Çdo njeri ka të drejtën e strehimit

/Alexis Zanghi/

Ndërtimi i një qyteti njerëzor duhet të bazohet te premisa që çdo njeri meriton strehë të dinjitetshme. Dhe e vetmja mënyrë për t’ia arritur kësaj është veprimi kolektiv nga lëvizjet punëtore.

Kur gjeografja Leslie Kern zhvendoset në lagjen Junction të Torontos, hapësirat publike ishin të projektuara tërësisht për blerës burra dhe punëtorë. Kishte dyqane pengjesh dhe dyqane pornoje, dyqane të lira petullash dhe gjellëtore. Një kafene, Nook-u, krijon një vend të sigurt për t’u frekuentuar dhe për “t’u zënë” nga gratë, me banja dhe një hapësirë të vogël lojërash në pjesën e pasme, për t’i bërë gratë dhe familjet me fëmijë të ndihen rehat.

Në “Qytetin feminist” (Feminist City), Kern-i e përshkruan Nook-un si një “vend të tretë” që urbanistët e lartësojnë si ” mjedis (dhe, sigurisht, markë) ku njerëzit mund të rrinë vetëm, por bashkë”. Mbyllen dyqanet e pornove dhe dyqanet (joartizanale) të petullave, hapen më shumë kafene si Nook-u dhe ngrihen pallate të reja mbi trotuaret ku rrëshqasin karroca të shtrenjta fëmijësh. 

Në fillim, institucione të caktuara të lagjes duken të pandryshuara. Rezidenca “Salvation Army Evangeline”, qendra e dytë më e madhe e grave në qytet, vazhdon të ofrojë strehim afatshkurtër dhe afatmesëm për rreth nëntëdhjetë gra. Rregullat nuk lejojnë qëndrimin në mjediset e qendrës gjatë gjithë ditës, kështu që ato janë të detyruara të dalin jashtë, ku “vëzhgohen vazhdimisht” dhe policohen informalisht nga fqinjët e tyre të pasur pasi “pamja e tyre fizike, sjelljet dhe shprehi rastësore të shëndetit mendor i shënjojnë ato si ‘ndryshe'”.

Një kafene aty pranë vendos një stol në pjesën e jashtme për klientë që presin për tavolina të lira apo për lexim dhe plasin ankesat: gratë nga strehimorja tymosin mbi stol. Në forume online gratë në fjalë quhen “skandaloze”. Pronari i kafenesë, i cili dhuron vakte për strehën, shpreh simpati për gratë e Rezidencës Evangeline, por e heq stolin.

Gjithnjë e më shumë gratë që zhvendosen drejt Junction-it janë ndryshe nga ato që qëndrojnë në Rezidencën Evangelinë. Të bardha dhe të arsimuara, këto gra përballen me disa nga sfidat me të cilat përballen gratë e strehës – kujdestaria e fëmijëve, dhuna gjinore në hapësirat publike – por u është kursyer varfëria afatgjatë dhe kronike.

Prapë, historia e stolit të kafenesë sjell në vëmendje një nga pretendimet më bindëse të “Qytetit feminist”: ngacmimi dhe dhuna që përjetojnë gratë në hapësirat publike lidhet me dhunën private që pësojnë herë pas here në shtëpi. As gratë e shtresës së mesme nuk i përballojnë dot kostot e larta të strehimit pa partnerët e tyre. Në qytete të tjera, Kern-i vëren se tendenca për të tërhequr gratë drejt lagjeve ka sjellë nënraportimin apo rikonceptimin e sulmeve seksuale (si “të pabazuara” dhe “hetime personash”), te të cilat “imazhi i sigurisë përbën qëllimin përfundimtar”.

Strehimi modern

Termi “vend i tretë” u referohet vendeve që nuk janë as banesë (vend i parë), as punë (vend i dytë), por vende publike që gjithsesi lejojnë privatësi dhe hapësirë individuale: që nga klubet e punëtorëve, kishat dhe parqet te dyqanet, berberhanet, kafenetë, baret, bibliotekat dhe qendrat komunitare. Ndërkohë që pretendohet se “vendet e treta” karakterizohen nga mungesa e hierarkisë dhe mund t’u qasen të gjithë, ato shpesh janë vende konsumi dhe për rrjedhojë përjashtojnë njerëzit të cilëve u mungojnë të ardhurat e nevojshme. Në lagjet e punëtorëve, ky lloj përjashtimi është minimal – shumica e njerëzve e përballojnë të ngrënit e një darke të lirë. Por në lagjet e xhentrifikuara – ku katastrofa është më e ngadaltë dhe më e frenueshme se produkti i praktikave shfrytëzuese të kapitalit të pasurive të patundshme – përjashtimi është qëllimi thelbësor.

Vendet e treta kanë qenë pjesë e lagjeve që prej fillesave të tyre. Siç shkruan Catherine Bauer-i në “Modern Housing”, botuar për herë të parë më 1934 dhe ribotuar së fundmi, hapësirat publike të përbashkëta janë thelbësore për vendbanimet e reja që ndërtoheshin asokohe në Evropë. Ky “strehim modern” varionte nga qyteti në qytet, por të gjithë mburreshin për standardet bazike të planifikimit, ndërtimit dhe administrimit.

Në të kundërt, strehimi i Amerikës ishte lëmsh: “ndërtesa të ngjeshura, shtëpi 3-4-katëshe prej druri të ndërtuara keq, njëkatëshe të ngjeshura; mbyllje, dëbime, hipoteka të pavlefshme, shmangie taksash dhe falimentime komunale; kilometra trotuaresh të papërdorur, parcela boshe dhe shërbime të degraduara por të shtrenjta; zona të mbipopulluara me rritje të shpejtë të sëmundjeve dhe degradimit; dhe një mbingarkesë vilash të pasanikëve. Evropa e sapodalë nga lufta ka “miliona pallate moderne me qira të ulëta, me standarde të larta në komunitete të planifikuara me kujdes për të ofruar maksimumin e shërbimeve, kënaqësisë, efikasitet dhe ekonomisë afatgjatë”.

Këto pallate nuk siguronin thjesht strehim, por edhe privatësi dhe dinjitet për rezidentët, me hapësirë të mjaftueshme për dhoma gjumi të ndara të prindërve dhe fëmijëve të gjinive të ndryshme, “mure relativisht të papërshkrueshëm nga zhurmat”, udhëtim në këmbë (Bauer-i specifikon, jo më shumë se gjysmë ore larg punës), ujë i rrjedhshëm dhe banja të ajrosura, “diell i mjaftueshëm”, ajrim mes njësive, hapësira lojërash për fëmijët dhe – ndoshta më e rëndësishmja – “siguri qiradhënieje” për qiramarrësit dhe pronarët. Në mendjen e Bauer-it, strehimi modern duhet të  konsiderohet si pjesë e “minimumit kombëtar”, së bashku me higjienën publike, ujin dhe ajrin e pastër, arsimin, kujdesin shëndetësor dhe sigurimet shoqërore.

Në dekadat pas botimit, “Modern Housing” është vlerësuar për sjelljen e idealeve të Bauhaus-it dhe risive evropiane në arkitekturë e urbanistikë (si “Kuzhina Frankfurt” dhe qytetet kopsht) në vëmendjen e amerikanëve. Ndërkohë që Bauer-i interesohej për teknologjinë e re, ajo nuk i sheh këto risi si zgjidhje të mungesës së strehimit. Në vend të kësaj, pjesën më të madhe të “Modern Housing”-ut ajo e përdor për të treguar se krizat e strehimit nuk janë fatkeqësi aksidentale të tregut – një problem i furnizimit përkohësisht të kufizuar, të shkaktuar nga tregu, që mund të rregullohet duke rizonuar ose duke ndërtuar më shumë shtëpi apo njësi banimi më efikase – por një pasojë normale e kapitalizmit.

Me një histori bindëse të bazuar në gazeta, pamflete, dëshmi dhe burime qeveritare, Bauer-i e pagëzon shekullin XIX si “dështim i qytetërimit” përgjatë të cilit “Kontrata Sociale u shndërrua në një kod të mosprekes së pronës private”. Në historinë e Bauer-it, periudhat e strehimit të mjaftueshëm dhe të përshtatshëm janë të rralla dhe kriza e strehimit është thuajse e përhershme, endemike e kapitalizmit. Edhe gjatë periudhave të zhvillimit të qëndrueshëm, spekulimi në tregun e pronave i ka kërcënuar gjithmonë qytetet, shkruan Bauer-i duke cituar një raport zhvilluesish pronash të shekullit XVII. “Këta lloj ndërtuesish lakmitarë kërkojnë qira të larta dhe i rrisin ato përditë e më shumë, saqë një punëtor krahu nuk është në gjendje që me anë të punës së tij të mundimshme të paguajë qiranë për një banesë të vogël dhe të ushqejë familjen” dhe “nuk e marrin parasysh të mirën e përbashkët apo ruajtjen e shëndetit të qytetit”.

Historia e strehimit e Bauer-it nuk është vetëm një histori e dështimeve të kapitalizmit, por edhe një histori e utopive praktike. Si libër i hulumtuar dhe botuar gjatë viteve të Vjenës së Kuqe – qyteti i udhëhequr nga socialistët ende sot lavdërohet si një model për strehimin social – “Modern Housing”-u vë në dukje që në Evropë qytetet kishin kuptuar se “shtëpitë e këqija e bëjnë një qytet të keq dhe shpërdorimi i shtëpive i çon ata drejt falimentimit” dhe “pallatet e këqija nuk janë një domosdoshmëri e pashmangshme”.

Por shtysa prapa këtyre reformave pat qenë lëvizja punëtore e kohës, jo pronarët e trojeve, shefat apo reformatorët në majë të hierarkisë së shoqërisë. Siç do të shkruante Bauer-i diku tjetër: “Askush nuk pret që shefat të nisin dhe të çojnë përpara greva apo që prodhuesit e një malli të vjetruar të jenë nxitësit idealë për industrinë që i largon ata nga biznesi”. Strehimi i sigurt dhe i përballueshëm mund të sigurohet vetëm përmes veprimit kolektiv.

Siguria e qiramarrjes

“Modern Housing”-u ishte revolucionar në atë kohë jo vetëm për historinë e tij (Bauer-i citon Engelsin në gjermanisht dhe anglisht dhe e përmbledh “Manifestin komunist” si e para deklaratë e qartë e komunizmit revolucionar dhe kundërshti e reformave të pjesshme, përfshirë strehimin), por edhe për të ardhmen që imagjinoi. Bauer-i parashikoi një program kombëtar strehimi, të udhëhequr nga punëtorët e organizuar dhe ndërhyrjet e forta federale, “si një masë afatgjate që duhet të rindërtonte Amerikën – jo thjesht si mjet i përkohshëm i sigurimit të punësimit”.

Më vonë Bauer-i punoi me Federatën Amerikane të Punës për të organizuar Konferencën e Strehimit të Punëtorëve, e cila bëri presion për financimin publik të strehimit të punëtorëve dhe mbështeti kundërshtitë e Punëtorëve Tekstilë të Bashkuar të Amerikës ndaj “kushteve feudale” në qytetet e fabrikave të drejtuara nga kompanitë. Bauer-i ndihmoi gjithashtu në hartimin e Ligjit të Strehimit të vitit 1937 – asaj i atribuohen dispozitat për kufizimin e qirasë në 20 për qind të të ardhurave të një familjeje dhe krijimi i Autoritetit të Strehimit të SHBA.

Mes gjithë standardeve të pallateve që mbron Bauer-i te “Modern Housing”-u, asnjë nuk tingëllon sot aq radikale sa “siguria e qiramarrjes”: ideja që edhe qiramarrësit meritojnë siguri afatgjatë në strehim, pavarësisht se sa fëmijë mund të kenë, pavarësisht punësimit apo të ardhurave të tyre.

Është pikërisht çka u nevojitet grave në “Qytetin feminist”, qofshin ato që sapo janë ngjitur në radhët e klasës së mesme apo gratë e strehimoreve. Strehimi duhet të jetë shërbim publik nëse duam të ketë ndonjë funksion – çdo e drejtë në qytet fillon me një strehë të sigurt dhe të qëndrueshme, jo me “vendet e treta” përjashtuese.

E përktheu Nebih Bushaj

Marrë nga revista Jacobin

Imazhi: OFIS Architects / archdaily.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.