Marksizmi dhe revizionizmi

/V.I. Lenin/

Një fjalë e vjetër e njohur thotë se, sikur aksiomat gjeometrike të preknin interesat e njerëzve, këta me siguri do të përpiqeshin t’i përgënjeshtronin. Teoritë e shkencave të historisë natyrore, që kanë prekur paragjykimet e vjetra të teologjisë, kanë shkaktuar dhe shkaktojnë edhe sot e kësaj dite një luftë nga më të tërbuarat. Nuk është për t’u çuditur në qoftë se doktrina e Marksit, e cila shërben drejt për së drejti për edukimin dhe organizimin e klasës së përparuar të shoqërisë së sotme, e cila tregon detyrat e kësaj klase dhe provon se rendi i sotëm do të zëvendësohet në mënyrë të pashmangshme — për shkak të zhvillimit ekonomik — me një rend të ri, nuk është për t’u çuditur që kësaj doktrine t’i jetë dashur ta çajë me luftë në çdo hap rrugën e vet të jetës.

Është e tepërt të flasim për shkencën dhe filozofinë borgjeze që përhapen zyrtarisht nga profesorët zyrtarë për ta trullosur brezin e ri të klasave të pasura dhe për ta «ndërsyer» atë kundër armiqve të jashtëm dhe të brendshëm. Kjo shkencë as që pranon të bëhet fjalë për marksizmin, duke shpallur se ky është përgënjeshtruar dhe asgjësuar; si shkencëtarët e rinj që bëjnë karrierë duke hedhur poshtë socializmin, si pleqtë e kërrusur, që ruajnë porosinë e gjithfarë «sistemeve» të vjetruara, sulmojnë Marksin me të njëjtin zell. Përparimi i marksizmit, përhapja dhe forcimi i ideve të tij në klasën punëtore, i bëjnë medoemos më të shpeshta dhe më të ashpra këto sulme të borgjezisë kundër marksizmit, i cili sa herë që «asgjësohet» nga shkenca zyrtare bëhet edhe më i fortë, më i kalitur dhe më i gjallë.

Por edhe midis doktrinave, të lidhura me luftën e klasës punëtore dhe të përhapura, sidomos midis proletariatit, marksizmi nuk i ka forcuar përnjëherësh pozitat e veta. Gjatë pesëdhjetë vjetëve të parë të ekzistencës së vet (që nga dhjetëvjetëshi 1840-1850) marksizmi ka luftuar kundër teorive që ishin thellësisht armiqësore për të. Në gjysmën e parë të dhjetëvjetëshit 1840-1850 Marksi dhe Engelsi lanë hesapet me hegelianët e rinj radikalë që mbronin pikëpamjet e idealizmit filozofik. Aty nga fundi i këtij dhjetëvjetëshi shpërthen lufta në fushën e teorive ekonomike — kundër prudonizmit. Dhjetëvjetëshi 1850-1860 e mbyll këtë luftë: kritikohen partitë dhe teoritë që u shfaqën në shtrëngatën e vitit 1848. Gjatë vjetëve 1860-1870 lufta kalon nga fusha e teorisë së përgjithshme në një fushë më të afërt dhe të lidhur drejt për së drejti me lëvizjen punëtore: dëbimi i bakunizmit nga Internacionalja. Në fillim të vjetëve 1870-1880 për një kohë të shkurtër në Gjermani del në skenë prudonisti Mylberger; — në fund të vjetëve 1870-1880 pozitivisti Dyring. Por influenca si e njërit ashtu dhe e tjetrit mbi proletariatin është krejt e parëndësishme. Tani marksizmi ka triumfuar në mënyrë të padiskutueshme mbi të gjitha ideologjitë e tjera të lëvizjes punëtore.

Në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të kaluar kjo fitore, në vijat e saja të përgjithshme, ishte arritur. Edhe në vendet romane, ku vazhduan për një kohë më të gjatë traditat e prudonizmit, partitë punëtore në fakt kishin hartuar programet dhe taktikën e tyre në bazë të marksizmit. Organizata ndërkombëtare e lëvizjes punëtore — e ripërtërirë nën trajtën e kongreseve internacionale periodike — në të gjitha çështjet themelore menjëherë dhe pothuajse pa luftë mori anën e marksizmit. Por kur marksizmi i hodhi mënjanë të gjitha teoritë armiqësore pak a shumë të plota, — ato tendenca, që ishin shprehur në këto teori, filluan të kërkonin rrugë të tjera daljeje. Ndryshuan format dhe pretekstet e luftës, por lufta vazhdoi. Edhe pesëdhjetë vjetët e dytë të ekzistencës së marksizmit filluan (që nga viti 1890) me luftën kundër një rryme armiqësore të marksizmit në gji të vetë marksizmit.

Kjo rrymë ka marrë emrin e ish-marksistit ortodoks Bernshtajn, sepse ai doli me zhurmën më të madhe dhe formuloi në mënyrën më të plotë ndreqjet që i duheshin bërë Marksit, rishikimin e marksizmit, revizionizmin. Edhe në Rusi, ku socializmi jomarksist, natyrisht, — për shkak të prapambetjes ekonomike të vendit dhe mbizotërimit të popullsisë fshatare, të shtypur nga mbeturinat e feudalizmit, — është mbajtur gjallë më gjatë se kudo, edhe në Rusi, ai po shndërrohet haptazi dhe para syve tanë në revizionizëm. Dhe në çështjen agrare (programi i municipalizimit të gjithë tokës), dhe në çështjet e përgjithshme të programit dhe të taktikës socialnarodnikët tanë po zëvendësojnë dita-ditës më tepër me «ndreqjet» që i bëjnë Marksit mbeturinat, që po vdesin dhe po zhduken, të sistemit të tyre të vjetër, i cili është konsekuent në mënyrën e vet dhe thellësisht armik i marksizmit.

Socializmi paramarksist është dërmuar. Ai tani nuk po e vazhdon më luftën në bazën e vet të pavarur, por në bazën e përgjithshme të marksizmit, si revizionizëm. Le ta shohim, pra, cila është përmbajtja ideologjike e revizionizmit.

Në fushën e filozofisë revizionizmi ka shkuar në bisht të «shkencës» profesorale borgjeze. Profesorët janë kthyer «prapa te Kanti», — dhe revizionizmi është zvarritur pas neokantistëve, profesorët përsërisnin banalitetet e thëna me mijëra herë nga priftërinjtë kundër materializmit filozofik, — dhe revizionistët, duke buzëqeshur me dashamirësi, mërmërisnin (fjalë për fjalë sipas hanbuhut[1] të fundit) se materializmi «është hedhur poshtë» prej kohësh; profesorët e trajtonin Hegelin si një «qen të ngordhur»[2] dhe, duke predikuar ata vetë idealizmin, vetëm se një idealizëm njëmijë herë më meskin dhe banal se ai i Hegelit, mblidhnin supet me përbuzje përsa i përket dialektikës, — dhe revizionistët shkonin pas tyre në moçalin e poshtërimit filozofik të shkencës, duke e zëvendësuar dialektikën «dredharake» (dhe revolucionare) rne «evolucionin e thjeshtë» (dhe të qetë); profesorët fitonin rrogën e tyre zyrtare duke i përshtatur sistemet e tyre idealiste dhe «kritike» me «filozofinë» sunduese mesjetare (d.m.th. me teologjinë), — dhe revizionistët u afroheshin atyre, duke u munduar ta bënin fenë një «çështje private» jo përsa i përket shtetit të sotëm, por përsa i përket partisë së klasës së përparuar.

Është e tepërt të flasim për kuptimin e vërtetë klasor të këtyre «ndreqjeve» që i bëheshin Marksit — kjo është e qartë vetvetiu. Ne vetëm do të vëmë në dukje se i vetmi marksist, i cili në socialdemokracinë ndërkombëtare ka kritikuar, duke u nisur nga pikëpamja e materializmit dialektik konsekuent, ato banalitete të pabesueshme që kanë nxjerrë nga goja këtu revizionistët, ka qenë Plehanovi. Kjo duhet theksuar me forcë edhe më të madhe sot, kur po bëhen orvatje thellësisht të gabuara për të paraqitur fundërrinat e vjetra dhe reaksionare filozofike nën flamurin e kritikës së oportunizmit taktik të Plehanovit[3].

Duke kaluar në ekonominë politike duhet vënë në dukje, para së gjithash, se në këtë fushë «ndreqjet» e revizionistëve kanë qenë shumë më të ndryshme dhe të plota; ata janë munduar të ndikojnë mbi publikun me «të dhënat e reja të zhvillimit ekonomik». Ata thoshin se në fushën e bujqësisë nuk është aspak e vërtetë se prodhimi i madh përqendrohet dhe eliminon prodhimin e vogël, kurse në fushën e tregtisë dhe të industrisë kjo bëhet shumë me ngadalë. Ata thoshin se tani krizat janë bërë më të rralla, më të dobëta, se ka të ngjarë që kartelet dhe trustet do t’i japin mundësinë kapitalit që t’i zhdukë fare krizat. Ata thoshin se «teoria e mentimit», drejt të cilit po shkon kapitalizmi, është e pathemeltë për shkak se kontradiktat e klasës kanë tendencë të zbuten dhe të dobësohen. Ata thoshin, më në fund, se nuk do të ishte keq që edhe teoria e vlerës e Marksit të ndreqej sipas Bjom-Baverkut[4].

Lufta kundër revizionistëve në lidhje me këto çështje vlejti për ta gjallëruar mendimin teorik të socializmit ndërkombëtar po aq, sa edhe polemika e Engelsit me Dyringun njëzet vjet më parë. Argumentet e revizionistëve analizoheshin me fakte e me shifra në dorë. U provua se revizionistët e zbukurojnë në mënyrë sistematike prodhimin e vogël të sotëm. Të dhëna të padiskutueshme .provojnë faktin e epërsisë teknike dhe tregtare të prodhimit të madh mbi prodhimin e vogël jo vetëm në industri, por edhe në bujqësi. Por në bujqësi prodhimi i mallrave është shumë më pak i zhvilluar dhe specialistë e statistikave dhe ekonomistët e sotëm, zakonisht, nuk dinë mirë t’i dallojnë ato degë të posaçme (disa herë, bile, ato operacione) të bujqësisë që dëshmojnë se bujqësia po futet dita-ditës më tepër në sferën e këmbimit të ekonomisë botërore. Prodhimi i vogël mbahet më këmbë mbi gërmadhat e ekonomisë natyrale me anë të keqësimit gjithnjë më të madh të ushqimit, me anë të urisë kronike, të zgjatjes së ditës së punës, të keqësimit të cilësisë së gjësë së gjallë dhe të mirëmbajtjes së saj, me një fjalë, po me ato mjete me të cilat është mbajtur më këmbë edhe prodhimi zejtar kundër manifakturës kapitaliste. Çdo hap që bën përpara shkenca dhe teknika minon në mënyrë të pashmangshme dhe të pamëshirshme bazat e prodhimit të vogël në shoqërinë kapitaliste, dhe detyra e ekonomisë socialiste është ta analizojë këtë proces në të gjitha format e tij, të cilat shumë herë janë të ndërlikuara dhe të ngatërruara, — t’i provojë prodhuesit të vogël se është e pamundur të mbahet në këmbë në kushtet e kapitalizmit, se ekonomia fshatare në kapitalizëm nuk ka rrugëdalje, se fshatari duhet të hidhet në pikëpamjen e proletarit. Revizionistët në lidhje me këtë çështje kanë gabuar nga pikëpamja shkencore, duke bërë një përgjithësim të përciptë të fakteve të marra në mënyrë të njëanshme, jashtë lidhjes së tyre me gjithë rendin e kapitalizmit dhe nga pikëpamja politike ata kanë gabuar, sepse në mënyrë të pashmangshme, me dashje ose pa dashje, i kanë bërë thirrje fshatarit, ose e kanë shtyrë fshatarin që të përqafojë pikëpamjen e pronarit (d.m.th. pikëpamjen e borgjezisë) në vend që ta shtynin atë të përqafonte pikëpamjen e proletarit revolucionar.

Përsa i përket teorisë së krizave dhe teorisë së falimentimit revizionizmi i kishte punët edhe më keq. Vetëm për një kohë shumë të shkurtër dhe vetëm njerëzit më dritëshkurtër mund të mendonin për një ripunim të bazave të teorisë së Marksit nën ndikimin e disa vjetëve vrulli dhe lulëzimi industrial. Realiteti ua provoi shumë shpejt revizionistëve se koha krizave nuk kishte kaluar: pas lulëzimit erdhi kriza. Ndryshuan format, rendi, tabloja e krizave të ndryshme, por krizat mbetën si pjesë përbërëse e pashmangshme e rendit kapitalist. Kartelet dhe trustet, duke bashkuar prodhimin, në të njëjtën kohë, para syve të të gjithëve shtonin anarkinë në prodhim, pasigurinë e proletariatit për ditën e nesërme dhe shtypjen kapitalit, duke i acaruar kështu në mënyrë të pashembullt kontradiktat e klasave. Që kapitalizmi po shkon drejt falimentimit — si në kuptimin e krizave të veçanta politike dhe ekonomike ashtu edhe në kuptimin e shkatërrimit të plotë të gjithë rendit kapitalist, — këtë e treguan në mënyrë veçanërisht të qartë, dhe në përpjesëtime veçanërisht të gjera, pikërisht trustet gjigante moderne. Kriza e fundit financiare në Amerikë, acarimi i tmerrshëm i papunësisë në gjithë Evropën, pa folur pastaj për krizën e afërt industriale, të cilën e paralajmërojnë shenja të shumta, — të gjitha këto bënë që «teoritë» e djeshme të revizionistëve të harrohen nga të gjithë, dhe, me sa duket, edhe nga shumë revizionistë vetë. Vetëm nuk duhen harruar mësimet që kjo paqëndrueshmëri intelektuale i ka dhënë klasës punëtore.

Në lidhje me teorinë e vlerës mjafton vetëm të themi se, përveç aluzioneve dhe psherëtimave, mjaft të errëta, à la Bjom-Baverk, revizionistët nuk kanë dhënë absolutisht asgjë dhe prandaj nuk kanë lënë asnjë gjurmë në zhvillimin e mendimit shkencor.

Në fushën e politikës revizionizmi është orvatur të rishikojë me të vërtetë bazën e marksizmit, pikërisht: teorinë mbi luftën e klasave. Liria politike, demokracia, e drejta e votimit të përgjithshëm e asgjësojnë terrenin për luftën e klasave, — na thoshin ata, — dhe e përgënjeshtrojnë tezën e vjetër të «Manifestit komunist»: punëtorët nuk kanë atdhe. Në demokraci, derisa sundon «vullneti i shumicës», nuk mund gjoja as të konsiderohet shteti si një organ i sundimit të klasës, as të hiqet dorë nga aleanca me borgjezinë përparimtare, socialreformiste kundër reaksionarëve.

Është e padiskutueshme se këto vërejtje të revizionistëve përbënin një sistem mjaft të plotë pikëpamjesh, — pikërisht: një sistem pikëpamjesh borgjeze liberale, të njohura prej kohësh. Liberalët kanë thënë gjithmonë se parlamentarizmi borgjez i zhduk klasat dhe ndarjen në klasa derisa gjithë qytetarët, pa dallim, gëzojnë të drejtën e votës, të drejtën të marrin pjesë në punët e shtetit. Gjithë historia e Evropës në gjysmën e dytë të shekullit XIX, gjithë historia e revolucionit rus në fillim të shekullit XX tregojnë në mënyrën më të qartë se sa absurde janë këto pikëpamje. Në kushtet e lirisë të kapitalizmit «demokratik» dallimet ekonomike nuk pakësohen, por shtohen dhe acarohen. Parlamentarizmi nuk e zhduk, por e nxjerr në shesh thelbin e republikave borgjeze më demokratike si organe të shtypjes së klasës. Duke ndihmuar të edukohen dhe të organizohen masa shumë më të gjera të popullsisë se ato që merrnin më parë pjesë aktive në ngjarjet politike, parlamentarizmi përgatit në këtë mënyrë jo zhdukjen e krizave dhe të revolucioneve politike, por një acarim edhe më të madh të luftës civile gjatë këtyre revolucioneve. Ngjarjet e Parisit në pranverën e vitit 1871 dhe ngjarjet e Rusisë në dimrin e vitit 1905 e treguan në mënyrën më të qartë se si ky acarim vjen në mënyrë të pashmangshme. Borgjezia franceze, pa ngurruar asnjë sekondë, hyri në kompromis me armikun e gjithë kombit, me trupat e huaja që kishin shkatërruar atdheun e saj, me qëllim që ta shtypte lëvizjen proletare. Kush nuk e kupton dialektikën e brendshme të pashmangshme të parlamentarizmit dhe demokratizmit borgjez, që çon në një zgjidhje edhe më të ashpër se në të kaluarën të konfliktit me anë të dhunës në masë, — ai nuk do të jetë kurrë në gjendje të zhvillojë mbi bazën e këtij parlamentarizmi një propagandë dhe agjitacion parimisht të drejtë, i cili t’i përgatisë me të vërtetë masat punëtore për të marrë pjesë me sukses në këto «konflikte». Eksperienca e aleancave, e marrëveshjeve dhe e blloqeve me liberalizmin socialreformist në Perëndim, me reformizmin liberal (kadetët) në revolucionin rus tregoi në mënyrë bindëse se këto marrëveshje nuk bëjnë tjetër veçse vënë në gjumë ndërgjegjen e masave, nuk e përforcojnë, por e dobësojnë rëndësinë e vërtetë të luftës së tyre, duke i lidhur luftuesit me elementët që janë më pak se kushdo të aftë për luftë, që janë më të lëkundshëm dhe tradhtarë. Mileranizmi francez — eksperimenti më i madh i zbatimit të taktikës politike revizioniste në përpjesëtime të gjera, me të vërtetë kombëtare, — na ka dhënë një vlerësim të tillë praktik të revizionizmit, të cilin proletariati i gjithë botës nuk ka për ta harruar kurrë.

Plotësim natyral i tendencave ekonomike dhe politike të revizionizmit ka qenë qëndrimi i tij ndaj qëllimit të fundit të lëvizjes socialiste. «Qëllimi i fundit s’është asgjë, lëvizja është gjithçka», kjo fjalëz e bujshme e Bernshtajnit shpreh thelbin e revizionizmit më mirë se shumë arsyetime të gjata. Të përcaktojë herë pa s here qëndrimin e vet, t’u përshtatet ngjarjeve të ditës, kthesave të shkaktuara nga ngjarje të vogla politike, të harrojë interesat jetësore të proletariatit dhe tiparet themelore të gjithë rendit kapitalist, të gjithë evolucionit kapitalist, t’i bëjë fli këto interesa jetësore për hir të përfitimeve reale ose të supozuara të çastit, — kjo është politika revizioniste. Dhe nga vetë thelbi i kësaj politike del në mënyrë të qartë se ajo mund të marrë forma pa mbarim të ndryshme dhe se çdo çështje, pak a shumë «e re», çdo kthesë e ngjarjeve, pak a shumë e papritur dhe e paparashikuar, edhe në qoftë se kjo kthesë e ndryshon vijën themelore të zhvillimit vetëm në një masë fare të vogël dhe për një kohë fare të shkurtër, — patjetër do të bëhen gjithmonë shkak për lindjen e këtij apo atij varieteti të revizionizmit.

Pashmangësia e revizionizmit përcaktohet nga rrënjët e tij të klasës në shoqërinë e sotme. Revizionizmi është një fenomen internacional. Për çdo socialist pak a shumë të arsyeshëm dhe që di të mendojë nuk mund të ketë asnjë dyshim rreth faktit se raportet midis ortodoksëve dhe bernshtajnistëve në Gjermani, midis gedistëve dhe zhoresistëve (tani, sidomos brusistëve) në Francë, Federatës Socialdemokrate dhe Partisë Punëtore të Pavarur në Angli, Brukerit dhe Vanderveldes në Belgjikë, integralistëve dhe reformistëve në Itali, bolshevikëve dhe menshevikëve në Rusi, në thelbin e vet janë kudo të njëllojta, megjithëse kushtet kombëtare dhe faktorët historikë në gjendjen e sotme të të gjitha këtyre vendeve ndryshojnë jashtëzakonisht shumë midis tyre. «Ndarja» në gjirin e socializmit të sotëm ndërkombëtar po ndjek tani, në thelb, një vijë të vetme në vendet e ndryshme të botës: duke treguar në këtë mënyrë hapin e madh që është bërë përpara në krahasim me gjendjen 30-40 vjet më parë, kur në vendet e ndryshme në gjirin e socializmit ndërkombëtar unik luftonin tendenca të ndryshme. Edhe ai «revizionizëm nga e majta», i cili është shfaqur tani në vendet romane si «sindikalizëm revolucionar»[5], po i përshtatet gjithashtu marksizmit, «duke e ndrequr» atë: Labriola në Itali, Lagardeli në Francë thonë vazhdimisht se Marksi është kuptuar keq dhe se ai duhet kuptuar drejt.

Ne nuk kemi mundësi të ndalemi këtu për të analizuar përmbajtjen ideologjike të këtij revizionizmi, i cili ende nuk është zhvilluar aq shumë sa revizionizmi oportunist, nuk është internacionalizuar, në asnjë vend nuk ka rënë praktikisht në ndonjë përleshje të rëndësishme me partinë socialiste. Prandaj do të kufizohemi me «revizionizmin nga e djathta» që kemi përshkruar më sipër.

Ku qëndron pashmangësia e tij në shoqërinë kapitaliste? Pse ai është më i thellë se ndryshimet që ekzistojnë në veçoritë kombëtare dhe në shkallët e zhvillimit të kapitalizmit? Sepse në çdo vend kapitalist, krahas proletariatit, qëndrojnë gjithnjë shtresa të gjera të borgjezisë së vogël, të pronarëve të vegjël. Kapitalizmi ka lindur dhe lind vazhdimisht nga prodhimi i vogël. Një varg i tërë «shtresash të mesme», patjetër, krijohet përsëri nga kapitalizmi (shtojca të fabrikës, punë në shtëpi, ofiçina të vogla, të shpërndara në gjithë vendin për të plotësuar nevojat e industrisë së madhe, për shembull, të industrisë së biçikletave dhe të automobilave, etj.). Këta prodhues të vegjël të rinj flaken gjithashtu në mënyrë të pashmangshme përsëri në radhët e proletariatit. Është krejt e natyrshme që botëkuptimi mikroborgjez të depërtojë përsëri dhe vazhdimisht në radhët e partive të mëdha punëtore. Është krejt e natyrshme që të jetë kështu dhe kështu do të jetë gjithnjë deri në peripecitë e revolucionit proletar, sepse do të ishte një gabim i rëndë të mendohej se për ta bërë këtë revolucion është i domosdoshëm proletarizimi «i plotë» i shumicës së popullsisë. Ajo që po kalojmë tani shpesh vetëm në fushën ideologjike: diskutime kundër ndreqjeve teorike të Marksit, — ajo që tani shfaqet praktikisht vetëm në lidhje me disa çështje të veçanta të lëvizjes punëtore, siç janë divergjencat taktike me revizionistët dhe përçarjet që lindin mbi këtë bazë, — të gjitha këto klasa punëtore do t’i kalojë patjetër në përpjesëtime shumë më të mëdha, kur revolucioni proletar do t’i ashpërsojë të gjitha çështjet në diskutim, do t’i përqendrojë të gjitha divergjencat rreth pikave që kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për të përcaktuar qëndrimin e masave, do të na detyrojë të ndajmë në zjarrin e luftës armiqtë nga miqtë, t’i flakim aleatët e këqij për t’i dhënë grushte vendimtare armikut.

Lufta ideologjike e marksizmit revolucionar kundër revizionizmit në fund të shekullit XIX nuk është veçse pragu i betejave të mëdha revolucionare të proletariatit, i cili po marshon përpara, drejt fitores së plotë të çështjes së tij në kundërshtim me të gjitha lëkundjet dhe dobësitë e borgjezisë së vogël.

Shkruar jo më vonë se 3(16) prill 1908

Botuar në vitin 1908 në përmbledhjen «Karl Marks»

Nënshkruar: V. I. Ilin

Marrë nga: V.I. Lenin, Vepra të Zgjedhura, Vëllimi I, f. 46-54. Tiranë, 1977

Shënime:

[1] – manualit . Red.

[2] Lenini citon fjalët e marra nga pasthënja e K. Marksit për botimin e dytë të vëllimit të parë të «Kapitalit » (shih K. Marks «Kapitali», bot. shqip, vëll. I, libri 1, f. 32).

[3] Shih librin «Shënime rreth filozofisë së marksizmit» të Bogdanovit, Bazarovit etj. Këtu nuk është vendi për ta analizuar këtë liber dhe tani për tani duhet të kufizohem të them se për së shpejti do të tregoj në një varg artikujsh ose në një broshurë të veçantë se të gjitha sa janë thënë në tekst për revizionistët neokantianë vlejnë, në të vërtetë, edhe për këta revizionistë «të rinj» neohjumistë dhe neoberklistë. (Shih Materializmi dhe empiriokriticizmi, bot. shqip. Red. Përkth.)

[4]  Bjom-Baverk, E. — ekonomist borgjez austriak.

[5] «Sindikalizmi revolucionar» — rrymë gjysmanarkiste mikroborgjeze, që lindi në lëvizjen punëtore të një vargu vendesh të Evropës Perëndimore në fund të shekullit XIX. Sindikalistët mohonin domosdoshmërinë e luftës politike të klasës punëtore, rolin udhëheqës të partisë dhe diktaturën e proletariatit. Ata mendonin se bashkimet profesionale (sindikatat), duke organizuar grevën e përgjithshme të punëtorëve, mund ta përmbysnin kapitalizmin pa revolucion dhe ta merrnin drejtimin e prodhimit në duart e veta.

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.