse, ku sakrifica e organizuar sfidon të gjitha gjasat e kundërta. Demokracia është kërcimi heroik që përgatit kushtet e ekzistencës së saj të mëvonshme.  

Rrofshin minatorët!

Paçim guximin dhe dinjitetin e tyre!

Imazhi: ¡Democracia Real YA!, Meksikë

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.