Batakçillëku dhe injoranca trendy

/Arlind Qori/

Që shtëpia botuese 55 po na e pasuron dijen me një libër të ri në surrogatin e “Librave të zinj…” nuk përbën çudi e as merak. Po pak çudi, por më shumë merak, përbëjnë të ardhurat e kësaj shtëpize dritëpërçuese që boton libra 800 e kusur faqe pa teklif. Kushedi, si Rapush Xhaferrit, dijetarit në krye te saj i vjen në ndihmë ndonjë dajë nga Amerika që ka lënë amanet që pasurinë t’ia shkrijnë për mëmëdhenë. Batakçinj hesapi! Tash kalojmë te hesapi i injorancës rrëzëllitëse: Pak çudi, gjithsesi edhe për pak, e shumë më tepër merak përbën përkushtimi kohor i Top Channel-it në promovimin e këtij libri duke e quajtur vepër voluminoze e studiuesve të njohur botërorë që paraqesin të pathënat e ndyrësive të Revolucionit Francez, gjakpirjen ontologjike të revolucionarëve të të gjitha kohërave – çka shfaqet edhe në përkimet midis tij dhe Revolucionit të Tetorit, etj rënkime ideologjike reaksionare që burojnë qysh prej priftit De Maistre e pseudoliberalit Burke, po që kësaj radhe nuk kanë as sqimën intelektuale të klasikëve të sipërpërmendur. A thua se nevojitet 55-shja për të ditur se terrori është karakteristikë e revolucioneve, e sigurisht edhe e atij francez?! A thua, po ashtu, se mjafton dhuna apo mjaullimat melankolike të zotërinjve që qajnë zotërinjtë e qëmotit të shkuar në gijotinë për ta dënuar kategorikisht terrorin?! A thua se për çdo mbret apo parazit aristokratik të shkuar në satër, nuk ekzistojnë me mijëra, ç’mijëra (!) – qindra mijëra, panumërisht mijëra mjeranë, bujkrobër, punëtorë, të papunë, gra, lypës, revolucionarë, dijetarë, kritikë të vrarë me apo pa gjyq, rrugëve si qenër të infektuar pas triumfit të reaksionit, në çdo kthinë private të ndyrësisë së padronëve apo në zhurmën e tamburëve të hyjnizimit të mbretit sovran?! A thua se për çdo Luigj që i merr koka erë nga përfytyrimi i prekjes hyjnore të të drejtës për të sunduar nuk ekziston nga një a më shumë Allende që i shkon koka në erë nga përdhuna militaro-fashiste vetëm e vetëm sepse i shkon ndër mend të përfaqësojë popullin, t’i qëndrojë besnik shtresave autentike të tij, punëtorisë, fshatarësisë punëtore, borgjezisë së vogël etj?! Kur populli ngre krye fytyrës i përplaset jo vetëm dhuna e sundimtarëve të sapopërmbysur, por edhe inercia poshtëruese e të shkuarës pafundësisht shtypëse, çnjerëzore e sakatuese. E të mos çuditet kush, aq më pak 55-shit, se kur populli ngrihet kundër të sotmes e të shkuarës, ka vetëm një rrugë: të kërcënojë e kur e lyp nevoja të përdorë të gjitha mjetet e mundshme, qoftë edhe terrorin për tu çliruar dhe emancipuar.

P.S. Sa për studiuesit e njohur ndërkombëtarë, libri në fjalë ka për udhëheqës shkencor e politik një prift katolik për të cilin nuk ka as zë te Wikipedia.

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.