Përballja me vdekjen: a na shërben në jetë?

/Warren Ward/

Pavarësisht përparimeve në mjekësi, miku im Xhejson ka thumbuar me mprehtësi: ‘Shkalla e vdekshmërisë ka mbetur konstante – një për çdo person’.

Xhejsoni dhe unë kemi studiuar bashkë mjekësi në vitet 1980. Bashkë me këdo tjetër në kursin tonë, ne harxhuam gjashtë vite të gjata duke memorizuar gjithçka që mund të shkonte keq me trupin e njeriut. Punuam me kujdes me një tekst të quajtur “Bazat patologjike të sëmundjeve” që përshkruante, me hollësi, çdo sëmundje që mund t’i ndodhte qenies njerëzore. Nuk përbën çudi që studentët e mjekësisë bëhen hipokondriakalë[i], duke i atribuuar shkaqe ogurzeza çdo kokrre, gunge apo njolle që shfaqet në trupin e tyre.

Vërejtja e përsëritur shpesh e Xhejsonit më sillte ndërmend se vdekja (dhe sëmundja) janë aspekte të pashmangshme të jetës. Megjithatë, ndonjëherë duket sikur ne në Perëndim e kemi mohuar në mënyrë të gënjeshtërt këtë fakt. Ne shpenzojmë miliarda për zgjatjen e jetës, gjithnjë e më të kushtueshme, me ndërhyrje kirurgjikale dhe mjekësore, shumica e të cilave realizohen në vitet e fundit të moshës së thyer. Nga një perspektivë e përgjithshme, kjo duket si shpenzim i kotë parash, përndryshe të dobishme për sistemin shëndetësor.   

Mos më keqkuptoni! Nëse goditem nga kanceri, sëmundjet e zemrës ose ndonjë nga sëmundjet e panumërta kërcënuese për jetën që kam mësuar në mjekësi, unë i dua të gjitha trajtimet e kota dhe të shtrenjta që mund të më bëhen. Unë e vlerësoj jetën time. Në të vërtetë, si shumëkush, unë e vlerësoj të qenit gjallë përmbi çdo gjë tjetër. Mirëpo, sërish si shumëkush, prirem të mos e vlerësoj jetën time derisa të përballem me mundësinë e afërt të humbjes së jetës. 

Një tjetër mik i vjetër i imi, Rozi, studionte filozofi në kohën që unë studioja mjekësi. Asokohe ai shkroi një ese të quajtur ‘Vdekje mësuesit’ që pati një ndikim të thellë tek unë. Në të argumentohej se mënyra më e mirë për të vlerësuar jetën do të ishte të pasurit gjithmonë parasysh pashmangshmërinë e vdekjes.

Kur infermierja australiane e kujdesit ndaj dhimbjes, Bronnie Ware-i, intervistoi shumë pacientë në 12 javët e fundit të jetës së tyre, ajo i pyeti për pendesat e tyre më të mëdha. Më të shpeshtat, të botuara në librin “Pesë pendesat më të mëdha të vdekjes” (2011), ishin:

Do të doja të kisha kurajën të jetoja një jetë të vërtetë karshi vetes dhe jo jetën që të tjerët prisnin prej meje;

Do të doja të mos kisha punuar kaq shumë;

Do të doja të kisha kurajën të shprehja ndjenjat e mia;

Do të doja të kisha mbajtur kontakte me miqtë e mi;

Dhe do të doja ta kisha lejuar veten të isha më i lumtur.

Marrëdhënia midis ndërgjegjësimit për vdekjen dhe realizimit të një jete të përmbushur ishte një problem qendror i filozofit gjerman Martin Heidegger, puna e të cilit frymëzoi Jean-Paul Sartre-in dhe mendimtarët e tjerë ekzistencialistë. Heidegger-i pikëllohej që shumë njerëz e harxhonin jetën duke iu bashkuar ‘tufës’ në vend se të ishin të vërtetë me veten e tyre. Por në të vërtetë  Heidegger-i nuk ia doli të jetonte sipas idealeve të tij; më 1933 ai iu bashkua Partisë Naziste, duke shpresuar se kjo do ta ndihmonte në përparimin në karrierë.  

Pavarësisht këtyre të metave si njeri, idetë e Heidegger-it do të ndikonin një gamë të gjerë filozofësh, artistësh, teologësh dhe mendimtarësh të tjerë. Heidegger-i besonte se nocioni aristotelian i qenies – që kishte përshkuar filozofinë perëndimore për më tepër se 2000 vite dhe kishte qenë i dobishëm në zhvillimin e mendimit shkencor – ishte i çalë në një nivel fundamental. Ndërsa Aristoteli e shihte të gjithë ekzistencën, përfshirë edhe qeniet njerëzore, si gjëra që ne mund t’i klasifikojmë dhe shqyrtojmë për të rritur njohjen e botës, te “Qenia dhe koha” (1927) Heidegger-i argumentonte se përpara se të fillojmë të  klasifikojmë qenien, në fillim ne duhet të shtrojmë pyetjen: ‘Nga kush dhe si po shtrohet kjo çështje?’

Heidegger-i vinte në pah se ne që shtrojmë çështjen e qenies jemi cilësisht të ndryshëm nga pjesa tjetër e ekzistencës: shkëmbinjtë, oqeanet, pemët, zogjtë dhe insektet për të cilat mendojmë. Ai shpiku një fjalë të veçantë për këtë qenie që shtron pyetje, vëzhgon dhe interesohet. E quajti Dasein, që përafërsisht përkthehet si “të qenit atje; ose vendi i Qenies[ii]”. Ai rroku termin Dasein sepse besonte se ne jemi bërë imunë ndaj fjalëve të tilla si ‘person’, ‘njeri’ dhe ‘qenie njerëzore’, duke humbur kështu ndjesinë e habisë për vetë ndërgjegjen tonë.

Filozofia e Heidegger-it sot mbetet tërheqëse për shumëkënd që shikon se si shkenca e ka të vështirë të shpjegojë përvojën e të qenit person i kujdesur dhe i moralshëm, i vetëdijshëm se jetës së tij të bukur, misterioze dhe të vyer, një ditë, do t’i vijë fundi. Sipas Heidegger-it, kjo vetëdije për shuarjen tonë të pashmangshme na bën, ndryshe nga shkëmbinjtë dhe pemët, të etur për ta bërë jetën të vyer, për t’i dhënë asaj kuptim, qëllim dhe dobi.

Ndërsa shkenca mjekësore perëndimore, e cila mbështetet në mendimin aristotelian, e shikon trupin e njeriut si gjësend material, që mund të njihet duke e shqyrtuar dhe copëtuar atë në pjesët përbërëse si çdo lloj lënde tjetër, ontologjia e Heidegger-it e vendos përvojën njerëzore në qendër të njohjes tonë të botës.

Dhjetë vite më parë unë u diagnostikova me melanomë. Si doktor, e dija se sa agresiv dhe fatal mund të ishte ky lloj kanceri. Fatmirësisht për mua, operacioni duket se pati sukses (luaj vendit!). Por unë isha me fat edhe në një kuptim tjetër. U vetëdijesova, si kurrë më parë, se do të vdisja – nëse jo prej melanomës, atëherë në fund nga diçka tjetër. Qysh atëherë kam qenë më i lumtur. Për mua, ky kuptim, ky pranim, kjo vetëdije që do të vdes janë po aq të rëndësishme për mirëqenien time sa përparimet në mjekësi, pasi më kujtojnë se duhet ta jetoj plotësisht jetën time çdo ditë. Unë nuk dua të përjetoj pendesën që ndeshi më shpesh Ware-i: të mosjetuarit ‘të një jete të vërtetë karshi vetes’.   

Shumica e traditave filozofike të Lindjes e vlerësojnë rëndësinë e vetëdijes për vdekjen për një jetë të jetuar mirë. “Libri tibetian i të vdekurve”, për shembull, është një tekst qendror në kulturën tibetiane. Tibetianët harxhojnë shumë kohë duke jetuar me vdekjen, nëse kjo nuk është një oksimoron.

Filozofi më i madh i Lindjes Siddhartha Gautama, i njohur si Buda, e kuptoi rëndësinë e pasjes parasysh të fundit. Ai e evidentoi dëshirën si shkakun e të gjitha vuajtjeve dhe na këshilloi të mos kapemi shumë pas kënaqësive të botës, por përkundrazi të fokusohemi në gjëra më të rëndësishme, të tilla si dashuria për të tjerët, qetësia e mendjes dhe shijimi i momentit.

E fundit fjalë që Buda u tha ndjekësve të tij ishte: ‘Shkatërrimi është i natyrshëm në të gjitha gjërat. Punoni me kujdes për shpëtimin tuaj!’ Si doktor, kujtohem përditë për brishtësinë e trupit të njeriut, se sa pranë është vdekja. Megjithatë, si psikiatër dhe psikoterapist kujtohem se sa e zbrazët mund të jetë jeta nëse nuk kemi një ndjenjë kuptimi apo qëllimi. Vetëdijesimi për vdekjen, për fundshmërinë tonë të çmuar, mundet, paradoksalisht, të na shtyjë të kërkojmë – dhe, nëse është e nevojshme, të krijojmë – kuptimin që kaq shumë e duam.

E përktheu Jani Marka

Marrë nga revista Aeon

Imazhi:  Johann Rudolf Feyerabend “Dance with Death” 


[i] Çrregullim ankthi për shëndetin. Një person i tillë shqetësohet dhe përjeton ankth se është apo mund të jetë i sëmurë rëndë. – Shënim i përkthyesit.

[ii] Këtë shqipërim të dytë e kam marrë nga libri: Martin Hajdeger – Leksione dhe konferenca. Plejad, 2012. – Shënim i përkthyesit.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.