Padrejtësi, organizim, rezistencë

/Arlind Qori/

Intervistë për gazetën greke “Dromos”

Miq të dashur të Organizatës Politike, nga rrjetet sociale kemi mësuar për prezencën tuaj interesante. Na shkruani disa fjalë për “historinë” tuaj, kërkimet tuaja në fushën filozofike, politike dhe shoqërore, si dhe për hapësirën në të cilën lëvizni, aleancat tuaj etj!

Organizata Politike është formuar si një bërthamë aktivistësh pas ngjarjes së 21 janarit 2011, ku forcat e armatosura shtetërore qëlluan dhe vranë katër demonstrues. Revoltimi ndaj vrasësve politikë dhe tradhtuesve të gjakut të atyre njerëzve të varfër na e forcoi bindjen se Shqipërisë i nevojitej një organizim i ri politik, që shihte me përparësi ndërgjegjësimin dhe organizimin e më të varfërve, sidomos punëtorëve. Prej vitesh Organizata Politike ka si përparësi të ndihmojë punëtorët në organizimin e sindikatave të reja, vitale dhe demokratike – duke i dhënë fund pseudosindikalizmit të vjetër, të kapur nga partitë politike dhe të korruptuar nga pronarët e sipërmarrjeve të mëdha. Gjatë këtyre viteve aktivizëm jemi përpjekur të organizojmë edhe studentët dhe ta lidhim kauzën e tyre me të punëtorëve, sidomos për shkak se shumë studentë sot janë të detyruar të punojnë për të përballuar kostot e larta të studimit dhe jetesës. Nuk kemi munguar, gjithsesi, as në të tjera kauza me rëndësi shoqërore si p.sh. mbrojtja e hapësirave publike nga gllabërimi i shfrenuar prej kapitalit spekulativ, barazia gjinore, mbrojtja e mjedisit etj.

Për të fuqizuar klasat dhe grupet shoqërore që i shohim me përparësi, kemi arritur të ndërtojmë marrëdhënie të forta me një zinxhir sindikatash të reja të formuara vitet e fundit, si ato të minatorëve, naftëtarëve, punonjësve të call center-ave, punëtorëve të industrisë tekstile etj. Po ashtu kemi bashkëpunuar me grupe qytetarësh për kauza në interes të të mirës publike, sidomos në bashkorganizimin e protestave dhe rezistencës qytetare.

Nga pikëpamja ideo-politike ne rreshtohemi me krenari majtas. Prej tre dekadash e majta e mirëfilltë ka munguar në Shqipëri. Partitë që formalisht quhen të majta janë shërbëtore të interesave të oligarkisë ekonomike dhe në qeverisje e program nuk kanë asgjë të rëndësishme që i dallon nga e djathta neoliberale. Kësisoj aktiviteti ynë politik ka shërbyer edhe për të thyer sadopak hegjemoninë e konsoliduar të parimeve neoliberale.

Si e gjykoni ecurinë e sistemit politik pas tranzicionit në lidhje me varësinë e tij të ngushtë nga faktorë të huaj të ndryshëm (Turqi, SHBA-NATO, BE) që ndërhyjnë në orientimin e vendit?

Burokracia politike shqiptare është e varur nga dy pole. Në njërën anë fuqizimi i oligarkëve ekonomikë vendas po e shndërron atë nga partnere e barabartë në procesin e akumulimit të paligjshëm të kapitalit në vasale që po humb çfarëdo autonomie relative. Në anën tjetër, prej dekadash burokracia politike shqiptare ka zgjedhur unanimisht që nga pikëpamja gjeopolitike dhe gjeoekonomike të renditet krah SHBA, Bashkimit Evropian, si dhe të ndjekë si nxënëse e bindur recetat e Fondit Monetar Ndërkombëtar (sidomos për sa i përket procesit të përshpejtuar të privatizimit të ndërmarrjeve publike dhe futjes së logjikës së kapitalit në thuajse çdo pore të jetës shoqërore). Zërat që e problematizojnë varësinë e parë janë rritur shumë vitet e fundit, kurse varësia e dytë kritikohet vetëm pjesërisht dhe në mënyrë sporadike (sidomos për shkak të ndërlikimit që vjen nga situata gjithnjë e tensionuar në Ballkan në raport me shtete si Serbia, e cila ende orvatet të destabilizojë Republikën e Kosovës, për pavarësinë e plotë të të cilës ka një konsensus total mes qytetarëve të Republikës së Shqipërisë).

Sidoqoftë sistemi politik shqiptar ka hyrë në një krizë të thellë legjitimiteti. Partitë kryesore, ndonëse ende arrijnë të fitojnë votat e shumicës së qytetarëve, e kuptojnë se mbështetja për to është sipërfaqësore, oportuniste dhe, me sfidën e parë nga një forcë e re dhe vërtet popullore, mund të avullojë shpejt. Fakti që pabarazitë ekonomike po thellohen dhe mundësitë ekonomike për shumicën dërrmuese të popullsisë sa vijnë e ngushtohen, bën që situata shoqërore të jetë në tension të vazhdueshëm dhe shpërthimet e zemëratës të jenë gjithnjë në prag.

Cili është qëndrimi i qeverisë shqiptare në lidhje me mbrojtjen e popullit gjatë periudhës pandemike? Cilat janë kushtet ekonomike të klasave të nënrenditura, si dhe korniza institucionale e kontrollit shoqëror-policimit që solli vrasjen e Klodian Rashës?

Qeveria shqiptare u kap tërësisht e papërgatitur për pandeminë. Spitalet publike ishin dhe janë në kushte shumë të vështira, me infrastrukturë të dobët dhe staf shëndetësor të pamjaftueshëm dhe të keqpaguar. Pasoja, këto, të ristrukturimit neoliberal të shëndetësisë ku është rritur pesha e spitaleve private dhe qeveria po përdor skema të dyshimta partneriteti publik-privat për të devijuar fonde nga shëndetësia publike drejt asaj private. Nga ana tjetër, sidomos gjatë muajve të parë të pandemisë shumë punëtorë humbën vendet e punës, ndërkohë që mbështetja për ta ka qenë minimale. Po, ç’është më e rëndësishmja, punëtorët vazhdojnë të punojnë në kushte të rrezikshme për shëndetin e tyre, çka shpërfillet nga qeveria, e cila kujdeset vetëm për ecurinë e fitimeve të pronarëve të mëdhenj.

Më gjerësisht, pakënaqësitë po rriten. Varfërimi i një pjese të shtresës së mesme dhe niveli mjaft i ulët i pagave dhe kushtet tejet të vështira të punës për punëtorët, një njërën anë, dhe pasurimi i vazhdueshëm i një grushti oligarkësh, nga ana tjetër, po i thellon kontradiktat. Këto të fundit po ashpërsohen edhe për faktin se gjatë këtyre muajve të pandemisë është zvogëluar ndjeshëm ritmi i emigrimit. Emigracioni ka qenë përherë një valvul shkarkimi për papunësinë dhe tensionet shoqërore në Shqipëri. Sot, në pamundësi për të emigruar, sidomos rinia shqiptare po ndjen një frustrim si rrallëherë më parë.

Në këtë kontekst qeveria ka zgjedhur të intensifikojë dhunën dhe presionin në shoqëri. Përndiqen shitësit e vegjël të rrugëve, si dhe janë ashpërsuar masat për çdo protestë paqësore. Nga ana tjetër qeveria po ndërton një frymë të theksuar agresiviteti mes trupave policore. Këto rrethana shpjegojnë edhe vrasjen e të riut Klodian Rasha nga një efektiv policie, si dhe revoltën disaditore të rinisë së periferive të Tiranës kundra dhunës policore dhe, në përgjithësi, një sistemi ekonomiko-politik mbytës. 

Në këtë kohë, opozita dhe partitë që kanë formuar një profil antiqeveritar kanë aftësitë për të “shfrytëzuar” çështjen e Klodianit, si dhe çështje të tjera që lidhen me mungesën e demokracisë, korrupsionin etj? A ishin këto parti të pranishme në protesta? A mendoni se pakënaqësia që shfaqet në komponentë të ndryshëm shoqërorë (punëtorë, studentë, të rinj etj.) mund të këtë ndonjë mundësi organizimi alternativ?

Prej vitesh partitë opozitare, impotente për të ndërtuar një bazë shoqërore të mirëfilltë, orvaten të parazitojnë brenda protestave dhe lëvizjeve shoqërore që lindin spontanisht. E patën tentuar gjatë protestave studentore të dhjetorit 2018, si dhe në një sërë lëvizjesh më modeste nga poshtë. Në të gjitha rastet kanë prishur punë sepse i kanë dhënë qeverisë alibinë se protestat nuk shprehin revoltën autentike shoqërore, por janë makinacione të partive opozitare. Sidoqoftë në shumicën e rasteve protestuesit ia kanë dalë t’i përzënë këto parti nga radhët e tyre. Edhe në protestat e fundit për vrasjen e Klodian Rashës mund të ketë pasur persona të infiltruar nga partitë opozitare, por roli i tyre ka qenë i dorës së dytë. Ato ishin ditë të një revolte spontane të rinisë periferike të Tiranës, e cila ishte e pakomandueshme dhe e pakontrollueshme.

Gjithë ky mllef shoqëror, i kombinuar me rënien drastike të legjitimitetit të qeverisë dhe partive opozitare, ka krijuar terrenin pjellor të organizimeve politike alternative. Ne, si aktivistë të Organizatës Politike, po punojmë shumë për ndërtimin e një lëvizjeje shoqërore plurale në subjekte, por unitare në disa parime bazë si: braktisja e kapitalizmit neoliberal si model zhvillimi, lufta ndaj oligarkëve ekonomikë, zgjerimi i të drejtave të punëtorëve dhe përfshirja e tyre në vendimmarrje në vendin e punës, barazia gjinore dhe ruajtja e mjedisit, demokracia e drejtpërdrejtë dhe e shumanshme etj. Muajt në vijim do të tregojnë se sa afër është dita e ngadhënjimit politik të shoqërisë.

Imazhi: Organizata Politike

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.