Protesta kundër idiotësisë

/Arlind Qori/

Nëse rendje rrugëve të Athinës së njëzetepesë shekujve më parë e ndokush të damkoste idiot, fajin s’e kish as jargavitja psikopatike, as mefshtësia gjykuese e as çfarëdo mangësie tjetër mendore. Faji që i vishej të fyerit kishte të bënte me idiotësinë si mënyrë e të ushtruarit të vullnetit dhe përdorimit të arsyes. Idiot s’ishte kurrkush tjetër veçse ai të cilin vullneti e shtynte gjithnjë kah shpërfillja e hapësirës së përbashkët, dimensionit publik të qytetarisë, në emër të përfitimeve vetjake dhe arsyen e kanalizonte veç në instrumentin e dëshirës për fitim. Ky përkufizim i idiotizmit nuk u tret bashkë me botën antike, por ringriti krye gjatë iluminizmit e vazhdon në bashkëkohësi përmes botëkuptimeve filozofiko-politike që arsyes së çliruar nga instrumentaliteti idiotesk i njohin rol kritik. Këtë rol e shohin të pandarë nga mënyra dhe përkushtimi publik në të arsyetuar dhe si qëllim të përdorimit të saj vendosin kushtin e ndërtimit të një shoqërie ku e drejta nuk varet nga forca, liria nuk ka kuptim pa barazinë, këto të fundit nuk u nënshtrohen interesave private që edhe etimologjikisht “privojnë” e përjashtojnë, dhe populli nuk luan rolin e spektatorit të gallatës mediatike, por hyn në sferën publike dhe merr fatin e vet në dorë.

Më 4 shkurt të këtij viti, në gazetën Shqip më ra rasti të lexoj artikullin e dr. Zef Preçit, i cili e quan lëvizjen studentore “Universiteti në rrezik” si vetëgoditëse (Protestë kundër vetvetes). Shkruesi në fjalë e nis shkrimin e tij prej pozitës sipërore vetëreferuese të “filozofit” peripatetik (që mendon duke shëtitur e mendimi i nxitet nga soditja jo e ideve të kulluara platoniane, por e vulgaritetit të ndodhive të ditës) që përballë një grupi studentësh që protestojnë për të mbrojtur dimensionin publik-emancipues të universitetit i vjen për të qeshur e mendon se ata duhet të kenë turp. Për të qeshur i vjen nga idetë “qesharake” që protestuesit parashtrojnë e atyre vetë duhet t’u vijë turp sepse, sipas autorit, po përdoren për interesat e kushedi kujt. Një përfundim i tillë është simptomatik i epokës idioteske në të cilën jetojmë. Në një vend ku dominon mendimi sipas të cilit dy njerëz bëhen bashkë veç për të fituar gjësendi e ku arsyeja poshtërohet në llogaritjen e përfitimeve, çdo akt rezistence në emër të një ideje, çka mishëron thelbin e arsyes publike, kanalizohet në idiotizmin e pikëprerjes së interesave. Kështu, meqenëse çdokush bën diçka tani për të fituar pak më shumë pastaj (logjika idioteske ekonomike), atëherë studentët s’mund të jenë të përkushtuar ndaj një parimi, por veç marioneta të pavetëdijshme, në rastin më të mirë, apo rufjanë që këmbejnë favore me qendra të rëndësishme partiake, në rastin më të keq.

Po ashtu, dr. Zef Preçi mendon se rëndësia e një lëvizjeje nuk varet nga qëllimi apo parimet e saj, por nga numri i njerëzve të mbledhur në një protestë. Madje për të arsyeja po ashtu lidhet me numrat sa kohë numrin e pakët të protestuesve e lidh me lartësinë e konsiderueshme të zhurmës që ata bënin. Jam i sigurt që dr. Zef Preçi e ka lexuar gjerësisht Immanuel Kantin e për pasojë mendoj se duhet t’u rikthehet disa veprave të tij, sidomos asaj të titulluar “Ç’është iluminizmi”, në të cilën arsyeja nuk lidhet me numrat e atyre që e pohojnë diçka, por me fuqinë e të menduarit të përbashkët për kauza të përbashkëta, pa kufij mode a yjësie forcash; me fuqinë e mendimit që nuk mjaftohet me dhënien e përgjigjes së saktë ndaj pyetjes së vetme e të vendosur forcërisht, por që shtron e rishton pafundësisht pyetje e problematika të reja. Kësisoj, dy shokë në mejhanen ndanë lumit, që debatojnë, fjala bie, mbi domethënien e drejtësisë, mirëqenies e i shohin këto të lidhura me krejt shoqërinë, janë bartës dhe ushtrues së arsyes kritike e publike. Ndërkohë që një milion pazarxhinj që ulërijnë në shesh pas fitores së partisë së tyre me shpresën e përfitimit imediat vetjak nuk bëjnë gjë tjetër veçse riprodhojnë e fuqizojnë idiotizmin e karakterit të shoqërisë. Madje edhe njëqind akademikë me nam botëror që mendojnë se e vërteta politike, shoqërore apo ekonomike është caktuar një herë e përgjithmonë, e tash mendjes i ka mbetur veç të gjejë instrumentet praktike të arritjes së qëllimit të shenjtëruar, sërish e fuqizojnë idiotizmin e përmbajtjes shoqërore.

Në rrethe psikiatrësh tregohet një anekdotë. Një i shtruar në institucionet e shëndetit mendor ishte i pushtuar nga ideja se nuk ishte njeri, por kokërr gruri. Pas kurave të kujdesshme, më në fund iu mbush mendja se ishte njeri e kështu mund të dilte nga spitali. Pasi u përshëndosh me mjekët e u nis në punë të vet, pas pak minutash u kthye sërish te mjekët i tmerruar. Kur e pyetën – Ç’pate? – u përgjigj: – Rrugës më zuri rrugën një pulë. Mjekët i thanë: – Po ti tashmë e di që je njeri e jo një kokërr gruri. Kështu që s’ka rrezik që pula të të hajë. I sëmuri u përgjigj: – Sigurisht që e di. Veçse a e di edhe pula këtë gjë?! Ky është edhe raporti i përdorimit publik të arsyes për të çuar përpara kauza të drejta dhe numrave. Në vend që përgjigjja ndaj pyetjes se a kanë të drejtë studentët të nisë me problematikën që ngrenë, përputhjen e qëllimit e të parimeve të tyre me ide emancipuese, çështja në fjalë nis prej numrave. A thua se për të pasur të drejtë duhet që të gjitha pulat ta dinë që nuk jemi kokrra gruri?!

 

Përrallat me perëndim dhe treg

T’i kthehemi përmbajtjes. Përtej epiteteve fyese e poshtëruese, shkrimi i dr. Zef Preçit mbështetet në parashtrimin e disa argumenteve në favor të ligjeve e projektligjeve të nisura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Për sa i përket reformës së financimit të universiteteve, autori në fjalë e legjitimon pozicionin e tij duke i lidhur mendimet në nyjat ideologjike të perëndimit dhe tregut. T’ia nisim me perëndimin. Thotë autori: – “Përdorimi i parave publike edhe në universitetet private është një praktikë e njohur dhe rezultative që e zbaton gjithë bota e sotme perëndimore.” Dy janë problemet këtu. Pikësëpari, origjina dhe frymëzimi ideologjik i kësaj reforme vjen nga Kili që në kohën kur e jetësoi këtë mënyrë financimi shquhej për do gjëra të parëndësishme të tipit: Ishte vend ku një grusht ushtarakësh kishin përmbysur me dhunë një qeveri të zgjedhur demokratikisht, e ushtronin pushtetin në mënyrë policoro-fashiste duke zhdukur e përndjekur gjithkënd të dyshuar si opozitar, i shihnin universitetet si vatra të rezistencës ndaj tyre e për këtë arsye, përveç asaj të kurdohershmes së favorizimit të të paktëve me fuqi financiare, projektuan një reformë financiare sipas së cilës një pjesë e fondeve shtetërore, që logjikisht duhet t’u kalonin universiteteve publike, u shkonin universiteteve private me karakter fitimprurës. Pasojat? Rrënim i universiteteve publike dhe i karakterit emancipues të universitetit, forcim i karakterit klasor të universitetit ku të pasurit shkojnë në shkolla cilësore private e të varfrit ose marrin nga një diplomë në ato që kanë mbetur nga universitetet publike, ose nuk e përballojnë dot arsimimin. Kësisoj, shkolla nuk është më hapësira ku mikpriten të gjithë e vlerësohen sipas aftësive e përkushtimit në studime, por vendi ku arsimimi varet nga fuqia për të paguar. Pra, shkollimi nuk konsiderohet më një e drejtë që i takon gjithkujt pavarësisht nga aftësia për të paguar (si p.sh., denoncimi në polici. Edhe po s’pate lekë të paguash rrogën e policit, ai e ka për detyrë të ta marrë denoncimin e të ta ofrojë mbrojtjen), por një mall a shërbim luksi i kushtëzuar nga aftësia për të paguar (si p.sh., po s’pate shumë para, s’mundesh t’i bësh pushimet në Ibiza, por duhet të kënaqesh me liqenin artificial). Sot në Kili, prej më shumë se një viti universitetet janë bllokuar nga protestat dhe grevat masive të studentëve, pedagogëve dhe stafeve administrative të cilat kërkojnë rithemelimin e karakterit publik të universitetit. Megjithëse shifrat nuk përcaktojnë të drejtën, për të shuar kureshtjen duhet thënë se deri më tash mbi 70% e qytetarëve të Kilit janë shprehur në favor të kërkesave të mësipërme.

Nëse me perëndimore, autori u referohet pak vendeve perëndimore që aplikojnë sistemin voucher si p.sh. Holanda apo Suedia, duhet theksuar se në to financimi i studentit nuk shkon në institucione arsimore fitimprurëse. E jo vetëm kaq, por në Holandë shteti vendos një tavan shumë të ulët tarife studentore për të dhënë fonde për këto universitete. Të tilla institucione janë autonome e publike nga karakteri, megjithëse jo të kontrolluara nga shteti. Në projektin shqiptar, së fundi është vendosur kriteri i karakterit jofitimprurës të institucioneve arsimore që do të përfitojnë nga këto fonde. Veçse, sikur ngjan pak e çuditshme që sponsorizueset e kësaj reforme, universitetet private fitimprurëse, dashkan një ligj që i bën të përfitojnë fonde vetëm nëse nuk nxjerrin fitime(!). Ndoshta është hera e parë në botë që prej institucioneve fitimprurëse lobohet kaq fort jo për të siguruar apo rritur fitimet, por vetëm për t’u shndërruar në filantropë me zemër në dorë. Apo mos ndoshta gjithë kjo është rrengu i radhës ku fitimet do të kamuflohen në shpenzime operative apo paga fiktive për pedagogët?! Nëse doni shembuj, pyesni punëtoret e një fabrike peshku në Lezhë të cilat formalisht marrin pagë mbi pragun e pagës minimale e pas derës së bankës i pret thesi i fabrikës në të cilin derdhin një pjesë të kësaj page, edhe ashtu të mjerë e kështu vrasëse.

Përralla e dytë është ajo me treg. S’mbeti gojë shqiptari pa thënë se universitetet duhen orientuar nga tregu, çka nënkupton se sot nuk janë të tilla. Po sikur universitetet shqiptare të jenë vërtet të orientuara nga tregu e ajo çka u mungon është orientimi nga mirëqenia shoqërore? Ja p.sh. a kishte nevojë tregu shqiptar për diploma që u duheshin miqve të miqve të miqve apo erotizuesve të flamujve partiakë për të zënë një vend pune, e jo vetëm në administratën shtetërore? Ja pra kërkesa ekziston e medoemos duhet të vijë oferta, që në këtë rast është ajo e universiteteve që me dijen i ndan gjithçka e me diplomoren i bashkon çdo gjë. Po ashtu, a nuk ka nevojë tregu sot për shumëçka, bie fjala, për prostituta, sekserë, shpifës, prodhues e shitës lëndësh narkotike…? Nga ana tjetër, në treg s’ka vend për filozofë, mendimtarë, artistë jokomercialë, poetë, gjuhëtarë…E nëse njëfarësoj do të duhet të futeshin në këmishën idioteske të forcës, duhet të tradhtonin abc-enë e truallit të tyre. Kështu filozofi do të kthehej në sofist, mendimtari në shitës mendsh, artisti në krijues mediokër, poeti në hartues tekstesh turbo-folku e gjuhëtari në mësues gjuhe “Mëso shqip për një muaj” për fëmijët e vizitorëve të kamur. E nëse të gjitha këto në afatgjatë duken vetëgoditëse, s’duhet harruar thënia e një të “autodafé-osuri” të këtyre kohëve: Tregtari është gati të shesë edhe litarin me të cilin do të varet!

 

Ja TOEFL, ja vdekje!

Çështja e dytë që e ndez zjarrin e përkushtimit studentor ndaj kauzës universitare, e që dr. Zef Preçi i hedh ujin e ftohtë të qeshjes, është reduktimi dhe vetëposhtërimi idiotesk i universitetit nëpërmjet imponimit të provimeve të njohura ndërkombëtarisht të gjuhës angleze si kusht për t’u diplomuar. Për hartuesit e kësaj reforme dhe dr. Zef Preçin, shqipja është një gjuhë indigjenësh të rritur pemëve e me bisht nga pas që në gjuhë të tyre veç mund të lypin bukë a shajnë njëri-tjetrin, e kurrsesi gjuhë po aq e vlefshme dhe e lëvrueshme si të tjerat për t’u bërë bartëse e nxitëse e mendimit, filozofisë, shkencës, krijimit etj. Nëse ka një fije kuptimi, por kurrsesi pranimi, kur ndonjë racist i fandaksur e idiotesk fqinj na hipte ne pemë e na shihte bisht, zor se gjendet ndonjë grimcë kuptimi kur shqiptarë ua vënë në fyt lakun e vetëposhtërimit shqiptarëve të tjerë. E nëse në vend të kuptimit duhet gjetur ndofarë domethënie, ajo gjendet sërish në interesat private (privuese-idioteske) që rregullojnë bilancet e institucioneve fitimprurëse të cilat përgatisin studentë e i marrin në provim për soje toefl-ash.

Sigurisht që dr. Zef Preçit i duhet dhënë të drejtë kur thotë që të dish gjuhë të huaja (jo thjesht anglisht) është e dobishme intelektualisht e profesionalisht. Madje fare mirë i bën edhe llogaritë kohore se për sa orë anglishtëzohesh. Veçse edhe këtu, rëndësia e gjuhës nuk varet nga moda e sundimit, por nga domosdoshmëria e saj. P.sh. një studenti filozofie i vyen më shumë njohja e greqishtes së vjetër, gjermanishtes apo frëngjishtes. Atij të letërsisë mbase i vyen edhe rusishtja e italishtja. Një studiuesi të qytetërimeve hebraishtja, arabishtja apo kinezçja. Atij të marrëdhënieve rajonale serbishtja apo greqishtja. E nëse shkolla në përgjithësi e universiteti në veçanti kanë për qëllim dijen publike e jo çertifikosjen idioteske, atëherë në programet shkollore duhen futur intesivisht këto gjuhë. Kështu, shteti nuk i jep vetes të drejta e u var mbi qafë studentëve detyrime, por i merr përsipër detyrimet e mësimit të studentëve shqiptarë në gjuhë të huaja përmes programeve mjaft më cilësore e më të zgjeruara (për të cilat duhen shtuar e jo pakësuar fondet sikundër pritet të ndodhë me reformën financiare) dhe u jep studentëve të drejtën për të zgjeruar horizontet e tyre njohëse në gjuhë të huaja.

 

Skllavëria bashkëkohore

Ndër kushtetutat demokratike rëndom gjendet një nen që e ndalon skllavërinë e madje e konsideron të lirë çdo skllav që shkel në territorin e aksh shteti. Më e hershmja, e ndokund ende bashkëkohore, formë skllavërie është ajo e punës së papaguar. Ligji për profesionet e rregulluara bën të detyrueshme për studentët e disa degëve universitare, përndryshe nuk quhen të diplomuar, kryerjen e një stazhi pune në institucione private ose shtetërore nga një deri në tre vjet pa pasur të drejtën e të marrit pagë. Hartuesit e kësaj reforme shprehin shqetësimin se sidomos sipërmarrjet private nuk kanë interes të paguajnë të sapodalë nga shkolla. Afërmendsh që nuk kanë interes. Po të ishte për interes të tyre, as rroga s’do të donin të paguanin, as sigurime shoqërore e shëndetësore, madje as taksa. Çështja nuk duhet shtruar nga idiotizmi privat i fitimit e rritjes së tij, por nga e drejta që buron nga një punë shoqërisht e vlefshme. Nëse sipërmarrje të tilla nuk do të kishin interes për punën e të sapodalëve nga shkolla, atëherë s’do t’i qasnin brenda as pa pagesë (hiq rastet kur u shkrepet t’i ngacmojnë seksualisht apo të argëtohen në forma të tjera gjatë pushimit). Në rast se ata pranohen, do të thotë se puna e tyre është prodhuese e ajo çka prodhojnë gjeneron të ardhura. Veçse në kushtet e skllavërisë bashkëkohore, të gjitha këto të ardhura u takojnë pronarëve e jo punonjësve.

Po ashtu, hartuesit e kësaj reforme, bashkë me ta edhe dr. Zef Preçi, gjykojnë se universitetet shqiptare prodhojnë studentë të paaftë për t’u paguar për punën. Edhe nëse ndodh kështu, e kushedi kush e ka fajin për këtë(?!), mos zgjidhje do të ishte forcimi dhe cilësimi i universiteteve, çka nënkupton shtim e cilësim mjedisesh, laboratorësh, pedagogësh e programesh mësimore?! Po ashtu, nënrenditja e arsimimit universitar ndaj praktikës së punës e kthen përmbajtjen dhe rolin e punës në errësira mesjetare. Në epokën esnafore, cilësia e punës ishte aq rudimentare saqë s’kish nevojë për shkollim teorik e për pasojë për shkolla. Mjaftonte që çiraku t’i qepej një mjeshtri e ai në këmbim të dhënies së zanatit përfitonte nga puna pa pagesë e çirakut. Cilësia dhe kompleksiteti i punës sot është i tillë që praktikës “me ja marr dorën” i mbetet pak vend krahasuar me përgatitjen teorike-shkencore të punonjësit të ardhshëm. E për pasojë, nëse nuk i takon paga e plotë si homologët e tij, me siguri i takon mjaft më shumë se “ndonjë përfitim modest”.

 

Anekdota e fundit

Mes përkujdesësve të shëndetit mendor qarkullon një tjetër anekdotë: Dy gra bisedojnë me njëra-tjetrën mbi përvojat seksuale. E para e pyet të dytën se sa herë kryen marrëdhënie seksuale me bashkëshortin. Tjetra gjegjet: – Një herë në dy muaj. E para: – Për kaq rrallë sa ndodh, s’ja vlen t’i kryesh fare. Pse e bën atëherë? Tjetra: – Që kur të shkoj te psikanalisti të kem ç’ti tregoj për jetën bashkëshortore. Dr. Zef Preçit një nga këto ditë i ra rruga nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Soditi fjalimet e pankartat e studentëve në protestë. Qeshi me to e desh t’u thoshte: – Turp t’u vijë! Mbase i erdhi zor ta bënte aty për aty e shkroi publikisht që të kish ç’ti thoshte psikanalistit lexues, që me studentët të qeshte bota mbarë e faqet e tyre të përcëlloheshin nga e skuqura e turpit. Veçse asnjë prej tyre nuk u skuq, megjithëse e beson Mark Twain-in kur thotë se njeriu është e vetmja kafshë që skuqet, ose të paktën që duhet të skuqet. Nuk skuqet se beson se kauza e ruajtjes dhe forcimit të karakterit publik dhe emancipues të universitetit na dallon nga çdo ligj a projektligj që e zmbraps arsyen kritike duke i dhënë frymë karakterit idiotesk të privates, privueses, logjikës së forcës e të ndërluftimit. E secili prej tyre nuk pret që dr. Zef Preçit t’i vijë turp për çka shkruan, e aq më pak e bën të qeshë. Në të tilla kohëra, të qeshurit duket si privilegj i të ngeshmëve.

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.