Përse minimumi jetik?

/Jani Marka/

Shqipëria gjendet në një krizë të thellë ekonomike, sociale e politike. Nëse e projektojmë të ardhmen e Shqipërisë – ashtu siç po shkojnë punët në vitet e fundit – horizonti duket shumë i zymtë. Emigracioni po e zbraz vendin nga rinia, duke larguar si fuqinë punëtore potencialisht energjike, të kualifikuar ose të aftë për t’u kualifikuar, por edhe rininë si grup shoqëror me potencial organizimi, rezistence dhe transformuese në proceset demokratike shoqërore dhe politike. Jemi të fundit në Evropë dhe rajon për pagën minimale dhe mesatare, jemi sërish të fundit për të ardhurat për frymë. Kemi çmimet më të larta në rajon për shportën e ushqimeve dhe një pjesë shumë e madhe e të ardhurave të familjeve shkojnë për ushqim. Kemi shërbime publike të shtrenjta, të papërballueshme dhe me cilësi të dobët, si në shëndetësi (një raport i fundit i Komisionit Evropian thekson se prej pandemisë vdekshmëria në Shqipëri është rritur shumë më tepër se në vendet e rajonit), në arsim dhe transport urban. Në anën tjetër, po raportohet se Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe ekonomike gjatë vitit të fundit, por nga kjo rritje nuk kanë përfituar qytetarët, por të pasurit dhe oligarkët, duke e thelluar kësisoj edhe më tej pabarazinë.

Sot ‘debati publik’ është i dominuar nga lufta për pushtet e subjekteve partiake private, dhe aspak nga interesi publik për rritjen e mirëqenies dhe të drejtave. Reformë për ndarjen territoriale, reformë për Kodin Zgjedhor, vetting i politikanëve. Edhe në i paçin seriozisht këto propozime, ata e shohin zgjidhjen nga lart-poshtë, vetëm përmes votës dhe politikanëve, dhe jo nga pjesëmarrja aktive e qytetarëve në jetën publike dhe shoqërore. Por ky model, i njëjti në tridhjetë vjet, i ka dhënë provat që ka dështuar.  

Prandaj ne, aktivistët e Organizatës Politike – që zgjidhjen e shohim tek organizimi nga poshtë dhe demokratik i shoqërisë, i punëtorëve në sindikata, i studentëve në unione, i banorëve në komunitete sipas vendbanimit apo interesave të veçanta etj. – kemi nisur një fushatë kombëtare. Kjo fushatë – e quajtur Karta Sociale – në thelb është për të drejtat shoqërore: nisur nga minimumi jetik e deri te përmirësimi i kushteve të mjedisit. Në vijim të këtij shkrimi do të ndalem vetëm te çështja e minimumit jetik.

Në vitin 2017 institucionet kryesore të Bashkimit Evropian miratuan një dokument të quajtur ‘Shtyllat Evropiane të të Drejtave Shoqërore’. Në vitin 2021 ai është pasuar nga miratimi i ‘Planit të veprimit’ për të arritur objektivat e dokumentit në 10 vitet e ardhshme. Shkurtimisht, ky dokument është i organizuar në tri kategori të drejtash dhe parimesh. Një ndër këto kategori, e organizuar në dhjetë pika, është edhe sistemi i mbrojtjes sociale. Pika e 14, për të ardhurat minimale (ajo që zakonisht në Shqipëri i korrespondon minimumit jetik) zë një vend të veçantë. Për këtë jepet edhe një përkufizim:

Çdokush që ka mungesë të mjaftueshme të burimeve, ka të drejtën e përfitimeve të të ardhurave minimale të mjaftueshme, që i sigurojnë një jetë me dinjitet në të gjitha etapat e jetës, dhe qasje efektive në sigurimin e shërbimeve dhe mallrave. Për ata që mund të punojnë, përfitimet e të ardhurave minimale duhet të kombinohen me nxitje për t’u (ri)integruar në tregun e punës.

Ndërkohë, në dekadën e fundit për çështjen e të ardhurave minimale ekziston një rrjet i gjerë i quajtur ‘Rrjeti Evropian për të Ardhurat Minimale – EMIN’, i cili në një nga publikimet e tij, ndonëse bie dakord me përkufizimin e mësipërm, e pasuron (e theksuar më poshtë) atë edhe më tej:

Çdokujt që i mungojnë burimet e mjaftueshme, ka të drejtën e përfitimeve të të ardhurave minimale të mjaftueshme që i sigurojnë një jetë me dinjitet në të gjitha etapat e jetës dhe qasje efektive në sigurimin e shërbimeve dhe mallrave. Për ata që mund të punojnë, përfitimet e të ardhurave minimale duhet të kombinohen me qasje në shërbime cilësore dhe në politikat e tregut të punës përfshirës, për të fuqizuar përfituesit e të ardhurave minimale për t’u (ri)integruar në punësim të qëndrueshëm, i cili mund t’i nxjerrë nga varfëria.

Më tej, në vendet e Bashkimit Evropian ka një ndryshueshmëri të madhe mes shteteve anëtare sa i takon çështjes së sigurimit të të ardhurave minimale dhe ndikimit të tyre. Ndonëse të gjitha shtetet kanë ligje apo skema të posaçme për mbrojtjen sociale, ajo që ndryshon në suksesin e skemave mes shteteve rrotullohet rreth gjashtë problematikave kryesore: i) mjaftueshmëria (ose pamjaftueshmëria) e asistencës sociale për jetë me dinjitet, ii) mbulimi (cilat kategori shoqërore e përfitojnë asistencën), iii) marrja (nëse e marrin ndihmën ekonomike ata që e kanë të drejtën për ta përfituar atë), iv) ndikimi në uljen e varfërisë, v) masat për politikat aktive të tregut të punës dhe vi) ofrimi i shërbimeve publike cilësore.

***

Sa më sipër, janë mjaft domethënëse edhe për politikat e mbrojtjes sociale në Shqipëri. Konkretisht, ndonëse në Shqipëri ekziston një ligj për asistencën sociale (ligji 57/2019), mungon një përcaktim i qartë për të ardhurat minimale (minimumi jetik), i cili duhet të mbështesë një jetë me dinjitet mbi kufirin e varfërisë relative apo absolute, dhe një metodologji bashkëkohore për përcaktimin e vlerave në lekë. Megjithëse në publikimet periodike të INSTAT-it jepen referenca për kufirin e varfërisë , ligji i asistencës sociale përdor një tjetër formulë për masën e ndihmës ekonomike:

Masa e ndihmës ekonomike, për familjet në nevojë, përcaktohet sipas strukturës së familjes dhe shkon deri në 150 për qind e masës së pensionit social dhe e indeksuar (neni 12, pika 8).

Kështu, sipas INSTAT-it, kufiri i varfërisë relative për një person në vitin 2019 është 14.232 lekë në muaj dhe për një familje (me dy prindër dhe dy fëmijë) 29.887 lekë, ndërsa kufiri varfërisë absolute është përkatësisht 9.488 dhe 19.925 lekë në muaj. Por ndihma ekonomike në Shqipëri luhatet mes 3.500 dhe 8.000 lekëve, dhe është mesatarisht në masën 5.154 lekë në muaj. Siç duket qartë, nga krahasimi i treguesve të INSTAT-it dhe ndihmës reale ekonomike, kjo e fundit është shumë herë më e ulët nga sa duhej të ishte për t’i nxjerrë njerëzit nga varfëria absolute apo relative.

Në anën tjetër, në vitet e fundit edhe Avokati i Popullit ka kontribuuar në llogaritjen e minimumit jetik në Shqipëri. Në studimin e vitit 2016 Avokati i Popullit e llogariti minimumin jetik në vlerën 16.000 lekë për familje me një person. Më tej, në diskutimet që Avokati i Popullit ka zhvilluar gjatë vitit të fundit, minimumi jetik është rritur në rreth 18.000 lekë në muaj për person, çka e ekuivalentuar për një familje (me dy prindër dhe dy fëmijë) shkon në 37.500 lekë.

***

Pika e parë e Kartës Sociale është miratimi i minimumit jetik në vlerën 18.000 lekë në muaj për familje me një person. Miratimi dhe zbatimi i minimumit jetik ka një rëndësi jetike për të mbështetur njerëzit në nevojë, duke ofruar dinjitet dhe drejtësi. Në anën tjetër, studime të ndryshme tregojnë se skemat e të ardhurave minimale kanë një kthim të lartë të investimit dhe shërbejnë si stabilizues të ekonomisë, duke i shërbyer kësisoj mbarë shoqërisë.

***

Po e mbyll me një thirrje: Na shkruaj në faqen e Organizata Politike për t’u bërë pjesë e përpjekjeve për drejtësi shoqërore dhe Karta Sociale! Punë dhe jetë me dinjitet!

Imazhi: Organizata Politike

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.