Gijotinë prej ëmbëlsirash

/Sidorela Vatnikaj/

Nuk është e çuditshme që nëse nuk je fort i dhënë pas festave dhe nuk të tërheqin edhe aq babagjyshat në bluza e çorape që shiten duke filluar që buzë trotuareve e deri te dyqanet luksoze me drita dhe drerë, ardhjen e fundvitit ta kuptosh nga orvatjet personale e deri në nivel korporatash për të bërë akte bamirësie. Qasjet ndaj bamirësisë në të dyja rastet janë të ndryshme dhe duhen trajtuar të ndara nga njëra-tjetra. Megjithatë, në praktikë rezultati i të gjithë nismave që pretendojnë të zhdukin varfërinë me pako ushqimesh dhe çorape të pagrisura është i njëjtë: funksionon si një gijotinë[1] prej ëmbëlsirash; në thelb duket e bukur, por gjithsesi të vret. Dhe ç’vrasje!

Bamirësia ndodh në dy forma (të dyja dëshpëruese): o si përpjekje  për të bindur se ti në të vërtetë nuk je edhe aq burrë i keq ( lexo këtu: biznesmen) sa thonë njerëzit që punojnë për ty, shoqëria, mediat, gjithçka që flet e në çdo formë që e bën këtë, o si qasje naive për të bërë mirë (fundja, kush do të bëjë keq?!), e cila megjithatë mbetet shqetësuese sepse në thelb tregon se nuk e ke arritur ta kuptosh konceptin dhe ta njohësh atë, si e vetmja formë për ta luftuar.

Për të zhdukur një problem nuk mjafton ta kuptosh përciptazi atë; duhet ta njohësh, të dish si dhe pse zhvillohet, ç’e nxit, ç’e ngadalëson, ç’e shuan fare. Fjala vjen, për të ndihmuar një familje në nevojë, e cila i zbardh ditët në çadër sot në ndonjë nga fshatrat e Laçit, nuk mjafton të të vijë keq, të tregohesh i ndjeshëm ndaj fenomenit, të kesh empati. Për të ndihmuar në mënyrë të qenësishme shokun tënd nga Laçi është e nevojshme të kuptosh se varfëria është sistemore, nuk është as e rastësishme, as e lokalizuar. Duhet të kuptosh se varfëria është dhunë dhe jo zgjedhje; dhunë që lind që nga pamundësia për të zgjedhur për të qenë i tillë, pamundësia për t’u konsideruar, për t’u konceptuar dhe llogaritur nga shoqëria, nga shteti. Nëse e gjitha kjo nuk konsiderohet përpara se të bësh thirrje për t’u “organizuar” e mbledhur ushqime e veshmbathje, do të jetë e kotë krahasimisht me objektivin (që unë po zgjedh ta marr të mirëqenë si të sinqertë) dhe do të jetë edhe e dëmshme në raport me fenomenin.

Kjo e fundit më ngjan me një gjë që e gjej shpesh në shoqërinë tonë: përveç shesheve e çdo hapësirë që fillon nga ngjyra e blertë, përfshirë çdo nuancë të saj të cilat janë gllabëruar me pallate shumëkatëshe e ngrehina pasunarësh, në Shqipëri zaptohen edhe trotuaret. “Zoti toks” është zëvendësuar me ndonjë karrige e tavolinë, që tregon se e drejta jote publike i është dhënë një tjetri, që me siguri është më i barabartë se ti. Duke mos e konceptuar këtë si dhunë dhe mohim i të drejtës tënde për të kaluar në hapësirën publike, njerëzit gjithnjë e më shumë po zbresin trotuareve dhe ecin në rrugën e parashikuar për automjete. Edhe kjo, si në rastin e bamirësisë, ndodh për të shmangur gjithë papërshtashmërinë e fenomenit: një diskutim që është i kotë, kërkimi i një të drejte që në thelb të takon, absurditetin e situatës. Megjithatë, kjo nuk e zhduk fenomenin, pasiqë veç sa e sheh dhe e shmang atë. Shmangia e fenomenit jo vetëm që nuk e zhduk atë, por krijon një realitet të rremë, sikur fenomeni po ndrydhet, ndërkohë që në thelb ai bëhet edhe më i rrezikshëm, sepse nuk njihet e konceptohet drejt dhe se tanimë nuk ka asnjë përpjekje serioze për ta kundërshtuar.

Kjo ndodh në qasjet personale, sporadike, naive, kryesisht te individë që mundohen të konceptojnë problematikën, por munden prej mungesës së njohjes së konceptit që u orvata të shpjegoj më lart. Nga ana tjetër, bamirësia gjithnjë e më shumë po bëhet marketing me (pa) lekë i kompanive të përfolura për shtypjen dhe diskriminim e punëtorëve, kushteve të vështira në punë, dhunës së vazhdueshme me produkte të mbivlerësuara që i shërbehen publikut si vlerë e shtuar dhe indoktrinimit të një mendësie konsumi pa fre e filtra. Gjithnjë e më shumë po zhvillohet ideja se njerëzit ndihmohen nga biznesmenët, me shpërblimet e Vitit të ri, çeqet nën dorë në rastet e aksidenteve në punë, të cilat nuk kanë asnjë qëllim ta shuajnë fenomenin, por ta përdorin atë për të rritur bilancin e fitimeve. Kjo formë manipulimi e masës nuk është gjë tjetër veçse “e mirë” e tregut babaxhan.

Kjo jo vetëm që është ku e ku me zgjidhjen e drejtë të fenomenit dhe zhdukjen e tij, por punon në të kundërt: e mban gjallë, e përjetëson atë, sepse unë nuk jam rastësisht e varfër, im atë nuk është rastësisht i varfër, shoku im nga Laçi që fle në çadër nuk është rastësisht i varfër; është pasojë e përvetësimit dhe mohimit të të drejtave të mia publike, kohës time, energjisë, shpresës dhe mendimtarisë, punës dhe vullnetit, në mënyrë që xhaxhat biznesmenë me qese babagjyshash në duar të bëhen çdo ditë e më të pasur.

E vërteta është se bamirësia të varfëron, paçka se e kundërta e kësaj fjalie ka “shitur” shumë. Të varfëron në mendime dhe veprimtari; të turbullon e të pengon të shohësh drejt problematikën, shkakun dhe zgjidhjen, duke vënë në gjumë ndërgjegjen egoiste (në rastin më të mirë) dhe, pa diskutim, duke e thelluar më tej problematikën.

E vërteta është se bamirësia të varfëron, të dhunon, të mund. Në fund, bamirësia mbetet një gijotinë përbërë prej ëmbëlsirash, të lezeton e ngjan bukur, ama të vret. E ç’vrasje se!

Imazhi: Reddit

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.


[1] Gijotín/ë,-a emër i gjinisë femërore; numri shumës; -a(t) term në histori; vegël me thikë të madhe, që bie me forcë për t’i prerë kokën një të dënuari me vdekje.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.