Për universitetin, për shoqërinë
/Organizata Politike/
Javët e kësaj vjeshte kanë ritrupëzuar frymën e protestës së kulmuar në Ngjarjen e Vjeshtës Shqiptare të nëntorit të shkuar. Më të paktë në numër, me kauza më pak gjëmësjellëse, por më të shtrira në efektet e tyre në shoqëri, aktivistë të lëvizjeve të ndryshme studentore – si ato Për Universitetin, Zapto Universitetin e Studentët e bashkuar të FGJM-së – kanë zaptuar vëmendjen publike dhe kanë trazuar qetësinë e qeveritarëve dhe shpurës burokratike universitare. Zaptimet e hyrjeve të fakulteteve, protesta përpara kryeministrisë dhe të gjitha aktivitetet e tjera ndërgjegjësuese e agjitative janë shoqëruar në anën tjetër me veprime persekutive të burokracisë universitare ndaj pedagogëve mbështetës të nismave emancipuese studentore dhe kritikë ndaj reformave shkatërrimtare të karakterit publik të universitarizmit. Organizata Politike, si ndjekëse dhe artikuluese e gjendjes universitare, shpreh solidaritetin e vet me lëvizjet studentore dhe indinjatën ndaj reformave qeveritare e persekutimit të ndërmarrë nga burokratët universitarë.
Organizata Politike – pjesë përbërëse e programore e të cilës janë edhe studentët e kauza universitare – e veçon subjektin studentor si agjentin e fundit shoqëror me autonominë e mjaftueshme socio-politike e ideologjike për t’i bërë ballë avancimit varfërues, tregtarizues dhe tëhuajsues të politikave qeveritare jo vetëm në arsim, por në shumë prej fushave shoqërore jetike. Ata nuk kanë vetëm vrullin e moshës – siç do ta poetizonin romantikët – por edhe pjekurinë e përftuar nga kushtet e vështira të jetesës e studimit dhe përvojën e krijuar nga rezistenca disavjeçare kundër politikave çarsimore të dy qeverive të fundit. Njëkohësisht format e organizimit dhe protestës së këtyre kohëve evidentojnë edhe karakterin krijues të imagjinatës kolektive që nuk kyçet në guvën e ofshamave disfatiste të individualiteteve të pakuptuara, por gjen forcë krijuese në kolektivitete të reja, të forta në fantazi e përkushtim. Kolektiviteti i tyre krijues e ka pasuruar politiko-konceptualisht shqipen, sidomos në përdorimin subversiv të shënjuesit “universitarë” si ngërthyes i trupës sovrane brendauniversitare të studentëve dhe pedagogëve të angazhuar për fatet e publikes, në luftë kundër kolonizimit të tregut, shtetit dhe burokracisë së korruptuar universitare.
Nga ana tjetër, zaptimet dhe territoret e çliruara urbane e shoqërore të tyre na mbushin me shpresë se së paku konturet e shoqërive të dëshiruara emancipuese nuk janë më vetëm projekte utopike të së ardhmes së paarritshme, por sendërtim i utopisë në lokalitete që ngulmojnë të zgjerohen gjithëshoqërisht bash në të tashmen.
Sidoqoftë, ne shtrojmë më të thjeshtën e pyetjeve që lyp më të vështirën e përgjigjeve: Ç’të bëjmë? Ç’të bëjmë që lëvizja e universitarëve të zgjerohet e të realizojë kërkesat e veta paraprake? Ç’të bëjmë që kërkesat e qëllimet e saj të radikalizohen për ta rrokur problematikën universitare në totalitetin e vet të pjesshëm? E mbi të gjitha, ç’të bëjmë që ta shtratëzojmë kauzën universitare brenda totalitetit dialektik shoqëror?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve kalojnë medoemos nga trupi shoqëror që për hir të pozicionit të tij të veçantë mund të shërbejë si nyjë lidhëse e sa e sa klasave e shtresave shoqërore të shfrytëzuara e të përjashtuara. Studenti – pësuesi i sotëm i shkollimit joemancipues e rrënues, i tregtarizimit universitar që rrit tarifat e kostot e jetesës pa rritur asnjë gram cilësinë arsimore; punëtori i sotëm i call center-rave, dyqaneve e klubeve; i nënpunësuari e keqpunësuari i nesërm, në mos fare i papuni – fati i këtij subjekti shoqëror shkrihet me atë të krejt të përjashtuarve të pazë: të papunëve, të keqpunësuarve, punëtorëve me mëditje, grave e fëmijëve të shfrytëzuar në punë e në lypje, pensionistëve, të vetëpunësuarve, të të kriminalizuarve që varfëria u pamundëson pagesën e energjisë elektrike, minoriteteve të çfarëdoshme që jetojnë në mëshirën e tolerancës së të fortëve etj. Studentët sot janë ndërmjetësi i pazhdukshëm dhe i ripërtërirë i të gjithë të mallkuarve të dheut. Dje ishin kandidatë për borgjezinë e mikroborgjezinë profesionale. Sot – kapitalizmi neoliberal i shprehur në lakuriqësinë e vet më cinike në rastin shqiptar – i ka shndërruar në proletarë të mendjes. E si të tillë – si bartës të fuqive intelektuale e mllefit të të shfrytëzuarve të rinj – ata janë e vetmja nyjë aktuale në të cilën mund të kalojnë fijet e krijimit të një blloku të ri historik e shoqëror me karakter kundërhegjemonik e emancipues: atij të të humburve nga bixhozi i zotërinjve.
Po për t’u shndërruar në të tillë nyjë studentëve u duhet të radikalizojnë kërkesat e tyre universitare dhe në rrugë e sipër të vetëdijesohen se edhe realizimi i pjesshëm i tyre do të kërkonte të tilla ndryshime strukturore saqë karakteri publik i jetës universitare nuk do të mund të ruhej pa cekur sa e sa probleme të tjera ekonomike e politike, e rrjedhimisht pa kërkuar mbështetjen dhe ofruar solidaritetin për të gjitha grupet e të shfrytëzuarve e të përjashtuarve.
Ky subjekt i ri politik e shoqëror – shumësi e organizuar e sa e sa klasave e shtresave të nëpërkëmbura – është e vetmja fije shprese në obskurantizmin politik e dëshpërimin social shqiptar.
Ne jemi me studentët! Deri në fund të rrugës, edhe nëse të sotmit nuk gjejnë forcën për ta përshkuar deri në fund rolin e tyre të ri historik.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.