Përkujtimi i kotësimit

/Arlind Qori/

Në ditë si kjo gjithkënd e zë malli për me rrëfy të bërat e të pabërat e ditës heroike të hedhjes së bustit të diktatorit. Del nga një Jan Palach për çdo kthinë tironse, veçse me mençurinë e largpamësinë e të padjegurit të vetes, por të heroizmit sistempërmbysës. Në lumenjtë e lavdeve, vetëlavdeve, bashkëlavdeve, po e nis me historinë time të palavdishme: atë ditë të shënuar po vërdallosesha në fushën midis ambasadës atëbotë italiane dhe muzeut të marksizëm-leninizmit. (Për kureshtarët fati i të tre të përmendurve të mësipërm ka qenë i madh, madhështor madje. Ambasada italiane u bë ambasadë amerikane; muzeu i marksizëm-leninizmit nga shurrëtore e përkohshme lagjeje [të shkretët Marks e Lenin që mbetën ca kohë në mëshirën e fshikëzës së shokut tim të ngushtë, Tan Morracakut] u kthye në rezidencë të ambasadës italiane; e fusha sigurisht që s’mbeti më fushë, por u lartësua në qiej duke marrë formën e një shumëkatëshi, në të cilin banojnë të kamurit e rinj dhe nga tarraca e të cilit po hodhe pështymën ka rrezik të bjerë brenda oborrit sovran të ambasadave në fjalë.) Prej saj po shihja me droje, pakuptueshëm, e me ca inat llavën njerëzore që derdhej rrugës së Elbasanit. Ende s’kisha mbushur të dhjetat dhe kisha ëndërr të bëhesha pionier i Enverit, që shalli i skuqur t’u tregonte skeptikëve se s’mund të më konsideronin më fare fëmijë. E këta çuna e goca rrugës po shkonin të rrëzonin mundësinë time për të mbajtur shall të kuq. S’i mbaj mend mirë fjalët, por do kenë tingëlluar ngjashëm me “kokëpalarët apo rrugeçërit” e 21 janarit, e një fqinji që më tërhoqi nga kinemaja politike për të më shtyrë drejt shtëpisë pak metra më tutje.

Shqiptarët u ngritën në 20 shkurt kundër burokracisë me brekë nëpër këmbë që ethshëm bënte llogaritë, jo ato të qëndresës kriminale, por të mbijetesës së nesërme. Gjithsesi kjo u mor vesh më vonë. Atëbotë fantazma e të vdekurit të ngurosur në qendër të Tiranës ende kërcënonte me horror imagjinatën e frikur të shumëkujt. Po sikur të shtien? Po sikur të ngrihet ai vetë e të urdhërojë? Po sikur të mos ketë vdekur fare e po pret pikërisht çastin e provës finale për t’u përballur me popullin, me atë popull që kish bërë hosana nga frika e adhurimi, por që tani, në kushte të reja, kishte rastin të tregonte veten? Në fakt, burokratët e leqendisur kolltukëve të dalë mode e boje shtinë me fishek manovër e u vetëdorëzuan në këmbim të premtimit se kurrgjë, veç ndonjë gjyqi kafesh sa për qyfyre, s’kish për t’u rënë mbi krye.

Kështu që revolta, që në gjirin e vet mbartte filizin e ndryshimit revolucionar të fatit të shqiptarëve, u kotësua si fishek manovër. U kotësua ngaqë populli u ngop me rrëzimin e fantazmës të ngurosur. U kotësua sepse prijësit e popullit u kthyen në burokratët e rinj. Por mbi të gjitha u kotësua në bërje qokash në formë medaljeje pishtari sepse revoltës së 20 shkurtit i mungonte diçka më thelbësore. I mungonte qëllimi e projekti në emër të të cilit luftohej. Shumëkush ngrefoset me urrejtjen ndaj diktaturës e me heqjen qafe të saj me një të goditur monumenti. Tjetërkush kujton thirrjen e bajatosur mitingjesh elektorale e studiosh veteranësh trendy e sexy: E duam Shqipërinë si gjithë Evropa! Këto dy elemente tregojnë atë çka të revoltuarit kërkonin të ndryshonin dhe vetëm vagullt atë çka donin të arrinin. Të ishe kundër një sistemi kriminal, e në vitet e fundit edhe varfërues, nuk përbën çudi. Shqiptarët u ngritën kundër tij, por pa e vrarë mendjen fort se çfarë donin të ndërtonin të nesërmen. A thua se problemi ishte vetëm emëror e simbolik?! A thua se po s’u quajt Enver e po s’valëviti të kuqen s’përbën më problem?! Se ç’ishte Evropa e Perëndimi për ta e rrëfejnë mjaft prej heronjve rastësorë të atyre kohëve, për të cilët liria dhe emancipimi nisnin e mbaronin me kofshët e vithet e personazheve televizive italiane. Për të mos përmendur pastaj delirin kolektiv që prodhonin fantazira të tipit: “Ç’na ka bota ne? Një grusht para dhe bëhemi Zvicra e Ballkanit. Ja një çek i bardhë dhe fap-e-fap i zgjidhëm punët.” Zotërinjtë e rinj, që hodhën në kosh kolltukët e vjetruar të shokëve të qëmotit për t’i zëvendësuar me ndenjëse më të përshtatshme për të ndenjurat, kishin detyrën historike të na udhëhiqnin, bota e dashuruar me Shqipërinë plëngprishëse që po i rikthehej dashnorit të vjetër do të na ndihmonte e pastaj…ja ku jemi!

Revoltat popullore që kulmuan me rrëzimin e fantazmës së ngurosur kishin në zemër e krahë dy grupet potencialisht më revolucionare: punëtorët dhe studentët. Kjo përzierje dinamite, që ja bën ëndrrën zhgjëndërr edhe më të vetësigurtit sulltan apo klikë, luftoi, përmbysi, por e papërgatitur në ide, projekte e vlera politike emancipuese s’mundi ta ndryshonte rrënjësisht fatin e Shqipërisë. Atëbotë kur prej mllefit ndaj padrejtësisë, privilegjeve të bllokmenëve e krimeve të tyre çahej situata e hapej mundësia e vetorganizimit politik emancipues, pasojë ishte kthimi i gëzueshëm në shtëpi se tash e kryem detyrën. Revolucioni dallon nga revolta e çfarëdoshme pikërisht nga fuqia për ta jetësuar ndryshimin të nesërmen e ahengut e orgazmës së fitores së sotme. Revolta mbyllet me fitoren simbolike dhe imagjinare për sa kohë populli fitimtar këmben lirinë e mundësinë vetëqeverisëse me dekoratat institucionale dhe mallëngjimet rehatuese. Revolucioni ndodh atëherë kur dita më e vështirë nuk është ajo e fitores, por e ruajtjes dhe konsolidimit të saj, e vetorganizimit dhe krijimit të strukturave që idealet e revolucionit i garanton nga shushunjat e pashmangshme të tranzicionit të qetë e të kompromis. Veçse s’mund të kishte revolucion përderisa populli dinte kundër kujt luftonte, por s’dinte për çfarë luftonte. Dinte që luftonte kundër privilegjeve, por s’dinte si t’i ndalte të privilegjuarit e të ardhmes; dinte se luftonte bllokmenët, por s’dinte se blloqe të reja edhe më luksoze e më të paprekshme do të ngriheshin periferive duke i nxjerrë gjuhën përçmueshëm mjerimit të kudogjendur; dinte se luftonte varfërinë, por s’dinte se të nesërmen e ditës së madhe do të shiteshin për dhjam qeni pasuritë kombëtare, do të shkatërroheshin spitalet prej mureve që bien, ilaçeve që mungojnë dhe mjekëve që rrjepin…

S’dinte sepse gjendej i kapur në paradoksin e ideologjisë së të përmbysurve që hëm e përdorte pavetëdijshëm, hëm e përçmonte si trashëgimi të rrezikshme. Paradoksi i diktaturave majtiste është se përmes justifikimit të vazhdueshëm të origjinës revolucionare të së sotmes reaksionare mbrujnë vetëdijen e popullit me idenë se të ngresh krye përbën aktin më të lartë të dinjitetit njerëzor. Afërmendsh partia e punëtorëve, së cilës punëtorët më së pari i ngritën krye, pretendonte se tash s’ka më nevojë për të ngritur krye se historia u zgjidh. Veçse prej pionierit te veterani, populli ish mësuar se të ngresh krye kundër padrejtësisë është e lavdërueshme e kur sistemi s’mund ta propagandojë më seriozisht veten për shkak të mjerimit ekonomik e persekutimit politik, atëherë revolta e popullit bie mbi kryet e mashtruesve dhe zaptuesve të së drejtës. Prandaj populli u ngrit, veçse në rrugë e sipër iu duk se qëndrimi në rrugë edhe të nesërmen e rrëzimit të monumentit sikur i ngjante pak shembujve të flamosur të së shkuarës. Pse, komunarë parisienë ishin ata?! Larg të qoftë të flamosurit që demokracinë më radikale, madje anarkike, vajtën dhe e quajtën diktaturë të proletariatit (lexo “Luftën civile në Francë” të të damkosurit Marks). E kështu, populli i mbrujtur pavetëdijshëm me idenë se ngritja krye vlen, s’arriti ta çonte revoltën në revolucion e për pasojë e nesërmja, e pasnesërmja…e tashmja nuk është më dita kur gëlon diskutimi politik e përfshirja universale në punët e përbashkëta, as dita kur e shkuara shihet me sy kritik e riinterpretohet për të parë mundësi të reja emancipimi, as dita kur bashkërisht gajasen me do projekte të marra të sundimit politik elitar. Është mbrëmja ku ca zotërinj shpërndajnë dekorata e ca personazhe reale e ireale i marrin ato mallëngjyeshëm…ndërkohë që bora po i zë frymën shumëkujt, në spitale s’ka ilaçe, tavani po bie, infermierja po ndan lekët me doktorin, shkolla po shndërrohet në aneks pazari e populli po sheh veten në televizor e po thotë: Ah sikur të kthehej edhe një herë ajo ditë!

…Sapo u mbyllën zgjedhjet në universitet. Përpara një klase të sajuar si qendër votimi studentë kandidatë, vëzhgues, dreq e shejtanë, të turlilloj partish shtyjnë përpara studentët zgjedhës si bagëti në qendrat e votimit. Nisin të shahen e gati përfyten me njëri-tjetrin. Për ide e ideale? Ncuk! Për do ideçka që nisin e mbarojnë me llogaritjet e përfitimeve të së sotmes a të nesërmes. I shoh e mendoj se, përderisa s’mund të isha në rrugë në shkurt të 91-it, ja vlente më shumë të më vinte keq që nuk u bëra dot pionier i Enverit.

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.