Obama dhe fantazma e luftës së klasave

/Arlind Qori/

Është kollaj ta simpatizosh Obamën; dhe jo vetëm për hir të ngjyrës së lëkurës dhe elokuencës, por edhe se pasi u vë veshin fundamentalistëve republikanë, të cilëve u shndrit fytyra kuqalashe alla-western për çdo dollar që u hiqet shërbimeve sociale, arsimit, shëndetësisë dhe u shtohet plutokracisë dhe buxhetit të fryrë ushtarak, zëri i të parit duket i afërt me arsyen e shëndoshë, shprehës i minimumit të mundshëm të humanizmit, solidaritetit dhe përkushtimit publik. Veçse e jashtëzakonshme është të jesh më keq se republikanët (p.sh. ndonjë fanatizëm fashist i tipit të Agimit të Artë), se për të qenë më mirë mjafton veç pak mund.

Fjalimi i Obamës në konventën demokrate herë pas here bënte dallimin midis të paktëve Wall Street-istë dhe të shumtëve te të cilët vendoseshin biznesmenët patriotë që për arsye metafizike nuk i zhvendosnin kapitalet jashtë, klasa e mesme, njerëzit punëtorë (qofshin edhe përkohësisht të papunë) dhe fëmijët e varfër. Në këtë ndarje shoqërore vetëm të mesmit përshkruhen si klasë, d.m.th. si grup ekonomiko-shoqëror me interesa të përkufizuara qartë, të shumtë në numër dhe në mënyrë të nënzëshme edhe më të virtytshmit qytetarisht. Veçse nuk mund të ketë klasë në njëjës. Ka klasë vetëm nëse ka klasa. E për pasojë ka të mesëm, vetëm nëse sipër e poshtë tyre gjenden dy klasa, lehtësisht antagoniste mes tyre dhe në periudha krizash çarëse në dysh të unitetit ideologjik të të mesmëve. Në fjalimin e Obamës dhe në ideologjinë liberale, shqueshëm amerikane, mosemërtimi i klasave nuk shpreh thjesht ëndrrën amerikane të oqeanit të mesëm që lë pas pakicat emërhumbura dhe hap rrugën për sipër për të paktët çudibërës, por mbi të gjitha frikën nga pranimi i Reales traumatike të çdo shoqërie klasore, luftës së klasave. Lufta e klasave ekziston si pamundësia e një shoqërie për të gjetur rehatinë e pikës së mesme për sa kohë poshtë tyre gjenden skllevërit bashkëkohorë, të papunët kronikë, të papunësueshmit, të pashpresët, dhe sipër tyre borgjezia e madhe. Nëse dy klasat antagoniste nuk shënjohen, atëherë tensioni e konflikti humb trupat kolektivë (klasat) dhe shpërthimin e vet gjithëpërmbysës, dhe merr trajtën e konfliktit të anesteziuar, të quajtur ndryshe garë apo konkurrencë e ndershme në treg të lirë, ku të paktët stërfitojnë, të shumtët mirëjetojnë, e ca të tjerë (të panumëruar e të panumërueshëm) me meritë humbin e presin mëshirën sociale të demokratëve zemërbutë përballë fajkonjve republikanë. Pra në vend të luftës së klasave, ku sidomos në raste krizash të përjashtuarit (për traditë po i quajmë klasë punëtore, megjithëse nuk përfshin veç punëtorët, por gjithkënd që do të donte të jetonte prej punës, por nuk mundet) shumohen nga varfërimi progresiv i të mesmëve (mikroborgjezisë) dhe të pasurit (makroborgjezia) pasurohen më tej, kemi tentativën ideologjike të kapjes pas paqtimit social që në lulëzim të kapitalizmit mishërohet nga klasa e mesme.

Pikërisht sot kur veç të mesmit nuk janë klasë (por një turmë e madhe të frikurish nga rreziku i rrëshqitjes poshtë, atje në kanalet e të harruarve të deridjeshëm, emri i të cilëve nuk bën të përmendet kolektivisht, por vetëm individualisht dhe në aspekte emocionalisht zemërkëputëse si fëmijët e varfër – meqenëse për të rriturit e varfër nuk e çan kokën njeri, përderisa varfëria e tyre konsiderohet e merituar, e ardhur prej dembelisë dhe defekteve të tjera të karakterit), dhe poshtë e sipër tyre janë të përhershmet klasa antagoniste, ideologjia liberale rreket të rindërtojë sforcueshëm terrenin e përbashkët rreth klasës së mesme imagjinare, së cilës i bashkëngjiten të pasurit patriotë, punëtorët e palodhur dhe gjynahqarët fëmijë të varfër. Të tjerët, ata më të rëndësishmit, makroborgjezia dhe klasa punëtore janë të pagjendshëm kolektivisht: ekzistenca e tyre është veç spektakolare dhe individuale, si babëzi Wall Street-iste dhe dembeli varfanjakësh.

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.