/Orges Zani/
Për neoliberalët shprehja e një kryeministri qatip (lloji i burokratit që harton vetëm shkresa në zyrën e tij, pa këqyrur dhe kuptuar se ç’ndodh me jetët e përditshme të qytetarëve) – i cili pohon se partneriteti publik-privat nënkupton se “paratë e shtetit shpenzohen në mënyrë shumë më efikase duke marrë privatin si shërbëtor që të bëjë shërbimin publik” (emisioni Studio e Hapur, 12 Janar, pas 1 ore e 54 min) – përbën të paktën një blasfemi për ta në rrafshin etik. Për vetë faktin se asnjë sipërmarrës privat nuk mund ta vështrojë dot veten në dhe brenda kategorisë së shërbëtorit; përkundrazi, prania e figurës së shërbëtorit (që në këtë rast është dorëzimi që qeveria iu bën parave publike në duart e sipërmarrësve privatë me idenë për t’i drejtuar dhe kryer ata punët publike) është pohimi ndaj të qenit të tij si sipërmarrës i cili ka për qëllim fillestar dhe përfundimtar vetëm fitimin vetjak. Kjo do të thotë se kur qeveria heq dorë prej çdo detyrimi të përgjegjshëm për të administruar paratë e qytetarëve dhe për të kryer shërbimet e domosdoshme apo të pritshme prej tyre, pavarësisht se ajo i ka paratë dhe burimet e mjaftueshme njerëzore për të kryer këto shërbime, ajo, më së paku, ose është e paaftë për të qeverisur, duke pranuar kështu kalimin e drejtimit të saj te dhe përmes duarve të sipërmarrësve privatë; ose, më së shumti, anëtarët e vetë qeverisë hyjnë në marrëdhëniet e shpërdorimit të parave publike përmes shpikjes së termit partneritet publik-privat.
Kështu, ndërsa u shpjegua kontradikta konceptuale dhe përmbajtësore e kryeministrit mbi vështrimin e sipërmarrësit si shërbëtor të punëve publike, edhe formulimi i termit partneritet publik-privat është po aq anakronik kur përdoret jo vetëm nga kryeministri, por edhe në ligjërimet e sotme juridike dhe politike. Kjo pasi nëse mbështetemi në literaturën filozofike dhe shkencore për të shpjeguar etimologjinë dhe ecurinë përmbajtësore të vetë këtij termi, formulimi i partneritetit (partus + nere = çelje + soditje = çelja e njohjes mes njerëzve nëpërmjet soditjes) qartëson qasjen e një domethënieje të përbashkët mes dy ose më shumë njerëzve për njohjen dhe kuptimin e botës së brendshme dhe të jashtme të tyre (jomateriale dhe materiale). Sendërtimi i këtij botëkuptimi bën që sa më shumë ata kuptojnë ngjashmëritë dhe domethëniet e përbashkëta mbi ecuritë e jetëve fizike, psiko-dinamike dhe shpirtërore të tyre, aq më shumë përputhen mishërisht, mendërisht dhe frymërisht mes tyre duke qëndruar me dhe përkrah veteve të tyre. Përshkuar kah këto udhësoditje dhe botëkuptimi të ngjashëm, partneriteti e gjallon udhën e tij tashmë si një vijueshmëri e sensit të miqësisë, dhe ku sipas Aristotelit, miqësia e vërtetë fillon kur zhbëhen interesat materialë mes njerëzve. Kjo do të thotë se nëse ka një interes që i mbarëvijon jetët dhe marrëdhëniet mes njerëzve, ai është jetimi në një hapësirë të përbashkët dhe për të mirën e përbashkët. Shkurt, dhe duke kundërshtuar njohuritë e cungëta dhe idioteske të këtij palo kryeministri, kjo do të thotë se nuk ka se si që disa qeveritarë t’iu japin të drejtën sipërmarrësve privatë për të kryer shërbime publike duke u financuar prej fondeve publike, dhe aq më tepër kur qeveritarët dhe sipërmarrësit privatë hyjnë në një marrëdhënie faktike të përfitimit vetjak prej përdorimit të fondeve publike. Për ta thënë më troç, në çdo trajtim që mund t’i bëhej këtij rasti në universitetet publike evropiane dhe amerikane, kjo lloj marrëdhënieje do të quhej konceptualisht konflikt i pastër interesi, ndërsa proceduralisht, kapje e shtetit dhe përdorim i pushtetit të tij në funksion të përfitimit personal dhe privat, përmes vjedhjes dhe shpërbërjes së hapësirave dhe pasurive publike.
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).