Kritikë e Carl Schmitt-it

/György Lukács/

“Shkatërrimi i arsyes” është shkruar nga një prej filozofëve (dhe teoricienëve të letërsisë) më të rëndësishëm dhe kundërthënës të shekullit XX, që e nisi karrierën e tij intelektuale si jomarksist, rrugës u shndërrua në një prej shtyllave të atij që mund të quhet “marksizmi heterodoks”, me botimin më 1923 të “Historisë dhe ndërgjegjes klasore”, vepër që pat ndikuar edhe Martin Heidegger-in në “Qenia dhe koha” (1927), por që më vonë iu nënshtrua dogmatizmit stalinist dhe në fund u bë ministër në qeverinë revolucionare antisovjetike të Imre Nagit; ndonëse, ndryshe nga ky i fundit, i shpëtoi ekzekutimit pas shtypjes së Revolucionit Hungarez. “Shkatërrimi i arsyes”, i përfunduar më 1952, pak muaj përpara vdekjes së Stalinit, konsiderohet si një nga veprat dogmatike të György Lukács-it, sidomos po t’u referohemi kritikave të ashpra të Theodor Adorno-s apo Maurice Merleau-Ponty-t. Në të Lukács-i fut në një thes të madh iracionalizmi rryma të ndryshme të filozofisë idealiste posthegeliane – nga neokantizmi, Nietzsche-ja, vitalizmi, ekzistencializmi etj., të gjitha përgjegjëse, me ose pa vetëdije, drejtpërdrejt ose tërthorazi, për shtrimin e udhës teorike dhe ideologjike të fashizmit. Të gjitha këto rryma i bashkon revolta ndaj arsyes, progresit dhe konceptimit dialektik të historisë, si dhe një pesimizëm i thellë për kapacitetin njerëzor për emancipim.

Sidoqoftë, ide të caktuara të “Shkatërrimit të arsyes” kanë nisur të rehabilitohen pjesërisht gjatë viteve të fundit. Fashizmi dhe nazizmi nuk lindën nga hiçi, por u mbështetën në një trashëgimi teorike që përçmonte arsyen dhe i jepte hov veprimit të pandërmjetësuar nga mendimi kritik. Në ditët e sotme, kur iracionalizmi ka fituar një jetë të dytë – siç duket nga ndikimi në rritje i teorive konspirative, përçmimi i shkencës, relativizimi i pacak i të vërtetës dhe urrejtja patologjike ndaj të ndryshmit – disa prej mendimeve të Lukács-it të 1952 mund të na shërbejnë për të kuptuar dhe kritikuar më mirë situatën.

Pjesa e mëposhtme përqendrohet në kritikën ndaj një prej figurave më të rëndësishme të së djathtës reaksionare (i përlyer me nazizmin) si Carl Schmitt-i, i cili ende konsiderohet si një prej teoricienëve më origjinalë të filozofisë së ligjit. Paradoksalisht në rehabilitimin e Schmitt-it ka luajtur rol edhe një pjesë e së majtës postmoderne; kujtojmë këtu teoricienë si Chantal Mouffe, Ernesto Laclau, Giorgio Agamben etj.

***

[…] Schmitt-i ishte jurist, më saktë filozof dhe sociolog i ligjit. Si i tillë, vepra e tij nisi me zgjerimin e ideve programore të shkencës (shoqërore) humanistike të Dilthey-t dhe sociologjisë së Max Weber-it. Ai përdori “neutralitetin” e Max Weber-it për të luftuar nocionin e shkakësisë shoqërore dhe, si Weber-i, e përdori si armë kundër materializmit historik. “Nuk ka rëndësi nëse lënda ideale e abstraksionit radikal është reflektimi i një realiteti sociologjik apo realiteti shoqëror shihet si rezultat i një mënyre të caktuar mendimi e, për pasojë, edhe veprimi.” Detyra e sociologjisë është e kufizuar – besonte ai – në zbulimin e paraleleve, analogjive e të tjerave si këto midis formave të ndryshme shoqërore dhe ideologjike. Prirjet bazike reaksionare të Schmitt-it ngaherë kanë qenë të lidhura ngushtë dhe në mënyrë eksplicite me vitalizmin dhe ekzistencializmin, por konceptimi i tij ka pasur nuanca të veçanta që prej fillimit.

Duhet të theksojmë mbi të gjitha çka Schmitt-i hidhte poshtë si ideologji të “restaurimit”. Në lidhje me këtë, ai e përbuzte glorifikimin, në modë asokohe, të mendimtarëve romantikë; në veçanti përqeshte një personazh që vlerësohej shumë nga Spann-i me shokë, Adam Muller-in. Schmitt-i shkroi një libër mbi “romantizmin politik” për të provuar cekëtinë e kësaj qasjeje. Në sytë e tij romantizmi ishte “thjesht hapi i ndërmjetëm i sferës estetike midis moralizmit të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe ekonomizmit të të nëntëmbëdhjetit.” Pikënisja e kësaj polemike qëndronte në atë se bërthama reaksionare e mendimit romantik, sipas Schmitt-it, ishte e dalë boje dhe se në të tashmen nevojitej një ideologji reaksionare e re. Sjellja e tij haptazi parafashiste duket që në faktin se ai hidhte poshtë çdo formë të dalë boje dhe të vjetruar reaksioni, si dhe ishte i interesuar vetëm në ndërtimin e një ideologjie reaksionare që i përshtatej kohës. Prandaj zbuloi rëndësinë “për historinë e mendjes” të reaksionarit spanjoll të messhekullit të nëntëmbëdhjetë, Donoso Cortes. Cortes-i ishte i rëndësishëm sepse ishte shkëputur nga ideologjia e “restaurimit” dhe kishte kuptuar se përderisa nuk kishte më mbretër, nuk mund të kishte as legjitimitet në kuptimin tradicional. Prandaj ai kërkonte haptazi vendosjen e një diktature për t’iu kundërvënë forcave revolucionare. Schmitt-i e citonte me admirim qëndrimin e Cortes-it, sipas të cilit borgjezia ishte një “klasë debatuese”. E vetmja kritikë ndaj të preferuarit të tij ishte se Cortes-i merrte si shënjestër të kritikës së tij Proudhon-in, ndonëse elementë të ideve të tij të mëvonshme mbi konfederatizmin gjendeshin te ky i fundit, dhe nuk arriti të kuptonte se armiku i vërtetë ishte Marksi.  

Në të njëjtën kohë Schmitt-i i hyri një polemike të fortë me jurisprudencën neokantiane dhe idenë e saj bazike të normës, e cila e shndërronte krejt shtetin në një rrjet marrëdhëniesh të përcipta formale dhe e konsideronte shtetin thjesht si një lloj “pike llogaritëse”. Ja ç’shkruante kundër neokantizmit në filozofinë e ligjit: “Të gjitha idetë e rëndësishme të sferës intelektuale njerëzore janë ekzistenciale dhe jo normative.” Në filozofinë e ligjit neokantizmi shpërfill ‘të vërtetën e thjeshtë jurisprudenciale se norma mund të zbatohet vetëm në situata normale dhe normaliteti hipotetik i situatës është një komponent statutor i ‘vlefshmërisë’ së saj.” Këtu kemi të bëjmë me një shtrirje të konceptit të Max Weber-it mbi pushtetin, nga njëra anë, dhe një kritikë të konceptit “metajuridik” të Jellinek-ut dhe Kelsen-it, nga ana tjetër. Në këtë pikë Schmitt-i po orvatej të njihte si problemin real e autentik të filozofisë së ligjit pikërisht çka neokantianët e kishin fshirë nga fushëstudimi i tyre: domethënë, përmes ç’pushteti vendoset dhe revokohet drejtësia. Këtu kishte plotësisht të drejtë kundër neokantizmit liberal, ashtu siç ka pasur nganjëherë në polemikat e tij të mprehta kundër sociologjisë liberale. Nga pikëpamja e një diktature demagogjike të kapitalizmit monopolist, ndodhte shpesh që ai të shihte qartë dogmatizmin e pambështetur që maskohej si epistemologji strikte, përmes të cilit neokantizmi e konvertonte drejtësinë në një fushë autonome dhe vetëlegjitimuese, sipas modelit të epistemologjisë ose estetikës së tij. Shkëputja neokantiane e vlefshmërisë së “formave simbolike” nga procesi i lindjes shoqërore të tyre ishte gjithashtu e pambështetur në planet epistemologjike dhe estetike. Po vërtet e pagjasë ishte bërja dogmatike e analogjive midis vlefshmërisë së rregullave ligjore dhe kësaj fushe, përderisa ato zbatohen gjithmonë në një mënyrë konkrete e të përcaktuar shoqërisht. Që dy plus dy bëjnë katër është një e vërtetë e pavarur nga ndërgjegjja. Por burgosja me pesë apo dhjetë vjet për një krim apo një tjetër nuk varet nga substanca e brendshme e rregullës ligjore. Kjo varet nga fakti nëse autoriteti politik kompetent ka vendosur kështu apo ashtu; por karakteri, përbërja etj. e këtij autoriteti janë paracaktuar nga faktorë politiko-shoqërore dhe mbramësisht ekonomikë.

I njëjti dallim vlen edhe për revokimin e vlefshmërisë: nga njëra anë, si provë e papajtueshmërisë me një realitet që ekziston i pavarur nga ndërgjegjja, nga ana tjetër si ligj korrektues, amendament etj. Përderisa neokantianët e kanë shkëputur “vlefshmërinë” e rregullit ligjor nga të gjitha çështjet shoqërore (sociologji dhe jurisprudencë, qenia dhe zotësia në gjuhën e Kelsen-it), ato mund të jenë në rastin më të mirë interpretime imanente të rregullave ligjore që zbatohen në çdo rast, por asnjëherë një shpjegim shkencor i përmbajtjes, origjinës dhe përfundimit të tyre. Konceptimi “metajuridik” i Jellinek-ut qëndron pikërisht këtu. Schmitt-i ka të drejtë kur citon me ironi vërejtjet e Anschutz-it mbi kushtin pa buxhet si një “boshllëk brenda ligjit”: “këtu merr fund ligji kushtetues”. Po ashtu ka të drejtë ta vërë theksin kryesor mbi vazhdimësinë reale të jetës politiko-shoqërore dhe ta trajtojë drejtësinë formale thjesht si pjesë të saj.

Për shkak të këtyre arsyeve metodologjike, ai u përqendrua në analizën e përjashtimeve juridike. Sipas tij, është e natyrshme që “shteti të jetë i qëndrueshëm, kurse drejtësia të tërhiqet”; “prapëseprapë mbetet një rend në kuptimin juridik, edhe në mungesë të ligjit dhe rendit publik”. Duke hulumtuar këtë unitet – për momentin, pavarësisht motiveve – ai shkoi mjaft përtej liberalizmit të neokantianëve. “Rasti i jashtëzakonshëm është më interesant se normali… tek e jashtëzakonshmja forca e jetës reale depërton koren e një mekanizmi të ngurtësuar nga përsëritja”. E përmblodhi argumentin si vijon: “Sovran është ai që ka pushtetin të vendosë mbi gjendjen e jashtëzakonshme.”

Me Schmitt-in, kjo qasje metodologjike dhe ky interesim i pasionuar me teorinë e diktaturës lidheshin me faktin se ai ishte prej fillimit armiqësor ndaj sistemit të Vajmarit. Në fillim kjo armiqësi u shpërfaq si një kritikë shkencore, si shpjegim i krizës së ideologjisë liberale dhe, bashkë me të, i krizës së sistemit parlamentar. Ndryshe nga Karl Mannheim-i, i cili… thjesht e identifikonte liberalizmin me demokracinë, Schmitt-i i përbrendësonte të gjitha polemikat antidemokratike të shekullit të nëntëmbëdhjetë në sistemin e tij për të provuar antitezën e papajtueshme midis liberalizmit dhe demokracisë dhe për të drejtuar shndërrimin e pashmangshëm të demokracisë së masave në diktaturë. Mbi të gjitha Schmitt-i e analizonte sociologjikisht sistemin parlamentar. Ai e konsideronte homogjenitetin shoqëror si parakusht të qeverisjes parlamentare: “Metoda e ushtrimit të një vullneti thjesht duke pohuar këndvështrimin e shumicës ka kuptim dhe është e pranueshme nëse supozojmë një homogjenitet substancial të krejt popullit.”

Natyrisht që një homogjenitet i tillë nuk mund të ekzistojë në një shoqëri klasore. Schmitt-i e shpërfillte faktin se ndonëse parlamentarizmi liberal funksionues i përshkruar prej tij varet nga njëfarë përbashkësie interesash, kjo vlen vetëm për klasat sunduese, jo për popullin në tërësi. Për më tepër ai presupozonte pafuqinë e pjesës tjetër të popullit, çka e bënte ta injoronte këtë të fundit. Kësisoj ai mund t’i përkufizonte prirjet shkatërrimtare të këtij sistemi vetëm në mënyrë tejet abstrakte: “Me të rënë hipoteza sipas të cilës ligjshmëria vlen njëlloj për të dyja palët, nuk ka rrugëdalje.” Ky është vetëm përshkrimi i një simptome të jashtme, jo shpjegim i lëndës çka, me siguri, është i mundshëm vetëm si rezultat i analizës klasore konkrete. Në realitet kësaj gjendjeje të përshkruar nga Schmitt-i i përkon një periudhë e gjatë e qeverisjes parlamentare angleze, periudha e juste milieu-së së Guizot-së, të cilën ai e merrte si shembull. Këtu, me rezerva të konsiderueshme, mund të interpretohen dëgjesat dhe diskutimet publike, e vërteta që del nga këmbimi i pikëpamjeve, si simptoma ideologjike, por jo, siç bën Schmitt-i, si themelet intelektuale të sistemit parlamentar.

Për Schmitt-in, e gjithë kjo analizë kishte për qëllim vërtetimin e pamundësisë së sundimit parlamentar të Republikës së Vajmarit, për të treguar domosdoshmërinë e kalimit në diktaturë. Në këtë aspekt, ai i bënte një ekzaminim herë pas here korrekt, por gjithnjë tejet ideologjik, të shkuarës dhe sjelljes së borgjezisë liberale. “Urrejtja ndaj mbretërisë dhe aristokracisë e shtynte borgjezinë liberale majtas; frika për pronën e vet kur kërcënohej nga demokracia radikale dhe socializmi e kridhte djathtas drejt një monarkie të fuqishme e cila mund ta mbronte përmes ushtrisë; kësisoj ajo lëkundej midis dy armiqve, të cilëve do të donte t’ua hidhte.” Edhe më i rëndësishëm është kuptimi që i fekste herë pas here se “ekonomia” (domethënë kapitalizmi, G. L.) nuk ishte “më eo ipso liri” (Schmitt-i nuk e kuptonte se kurrë nuk kishte qenë e tillë, ai vetëm mund të pandehte ndryshimet në “lirinë” gjatë imperializmit, pa e kapur atë tërësisht) dhe se zhvillimi i forcave të prodhimit shfaqte natyrën e saj kontradiktore (natyrisht që këtu Schmitt-i i referohej vetëm teknologjisë). Schmitt-i i përdorte këto qëndrime vetëm për të diskretituar qeverisjen parlamentare demokratike, theksuar dobësinë e saj përpara krizave, vjetërsinë e saj historike dhe, mbi të gjitha, papërputhshmërinë e saj me demokracinë e masave. (Kujtojmë këtu konceptet e Max Weber-it për cezarizmin dhe të Alfred Weber-it dhe Mannheim-it për demokracinë e masave.)  Në këndvështrimin e Schmitt-it, demokracia e masave shpërthente bazën homogjene të interesave të përbashkëta që kishin qenë shtrati i ideve liberale, për shembull, gjatë sistemit parlamentar anglez.

Sipas tij, demokracia e masave e kishte tejkaluar këtë gjendje idilike. Po sipas konceptimit të tij, efekti i demokracisë ishte tërësisht negativ dhe i goditshim prej krizave. Sot demokracia – shkruante Schmitt-i, “çon menjëherë në një krizë të vetë demokracisë sepse parimi i përgjithshëm i barazisë njerëzore nuk mund t’i japë përgjigje problemit të barazisë dhe homogjenitetit substancial që janë të nevojshëm për demokracinë. Ajo çon më tutje në një krizë të parlamentarizmit, çka duhet dalluar nga krizat demokratike.” Schmitt-i vinte në dukje gjithashtu “se demokracia e masave, e njeriut, e ka të pamundur të realizojë ndonjë formë demokratike, madje as shtetin demokratik”. Për shkak të partive demokratike të masave, vetë demokracia kthehet në mirazh të thjeshtë. Sipas Schmitt-it, nuk ekziston më as procesi zgjedhor. “Shfaqen pesë lista partiake, që burojnë nga një mënyrë tejet kulte dhe klandestine dhe që diktohen nga pesë organizata. Masat mblidhen në pesë vathë dhe llogaria statistikore e këtij procesi quhet ‘zgjedhje’.” Kjo do të thotë se në të tilla rrethana vullneti i popullit, që këtej e tutje, “nuk mund të shkrihet në një të vetëm”. Tanimë duket se e vetmja detyrë e parlamentit është “të ruajë një status quo absurde”. Mbi çështjen parlamentare Schmitt-i e përmbledh argumentin duke thënë se parlamenti po bëhej “skena e një ndarjeje pluraliste të pushteteve shoqërore të organizuara”. Kjo nënkupton një ndarje të shtetit, ashtu siç forcimi i pushtetit të princave shkaktonte dikur ndarjen e Perandorisë së vjetër Gjermane. Kjo gjendje kalbjeje dhe krize permanente sillte domosdoshmërinë e masave të jashtëzakonshme, e diktaturës së Presidentit të Rajhut. Veprimtaria politike parahitleriane e Schmitt-it përqendrohej kryesisht në çështjen e justifikimit të diktaturës së Presidentit të Rajhut.

Këtu vëmë re, pavarësisht kontrastit të dukshëm, afërsinë thelbësore të Schmitt-it me ideologët reaksionarë të perandorisë bismarkiane dhe vilhelmiane. Ndërsa këta ideologë mbronin mbarë e prapë status quo-në e kohës së tyre, Schmitt-i i kundërvihej plot pasion status quo-së së kohës së vet. Kështu shpjegohet kontrasti në formë dhe “histori të mendjes”. Në realitet të dyja palët e kontestonin demokracinë me të njëjtën urrejtje në rrethana të ndryshme: status quo-ja e urryer ishte ajo e Republikës së Vajmarit dhe Traktatit të Versajës. Schmitt-i e sfidonte status quo-në si imperialist reaksionar, njëlloj siç e kishin mbrojtur status quo-në e kohës së tyre pararendësit e tij imperialistë reaksionarë.

Pavarësisht dekorimeve ekzistencialiste, flirtit të vazhdueshëm me “jetën” dhe të ashtuquajturën konkretësi historike, bërthama pozitive e sociologjisë së ligjit të Schmitt-it që qëndron pas këtyre polemikave ishte e një trajte tejet të vjetruar. Bëhet fjalë për reduktimin e të gjitha marrëdhënieve politike, ligjore dhe shtetërore në termat e mikut dhe armikut. Në logjikën e themeleve ekzistencialiste të mendimit të vet, Schmitt-i hoqi nga kjo skemë bazike çdo racionalitet dhe përmbajtje konkrete. Sipas tij: “…asnjë program, ideal, normë dhe qëllim nuk jep autoritet mbi jetën fizike të njerëzve të tjerë… Lufta, dyluftimi, gatishmëria për vdekjen, masakrimi fizik i të tjerëve që janë në anën e armikut – gjithë sa më sipër nuk kanë kuptim normativ, por vetëm ekzistencial. Dhe kjo ndodh në realitetin e një situate beteje reale me një armik real, jo në ndonjë sferë idealesh, programesh dhe normativizmash… Nëse ka vërtet armiq në kuptimin ontologjik të fjalës, të cilëve po u referohemi këtu, atëherë ka kuptim, por vetëm kuptim politik, t’i neveritim ata fizikisht kur është e domosdoshme dhe të luftojmë me ta.”

Nga të tilla mendime Schmitt-i nxori thelbin e konceptit të tij politik: “Mendimi politik dhe instinkti politik provohen… në teori dhe praktikë nga kapaciteti për të dalluar midis mikut dhe armikut.” Ekzistenca politike e shtetit mbështetet në “dallimin midis mikut dhe armikut”. Në këto koncepte qendrore të filozofisë së ligjit të formuluara nga Schmitt-i mund të shohim qartë se ku na çon konceptimi ekzistencialist: në bashkimin e një abstraktësie tërësisht të cekët dhe josubstanciale nga njëra anë dhe një arbitrariteti joracional nga ana tjetër. Duke pretenduar t’i zgjidhë të gjitha problemet e jetës shoqërore, çiftimi antitetik “mik-armik” i Schmitt-it shpërfaqi cekëtinë dhe arbitraritetin e vet. Po ky pretendim e bëri tejet me ndikim gjatë periudhës së mbisundimit fashist të ideologjisë gjermane” si një prolegomenë mitologjike, abstrakte dhe gjoja shkencore e antitezave racore të Hitlerit dhe Rosenberg-ut. Veçanërisht arbitrariteti, që ishte thelbi i këtij konceptimi, i siguroi një urë “shkencore” “botëkuptimit nacional-socialist”.

Sipas shpjegimit të Schmitt-it, liberalizmi vinte në rrezik në mënyrë sistematike themelin politik dhe bazat e shtetit. Shekulli i nëntëmbëdhjetë ishte epoka e neutralizimit dhe depolitizimit në emër të kulturës. Kultura, përparimi, arsimimi dhe shkenca jopolitike vendoseshin në antitezë të rreme me politikën. Schmitt-i vuri re në këtë prirje një armiqësi ndaj një “Gjermanie të fortë”. Në këndvështrimin e tij, qendrat e kësaj ideologjie ishin shtetet e vogla neutrale si Zvicra, Holanda dhe Skandinavia. Po ky orientim kishte përfaqësues me ndikua edhe në Gjermani si p.sh. Jakob Bruckhardt-i, Stefan George-i, Thomas Mann-i, Sigmind Freud-i etj.

Nga ky pikëvështrim Schmitt-i trajtonte historinë e Gjermanisë. Në kontrast të të fortë me Max Weber-in, ai shihte te rendi kushtetues dhe qeverisja parlamentare origjinën e degradimit të kësaj “Gjermanie të fortë”. Kësisoj analiza që i bënte krizës së sistemit parlamentar dhe koncepti i mikut dhe armikut – që bazohej në dëshirën për të rinovuar imperializmin gjerman –  e shtyu drejt mbështetjes së pakushtëzuar të Hitlerit. Kritika e tij e hershme e liberalizmit dhe demokracisë përfshinte tezën “origjinale” se fashizmi nuk ishte në kontradiktë me demokracinë. Përpara marrjes së pushtetit nga Hitleri, Schmitt-i e përshkruante fashizmin italian me entuziazëm si “përpjekje heroike për të ruajtur dhe pohuar dinjitetin e shtetit dhe unitetin kombëtar kundër pluralizmit të interesave ekonomike”. Po ashtu, përpara kohës së Hitlerit, ai theksonte se “miti më i fortë qëndron në sferën kombëtare” dhe se socializmi mbartte një “mitologji relativisht inferiore”.

Nuk është për t’u habitur që me këto hipoteza Schmitt-i u bë mbështetës i zjarrtë i Hitlerit dhe për çdo mizori të tij gjeti nga një teori të përshtatshme prej “filozofisë së ligjit”. Kësisoj, pas masakrimit të mbështetësve të “revolucionit të dytë” (1934), Schmitt-i shkroi një ese me titullin “Fyhreri mbron drejtësinë”. Në të mbronte formën më të vrazhdë të drejtësisë arbitrare fashiste dhe i qëndronte fort idesë se vetëm Fyhreri e kishte të drejtën të dallonte midis mikut dhe armikut… Fyhreri i merr seriozisht paralajmërimet e historisë gjermane. Kjo i mundëson të drejtën dhe pushtetin për të themeluar një shtet të ri dhe një rend të ri… Fyhreri po mbron drejtësinë nga shpërdorimet më të ulëta kur, në kohë rreziku, ai e krijon drejtësinë drejtpërdrejt si autoritet suprem për shkak të ofiqit të udhëheqësit… Ofiqi i gjykatës buron nga ai i Fyhrerit. Kushdo… që dëshiron t’i ndajë këto të dyja, orvatet ta shpërbëjë shtetin me ndihmën e drejtësisë… Vetë Fyhreri është ai që vendos përmbajtjen dhe fushëveprimin e shkeljes së ligjit.

Pas të tilla deklaratave nuk është për t’u habitur që Schmitt-i ringjalli në kohën e Hitlerit temën e vjetër të propagandës antidemokratike të paraluftës, domethënë epërsinë ideologjike të Gjermanisë mbi shtetet demokratike. “Në demokracitë e sotme perëndimore, problemet madhore të shekullit të njëzet ende trajtohen me instrumentet e kohës së Talleyrand-it dhe Louis-Philippe-it. Në studimet ligjore gjermane, parashtrimi i këtyre problemeve është mjaft më i përparuar. Ne e kemi fituar këtë përparësi nëpërmjet përvojës shpesh herë të vështirë e të hidhur, por tanimë kjo nuk mund të vihet më në dyshim.” Kjo epërsi kishte të bënte me imperializmin grabitqar. Duke i shtrirë antitezat e tij të vjetra të mikut dhe armikut në terma të politikës globale, Schmitt-i nisi ta argumentojë filozofikisht shtetin hitlerian si vijon: “Thelbi i çështjes gjendet te lufta. Karakteri i luftës totale përcakton karakterin dhe formën e totalitetit shtetëror. Po lufta totale merr kuptim nëpërmjet armikut total.”

Schmitt-i jo vetëm që e mbështeti diktaturën kafshërore të Hitlerit brenda vendit. Që përpara shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, gjatë përgatitjeve për të, ai u shndërrua në ideologun ligjor udhëheqës të planeve të Gjermanisë hitleriane për të pushtuar botën. Ai i kundërshtonte pretendimet “universaliste” të Lidhjes së Kombeve dhe bënte thirrje për zbatimin e doktrinës Monroe për Gjermaninë dhe territoret që i interesonin asaj. Ai citonte Hitlerin mbi këtë çështje dhe komentoi: “Kjo shpreh idenë e një demarkimi paqësor dhe të arbitruar të territoreve duke përdorur logjikën e biznesit. E eliminon konfuzionin se një imperializëm ekonomik e krijoi doktrinën Monroe duke e shtrembëruar idenë e vet të arsyeshme të demarkimit territorial në një pretendim ideologjik për ndërhyrje globale.” Edhe kjo teori mbështetej mbi dogmën fashiste të “Rajhut”. “Në këtë kuptim, perandoritë janë fuqitë udhëheqëse dhe mbështetëse, ideja politike e të cilave rrezaton mbi një territor madhor specifik dhe që përjashton substancialisht ndërhyrjen e fuqive ekstraterritoriale në këtë territor.” Kjo ndarje e botës, që do t’i garantonte Gjermanisë dhe Japonisë “territore madhore”, sipas Schmitt-it, do të shënonte nisjen e një gjendjeje të re dhe më të lartë të drejtësisë ndërkombëtare. Nuk do të kishte më shtete-kombe, si më parë, por vetëm “perandori”. Pasojat konkrete të kësaj Schmitt-i i artikuloi në një tjetër ese, të titulluar “Mjerë neutralët!”. Këtu argumentohej se koncepti i territoreve madhore nënkuptonte heqjen e neutralitetit. Kështu që më 1939 Schmitt-i shkroi përpara kohe apologjinë “ndërkombëtare” të agresionit hitlerian dhe përdhunimit fashist të kombeve. Kësisoj sociologjia gjermane ndihmoi propagandimin e imperializmit kafshëror të Hitlerit. Profesorët gjermanë quheshin truprojat intelektuale të Hohenzollerns-ëve. Tani ata janë S.A. dhe S.S. intelektualë.

Hyrja dhe përkthimi: Arlind Qori

Marrë nga libri i autorit “The Destruction of Reason”, Humanities Press Atlantic Highlands, N.J., 1981

Imazhi: e-flux

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.