Çavezi dhe liberucët e Tiranës

/Arlind Qori/

S’di nëse i takon Mjaftit medalja e pionierit të identifikimit të Çavezit me Berishën, por me siguri në kujtesën kolektive ka lënë gjurmë posteri i ngjitur rrugëve ku si katër gjakpirës të kuq rreshtoheshin Stalini, Enveri, Çavezi dhe Berisha. Që dy të parët janë të tepërt në krahasimin me të fundit mund të ta rrëfejë çdo nxënës i mirë historie në 9-vjeçare dhe i vetmi shfajësim i ideatorëve mund të ishte padija rrëzëllitëse politike që kish nevojë vetëm për fytyra vipash. Ama me Çavezin ndryshonte puna. Nuk kishte vrarë miliona apo mijëra si dy të parët, as kishte ndërtuar ndonjë sistem policor. Dukej rural nga fytyra, fliste me zë të lartë nëpër mitingje, kapardisej nëpër televizione dhe…kaq. Pra një katundar autoritarist si Berisha. Apo jo? Bash jo. Në fakt bashkëndan me Berishën cilësinë më të mirë të këtij të fundit: origjinën modeste shoqërore, që për liberucët e Tiranës përbën gjithmonë arsye për t’u shqetësuar. Po na mbysin malokët e katundarët! T’u vëmë doganë në hyrje të Tiranës e t’i fusim brenda me leje të posaçme!

Po të tjerat? Ja nisim nga dashnia jonë komike amerikane. Përveç do kohëve rreth e rrotull ’97-s, Berisha ka qenë gjithnjë “shpresa” apo “burrështetasi” i tyre, që kur bashkëngrinte gishtat me Rajersonin deri te batuta famëkeqe e Arvizusë. Dhe kuptohet që arsyeja e dashnisë zor të kenë qenë Xhefersoni, Xhon Brauni, Drajzeri, Shtajnbeku, Djui, Çomski, Luter Kingu etj, por thjesht rreshtimi me krahun e duhur të historisë, ku e duhura nuk matet me kut moral, por me forcë. Ndërkohë që Çavezi i kundërvihet superfuqisë dhe meqenëse nuk ka më Bashkim Sovjetik si qëmoti, por maksimumi ndonjë minishtet fqinj për t’u mbështetur, mjafton edhe ky minimum robinhudizmi për të bërë dallimin.

Po s’ka gjë – do thotë ndokush, se të dy janë në mos diktatorë, udhëheqës autokratë që s’dihet si vijnë në pushtet, por ama duket se do të jenë të përjetshëm në të. Edhe këtu silogjizmi çalon në premisa. Ndonëse të dy kanë ardhur në pushtet me zgjedhje, duket sikur Berisha e ka më të vështirë të organizojë zgjedhje të paktën po aq të pranueshme sa ato që e kanë lejuar ta marrë pushtetin. Ndërkohë që “komunisti” Çavez jo vetëm që i fiton zgjedhjet (këto të fundit të pranuara menjëherë nga kandidati rival) në mënyrë të pakundërshtueshme (nëse lëmë mënjanë për një moment statujën e lirisë mediatike Fox News & Co), por kundërshtarët e tij tentojnë edhe grusht shteti, por jo nga ai me çadra pistoletë ku vriten fakirët me duar në xhepa, por nga ata seriozët, me pjesë të ushtrisë me vete, me miliarderë vendas në krye të punëve, me dorën në zemër të aleatit tonë të madh dhe strategjik dhe me strehim politik në territorin e këtij të fundit të “rivendosësve të demokracisë me ndihmën e parasë dhe armëve”.

Prapëseprapë – do thotë skeptiku, të dy janë populistë të pandreqshëm: premtojnë mrekulli ekonomike, ndërkohë që u intereson veç pushteti. Edhe këtu duhet ndalur pak revani libero-naiv. Zor të gjesh motive shën-françeskane në truallin politik, por edhe sikur ta marrim të mirëqenë synimin e qëndrimit në pushtet, rëndësi kanë qëllimet e shpallura dhe të mbajtura të tij dhe mjetet e përdorura. Për të fundit sapo folëm, për të parat hendeku midis të dyve është i pakapërcyeshëm. Nëse Berisha hapur mbron doktrina ekonomike që favorizojnë më të pasurit duke dhënë më pas shpjegime mistike se si magjishëm tejmajmja e fqinjit më fal edhe mua ndonjë kakërdhi, politikat e Çavezit nuk kanë për zemër ata që do të hynin në parajsë si gamilja në vrimë të gjilpërës, por ata që parajsën e përtejme e kanë të siguruar dhe modestisht duan të digjen ca më pak nga flakët e ferrit mbi tokë. Me shtetëzimet e burimeve natyrore dhe të ardhurat nga administrimi i tyre ndërtohen spitale, shkolla, kujdes social etj për më vulëhumburit dhe të pashpresët e shoqërisë; pikërisht për ata, banorët e periferive, proletarët, lumpenët, të cilët janë zemra e fitores zgjedhore dhe kushti i vazhdimësisë së “socializmit të shekullit XXI”. Do ngrihet skeptiku sërish: po edhe Berisha votohet në periferi, ndoshta edhe nga të varfrit. Megjithëse të dhëna të besueshme nuk ka, Berisha votohet nga disa ish-të varfër, të cilët për arsye partiake kanë përfituar do privilegje individualisht, familjarisht apo fisnisht, por jo kolektivisht si të varfër. Nëse çavizmi i trajton të varfrit si klasë, ku mirëqenia priret t’i përfshijë kolektivisht, berishizmi i trajton të varfrit klanisht, diferencon më të devotshmit mes tyre, njërin e bën doganier, tjetrin polic, dhe të tjerët i lë me ëndrra në diell se një ditë, për arsye rëndom fisnore, secili prej tyre do të fitojë miniprivilegjet e mësipërme. Në fund të fundit cili konservator apo reaksionar nuk ka vepruar në këtë mënyrë?! Cili xhandar a polic nuk ka shtënë me urdhër naltmadhnie mbi shokët  e dikurshëm?!

Po mirë, mirë, po ja që të dy gjejnë nga një ekran televiziv dhe të bllokojnë veshët me orë të tëra me fjalime ekscentrike dhe të vetëkënaqura. A thua?! Po teleshikuesi shqiptar duhet ta kërkojë me qiri ndonjë medium televiziv që të mos i kushtohet Berishës, ndërkohë që Çavezi përdor si pushkë mediatike veç televizionin shtetëror, duke qenë se të gjitha korporatat mediatike private janë në opozitë të paepur klasore me të. I bie keq të vetmit fyell që ka pasi përballë ka orkestrën e fyejve oligarkikë.

Megjithatë, për liberucët e Tiranës, për dreq në shumicë në opozitë me Berishën, ky i fundit dhe Çavezi janë një për shkak se për ta dimensioni social-ekonomik nuk vlen të diskutohet. Për ta, zot është veç tregu, i liri treg, i madhërishmi treg, d.m.th. shqip, kapitali. Kësisoj politika është lojë ku fiton më i shkathëti, elokuenti, qytetari, toleranti, perëndimori. Po sikur kusht i autoritarizmit të Berishës të jetë pikërisht kapitalizmi, ai që në kohën e vetë të artë e toleronte demokracinë, ndërkohë që tashmë në “agimin e vet të artë” e sheh gjithnjë e më tepër si problem të parën. Ajo që tha Berisha në Strasburg, se nganjëherë demokracia e pengon tregun, nuk është shpikje e tij: është abc-ja e çdo konservatori dhe reaksionari të devotshëm. Të njëjtën gjë mund të thotë edhe Çavezi, por me gjasë në kuptimin e kundërt: pra për të pasur demokraci, jo vetëm politike, por edhe shoqërore dhe ekonomike, tregu (fjala e pambuktë e kapitalizmit) duhet të zmbrapset. Vetëm liberucët duan të qëndrojnë në mes: ndryshe nga paraardhësit e tyre revolucionarë të shekujve 18-19, atyre u mungon si pafytyrësia konservo-reaksionare që thotë “ose kapitalizëm, ose demokraci…përndryshe vrisni veten me Stalinin e radhës”, ashtu edhe guximi social-revolucionar i Çavezit, Moralesit, Syrizas, tahrirasve etj, se tash, në zemër të krizës së pakorrigjueshme të kapitalizmi, komunizmi i ri, ai i lëvizjeve dhe jo i partive, ai i popullit të angazhuar dhe jo i televotuesve, është rruga e gjatë dhe e mundimshme jo vetëm e shpëtimit të demokracisë, por edhe e trashëgimisë më përparimtare të liberalizmit.

P.S. Sigurisht që autori i këtyre radhëve nuk puth para gjumit fotografinë e Çavezit, dhe jo për arsye estetike. Pavarësisht arritjeve të konsiderueshme shoqërore dhe politike, qeverisja e tij vuan dhe po e përkeqëson kaudilizmin (ngurtësimin e lëvizjes popullore te udhëheqësi), investimet shoqërore më shumë priren t’u mbushin barkun me bukë të varfërve sesa ta zgjidhin përgjithmonë statusin e tyre inferior, shtetëzimet e burimeve natyrore dhe industrive të mëdha i friken ende fuqisë së kapitalit duke mos guxuar të prekin më të fuqishmet prej tyre, politika e jashtme për inat të vjehrrës amerikano-veriore i futet në shtrat çdo horri ndërkombëtar, dhe aspak revolucionar, si Lukashenko, Asadi apo Ahmedinexhadi (përfshirë këtu edhe mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës) etj. Veçse të gjitha këto s’e shohin problemin te komunistëzimi i Çavezit, por te guximi i tij i pamjaftueshëm për të qenë komunist i shekullit të ri, pa pasur nevojë t’u referohet surrogateve staliniste, por idesë së kahershme emancipuese komuniste.

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.