/Jani Marka/
Progresi
Është e vërtetë që 100 mijë (spekulim!) apo ndoshta deri në 500 mijë (sërish spekulim!) qytetarë shqiptarë jetojnë në mirëqenie absolute – ekonomi, shëndet, arsim, kulturë, siguri etj. – e shumë herë më mirë se shumica e qytetarëve të tjerë, madje me gjasë shumë më mirë se burokracia e djeshme gjatë diktaturës. Për këta 100 mijë qytetarë, Shqipëria, me të drejtën e tyre, ka bërë progres. Janë këta 100 mijë që kontrollojnë thuajse gjithçka në këtë vend, biznesin, administratën, drejtësinë, policinë, partitë, ojf-të, mediat, e përmes këtyre të fundit fabrikojnë idetë e tyre të progresit në opinionin publik. Këta 100 mijë mbajnë në këmbë oligarkinë. Kjo e fundit], e krijuar pikërisht nga gjiri i 100-mijëshit dhe që ka hyrë në fazën e konsolidimit, ka ndërtuar një marrëdhënie vicioze me vetë 100-mijëshin.
Të tjerët, që në këtë rast janë rreth dy milion e gjysmë shqiptarë – shtresë e mesme, të varfër apo shumë të varfër – jetojnë në një pasiguri, nga relative deri në absolute, për jetën e tyre. Shkurt, jetojnë pa shpresë. Qyshse idetë sunduese flasin për progres, rritje ekonomike me përqindje, evropianizim, integrim në BE, reformë në drejtësi, të pashpresët e avullojnë energjinë e tyre potencialisht transformuese. Kjo nuk është status quo, siç mund të na duket në afatshkurtër, por regres. Si dilet nga kjo situatë regresi?
***
Sipërmarrësi
Java e fundit e vitit u mbyll me protestën e naftëtarëve të Ballshit e Fierit, të cilët jo vetëm që nuk kanë marrë pagat dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore në bazë të ligjit, por e ardhmja e tyre është e pasigurt ekonomikisht. Nga ana tjetër, ideologjia sunduese na thotë “bëhu sipërmarrës, i zoti i vetes, hyr në treg!”. Në këto kushte shtrohet një pyetje: Nëse ARMO mbyllet përfundimisht, si mundet që 1200 punëtorë të bëhen sipërmarrës të vetes në një qytet shumë të vogël, periferik dhe ekonomikisht të mjerë (çuditërisht!) si Ballshi? Po sikur të kthyerit në sipërmarrës të jetë objektivisht i pamundur në qytetin e Ballshit?! Po nga mjerimi kolektiv si dilet? Po shteti çfarë roli ka apo çfarë roli duhet të ketë?
***
Çarja e munguar
Një herë në do kohë z. Erjon Braçe “shpërthen” – kështu quhet në gjuhën gazetareske – kundër qeverisë; e kështu edhe kësaj here z. Braçe shpërtheu për kauzën e naftëtarëve dhe foli si një sindikalist i vërtetë apo, pse jo, edhe si një socialist i vërtetë; tek e fundit sindikalisti e socialisti nuk janë të panjohur për njeri-tjetrin, por shokë të ngushtë. E jo vetëm Erjoni, por edhe deputeti socialist i zonës së Mallakastrës, z. Ismet Beqiraj, foli dhe u dha të drejtë punëtorëve. Por a i vlejnë publikut këto shpërthime? A krijojnë çarje konstruktive në Partinë Socialiste?
***
Solidariteti
Në dy javët e fundit kam vënë re se kryetari i Bashkisë Tiranë, apo ish-kryetari i G99, z. Erion Veliaj, thërret qytetarët e Tiranës për solidaritet e bamirësi me të varfrit. Bukur! Edhe pse mund të kishte hapur dhjetëra qendra sociale me milionat e eurove që përkundrazi u shpenzuan për gurët nacionalistë të sheshit Skënderbej dhe bamirësinë t’ua linte xhamive, kishave apo shoqatave. Apo i duhet binomi “Erioni bamirës”?! Këto ditë për solidaritet kemi thirrur edhe ne, si aktivistë, në mbështetje të punëtorëve të Ballshit. Për fat të keq, të dy kemi dështuar me thirrjet tona. Qytetarët e Tiranës janë shumë pak solidarë. Pse kështu?
***
Organizata Politike
Shumë njerëz e simpatizojnë Organizatën Politike, por hezitojnë ta mbështesin në aktivitetet e saj. Pse? A është simpatizimi maksimumi i angazhimit të tyre?! Ndoshta në art të simpatizosh një artist i jep frymëzim, fuqi e motiv vetë artistit, por në veprimtari politike nuk funksion kështu. Të ngelurit veç te simpatizimi nuk sjell ndonjë dobi të madhe. Prandaj shokë e shoqe simpatizantë, lëvizni përpara, angazhohuni me Organizatën! Kauzat nuk janë vetëm tonat, por edhe tuajat dhe e shumë e shumë të tjerëve përtej nesh e përtej të sotmes.
Si shqiptarë, që prej fabulës së Skënderbeut, flasim se bashkimi do të sjellë fuqinë, e fuqia ndryshimin e madh. Po ja që ne nuk bashkohemi, ne ndahemi, ikim, avullojmë… Në fakt retorika e bashkimit nuk ka të bëjë fare me shqiptarin, se në çdo takim, publik ose jo, aktivistët kudo në botë, thërrasin në mënyrë patetike, gjithmonë, për nevojën e organizimit.
***
Urimi për vitin tjetër
Nuk do i uroj të gjithë, se jo të gjithë do t’i lexojnë këto radhë. Prandaj do uroj që simpatizantët t’i bashkohen OP dhe së bashku të bëjmë shumë më tepër. Kjo është e mundur. Gëzuar, të bashkuar!
Imazhi: Wallup.net
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).