Një teologji e çlirimit (i)

/Gustavo Gutierrez/

Të flasësh për një teologji të çlirimit do të thotë të kërkosh përgjigje për pyetjen në vijim: çfarë marrëdhënieje ekziston midis “shpëtimit” dhe lirisë njerëzore? Pyetja është kryesisht tradicionale. Reflektimet teologjike thuajse gjithnjë e kanë trajtuar në forma të ndryshme.

 Në kohët e sotme teologjia e realiteteve të përkohshme – një emërtim që kurrë nuk u pranua tërësisht – u përpoq t’i përgjigjej në njërën mënyrë. Përpjekje të ngjashme patën edhe teologjia e historisë dhe së fundmi teologjia e zhvillimit. Nga një tjetër këndvështrim, çështja është trajtuar edhe nga teologjia e politikës, edhe nga teologjia e revolucionit.

Pra këtu po merremi me dilemën klasike të marrëdhënies midis besimit dhe ekzistencës njerëzore, midis besimit dhe realitetit social, midis besimit dhe veprimtarisë politike ose, thënë ndryshe, midis Mbretërisë së Zotit dhe botës së vdekshme në ndërtim e sipër.

Në gjendjen e tanishme të problemit dallohet qartazi një fakt. Praksisi social i njerëzimit bashkëkohor ka hyrë në fazën e maturisë. Njerëzimi gjithnjë e më shumë është i ndërgjegjshëm mbi të qenit subjekt i historisë, gjithnjë e më i artikuluar përballë padrejtësive sociale, gjithnjë e më i vendosur të marrë pjesë në transformimin e strukturave sociale dhe veprimtarisë politike. Mbi të gjitha, mund të përmenden dy revolucionet e mëdha, ai Francez dhe ai Rus, si shembuj të popujve që ua morën nga duart vendimmarrjen elitave të gjithëpushtetshme.

Fenomeni që e njohim si politicizim është shprehi e këtij procesi kompleks që ndodh prej disa kohësh. Pra në betejën për çlirim dhe liri, edhe në Amerikën Latine, klasat e shtypura po kërkojnë rrugë të reja.

Arsyeja njerëzore është shndërruar në arsye politike. Për ndërgjegjen historike bashkëkohore, politikja nuk është ajo që ndodh në kohën e lirë jashtë sferës private. Është sferë e veprimtarisë kritike, e fituar me mund përgjatë historisë. Është përcaktuesja universale dhe arena kolektive e përmbushjes njerëzore.

Vetëm brenda kësaj kornize të gjerë përkufizuese, mund ta shohim specifikisht politikën si ndërmarrje drejt pushtetit. Për Max Weber-in, kjo ndërmarrje karakterizon aktivitetin politik. Format konkrete të dëshirës dhe ushtrimit të pushtetit ndryshojnë, por përsëri bazohen në aspiratën e thellë të njerëzimit që kërkon të marrë në dorë dhe të jetë artizan i fatit të tij. E kuptuar në këtë mënyrë, asgjë nuk shtrihet jashtë sferës së politikës. Vetëm në fabrikën politike njeriu shfaqet si qenie e lirë dhe e arsyeshme, si dikush që ka mbi vete një detyrë historike.

Krahas këtij universalizimi të sferës politike, ne dëshmojmë dhe radikalizimin e praksisit social.

Njerëzit e zakonshëm kanë filluar të shkunden nga naiviteti, për të kuptuar shkaqet strukturore, ekonomike dhe sociale të mjerimit të tyre. Ata e kuptojnë që sulmi ndaj këtyre shkaqeve është parakushti absolut për të sjellë ndryshime të mëdha. Ndaj njerëzit kanë hequr dorë nga qasja graduale dhe reformiste drejt sistemit sepse, për nga vetë zbrazëtia e tij, reformizmi e mban gjallë sistemin. Situata revolucionare që mbizotëron sot, sidomos në vendet e Botës së Tretë, tregon më së miri procesin e radikalizimit.

Të mbështesësh revolucionin social do të thotë të zëvendësosh status quo-në, me një sistem cilësisht të ndryshëm; një shoqëri të re të së drejtës, të ndërtuar mbi marrëdhënie të reja në prodhim; t’i jepet fund dominimit të disa vendeve nga disa të tjera; dominimit të disa klasave nga të tjerat më të fuqishme; dominimit të njeriut nga njeriu. Çlirimi i këtyre vendeve, klasave dhe njerëzve është sfida dhe detyra më e madhe e kohës tonë.

Në të shkuarën mendimi teologjik nuk është marrë mjaftueshëm me dimension politik të praksisit social. Në rrethet e krishtera kishte gjithnjë dhe vazhdon të ketë vështirësi në perceptimin e origjinalitetit dhe veçantisë së politikes.

Theksi i vendosej sferës private dhe kultivimit të vlerave të kësaj sfere; kështu politikja u zhvendos në plan të dytë, nën parullën e turbullt të “së mirës të përbashkët”.

Në rastin më të mirë, kjo qasje mundësoi “planifikimin pastoral të sociales”, të bazuar mbi “emocionin social”, të cilin duhej ta përjetonte çdo i krishterë.

Për pasojë kjo qasje e ka të vështirë të kërkojë njohje reale mbi strukturat socio-ekonomike, dinamikën e historisë; dhe për rrjedhojë në leximin e teksteve të shenjta theksi vendoset mbi aspektet pajtuese dhe ngushëlluese, dhe jo dimensionit politik dhe konfliktual.

Ne duhet ta shohim me tjetër sy jetën e krishterë. Duhet të kuptojmë si këto qasje pajtuese në të shkuarën kanë shërbyer edhe si sfidë kundër prezencës historike të kishës. Realiteti kishtar ka dimension të patjetërsueshëm politik.

Gjithnjë ka qenë kështu, por për shkak të rrethanave të krijuara,sot është më e rëndësishme se kurrë që të kuptohet qartazi dhe të pranohet.

Çfarë kemi diskutuar deri tani, shërben për të kuptuar se pse për të krishterët, praksisi social kufizohet në veprimtari vetëm në momente të moralit dhe vrasjes së ndërgjegjes, apo si reagim kundrejt sulmeve ndaj kishës. Karakteristikat e totalitetit, radikalizmit dhe konfliktit, të cilat ia atribuam dimensionit politik, e përjashtojnë çdo lloj njëanshmërie.

Praksisi social po shndërrohet gradualisht në arenën ku të krishterët, (së bashku me të tjerët që nuk janë të krishterë), vendosin fatin e tyre si njerëz dhe jetën e tyre të besimit në Zotin e historisë.  

Marrja pjesë në procesin e çlirimit është detyrim dhe njëkohësisht privilegj për jetën e krishterë. Pikërisht në këtë betejë do të mund të dëgjohen edhe nuanca të fjalës së Zotit, të cilat në çdo situatë tjetër janë të paperceptueshme.

Nëse shohim më thellë në dilemën e vlerave të shpëtimit, dilemë e cila buron nga kuptimi që i japim historisë ose, thënë ndryshe, një praksis i çlirimit, do të kuptojmë që në të vërtetë kjo çështje lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me vetë domethënien e krishterimit.

Të jesh i krishterë do të thotë të pranosh dhe të jetosh – në solidaritet, besim, shpresë dhe bujari – fjalën e Zotit. Të vështrosh marrëdhënien unike dhe absolute me Zotin si horizontin e totalitetit të veprimtarisë njerëzore, do të thotë që në pikënisje ta shohësh veten si pjesë të një konteksti më të thellë dhe të gjerë se personalja.

Pra sot, ne përballemi me dilemën e madhe se ç’do të thotë të jesh i krishterë. Në instancë të fundit, duhet gjetur përgjigja në shkrimet e shenjta, për pyetjen e cila sipas Camus-ë përbën më të rëndësishmen që ka hasur njerëzimi: A ia vlen të jetohet jeta?

Të moskuptuarit që dilema dhe probleme të reja po shfaqen para nesh, me pretekstin se gjurmë të tyre kanë ekzistuar gjithnjë, është shenjë e shkëputjes së rrezikshme nga realiteti; rrezik i rënies në përgjithësime, gjetjes së zgjidhjeve pa përkushtim. Nga ana tjetër, të njohësh veç aspektet e reja të situatës, do të thotë të lësh në harresë kontributin e jetëve dhe refleksioneve të komunitetit të krishterë në pelegrinazhin e tij historik. Sukseset, gabimet dhe pengjet e tij janë trashëgimia jonë.

Megjithatë, trashëgimia nuk duhet të përcaktojë kufij për të ardhmen. Njerëzit e Zotit marshojnë përpara, në përpjekje për të ardhmen e tyre, drejt shpresës së një Parajse dhe Toke të re.

Vijon

E përktheu Frenklin Elini

Marrë nga libri i autorit “A Theology of Liberation: History, Politics, and Salvation”

Imazhi: A Liberating Theology

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.