Trazira në kodrën e pushtetit

/Mike Davis/

“Sakrilegji” i djeshëm ndaj tempullit të demokracisë sonë – oh, i shkreti qytet i njollosur mbi kodër! – ishte “kryengritje” vetëm në kuptimin e një komedie të errët. Në thelb ishte një marshim i madh si ato të motoçiklistëve të jashtëligjshëm, të veshur si palaço cirku dhe barbarë të kohës së qepës – ku merrte pjesë edhe një tip me surrat të ngjyer që bënte poza si bizon me brirë i veshur me lëkurë kafshësh – që mësynë klubin e lagjes, zaptuan fronin e Mike Pence-it, dëbuan senatorët drejt kanaleve të ujërave të zeza, hera-herës kruan hundët dhe u ngatërruan në shkresurina dhe, mbi të gjitha, bënë selfie pa fund për t’ua dërguar shokëve. Përtej kësaj, as që ia kishin idenë se ç’po bënin. (Estetika ishte shprehje e kulluar e filmave të Buñuel-it dhe pikturave të Dali-së: “Rregulli ynë i vetëm ishte tejet i thjeshtë: nuk do të pranohet asnjë ide a imazh që mund të shpjegohet racionalisht.)

Mirëpo ndodhi diçka e paparashikueshme për nga rëndësia: një deus ex machina që largoi mallkimin e Trump-it nga karriera e fajkonjve të luftës dhe luanëve të rinj të së djathtës konservatore, ambiciet e të cilëve deri dje ishin të kufizuara nga kulti i presidentit. Sot u dha sinjali i shpërthimit të tyre të shumëpritur. Fjala “sureale” është përdorur mjaft, por e karakterizon më së miri orgjinë e mbrëmshme dypartiake, ku gjysma e denoncuesve të zgjedhjeve në Senat iu bashkuan thirrjes së Biden-it për “kthim në normalitetin e respektueshëm” dhe vollën në publik sasi të mëdha pietizmi helmatisës.

Të kuptohemi: Partia Republikane po përjeton një ndarje të papajtueshme. Sipas standardeve të Fuhrerprinzip-it të Shtëpisë së Bardhë, Pence-i, Tom Cotton-i, Chuck Grassley, Mike Lee-ja, Ben Sasse-i, Jim Lankford-i, madje edhe Kelly Loeffler-i, tanimë janë fund e krye tradhtarë. Ironikisht, kjo u mundëson atyre të shndërrohen në pretendentë për postin e presidentit në një parti që, ndonëse mund ta tejkalojë Trump-in, do të mbetet e ekstremit të djathtë. Prej ditës së zgjedhjeve, pas kuintave, biznesi i madh dhe shumë nga donatorët e mëdhenj të republikanëve i kanë djegur urat me Shtëpinë e Bardhë, çka në mënyrën më sensacionale vihet re në rastin e institucionit ultrarepublikan Shoqatës Kombëtare te Manifakturuesve, e cila dje i bëri thirrje Pence-it që të përdorte amendamentin 25 të kushtetutës për të hequr nga detyra Trump-in. Sigurisht, ata iu gëzuan boll tre viteve të para të regjimit për shkak të uljes kolosale të taksave, dobësimit të rregulloreve mjedisore dhe të punës dhe tregut marramendës të aksioneve. Po viti i fundit u mësoi se Shtëpia e Bardhë ishte e paaftë të menaxhonte një krizë kombëtare madhore apo të siguronte stabilitet politik e ekonomik bazik.  

Synohet ristrukturimi i pushtetit brenda partisë, ku vendin kryesorë do të zënë grupe interesi kapitaliste më tradicionale si Shoqata Kombëtare e Manifakturuesve, Tryeza e Biznesit, si dhe familja Koch, që prej kohësh kishte parehati me Trump-in. Nuk duhet të na gënjejë mendja se “republikanët e moderuar” u ngritën papritmas nga varri; projekti që po lind do të ruajë aleancën bazike midis ungjillorëve të krishterë dhe konservatorëve ekonomikë dhe me gjasë do të mbrojë një pjesë të madhe të legjislacionit të kohës së Trump-it. Nga ana institucionale, republikanët e Senatit, ku ka më shumë talente të reja, do të sundojnë në kampin post-Trump dhe, përmes një konkurrence të ashpër darviniste – ku mbi të gjitha është beteja për të zëvendësuar Mitch McConnell-in – do të mundësojnë një kalim stafete në brezin e ri përpara se të lërë skenën oligarkia e pleqve të Partisë Demokratike. (Mes tyre fushëbeteja kryesore e brendshme në vitet e ardhshme do të sillet rrotull politikës së jashtme dhe luftës së re të ftohtë me Kinën).

Kjo është vetëm njëra anë e ndarjes. Tjetra është më dramatike: trampistët e vërtetë janë bërë de facto një parti e tretë, e rrënjosur fort në Dhomën e Përfaqësuesve. Me Trump-in që do ta balasmosë veten në fantazi hakmarrëse, pajtimi midis dy kampeve me gjasë do të bëhet i pamundur, ndonëse mund të ndodhin largime individuale. Shtëpia e tij në Florida do të bëhet baza e kultit trampist të vdekjes, i cili do të vazhdojë t’i mobilizojë ndjekësit e tij të vendosur për të terrorizuar zgjedhjet primare republikane dhe siguruar një kontingjent të madh fanatikësh në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në legjislaturat e shteteve që anojnë nga republikanët. (Duke pasur donacione të mëdha korporative, republikanët e Senatit janë më pak të cenueshëm nga sfida të tilla).

Nesër opinionistët liberalë mund të sigurojnë se republikanët kanë kryer vetëvrasje, se koha e Trump-it ka mbaruar dhe demokratët janë në prag të hegjemonisë. Sigurisht që të tilla deklarata janë bërë edhe gjatë zgjedhjeve primare të trazuara të republikanëve më 2015. Asokohe dukeshin të besueshme. Po një luftë civile mes republikanëve do t’u siguronte demokratëve vetëm një avantazh të përkohshëm, ndarjet brenda të cilëve janë thelluar nga refuzimi i Biden-it për të ndarë pushtetin me progresistët. Për më tepër, të çliruar nga fatvat elektronike të Trump-it, disa prej senatorëve më të rinj republikanë mund të rezultojnë konkurrues më të fuqishëm nga ç’mendojnë demokratët për votat e banorëve të mirëshkolluar të periferive të pasura. Sidoqoftë, e vetmja e ardhme që mund të parashikojmë me siguri – vazhdimi i turbulencës së skajshme politiko-shoqërore – i bën të kota parathëniet e fatit.  

E përktheu Arlind Qori

Marrë nga Sidecar/New Left Review

Imazhi: The Atlantic

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.