Shteti në shoqëritë kapitaliste: konkurrenca e papërkryer (i)

/Ralph Miliband/

Teoria demokratike dhe pluraliste nuk do të kishte përftuar shkallën e përhapjes që gëzon sot në shoqëritë e avancuara kapitaliste sikur të mos ishte bazuar në të paktën një observim tepër të dukshëm mbi këto të fundit; përkatësisht që shoqëritë kapitaliste mundësojnë dhe inkurajojnë ekzistencën e një shumësie grupesh për t’u organizuar haptazi dhe konkurruar mes vetes për përparimin e qëllimeve të pjesëtarëve të këtyre grupeve. Me përjashtime, të cilat kryesisht prekin të majtën, kështu ka ndodhur zakonisht. Megjithatë, gabimi në teorinë demokratiko-pluraliste nuk qëndron në insistimin e saj mbi faktin e konkurrencës, por në pretendimin (shpesh herë merret si e mirëqenë) se interesat madhorë të organizuar në këto shoqëri, më saktësisht kapitali dhe puna, konkurrojnë mes tyre në terma të barabartë, dhe kësisoj asnjëri prej tyre nuk është në gjendje të arrijë një avantazh domethënës dhe permanent gjatë procesit të konkurrimit. Pikërisht këtu përfshihet ideologjia, dhe observimet kthehen në mite. Bizneset, veçanërisht bizneset e mëdha, gëzojnë avantazhe brenda vetë sistemit shtetëror, si virtyt i kompozimit dhe prirjes ideologjike të elitës shtetërore. Në vijim do të shohim se si bizneset gëzojnë superioritet masiv edhe jashtë sistemit shtetëror, në terma të presionit të fuqishëm që mund të ushtrojnë kundrejt këtij të fundit, krahasimisht me punën dhe grupet e tjera të interesit shoqëror.

Një formë e tillë presioni, të cilën teoricienët e pluralizmit priren ta harrojnë, është më e rëndësishme dhe efektive se gjithçka tjetër, dhe biznesi është i pozicionuar më së miri për ta ushtruar, pa pasur nevojë për t’u organizuar, ndërmarrë fushata dhe lobuar. Bëhet fjalë për presionin e vazhdueshëm të kudondodhur të ushtruar mbi qeverinë nga kontrolli privat i industrisë së përqendruar, njëlloj si burimet komerciale dhe financiare. Ekzistenca e kësaj fushe madhore të pushtetit të pavarur ekonomik mbetet një fakt të cilin asnjë qeveri, pavarësisht vullnetit të saj, nuk mund ta anashkalojë në vendimmarrjen e saj jo vetëm sa i përket ekonomisë, por gjithë çështjeve të tjera qeverisëse.

Sigurisht, formalisht qeveritë e kanë pushtetin e nevojshëm për të imponuar vullnetin e tyre mbi biznesin, për ta ndaluar nëpërmjet ushtrimit të autoritetit legjitim të sillet ose jo në një mënyrë të caktuar. Dhe në fakt, në të shumtën e rasteve qeveritë e kanë bërë diçka të tillë. Megjithatë, ky nuk është problemi kryesor. Qeveritë nuk janë tërësisht të pashpresa përballë pushtetit të bizneseve; as bizneset, sado të mëdha, nuk munden ta kundërshtojnë haptazi qeverisjen, të mos i binden ligjit.  Problemi është që kontrolli i sektorëve më të rëndësishëm të jetës ekonomike nga bizneset e bën tepër të vështirë imponimin e politikave që nuk përkrahen nga bizneset. Edhe grupet e tjera shoqërore mund t’i kundërshtojnë, ndonjëherë me sukses, qëllimet dhe politikat e qeverisë. Por biznesi, për nga vetë natyra e organizmit ekonomik të kapitalizmit, është pakrahasimisht më i mirëpozicionuar për ta detyruar në mënyrë efektive qeverinë t’u kushtojë vëmendje kërkesave dhe dëshirave të tij.

Duke shkruar mbi Shtetet e Bashkuara, profesori Hacker vë në dukje se: …ajo që Parsons-i dhe liberalët e tjerë u pëlqen ta mendojnë si norma të rregullimit të biznesit, në të vërtetë është vetëm një tigër prej letre dhe jo një sistem efektiv kontrolli i ekonomisë në të mirë të interesit publik… Rreth këtyre fuqive të supozuara të qeverive nacionale mund të ngrihen disa pyetje. A mundet një agjenci publike të përcaktojë nivelin e pagave, të çmimeve apo të fitimit? Ç’është më e rëndësishmja, a mundet vallë të përcaktojë nivelin dhe drejtimin e investimit të kapitalit? A mundet një byro qeverisëse të shpërndajë materiale prodhuese ose të kontrollojë vendndodhjen e fabrikave? A mundet në çfarëdolloj mënyre të garantojë punësim të plotë  ose shkallën e rritjes ekonomike? Përgjigjja e thjeshtë është që masa të tilla nuk janë të mundura nëpërmjet ligjeve dhe nuk mund të dimë as reagimin ndaj tyre nga ana e biznesit.  

Megjithatë, edhe në rastin e SHBA nuk duhet nënvlerësuar influenca që mund të kenë qeveritë nëpërmjet ndërhyrjeve direkte ose jo në jetën ekonomike; në shumë vende të tjera kapitaliste, ku është përhapur një filozofi më pozitive rreth ndërhyrjeve shtetërore, qeveritë kanë mundur të ndërhyjnë më shumë nga ç’sugjerohet këtu. Përsëri, limitet e ndërhyrjes, të paktën në marrëdhënie me biznesin dhe veçanërisht kundër tij, janë kudo më të pakta dhe të ngushta nga ç’duken formalisht; dhe shkalla e vendimmarrjes që u mbetet kompanive private është më e madhe nga ç’propagandohet zakonisht prej imazhit të komunitetit të biznesit, i formuluar nga qeveri burokratike dhe agjentët e tyre.  

Edhe qeveritë e vendosura për ta kontrolluar ndërmarrjen private, shpejt mësojnë se mekanizmat e ndërhyrjes që këto qeveri pretendojnë të përdorin me qëllim imponimin e vullnetit të tyre mbi bizneset janë tmerrësisht të pavolitshëm dhe gati në gjendje pamundësie për t’u përdorur në rast të mungesës së gatishmërisë nga ana e biznesit. Gatishmëria për bashkëpunim nga ana e biznesit nuk vjen nëse për të nuk paguhet një çmim – në këtë rast që qeveritë të mos jenë aq të vendosura në ndjekjen e politikave të cilat vetë biznesi i cilëson si të rrezikshme për të, dhe sigurisht, për “interesin kombëtar”.

Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për rezistencën aktive të kontrolluesve të pushtetit ekonomik ndaj ligjit, apo shmangien e qëllimshme nga procedurat dhe kufizimet e vendosura ligjërisht, edhe pse të gjitha këto mund të ndodhin. Më i rëndësishëm se kundërshti të tilla është pushteti i brendshëm i biznesit, i cili mund të jetë i dëmshëm dhe i rrezikshëm politikisht, duke refuzuar të bindet ndaj gjërave të cilat nuk urdhërohen por thjesht kërkohen nga shteti, duke kryer njëkohësisht veprime të cilat nuk klasifikohen të dënueshme sipas ligjit. Shumëçka është e mundshme mbi këto baza dhe kaq do të mjaftonte për tëkrijuar një qeveri me probleme të theksuara, për aq kohë sa kjo e fundit zgjedh të operojë brenda kornizave të regjimit kapitalist. Siç shkruan Meynaud-i në një referencë mbi Italinë por që vlen të përdoret edhe më gjerësisht, kontrolli dhe pronësia private… e bën tepër të vështirë ndërmarrjen e një politike reformash brenda kornizave të mirëvendosura të strukturës ekonomike. Çdo qeveri që ka për qëllim rishpërndarjen e pushtetit ekonomik dhe produktit shoqëror, pa vënë në dyshim themelet e sistemit, tepër shpejt përballet, në kuptimin mjekësor të fjalës, me mungesën e tolerancës së regjimit ndaj këtyre ndryshimeve.   

Duhet theksuar se kjo mungesë “tolerance” nuk është në atë shkallë sa të ndalojë çdo politikë ekonomike që kundërshtohet nga biznesi. Me fjalë të tjera, fuqia e vetos së biznesit nuk është absolute. Megjithatë, mbetet tepër e madhe dhe qartazi më e madhe se e cilitdo interesi tjetër në shoqërinë kapitaliste.

Në një dimension abstrakt, qeveritë zotërojnë mjaftueshëm burime dhe pushtet për të kërcënuar dhe luftuar bizneset. Në praktikë, qeveritë që e kanë një qëllim të tillë – shumica syresh nuk e kanë – zbulojnë se konteksti i dhënë ekonomiko-politik në të cilin duhet të veprojnë, bën që detyra të jetë e mbushur me vështirësi dhe rreziqe të panumërta.

Këto vështirësi mishërohen më së miri në frazën e tmerrshme “humbje e besimit”. Fraza në vetvete është dëshmi e pushtetit të biznesit, ndaj të cilit të gjitha qeveritë, jo vetëm ato reformatore, kanë qenë thellësisht të shqetësuara për t’i fituar dhe ruajtur “besimin”. Qartazi, asnjë grup shoqëror nuk gëzon një “besim” i cili është kaq i çmuar, ose humbja e të cilit do ishte kaq katastrofike.

Megjithatë në ditët e sotme qeveritë reformatore dhe ato të majta nuk duhet të përballen vetëm me pushtetin e biznesit vendas. Sot më shumë se kurrë ato duhet të përballen me pushtetin dhe presionin e interesit të kapitalit të jashtëm – firmat e mëdha, qeveritë e huaja konservatore, bankat qendrore, financa internacionale private, organizata zyrtare internacionale si FMN-ja ose Banka Botërore, ose një kombinim të tyre. Ortodoksia ekonomike dhe financiare,  si dhe kujdesja ndaj nevojave të veçanta të tregut të lirë nuk mbeten më kërkesa vetëm të biznesit vendas, por janë shndërruar në kërkesa edhe të fuqive të jashtme, të cilat mund të ushtrojnë influencë edhe më të madhe.

Kapitalizmi, si kurrë më parë, është një sistem internacional, ekonomitë përbërëse të të cilit janë të ndërlidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Kësisoj, edhe vendet  më të fuqishme kapitaliste varen në një shkallë të madhe ose të vogël nga vullneti i mirë dhe bashkëpunimi i vendeve të tjera; dhe nga çfarë është shndërruar së fundmi në një komunitet të ndërlidhur internacional kapitalist. Mospëlqimi i komunitetit ndaj politikave të njërit prej vendeve pjesëtare dhe zbehja e “vullnetit të mirë” që pason nga ky mospëlqim, qartazi paraqesin vështirësi të mëdha për shtetin në fjalë. Për aq kohë sa shteti zgjedh të mbetet pjesë e komunitetit, frika nga mosaprovimi i politikave nga pjesa tjetër e komunitetit peshon ndjeshëm dhe për më tepër redukton impulset e qeverive me prirje reformatore për të devijuar nga rruga e ortodoksisë. Bankierët qendrorë gëzojnë autoritet të lartë, madje kanë fituar rëndësi të jashtëzakonshme si gardianët e kësaj ortodoksie dhe si përfaqësues par excellence të financës “së shëndoshë”. Një qeveri konservatore në një pozicion relativisht të fortë ekonomik dhe financiar, e tillë si qeveria e de Gaulle-it, mund të shtiret si reformatore pa pasur rrezik madhor për ndëshkim nga komuniteti i kapitalit. Nga ana tjetër, një qeveri radikale do të kishte pak gjasa të vazhdonte punën e qetë dhe e pavarur nga këta përfaqësues të kapitalizmit internacional. Për më tepër, qeveritë radikale shpesh vijnë në pushtet në kushte të rënda të krizës ekonomike dhe financiare, dhe zbulojnë se huat dhe mbështetja ekonomike janë të aksessueshme vetëm me kushtin që politikat ekonomike të qeverisë të përshtaten me aspiratat e kreditorëve, çka bën që përmbajtësisht ndryshimet me politikat konservatore të cilat deri tanimë i kishte denoncuar të jenë margjinale.

***

Kjo lloj varësie dhe survejimi ka qenë gjithnjë karakteristikë e marrëdhënieve midis botës së kapitalizmit të avancuar dhe qeverive të Botës së Tretë të cilat kërkonin ndihmë dhe kredi; çmimi i kësaj ndihme ka qenë implementimi i politikave të krijuara për të favorizuar ose të paktën për mos të pasur konflikt me ndërmarrjet e kapitalit të huaj; adaptimi i marrëdhënieve dhe politikave internacionale të tilla që të mos prekin kreditorët dhe dhuruesit. Këto presione të jashtme tanimë nuk prekin vetëm shtetet e nënzhvilluara të Botës së Tretë. Në mënyrë tepër efektive ato mund të drejtohen mbi qeveritë e vendeve të avancuara kapitaliste; dhe këtu gjendet një tjetër burim i pushtetit të interesit të kapitalit vendas përballë qeverive të vendosura për të zbatuar politika ekonomike të papëlqyeshme për klasën sunduese. Konflikti klasor, në këto vende, ka pasur gjithnjë një dimension internacional, por tani ky dimension është më i drejtpërdrejtë dhe specifikisht i vërtetë se kurrë më parë.

(Vijon)

E përktheu Frenklin Elini

Shkëputur nga libri i autorit “Shteti në shoqëritë kapitaliste”

Imazhi: revista Jacobin

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.