Pamundësia e ngjarjeve përballë gjendjes së pashpresë

/Bislim Lakna/

Shteti është, në të shumtën e rasteve, terreni politik në të cilin aktivisti, militanti apo politikani janë të kufizuar të veprojnë. Reflektimi politik kohë pas kohe është domosdoshmëri për qartësimin e idesë dhe kthjellimin e shikimit përpara. Reflektimi mbi situatën politike të shtetit tonë (po marr guximin ta quaj dhe timin) nuk duhet të bjerë në grackën e retorikës së thatë të përsëritur pafundësisht në mass-media për qëllim konsumi ditor.

Si fillim, do të doja që në Shqipëri të kishte ngjarje. E kam fjalën për ngjarje sipas përkufizimit të Alain Badiou-së: Ngjarje quajmë thyerjen e ligjeve të situatës. Një ngjarje është e tillë vetëm kur ka potencialin e krijimit të një mundësie të re.

Në të vërtetë në Shqipëri nuk mendoj se ka ndodhur ndonjë ngjarje, të paktën jo në këto 20 vitet e fundit. Si situatë të vetme me potencial për t’u bërë ngjarje, së fundmi, nuk ka të dytë përveç 21 Janarit 2011.

Në anën tjetër, Badiou-ja quan gjendje sistemin e kufizimeve, i cili pikërisht e kufizon mundësinë. Pra, një ndodhi pa potencialin e ndryshimit të gjendjes dhe të balancave shoqërore është vetëm një fakt i thjeshtë. Kështu në Shqipëri është gjendja ajo që duhet përmbysur në kërkim të ngjarjeve të reja.

Padyshim se asgjë që ndodhi gjatë 2017 nuk mund ta konsiderojmë ngjarje. As çadra e opozitës, as fitorja e PS e vetme në zgjedhje, aq më pak zgjedhja e Metës president apo momente të tjera të këtij lloji nuk kanë as për së afërmi potencialin që të jenë ngjarje. Ato nuk janë asgjë më shumë sesa fakte të thjeshta, të cilat kanë ndihmuar në forcimin e gjendjes. Në këto kushte, më e mundshme është të krijohet një ngjarje nëse tregohet vendosmëri nga naftëtarët e Ballshit për të vazhduar me rezistencë e organizim sepse vetëm kështu, duke u përplasur palët antagoniste, siç janë punëtorët nga njëra anë dhe pronarët me shtetin në krah nga ana tjetër, mund të ketë tronditje të mjaftueshme të gjendjes.

Nga sa më sipër, situata nuk duket edhe aq optimiste. Për sa kohë nuk kemi ngjarje do na duhet të orvatemi në kotësinë e interpretimit të fakteve ose të rrekemi për të krijuar një të tillë, gjë që nuk është aspak e lehtë.

Paraprakisht më lejoni të bëj një parashtrim. Le ta ndajmë për lehtësi shoqërinë në dy kampe të mëdha: të varfrit dhe të pasurit. Nuk do i futemi qëllimisht ndarjes sipas teorisë së klasave, sepse padyshim që do të gaboja në shumë aspekte për shkak të kompleksitetit të temës dhe të pamundësisë time për t’i interpretuar ato dallime me shtjellime të sakta teorike.

I

Vargu i famshëm i Migjenit “Mjerimi s’don mshirë. Por don vetëm të drejt!” shtron rrugën më të qartë të linjës së mendimit që duhet të na paraprijë përballë varfërisë. Po këtu del një problem më kompleks për kontekstin e sotëm, të cilin do e trajtojmë pak më vonë: çfarë do të thotë drejtësi sot dhe a është zbatimi i ligjit drejtësi? Që varfëria dhe mjerimi janë problem i individit na është përsëritur aq shpesh, sa vë në dyshim edhe ata që e përbuzin skajshmërisht një qasje të tillë. Të pyesësh një ekonomist apo një studiues shoqëror për origjinën e varfërisë, mjafton të jenë të paktën liberalë me pak sedër, do të t’përgjigjen njëzëri se origjina e varfërisë është strukturore, nis dhe përfundon me politikat e shpërndarjes së pasurisë. Varfëria dhe mjerimi nuk janë faj i individit, por defekt i sistemit dhe për aq kohë sa propaganda e djathtë tenton të na mbajë larg kësaj të vërtete, do e kemi të vështirë të krijojmë ngjarje dhe do të përfundojmë duke u rropatur për t’i mbijetuar përditshmërisë.

Jo rastësisht në të katër anët e jetës sonë hasim një logjikë të mbrapshtë – që nga familja, kopshti, sidomos gjimnazi dhe universiteti – sipas të cilës individi i suksesshëm është më i dobishëm për shoqërinë se çdolloj organizimi shoqëror e politik. Sot njerëzit e kanë më të lehtë të besojnë në një lider mbinjeri se në një sindikatë ose në një protestë. Madje e kemi më të lehtë të besojmë se ministri, biznesmeni dhe këngëtari i njohur janë njerëz të mirë vetëm se i shohim tek shpërndajnë pako me ndihma për të varfrit në prag festash, sesa të kujtohemi që dy të parët kanë në dorë më shumë gjëra se kushdo tjetër për t’i nxjerrë ata nga ky zgrip, kurse i treti minamilisht ka për detyrë të denoncojë gjendjen përmes veprimtarisë kulturore, gjëra që nuk i bëjnë kurrë. Krejt kjo si rezultat i një propagande konsistente për disa dekada rresht nga qarqet e mendimit liberal. Sakaq nuk reshtet së trumpetuari bamirësia si akt humanizmi dhe mëshira si virtyt i lartë. Të mos harrojmë se fundja bamirësia shërben vetëm për një gjë: t’i mbajë të pastër ndërgjegjen atij që e kryen, ndërsa të varfrit nuk i thotë asgjë më shumë se një lehtësim i vogël i gjendjes së pashpresë në të cilën ndodhet. Nga sa më sipër, prirem të përbuz secilin akt bamirësie a shfaqje mëshire dhe i konsideroj që të dyja hipokrizi. Që të jemi të qartë, më lini t’ju kujtoj se nuk e kam harruar për asnjë moment atë që quhet solidaritet.

II

“Shteti është produkt i shoqërisë në një shkallë të caktuar të zhvillimit; shteti është pohimi se shoqëria është ngatërruar në një kontradiktë të pazgjidhshme me veten e vet, është ndarë në antagonizma të papajtueshëm, nga të cilat nuk është në gjendje të shpëtojë. Por që këta antagonizma, këto klasa me interesa ekonomike të kundërta të mos gllabërojnë njëra-tjetrën dhe shoqërinë në një luftë shterpe, për këtë gjë u bë e domosdoshme një forcë që të qëndronte, në dukje, mbi shoqërinë, një forcë që ta zbuste konfliktin, që ta mbante këtë konflikt brenda kufijve të ‘rendit’. Dhe kjo forcë, e dalë nga shoqëria, por që e vë veten mbi shoqërinë, që bëhet gjithnjë e më e huaj për të, është shteti.” – kështu e shpjegon lindjen e shtetit F. Engelsi. Ditët e sotme të varfrit e ndjejnë dorën e butë të shtetit (ndihmën ekonomike, shëndetësore, arsimin etj.) në të rrallë, ndërsa dorën e tij të fortë (policinë, mbledhësin e taksave, prokurorin, gjykatësin etj.) shumë shpesh. E kundërta ndodh me të pasurit. Pabarazi si të sotmet do të ishin të papranueshme sikur të mos ishte shteti si rregullator, që rri aty lart, mbi shoqërinë, për të garantuar që kjo pabarazi është drejtësia vetë. Ligji është mekanizmi përmes të cilit shteti vendos pushtetin e tij mbi shoqërinë. Duke pasur parasysh të gjitha kontradiktat e sipërpërmendura, mund të konstatojmë lehtësisht se ligji, qysh në ngjizje të tij, përmes mekanizmave të shumtë, ndikohet nga më të fortët në favor të interesave të tyre. Në shtetin kapitalist fuqinë politike e përcakton dhe i jep formën e saj të plotë fuqia ekonomike, të cilën padyshim e kanë kapitalistët, pra të pasurit. Kështu, ndikimin brenda shteti ata e kanë më të lehtë se konkurrencën midis tyre. Në këtë mënyrë shteti bashkë me mekanizmat e tij është nënë për të pasurit dhe njerkë për të varfrit.

III

Duke e njohur lidhjen e ngushtë të oligarkisë ekonomike me kastën politike, ku bëhen bashkë dy forca në dukje të pamposhtshme, fuqia politike dhe ajo ekonomike, venitet shpresa për një zgjidhje të thjeshtë. Ndërrimi i pushteteve, ku njëra parti zëvendëson tjetrën, nuk do të thotë ndryshim i gjendjes; për pasojë, është vetëm një fakt i thjeshtë krejt i parëndësishëm. Padashur të tingëlloj radikal, por kam frikë së kjo lloj situate po merr formë çdo ditë e më të rëndë, kështu po i hapet rrugë formave më të padëshiruara të revoltës. Klasa sunduese sot na mban nën presion të vazhdueshëm me argumentin e dhunës. Po të përdorim fjalët e filozofit slloven Slavoj Žižek, “kundërshtimi i gjithë formave të dhunës, prej asaj të drejtpërdrejtë e fizike (vrasjet masive, terrori) e deri te dhuna ideologjike (racizmi, nxitja e urrejtjes, diskriminimi seksual) përbën shqetësimin kryesor për sjelljen liberale tolerante që mbizotëron sot”.

Por duke e vështirësuar deri në pamundësi organizimin e vërtetë sindikal, popullor etj., ekziston rreziku real që ata shumë shpejt të përballen me makthin e tyre më të madh, të cilin pa pushim na e propagandojnë si rrezik për mbarë shoqërinë e që në fakt është i rrezikshëm vetëm për privilegjet e tyre. Korifenjtë e mendimit liberal shumë shpesh pranojnë vetëm organizimet profesionale si format më të mira të organizimit, që në të vërtetë nuk prodhojnë asgjë më shumë se pallavra të maskuara si kontradikta, në thelb krejt të parëndësishme për shoqërinë. Kështu, përballë varfërisë dhe pamundësisë për të dalë nga kjo gjendje antagonizmi, mes të varfërve të pashpresë nga njëra anë dhe të pasurve të mbytur në privilegje nga ana tjetër, po thellohet një hendek i rrezikshëm, epilogu i të cilit mund ta trazojë rëndë status quo-në.

Meqenëse vende si i yni janë hallka e fundit për nga rëndësia ekonomike e politike në rrafshin e politikave ndërkombëtare, duhet të kthehemi me këmbë në tokë dhe të tentojmë ta kontekstualizojmë këtë kritikë në raport me gjendjen e shtetit shqiptar. Lidhjet e oligarkisë me kastën politike këtu janë aq të forta sa e çojnë diskutimin në një nivel tjetër. Fillimisht një zbatim i përpiktë i ligjit, i cili mund të ndodhë vetëm me një përmbysje të plotë të kësaj kaste të kapur politike, për një periudhë afatshkurtër do të normalizonte ndjeshëm gjendjen për t’i hapur rrugë mundësisë për ndryshime domethënëse të saj. Kjo duhej pasuar nga ndryshimi i politikave të taksimit, favorizimi i sindikatave dhe nxitja e organizimeve të këtij lloji, politikat favorizuese të prodhuesve të vegjël bujqësorë, shtetëzimi i sektorëve strategjikë dhe vetadministrimi punëtor i tyre, rrënimi i privilegjeve të burokracisë, ulja e tarifave të shkollimit deri në arsim publik falas, shëndetësia falas, politikat dinjitoze të strehimit për të gjithë pa përjashtim e të tjera politika të këtij lloji, të drejta, të mundshme dhe të domosdoshme.

Eric Hobsbawm-i e quante shekullin XX “epoka e ekstremeve”. Uroj që shekulli XXI të quhet “epoka e ngjarjeve”!

Imazhi: The Avondhu Press

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.