Ekstremizmi i qendrës

/Michael Hardt, Antonio Negri/

Ndoshta asnjë shkencë tjetër më shumë se shkenca politike nuk i kushtohet kaq fort “realizmit” të saj. Tuqididi, Machiavelli, Montesquieu-ja e shumë të tjerë ndriçimtarë të traditës evropiane e kanë materializuar këtë pretendim. Sidoqoftë, rrymat mbisunduese të analizës politike të këtyre shekujve të fundit kanë mbledhur male të tëra me të dhëna dhe përshkrime të panumërta procesesh politike, si dhe kanë përpunuar metoda statistikore e parashikuese, duke përdorur qasje bihevioriste dhe sociologjike. Po asnjëra syresh nuk meriton të quhet as realiste e aq më pak shkencore. Shkenca politike është bërë shërbëtorja e pushteteve. Nuk e kemi fjalën edhe aq te disiplina akademike, por te luzma e gazetarëve, politikanëve dhe analistëve të turlillojshëm (ku përfshihen, sigurisht, edhe akademikë) të cilët shpallin dita-ditës kuptimin e zakonshëm të arsyes politike.

Mësimet e këtyre shkencëtarëve politikë vulgarë dhe ndikimplotë sillen rreth tre elementëve: së pari, shumica syresh, në mënyrë eksplicite ose jo, pohojnë “autonominë e politikes”… duke i bërë apologjinë veprimit shtetëror, i cili merret sikur të ishte qendra ekskluzive dhe e padiskutueshme e jetës politike. Së dyti, ata pretendojnë se ofrojnë dije të pavarura nga vlerat. Meqenëse pretendimet për dije dhe praktika objektive duhen sfiduar edhe në rastin e shkencave të natyrës, siç kanë treguar bindshëm studiuesit e gjinisë dhe racës, pretendimet për objektivitet në studimin e sistemeve dhe sjelljeve politike kanë fare pak bazë. E nëse bazohen ndokund, ato janë tentativat për të mjegulluar apo maskuar vlera politike të caktuara.

Sidoqoftë, më së shumti na intereson elementi i tretë: shkencëtarët politikë mëtojnë të identifikojnë një “qendër, një pikë ekuilibri dhe moderimi, rreth të cilës duhet të sillet i gjithë diskutimi politik i arsyeshëm. Elitat dhe populli, e majta dhe e djathta – na thonë – duhet të lëvizin kah qendra sepse vetëm qendra mund ta shpëtojë politikën demokratike dhe institucionet e saj nga kundërshtimet radikale dhe iracionale. Nëse në aksin y vendosim marrëdhënien midis majës dhe bazës së sistemit politik dhe në aksin x konfliktin midis të majtës dhe të djathtës, atëherë vetëm aty ku këto akse priten, në origjinë, mund të gjejmë ekuilibër dhe stabilitet, drejtësi dhe moderim. Aristoteli dhe Polibi ishin të idesë se vetëm duke qepur tre format e qeverisjes (monarki, aristokraci dhe demokraci) mund të garantohet politeia, shoqëria e drejtë politike, kurse Weber-i e përfytyronte pushtetin si të frymuar nga përzierja e tri formave të legjitimimit (tradicionales, racionalo-ligjores dhe karizmatikes). Mirëpo këto përkufizime antike dhe moderne të politikes (dhe politikës “demokratike” në veçanti) kishin meritën e të qenit dinamike. Ato janë zëvendësuar nga pohimi i pabesë i politikës së reduktuar në një qendër, të fiksuar në kohë dhe të palëvizshme në hapësirë. Vala e fundit e ekspertëve politikë ka prodhuar këtë rezultat të paparë, duke eliminuar hapësirën për konflikt demokratik në figurën e “populizmit centrist”. Pohimi se “nuk jemi as të majtë, as të djathtë” ndiqet nga ai se “jemi edhe elitë, edhe popull”.

Pikësëpari, ky përfundim buron nga një efekt tërësisht ideologjik, tejet i largët nga analiza e pavarur prej vlerave që pretendojnë shkencëtarët politikë. “Qendra” e bën politikën e palëvizshme jo në kuptimin se qendra nuk lëviz, porse çdo transformim mbetet në kontrollin e qendrës. Vini re, për shembull, sa e modës është sot fjala revolucion midis gazetarëve, politikanëve dhe burokratëve! Përdorimi vend e pa vend i saj i shërben jo vetëm zbrazjes së termit nga kuptimi dhe eliminimit të mundësisë së tij reale në të tashmen, por edhe zhdukjes së kujtimit të zhvillimeve historike të shekujve të kaluar. Në bazë të gjithë kësaj… qëndron një fenomen mjaft më i gjerë. Sot duket sikur koha historike është ngjeshur dhe kohësia e ardhshme e dëshirave është eliminuar: e tashmja është e përjetshme, e pandryshueshme dhe e domosdoshme. E gjitha kjo regjistrohet dhe mbipërcaktohet nga pushtetet sovrane. Kësisoj, historia moderne, që më parë është përshkruar si shpalosje e vazhdueshme konfliktesh shoqërore dhe modifikim i përsëritur strukturash kushtetimore, duhet paralizuar rreth një qendre politike të lëvduar si Edeni i ekuilibrit.

Këmbëngulja te “qendra” sjell pasoja të ngjashme në hapësirë. Sipas kësaj ideje, sistemet politike, duke u qendërzuar, vendosen rreth vlerave të konsoliduara dhe hierarkive të pandryshueshme. Partizanët e qendrës i bien kambanës së alarmit, duke ngjallur frikë nga ndryshimi dhe tmerr nga e reja, në emër të nevojës për stabilitet. “Sot, në Evropën ku ka pllakosur kriza” – shkruajnë Giorgios Katsambekis dhe Yannis Stavrakakis… – “imazhin manikeist[1] të shoqërisë e ndërtojnë mbrojtësit institucionalë të ‘politikës së moderuar’, të cilët i konsiderojnë thuajse të gjitha papajtueshmëritë si iracionale dhe populiste, duke u bërë kësisoj gjithnjë e më shumë radikalë dhe përjashtues.” Legjitimiteti nuk ndërtohet mbi elementët e konsensusit dhe pjesëmarrjes, por i besohet autoritetit të ngarkuar me detyrën e zmbrapsjes së rrezikut që na kanoset të gjithëve, çka ringjall një traditë të vjetër të politikes së bazuar te frika – prej Thomas Hobbes-it te Carl Schmitt-i.

Këmbëngulja te “qendra” politike bëhet edhe më e fuqishme kur kombinohet me ekuilibrin e parashkruar nga teoria ekonomike neoliberale. Ideja reaksionare e ekuilibrit dhe stabilitetit të zbatuar mbi marrëdhëniet midis shteteve dhe popullatave ka një histori të gjatë. Për shembull, nocioni administrativ gjerman i kameralizmit e vlerëson atë, siç bën edhe Friedrich Hayek-u. Po sot forca e qendrës dhe ekuilibrit është bërë edhe më e paepur. Ekonomia dhe politika përzien me njëra-tjetrën në njëfarë zhvlerësimi të individualizmit, i cili prodhon paradoksalisht një imazh të rendit shoqëror që në një masë të konsiderueshme është determinist. Kësisoj “qendra” humb çfarëdo mundësie të mbetur për të qenë e hapur nga ndonjë anë, lart ose poshtë, djathtas ose majtas. Ajo është produkt dhe markë e një procesi ekonomik të domosdoshëm. Do të qe katastrofike sikur punët të rridhnin ndryshe!

Duhet ta kemi të qartë se ky proces legjitimimi i një qendre të qëndrueshme dhe “të moderuar” e distancon veten nga imazhet e frikës dhe dhunës që janë në origjinë të saj, edhe kur i përdor ato. A ka gjë më “qendrore” dhe paqedashëse sesa të jesh i qetë dhe i drejtpeshuar pasi ke provuar frikë dhe terror?! Në këtë vallëzim midis terrorit dhe qetësisë, cinizmi që i jep jetë realizmit politik centrist ofron atë që ndoshta është çelësi më i mirë i interpretimit të “qendrës” neoliberale dhe masës së “ekstremizmit” të saj. Të gjitha pozicionet politike duhen bërë bashkë në qeverisjen e qendrës: “nuk ka alternativë tjetër.” Ka gjë më cinike se kjo thënie?! Çdo vlerë që nuk reduktohet në “qendër” duhet përjashtuar apo nxjerrë jashtë ligjit.

Kjo qendër “e padhunshme” është larg asaj ideje stabiliteti dhe ekuilibri të garantuar nga zoti apo rendi princëror, të cilët duheshin vendosur edhe nëpërmjet dhunës së tmerrshme. Është larg shtypjes së përgjakshme, në emër të protestantizmit, të fshatarëve të revoltuar. Kur e pyetën për arsyet e masakrës, Martin Luther-i u përgjigj: “Sa keq që duhet të jemi kaq mizorë me të varfrit, por s’kemi ç’bëjmë! Është e domosdoshme dhe zoti do që popullit t’i kallet data.” Sot popullit i kallet data ndryshe nga ç’ndodhte në zanafillë të modernitetit, ku paraja ka zëvendësuar mercenarët. Po ja që kështu ndodh sërish, përndryshe – vazhdon Luther-i – “Satanai prodhon ligësi”.

A e ka akoma të mundur sot dija politike, përtej “ekstremizmit të qendrës”, që të lëvizë brenda historisë dhe të marrë përsipër projektin e transformimit të saj? Pak a shumë në të njëjtën kohë kur Luther-i nxiste mercenarët e tij që të masakronin fshatarët, Machiavelli e ktheu politiken në pasion dhe imagjinatë të së përbashkëtës. Politikja kushtetohet – na mëson ai – nga dëshira e shumësisë, si në rastin e revoltës së Çompit, kur leshpunuesit fiorentinë luftonin kundër pronarëve të tregut. Do të ishte më mirë të thoshim se ata “e përvetësuan” politiken sepse diçka e tillë nënkupton pretendimin e një hapësire politike nga ata që nuk kanë hise dhe që rrezikojnë jetën në luftën për çlirim nga mjerimi dhe nënshtrimi, pa frikë e tmerr. Kjo do të thotë ta shtiesh dëshirën brenda luftërave dhe të përballesh me rreziqet e luftës, brenda marrëdhënieve të forcës dhe pasigurive të saj, me bindjen se liria dhe e përbashkëta ngaherë testohen materialisht dhe ndërtohen në luftë e sipër. Vetëm kjo politikë mund t’i merret nga duart Satanait me të cilin na kërcënonte Luther-i.

E përktheu Arlind Qori

Marrë nga libri “Assembly” i Michael Hardt-it dhe Antonio Negri-t (Oxford University Press, 2017, fq.245-249

Shënime:

[1] Manikeizmi është një fe me origjinë nga Persia, që e bazon botëkuptimin teologjik në luftën e dy zotave, njëri i dritës dhe të mirës, kurse tjetri i errësirës dhe të keqes. Termi, gjithsesi, ka marrë prej shekujsh një përdorim më të gjerë, duke iu referuar pikëpamjeve që e ndajnë botën në mënyrë të thjeshtuar në dy forca jo vetëm të papajtueshme me njëra-tjetrën, por edhe të mëvetësishme, ku njëra është mishërim i të mirës dhe tjetra i të keqes. – shën. përkth.

Imazhi: Nomoi Hypotheses

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.