Po shkolla ç’mu desh?!
/Jonis Metaj/
Nuk ma merrte mendja se do t’ia bëja ndonjëherë vetes këtë pyetje. Mënjanë modestinë, veten e ushqeja me mendimin e të dashurit të një shkolle sa më të mirë, sa më të vështirë e sa më të lodhshme! Thjesht që të mirëformohesha. Për pasojë të kisha privilegjin e të pasurit një punë të mirëpaguar. Shumëkush prej lexuesve mund ta gjejë veten të përfshirë e të kapur pas këtij mendimi a qëllimi që, fundja, është më se i përligjur.
Po ç’po të duhet shok/shoqe? Lërmë të rrëfehem! Ke statusin e studenti si puna ime. Deri këtu jemi njëlloj. Po ç’të pret pasi të mbarosh shkollën, pasi te jesh më i ditur, më i zoti, e pse jo edhe më i emancipuar? Mbase ti nuk e di, por unë vesha këmishën e forcës së të papunit për disa muaj rresht. Tri vite shkollë, tri vite mundim e punë, vërtet më i ditur se më parë, por… i papunë. I dhjerë, por krenar – mund të thonë ca – e fundja drejt e kanë. Në këtë periudhë rreth nëntëmujore u binda për sinoniminë e fjalëve “diplomim” dhe “papunësi”.
Me diplomë në dorë mu duk sikur e ofendova drejtorin e UKT-së kur m’përplasi derën turinjve. Vallë a e kishte parë ndonjëherë atë letër kartoni?! Mos e pata unë fajin që i drejtova atë letër?! Ku ta dija unë i shkreti që drejtorët i paskan alergji ato dreq letrash?! Mesa dëgjova më vonë, arsyeja e atij reagimi paska qenë se kjo fabrikë që riciklon letrën e kartonit të diplomës nuk i përmbush standardet e plakës Evropë ku duam të futemi të gjithë. Duhej të kisha karton nga fabrika që riciklon letrat me të cilat bëhen teserat e partisë – janë edhe me ngjyrë blu si për dreq dhe kombinojnë me plakën e mësipërme.
E lashë atë muhabet dhe fillova të bëhem i shkathët. I thirra mendjes dhe thashë të përdor kartën e mikut. Ja hodha paq – mendova, duke ditur se kjo “kartë” është më e vlefshme se ajo ku shkruhet “diplomë”! Ore nuk lashë njeri pa i thënë që kërkoj punë: “Ma gjej se ndokënd duhet ta njohësh ti”, “dikush duhet të të ketë ndonjë nder borxh se ti je gjith’ ky!” Ç’lajka s’bën i ngrati njeri nga halli! Kështu me premtimin që do angazhohen të gjithë, prita të punësohesha. Po ç’të bënin të varfrit miq kur unë nuk jam anëtar i ndonjë forumi rinor. Edhe miqtë që futa unë – fundja miq të mitë janë – nuk janë aq të fortë. Ende prisja. Oh, më beso o shok a shoqe që po ma fal vëmendjen këto çaste: të presësh është vuajtje. Ku ma gjen Purgatorin?! Për muaj me radhë prisja, por ishte mbytëse të kishe statusin e të papunit e të rrije në shtëpi. Disa mund të më thonë: po pse nuk shkove zotrote të punoje se punë ka sa të duash, punë këtej e punë andej?! Punë, punë, punë! Callcenterzeza është punë mor birbo?! Ma bëj kabull lum miku, por skllavërinë moderne apo varfërinë e stolisur nuk e konsideroj punë. Mbase po llastohem, sidomos kur mendoj mizërinë e fakirëve të nëntokës e rrafshtokës, por ma ka prishur mendjen ai qerrata karton xhepi që lexon “papunësi”?! Për dreq, se u nxitova, lexon “diplomë”.
Në fund vendosa që e vetmja mënyrë për të liruar përkohësisht këmishën e forcës së të papunit ishte t’i rikthehesha jetës së studentit. E mori e mira, më mirë student se i papunë! Të paktën s’kam damkë. Do bëj edhe dy vite të tjera shkolle. Të punoj s’më lënë se duhet eksperiencë pune për të filluar punë. Paradoks ëëë?! Thirreni Zenonin t’i japë përgjigje pyetjes se si mund të fillosh diçka (ex nihilo) duke e pasur njëkohësisht atë në të shkuarën? Si mund të jesh rishtar dhe me përvojë njëkohësisht? Po historia s’pyet për logjikë. Kështu që për t’u punësuar diku duhet të kesh mik të fortë, jo si këta të mitë që janë edhe më keq nga unë. Mik serioz, mik partie, mik biznesi, partie-biznesi, parznesi – se ku ka parti sot që s’është biznes e biznes që s’është nga pak parti.
Po për dreq kur marr fletën e regjistrimit kërkoj të ngushëllohem diku e të lexoj që kam status studenti diku – se fundja më kishte marrë malli pas gjithë këtyre muajve si gjuetar i dështuar pune -, por hiç. Diku në cep :”Klienti…” Hajde-hajde! Ku është statusi im? Të paktën deri vjet paguanim për të qenë studentë zyrtarisht. Sivjet paguajmë për të qenë klientë. Unë jam në borxh 63 mijë lekë (flas me të reja or shok se më bëhet ferr redaktori) dhe mendoja se do paguaja që të paktën të kisha status studenti. Edhe këtë ma morën!
Më thuaj ç’më duhet shkolla?! Që të jem klient?! Po ja, po e lashë do jem i papunë; po e mbarova do jem sërish i papunë. A ka ndonjë shkollë që prodhon tesera partish? Apo shkolla e jetës – thuaj?!
Që të mos jesh i papunë duhet të jesh student, por që të jesh student duhet të jesh klient. Ky është sistemi, pranoje ose luftoje: zgjidh shoku im, zgjidh shoqja ime! Ju pres këtej barrikadës.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.