Kush do t’i takojë punëtorët?!

/Arlind Qori/

Në takimin e fundit me pronarët e industrisë fasone, kryetari i PS-së Rama u thotë: “Humbja e 30 mijë vendeve të punës në 4 muaj është një gjë shokuese, ndërkohë që fakti që kjo humbje mund të evitohet duke u mbështetur juve dhe duke mos ju parë juve si kapitalistë që fitoni lekë, po si instrumente për nxitjen e punësimit dhe për zbutjen e problemeve sociale përbën një ndryshim themelor të këndvështrimit.” Pra, në ligjërimin socialist ka një përpjesëtim të drejtë midis punësimit dhe fitimit të pronarëve. Meqenëse siç pritet, arsyeja e heqjes në masë nga puna vjen nga ulja e të ardhurave dhe për pasojë edhe e fitimit, atëherë ky i fundit sigurohet nëpërmjet mbipunës së të mbeturve në punë me të njëjtën pagë. Për ideologjinë sunduese, sidomos në prerjet e veta simptomatike shenjtëruese shqiptare, e shenjtë nuk është mirëqenia e të gjithëve, por prona dhe fitimi (madje ky i fundit fetishizohet aq shumë saqë kushedi sa pak shqiptarë e bëjnë dallimin midis fitimit të pronarit, që s’bën tjetër punë veç jep urdhra e kërcënon me kamxhikun e papunësisë, dhe pagës së punëtorit, e cila edhe në qoftë se bie nën minimumin e pashpallur jetik quhet fitim i punëtorit). Kësisoj, punësimi, mirëpagimi, kushtet e punës etj si këto shihen si të rëndësishme vetëm sa kohë nuk prekin asnjë grimë fitimin e pronarit. Prandaj, në rastin në fjalë, e vetmja mënyrë që pronarët të mos kamxhikojnë me papunësi është që fitimi i tyre të sigurohet përmes uljes së taksave për ta apo mbylljes së syve ndaj kushteve çnjerëzore të punës. Në rastin e uljes së taksave, punësimi apo pagimi i të varfërve nuk guxon të vijë prej uljes së fitimit të pronarëve, por prej buxhetit të shtetit. Praktikisht buxheti i shtetit do të paguajë jodrejtpërdrejt pagat e punëtorëve që s’do të largohen. Pra, këta të fundit do të punojnë për rritjen e prodhimit dhe garantimit të fitimit të pronarëve, por pagën do ta marrin nga shteti. Po qe kështu, më mirë do të ishte t’ua falje ato lekë ca qyqarëve e t’u jepje mundësi t’i përkushtoheshin letërsisë, artit, sportit apo filozofisë, sesa t’i paguash si kontribuues të asistencës sociale të pronarëve.

Nga ana tjetër, nëse pronarët nuk investojnë në kapitale fikse (makineri) për të rritur rendimentin e punës pasi kështu cenojnë Shën-fitimin, atëherë u mbetet vetëm rruga e shtrydhjes së fuqisë punëtore: d.m.th. puna e tejzgjatur në orë, me shpejtësi të rritur të lëvizjes së gjymtyrëve…deri sa këta të fundit të këputen, thyhen dhe trupi njerëzor të shndërrohet në plagë të hapur apo invaliditet, për të cilat s’ka shërim tjetër veçse mëshirës së bashkëfisnorëve, në një vend ku po s’pate para, thjesht ngordh. Edhe në i revolucionoftë spitalet qeveria potenciale socialiste, sërish ky s’përbën argument të mjaftueshëm për nxitjen e invaliditetit në punë. Pastaj, vërtet do të kishim një shtet skizofren: i përçmon punëtorët në punë, por i do me gjithë zemër në dyert e spitalit!

Dua të shpresoj, megjithëse për momentin kam po aq shpresë sa për fitimin e lotarisë kombëtare, se një prej këtyre ditëve kryetari i PS-së do të shkojë të takojë punëtorët nëpër fabrika apo miniera. T’i pyesë nëse mirëqenia e tyre lidhet medoemos me fitimin e pronarit, t’i pyesë se ç’mendim do të kishin mbi harmoninë idilike pronar-punëtor apo nëse do t’u dukej e drejtë prekja e fitimit të pronarit, fitim prej punës së tyre. Në këtë vend mund të takosh e t’u premtosh të gjithëve: pronarëve të mëdhenj, të mesëm, tregtarëve me pakicë, dyqanxhinjve, nëpunësve, mësuesve, veteranëve, ish të përndjekurve, pretenduesve të pronësisë së kohës së Naltmadhnisë, të përkorëve e matrapazëve, madje edhe punëtorëve kur i kap në rrugë individualisht, të veshur me bluzën e Milanit dhe të identifikueshëm si banorë të lagjes që s’ka ujë apo drita, por KURRË punëtorëve si grup homogjen, punëtorëve si KLASË. Nëse edhe për rrëshqitje goje quhen klasë, atëherë…siç thoshte Guinpleni i Hygoit: Dridhuni milordë!

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.