Përpjekja e tyre, përpjekja jonë!

/Redi Muçi/

Më 17 nëntor 2019 shpallet Sindikata e Bashkuar e Minatorëve të Bulqizës.

Më 22 nëntor 2019 shkarkohet nga puna Elton Debreshi, kryetari i Sindikatës.

Më 3 dhjetor 2019, shkarkohet nga puna Beqir Duriçi, anëtar i Këshillit Sindikal.

Më 20 dhjetor 2019, shkarkohet nga puna Behar Gjimi, anëtar i Këshillit Sindikal.

Sot, më 23 dhjetor 2019, janë thirrur në Tiranë për t’u pushuar/shantazhuar rreth 10 vetë, mes të cilëve anëtarë të Këshillit dhe protestues të nëntorit të shkuar.

Kjo është lufta që Samir Mane po i bën minatorëve të Bulqizës, që punojnë në minierën që ai ka marrë me koncesion nga qeveria.

Fare pak media dhe gazetarë e kanë raportuar luftën që po vazhdon prej rreth një muaji. Të tjerët janë marrë me gjëra më të rëndësishme, që nga veshjet e Alketa Vesiut e deri te filmat e Laert Vasilit.

Organizata Politike është e përfshirë në këtë luftë sepse ne besojmë se një shoqëri me demokraci përmbajtësore – jo vetëm në letër, jo vetëm sa për të lehur në studio televizive, jo vetëm sa të ikë Rama që të vijë Basha dhe Monika – një demokraci e përnjëmendtë arrihet vetëm përmes organizimit sindikal.

Që kjo është e vërtetë, dëshmohet fare mirë nga veprimet e Samir Manes, njeriut më të pasur – e prandaj më të pushtetshëm – në Shqipëri.

Ne nuk presim që gazetarët që ushqehen nga buka e pronarit ku ata punojnë, interesat klasore të të cilit janë ngushtësisht të lidhura me ato të Samir Manes, të bëjnë ndonjë akt “heroik” duke kryer detyrën ndaj opinionit publik dhe raportuar se çfarë po ndodh.

Por ne presim nga secili qytetar i këtij vendi, buka e gojës së të cilit/cilës nuk varet nga Samir Mane, që të ndërgjegjësohet se mbështetja e luftës së minatorëve nuk është një akt moral solidarizimi me një qytezë të periferisë, por thellësisht dhe rrënjësisht një detyrë qytetare për një Shqipëri më të mirë.

Imazhi: Bojkoto Samir Manen

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.