Kandili i kritikës, a shuhet?

/Arbër Zaimi/ 17 nëntori, përveçse datë e çlirimit të Tiranës dhe ish-emri i sportklubit bardheblu të kryeqytetit shqiptar, bart edhe një kuptim ndërkombëtar. Është dita ndërkombëtare e studentëve. Kjo ditë i ka dy shfaqje. Në njërën anë është përkujtim i thundrës naziste mbi Universitetin e Pragës, ditë kur u pushkatuan disa studentë e pedagogë antifashistë, të cilët iu kundërvunë pushtimit gjerman. Në anën tjetër është përkujtim i fitores së studentëve grekë kundër regjimit fashist të juntës së kolonelëve grekë, një fitore tepër e vështirë, duke pasur parasysh se ajo juntë fashiste operonte nën bekimin e aleatëve të mëdhenj “liberalë” dhe “antifashistë”, ndërkohë që vetëjustifikohej duke e shpallur çdo alternativë të sajën si përqafim të stalinizmit, lindorizmit, tradhtisë kombëtare etj. Pra, në të njëjtën ditë përkujtohen edhe rezistenca gjer në vetëmartirizim përballë asaj që nuk mund të pranohet kurrë prej komunitetit të studiuesve e studentëve, që është pushtimi, por edhe organizimi për ta shporrur pushtimin, që jo medoemos është i jashtëm. Përkujtohet lufta ndaj universitarëve, por edhe kundërpërgjigjja e tyre, që është prapë luftë. Çudi pse kanë zgjedhur këtë datë për të shënuar ditën ndërkombëtare të studentëve, sidomos tani që s’ka më luftëra për studentët, tani që luftën globalisht e ka fituar “e mira” dhe “e drejta” përfundimtare (që është vazhdimisht e forta)… Pikërisht në këtë datë mësova se është pushuar nga puna, me një shkresë të firmosur nga dekani, dr. Sokol Abazi, profesor i kimisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës. Arsyen “legale” të përshkruar në shkresë nuk e di, pasi nuk e njoh dr. Abazin, por disa studentë të angazhuar më treguan se si kohët e fundit dr. Abazi ka denoncuar publikisht rrezikun shëndetësor që paraqesin për studentët kushtet e papërshtatshme në laboratorët e atij Fakulteti. Studentët më pas vazhduan të më përshkruajnë tenxheret e kuzhinës me të cilat gatuhen preparatet në laboratorët e FSHN-së, por jam i prirur t’i marrë për hiperbola rinore këto. S’ma merr mendja të jenë aq keq laboratorët e universitetit publik, sidomos tani që kemi një qeveri që një e dy vetëshpallet “e majtë”. Pushimi nga puna i dr. Abazit është rasti i dytë që dëgjoj brenda pak ditësh, i pari ka qenë rasti i prof. Hysamedin Ferajt, i larguar fillimisht prej drejtimit të katedrës së Shkencave Politike në Fakultetin e Shkencave Sociale të UT, e brenda pak ditësh edhe prej mësimdhënies tërësisht. Ndryshe nga rasti i dr. Abazit, rastin e dr. Ferajt e njoh më mirë, meqë e kam më pranë punës sime filozofinë politike se sa kiminë organike. Rasti i dr. Ferajt ndodhi “krejt rastësisht”, pasi ky i fundit publikoi në shtypin e përditshëm dy artikuj kritikë ndaj reformës në arsimin e lartë dhe dy artikuj të tjerë në kritikë të dekanit të FSHS dhe të vetë rektorit të UT. Kritika e dr. Ferajt kishte të bënte edhe me pajtimin “e dyshimtë” të këtyre drejtuesve me reformën e promovuar nga Qeveria, e cila dëmton drejtpërdrejt interesat e universitetit publik, por cekte gjithashtu favoritizmat, familjarizmat e klanizmat që kanë pushtuar UP-në nën drejtimin e kësaj fryme që përfaqësohet prej rektorit e dekanëve. Një rast i tretë u shfaq tek protesta e studentëve dhe pedagogëve të Fakultetit të Gjeologji-Minierave përpara Kryeministrisë, pak ditë më parë. Pas një shfaqjeje publike e cila më shumë se sa me synime sqaruese apo paqtuese u duk të kishte efekte intimiduese mbi protestuesit, mësova se kryeministri Edi Rama në një takim “me dyer të mbyllura” u ka drejtuar gishtin dy drejtuesve të fakultetit si dhe njërit prej organizatorëve të protestës, pedagogut Redi Muçi, duke u thënë se nëse vazhdon bojkoti i mësimit, ata do të mbanin përgjegjësi personale. Kushedi ç’do të ketë nënkuptuar me “përgjegjësi personale” kryeministri jonë kaq i stërmajtë!!! Një rast i katërt, po i kohëve të fundit, ka të bëjë me hapjen e një padie penale ndaj studentit Pavjo Gjini, një prej aktivistëve organizatorë në një lëvizje të quajtur “Për Universitetin”. Z. Gjini, student dhe qytetar i angazhuar, përveçse ka botuar disa tekste solide në kritikë të reformës qeveritare dhe në mbrojtje të interesave të Universitetit Publik, ka qenë pjesë e një grupi që ka organizuar një marshim proteste në qershor të këtij viti. Emri i tij ka qenë në krye të listës të atyre që kanë njoftuar paraprakisht Policinë e Shtetit për organizimin e protestës, por kjo e fundit nuk ka pranuar t’u garantojë protestuesve sigurinë. Kjo edhe pse protestuesit s’qenë veç një grusht njerëzish, përgjithësisht intelektualë të përgjegjshëm e të ndërgjegjshëm – ndoshta shumë më shumë se shefat e vetë policëve. Studentët gjithsesi e bënë protestën e cila shkoi pa ndonjë problem, por disa muaj më vonë Pavjo Gjinit i hapin padi penale pikërisht për këtë punë. (Sipas aktakuzës së policisë Pavjo Gjini nuk po ndiqet bazuar në ligjin për tubimet që parashikon vetëm dënim me gjobë, por në kodin penal duke rrezikuar kësisoj deri në 1 vit burg – shën. red.) Sepse në këtë vend ku liria e fjalës dhe e organizimit është e garantuar me kushtetutë, të protestosh pa leje e miratim nga shteti, është krim… Ndërkohë nëpër televizione ka përditë emisione ku logorreja e gjithfarologëve flet për gjithçka, por jo për këto gjëra. Madje të bën të habitesh fakti se edhe në ato pak emisione ku është trajtuar tema e reformës në arsimin e lartë, përgjithësisht janë thirrur si të ftuar asi universitarësh që përgjithësisht pajtoheshin me të – duke i shtuar koracë monologut qeveritar për këtë punë. Askujt nëpër televizione nuk i kanë rënë në sy këto raste që lënë të kuptohet se kultura e shtypjes së kritikës po vijon njëtrajtshëm – meqë nuk themi dot se po forcohet , duke pasur parasysh se çka ndodhur më përpara. Një nga vlerat e domosdoshme për shoqërinë, që duhej mbrujtur në Universitetin Publik e që s’mund të lindë askund tjetër është pikërisht kritika. Kritika e vërtetë nuk mund të lindë prej universiteteve private, të qeverisura prej interesit direkt material, as prej mediave të fokusuara tek rrjedhja e shpejtë e informacionit, që s’lë kohë e hapësirë për thellim, e aq më pak prej administratave publike apo private, ku shumicës së të punësuarve u ndalohet shprehimisht publikimi i shkrimeve, aq më pak i shkrimeve kritike nëpër media. Madje jo rrallë iu ndalohet edhe postimi i ndonjë komenti në “Facebook”. Por nëse studentëve u hapen padi penale për shkak se kanë marrë pjesë në protestë, nëse pedagogët trupvegjël kërcënohen nga vetë kryeministri ynë trupmadh në një akt bullying-u, nëse doktorit të kimisë i hiqet e drejta të thotë se studentët po helmohen nëpër laboratorë, nëse atij të filozofisë politike i hiqet e drejta të vërë në dukje se si publiku është privatizuar me lejen e qeverisë, përmes mbushjes së radhëve të pedagogëve me njerëz banalë që shtrijnë kudo interesa tribalë, atëherë kritika zëre se ka vdekur. Vdekjes së kritikës gurin e varrit ia vë opozita e Berishës, një opozitë e vdekur, që vazhdon të rrojë për inerci. Kjo opozitë nuk e kupton se gjëja më e mirë që mund të bëjë për veten e vet edhe për vendin është që t’i bashkëngjitet Ramës, pasi partia e Ramës është një parti që po e tregon veten si një të djathtë të denjë shqiptare. Është e djathtë sepse po mbështet kapitalin privat, qoftë me reformën në arsimin e lartë, qoftë me reformën e pensioneve, qoftë me centralizimin e kazinove nëpër duart e oligopolistëve (në vend që t’i mbyllte siç premtoi), qoftë me heqjen dorë nga shëndetësia falas, qoftë me mbështetjen e shushunjave fasone etj. Po sidomos, është e djathtë perfekte për shkak se ia ka shuar zërin çdo pjese civile që mund të kritikojë, ose duke ia mbyllur gojën në përqafim, pra duke e bërë “këshilltare”, ose duke e kërcënuar e duke e akuzuar për bashkëpunim me opozitën e marrë fund. Nëse s’është kështu, le të kujdeset që të vërë në pah të kundërtën, duke ballafaquar argumentet e jo muskujt edhe në rastin e universitarëve – dr. Ferajt, dr. Abazit, z. Muçit dhe z. Gjinit. E dimë që qeveria ka muskuj, e dimë edhe që di të prodhojë spektakël debati publik (ku pjesëmarrësit janë të zgjedhur sipas skenarit) si zëvendësim për debatin e vërtetë. E si përfundim, le ta nxjerrin vetë lexuesit përfundimin: cilit 17 nëntor i ngjau më shumë 17 nëntori 2014 në Tiranë?
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.