Nga Covid-19 na shpëton vetëm imagjinimi i një bote tjetër

/Noam Chomsky/ – intervistë

C. J. Polychroniou: Noam, çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga kriza shëndetësore globale e shkaktuar nga koronavirusi?

Noam Chomsky: Shkencëtarët i kanë parashikuar pandemitë prej kohësh, sidomos që prej asaj të SARS-it më 2003 që u shkaktua nga një koronavirus i ngjashëm me COVID-19. Ata parashikojnë gjithashtu se do të ketë pandemi të tjera e me gjasë më të këqija. Që të kemi shpresë t’i parandalojmë pasardhëset, duhet të pyesim pse ndodhi kjo dhe të ndryshojmë çka shkoi keq. Mësimet vijnë nga disa nivele, nga rrënjat e katastrofës te çështjet specifike të shteteve të veçanta. Unë do të fokusohem te SHBA, ndonëse nuk është shembull përfaqësues pasi gjendet në fund të kazanit për sa i përket kompetencës në përgjigjen ndaj krizës.

Faktorët bazikë janë boll të qartë. Dëmi i ka rrënjët në një dështim kolosal të tregut, të ashpërsuar nga kapitalizmi i epokës neoliberale. SHBA ka veçoritë e saj, që nisin nga sistemin i tmerrshëm shëndetësor dhe renditja e ulët në kriteret e drejtësisë shoqërore – pranë fundit mes vendeve të OECD – te shkretimi i qeverisë federale.

Virusi që shkaktoi SARS-in u identifikua shpejt. U prodhuan vaksina, por nuk mundën të kalonin fazën e testimit. Kompanitë farmaceutike nuk kishin interes: Ato u përgjigjen sinjaleve të tregut dhe s’kishte ndonjë fitim në përdorimin e burimeve për të parandaluar ndonjë katastrofë të mundshme. Dështimi i përgjithshëm ilustrohet damatikisht nga problemi aktual më i rëndë: mungesa e ventilatorëve, një dështim vdekjeprurës që i shtrëngon doktorët dhe infermierët të marrin vendime të dhimbshme se kush duhet lënë të vdesë.

Qeveria e Obama-s e pati kuptuar problemin potencial. Ajo porositi ventilatorë të cilësisë së lartë e me kosto të ulët nga një kompani e vogël, që më pas u ble nga një korporatë e madhe, Covidien-i, e cila e futi projektin në sirtar, me sa duket për shkak se produkti mund të konkurronte ventilatorët e saj me kosto të lartë. Paskëtaj informoi qeverinë se donte ta prishte kontratën sepse nuk ishte mjaftueshëm fitimprurëse.

Deri këtu jemi brenda logjikës normale të kapitalizmit. Po në këtë pikë patologjia neoliberale dha një goditje të dytë. Qeveria mund të ndërhynte, por diçka e tillë ishte e palejueshme prej doktrinës sunduese të artikuluar nga Ronald Reagan-i: “Qeveria është problemi, jo zgjidhja.” Kështu që nuk mund të bëhej asgjë.

Të ndalemi pak e të mendojmë domethënien e formulës. Praktikisht do të thotë se qeveria nuk është zgjidhja kur bëhet fjalë për mirëqenien e popullsisë, por është medoemos zgjidhja e problemeve të pasurisë private dhe pushtetit të korporatave. Ka plot fakte nga qeveria e Reagan-it e tëhu dhe s’ka nevojë t’i trajtojmë një e nga një. Mantra “qeveri e keqe”  është e ngjashme me të gjithëlëvduarin “treg i lirë” – të lakueshëm kollaj për të plotësuar pretendimet e tepruara të kapitalit.

Doktrinat neoliberale u morën edhe me sektorin privat. Modeli i biznesit kërkonte “eficiencë”, domethënë fitim maksimal, pavarësisht pasojave. Për sistemin e privatizuar shëndetësor, kjo do të thotë të mos mbahen kapacitete rezervë: mjafton ta hedhim lumin në rrethana normale, madje edhe atëherë me kosto të larta për pacientët, por bilanc të suksesshëm (me shpërblime të majme për menaxherët). Kur ndodh diçka e papritur, i qahemi fatit të keq.

Këto parime standarde biznesi kanë shumë efekte mbi ekonominë. Më e rënda prej tyre është kriza klimatike, e cila e lë në hije krizën aktuale të virusit. Korporatat e lëndëve djegëse fosile bëjnë biznes për të maksimizuar fitimet dhe janë indiferente për mbijetesën e shoqërisë njerëzore. Ato janë vazhdimisht në kërkim të fushave të reja të naftës. Nuk duan të çojnë dëm burime ekonomike për energjinë e qëndrueshme dhe i prishin projektet fitimprurëse të energjisë të qëndrueshme sepse mund të fitojnë më shumë duke përshpejtuar shkatërrimin masiv.

Shtëpia e Bardhë, që është në dorë të një grupi të jashtëzakonshëm gangsterësh, i hedh benzinë zjarrit duke iu përkushtuar maksimizimit të përdorimit të lëndëve djegëse fosile dhe çmontimit të rregulloreve që pengojnë rendjen drejt abisit, drejt të cilit po na udhëheqin me krenari.

Reagimi i turmës së Davosit – ose siç quhen ndryshe “padronët e universit” – tregon shumë. Atyre mund t’ua shpifë vulgariteti i Trump-it, i cili ndot imazhin e humanizmit të civilizuar që ata duan të përcjellin. Po e duartrokasin fort kur flet si demagog pasi e kuptojnë se ai di si t’ua mbushë xhepat.

Po jetojmë në këtë kohë dhe nëse nuk ka një ndryshim radikal drejtimi, çka po na shohin sytë sot është vetëm fillimi i asaj që pritet të vijë.

T’i kthehemi pandemisë. Kishte shumë prova se ajo po vinte. Trump-i u përgjigj në mënyrën e tij karakteristike. Gjatë qeverisjes së tij buxheti qeveritar për komponentët e lidhur me shëndetin është ulur ndjeshëm. Vini re periudhën në vijim: “Dy muaj përpara nisjes së marshimit vdekjeprurës të koronavirusit të ri në Vuhan të Kinës, qeveria e Trump-it i dha fund një programi 200 milionë dollarësh të parandalimit të pandemive, i cili synonte të trajnonte shkencëtarët në Kinë e vende të tjera për të pikasur dhe iu përgjigjur një kërcënimi të tillë.” Në këtë kuptim, për të shmangur vëmendjen nga qeverisja e tij katastrofike, Trump-i po i fryn zjarrit racist të “rrezikut të verdhë”.

Çmeritshëm, procesi i nënfinancimit vazhdoi edhe pasi pandemia na kishte goditur me gjithë forcën e saj. Më 10 shkurt Shtëpia e Bardhë publikoi buxhetin e saj të ri, ku reduktoheshin më tej fondet për sistemin shëndetësor, edhe ashtu në vështirësi (duke ndaluar çdo gjë që mund t’i shërbente popullsisë), por “buxheti promovonte ‘bumin energjetik’ të lëndëve djegëse fosile në SHBA, ku përshihej rritja e prodhimit të gazit natyror dhe naftës bruto”.

Nuk kam fjalë për ta shënjuar këtë dashakeqësi sistematike. Populli amerikan është nën shënjestrën e vlerave trampiste. Pavarësisht kërkesave të përsëritura të Kongresit dhe profesionistëve të mjekësisë, Trump-i nuk iu referua Ligjit të Prodhimit për Mbrojtjen për t’i detyruar kompanitë të prodhonin pajisjet tejet të nevojshme, duke pretenduar se kjo do të ishte masa e fundit që do të merrte dhe vënia në zbatim e këtij ligji për shkak të pandemisë do ta kthente vendin në një Venezuelë të dytë. Po në fakt, gazeta The New York Times vuri në dukje se Ligji i Prodhimit për Mbrojtjen “është përdorur qindra mijëra herë gjatë viteve të Trump-it” për ushtrinë. Me sa duket vendi i paska mbijetuar këtij sulmi ndaj “sistemit të sipërmarrjes së lirë”.

Nuk mjaftoi refuzimi i marrjes së masave për blerjen e pajisjeve mjekësore të nevojshme. Shtëpia e Bardhë u kujdes edhe që rezervat të boshatiseshin. Një studim i të dhënave të tregtisë qeveritare, i kryer nga deputetja Katie Porter, zbuloi se vlera e eksporteve të ventilatorëve amerikanë u rrit 22.7% nga janari në shkurt, madje në shkurt 2020 “vlera e eksportit të maskave nga SHBA në Kinë ishte 1094 për qind më e lartë se mesatarja e përmuajshme e vitit 2019.”

Vazhdon studimi:

“Deri më 2 mars qeveria e Trump-it i inkurajonte bizneset amerikane të rrisnin eksportin e pajisjeve mjekësore, sidomos drejt Kinës. Gjatë kësaj periudhe, qeveria e SHBA ishte tejet e vetëdijshme për dëmet e COVID-19, ku përfshihej edhe nevoja e mundshme për respiratorë dhe maska shtesë.”

Shkruan David Dayen-i te The American Prospect: “Manifakturuesit dhe ndërmjetësit fituan para gjatë dy muajve të parë të vitit duke transferuar pajisje mjekësore jashtë vendit, ndërkohë që sot e tutje do të fitojnë edhe më shumë duke i importuar. Zhdrejtpeshimi tregtar pati përparësi ndaj vetëmjaftueshmërisë dhe marrjes së vetes.”

Nuk kishte asnjë dyshim për rreziqet që po vinin. Në tetor natyrën e kërcënimeve pandemike e shpalosi një studim i nivelit të lartë. Më 31 dhjetor 2019 Kina informoi Organizatën Botërore të Shëndetësisë për shpërthimin e simptomave të ngjashme me pneumoninë. Një javë më vonë u raportua se shkencëtarët kishin identifikuar burimin e koronavirusit dhe sekuencën e gjenomit, duke e informuar sërish publikun. Për javë të tëra Kina nuk i deklaroi përmasat e krizës, duke pretenduar më vonë se vonesa kishte ardhur si rezultat i mosinformimit të autoriteteve qendrore nga burokratët lokalë, pretendim ky që është konfirmuar nga analistët amerikanë.

Dihej se ç’po ndodhte në Kinë. Dijeni kishin sidomos shërbimet e inteligjencës në SHBA, të cilat gjatë janarit dhe shkurtit po i binin derës së Shtëpisë së Bardhë në përpjekje për të kontaktuar presidentin. Por më kot. Ai ose po luante golf, ose po lëvdonte veten në TV se ishte duke bërë më shumë se kushdo tjetër në botë për t’i dalë përpara rrezikut.

Nuk ishin vetëm shërbimet e inteligjencës që po përpiqeshin të zgjonin Shtëpinë e Bardhë. Siç raporton The New York Times-i, “Një këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë [Peter Navarro] i paralajmëroi zyrtarët e qeverisë së Trump-it në fund të janarit se kriza e koronavirusit do t’i kushtonte SHBA trilionë dollarë dhe do të rrezikonte shëndetin dhe jetën e miliona amerikanëve…”

Por më kot. U humbën muaj të tërë, ndërkohë që Udhëheqësi i Dashur rrëshqiste nga një përrallë në tjetrën – mjerisht me bazën elektorale republikane që duartrokiste me adhurim çdo gjest të tij.  

Kur faktet u bënë të pamohueshme, Trump-i siguroi botën se ai e kishte zbuluar i pari pandeminë dhe dora e tij e fortë e kishte gjithçka në kontroll. Gjatë gjithë kohës sjellja e tij u imitua nga lajkatarët që e rrethojnë dhe ata që i bëjnë jehonë në televizionin Fox News – që gjithashtu duket se shërben si burimi i informacionit dhe ideve të tij, në një dialog interesant.

Asgjë nuk ishte e pashmangshme. Informacionet e hershme të dhëna nga Kina nuk u kuptuan vetëm nga shërbimet e inteligjencës në SHBA. Vendet në periferi të Kinës reaguan menjëherë, me efektivitet të lartë sidomos Tajvani, por edhe Koreja e Jugut, Hong Kongu dhe Singapori. Zelanda e Re vendosi menjëherë mbylljen dhe duket se e ka eliminuar thuajse tërësisht epideminë.

Pjesa më e madhe e Evropës ngurroi, por shoqëritë më të mirorganizuara reaguan. Gjermania ka normën më të ulët botërore të vdekjeve, duke përfituar nga rezervat e saj. E njëjta gjë vlen për Norvegjinë e disa vende të tjera. Bashkimi Evropian tregoi nivelin e vet qytetërimor me refuzimin e vendeve të pasura për t’u ardhur në ndihmë të tjerave. Po për fat, ato mund të mbështeteshin te Kuba që iu erdhi në ndihmë, duke sjellë doktorë, ndërsa Kina u dha pajisje mjekësore.

Duhen nxjerrë shumë mësime të rëndësishme rreth tipareve vetëvrasëse të kapitalizmit të pakufizuar dhe dëmeve të mëtejshme që sjell murtaja neoliberale. Kriza hedh dritë mbi rreziqet e transferimit të vendimmarrjes drejt institucioneve private jollogaridhënëse që i përkushtohen vetëm grykësisë – detyra e tyre solemne, e quante Milton Friedman-i e të tjerë mendjendritur kur flisnin për ligjet e ekonomisë së shëndoshë.

Po SHBA duhet të nxjerrë mësime të veçanta. Siç u vu në dukje më parë, SHBA renditet afër fundit të vendeve të OECD për masat në drejtësi shoqërore. Sistemi i saj shëndetësor privat fitimprurës, që kërkon eficiencë, është katastrofë, me kosto për frymë dy herë më të larta se çdo vend i ngjashëm dhe me rezultatet më të këqija. Nuk ka asnjë arsye të vazhdojë kështu. Ka ardhur koha të ngrihemi në nivelin e vendeve të tjera dhe të ndërtojmë një sistem shëndetësor universal human dhe efecient.

Mund të hidhen hapa të thjeshtë përpara. Korporatat po i drejtohen sërish baba-shtetit për fonde. Nëse iu jepen, duhen vendosur kushte strikte: në vend të bonuseve për menaxherët, duhet të sigurohen paga për punëtorët gjatë krizës; duhet ndaluar gjithmonë blerja e aksioneve vetjake dhe përdorimi i parajsave fiskale, të cilat janë mënyra të grabitjes së publikut që shkojnë në trilionë dollarë. Është e mundshme? Sigurisht. Kështu thoshte ligji dhe ndodhte deri kur Reagan-i hapi rubinetin. Masat e para që vijnë ndër mend, ndër të tjera, janë kërkesa ndaj kompanive që të kenë përfaqësues të punëtorëve në bordet drejtuese dhe të japin paga të dinjitetshme.

Ka shumë hapa të vegjël që mund të merren që sot dhe të zgjerohen rrugës. Po përtej kësaj, kriza na jep mundësinë ta rimendojmë dhe riformojmë botën tonë. Padronët i janë dedikuar kësaj detyre dhe, nëse nuk u kundërvihemi me forca madhore të popullit të angazhuar, do të hyjmë në një botë edhe më të shëmtuar – e cila zor se mund të mbijetojë gjatë.

Padronët janë në siklet. Ndërsa fshatarët po kapin sfurqet, muzika në shtabet e korporatave po ndryshon. Drejtuesit e nivelit të lartë po bashkohen për të treguar se janë aq djem të mirë saqë mirëqenia dhe siguria e gjithkujt do të garantohet nëse i lëmë punët në duart e tyre. Ata proklamojnë se ka ardhur koha që kultura dhe praktika e korporatave të bëhet më përkujdesëse, duke u marrë jo vetëm me fitimet e aksionerëve (shumica syresh tejet të pasur), por edhe me të mirën e njerëzve që preken prej tyre – punëtorët dhe bashkësia. Kjo ishte temë qendrore në konferencën e fundit të Davosit në janar.

Po këtë muzikë e kemi dëgjuar edhe më parë. Në vitet 1950 mbisundonte fraza “korporata me zemër”.

C. J. Polychroniou: Noam, do ta vrasë koronavirusi globalizmin?

Noam Chomsky: Në trajta të caktuara globalizmi daton që në fillesat e historisë së studiuar – madje edhe më herët. Dhe do të vazhdojë. Çështja është se në cilën formë. Për shembull, le të supozojmë se lind pyetja nëse duhet zhvendosur një sipërmarrje nga Indiana (shtet në SHBA – shën. përkth.) në Meksikën e veriut. Kush do ta marrë vendimin? Bankierët në Nju Jork a Çikago apo ndoshta forca punëtore dhe bashkësia, mbase në koordinim me homologët meksikanë? Mes popujve ka shumë lloje shoqërimesh dhe konfliktesh interesi që nuk përkojnë me ngjyrat e hartave. Spektakli i neveritshëm i shteteve që konkurrojnë, në vend se të bashkëpunojnë për të luftuar krizën globale, nënvizon nevojën për ta çmontuar globalizmin të bazuar te fitimi dhe ndërtuar një internacionalizëm të vërtetë, nëse duam ta shmangim zhdukjen. Kriza po na ofron shumë mundësi për t’u çliruar nga vargonjtë ideologjikë, përfytyruar një botë tejet të ndryshme dhe për t’u përpjekur në krijimin e saj.

Me gjasë koronavirusi do të ndryshojë ekonominë ndërkombëtare tejet të brishtë që është ndërtuar viteve të fundit, të orientuar kah fitimi dhe shpërfillëse të kostove të jashtësuara si shkatërrimi masiv i mjedisit që shkaktohet nga transaksionet brenda zinxhirëve kompleksë të furnizimit, për të mos folur për shkretimin e jetëve dhe bashkësive. Me gjasë e gjitha kjo do të ndryshojë, por ne duhet të shtrojmë pyetjen dhe japim përgjigjen se në duart e kujt do të jetë ky ndryshim.

Po hidhen hapa drejt internacionalizmit në shërbim të popullit, jo pushtetit të përqendruar. Yanis Varoufakis-i dhe Bernie Sanders-i kanë bërë thirrje për një internacionale përparimtare që do t’i kundërvihej internacionales së shteteve reaksionare që po farkëtohet nga Shtëpia e Bardhë e Trump-it.

Përpjekjet mund të marrin disa trajta. Sindikatat ende quhen “ndërkombëtare”, çka përkujton ëndrrat që nuk duhen lënë të shuhen. Në disa raste nuk janë lënë. Dokerët kanë refuzuar të shkarkojnë dërgesa të caktuara në shenjë solidariteti. Ka pasur shumë shembuj mbresëlënës solidariteti ndërkombëtar edhe nga shtetet, edhe nga popujt. Në nivelin shtetëror, asgjë nuk krahasohet me internacionalizmin kuban – nga roli i jashtëzakonshëm i Kubës në çlirimin e Afrikës së jugut, që është përshkruar në thellësi nga Piero Gleijeses-i, puna e doktorëve të saj në Pakistan pas tërmetit shkatërrimtar të 2005 deri te tejkalimi i dështimeve të Bashkimit Evropian sot.

Në nivelin e popujve, unë nuk njoh asgjë të krahasueshme me vërshimin e amerikanëve drejt Amerikës Qendrore në vitet 1980 për të ndihmuar viktimat e luftërave terroriste të Reagan-it dhe terrorizmit shtetëror që ai mbështeste, prej të gjitha pjesëve të shoqërisë, ku grupet më të dedikuara dhe efektive ishin ato kishtare të Amerikës rurale. Me sa di unë, kurrë nuk ka pasur diçka të tillë në historinë e mëparshme të imperializmit.

Pa rënë në përsëritje, ka shumë trajta ndërveprimi dhe integrimi global. Disa syresh janë tejet të dobishme dhe duhen ndjekur aktivisht.

C. J. Polychroniou: Noam, koronavirusi po prodhon një hop solidariteti  midis njerëzve të thjeshtë në shumë anë të botës dhe ndoshta po na bën të vetëdijesohemi se të gjithë jemi qytetarë globalë. Afërmendsh, nuk do ta mposhtë koronavirusi neoliebralizmin dhe atomizimin e jetës shoqërore që e ka shoqëruar prej zanafillës, por a pret ndryshime në mendimin ekonomik e politik? Ndoshta një kthim te shteti social?

Noam Chomsky: Këto mundësi na kujtojnë valën e fuqishme të demokracisë radikale që preku pjesën më të madhe të botës nën impaktin e Depresionit të Madh dhe luftës antifashiste – dhe hapat e hedhura nga padronët për t’i përmbajtur dhe shtypur të tilla shpresa. Kjo histori na mëson shumë për ditët e sotme.

Pandemia duhet t’i tronditë njerëzit duke i shtyrë drejt vlerësimit të një internacionalizmi autentik, kuptimit të nevojës për t’i shëruar shoqëritë nga murtaja neoliberale dhe më pas drejt një rindërtimi radikal që shkon deri në rrënjët e kaosit bashkëkohor.

Sidomos amerikanët duhet të zgjohen nga mizoria e sistemit të dobët të drejtësisë shoqërore. Nuk është e lehtë. Për shembull, është e çuditshme të shohësh se si edhe në të majtë të opinionbërjes sunduese, programe si ato të mbrojtura nga Bernie Sanders-i konsiderohen “shumë radikale” për amerikanët. Dy programet e tij kryesore bënin thirrje për sistem shëndetësor universal dhe arsim të lartë falas, që janë normale edhe në shoqëri të zhvilluara, edhe në ato të varfra.

Pandemia duhet të na zgjojë për të kuptuar se në një botë të drejtë gardhet shoqërore duhet të zëvendësohen me lidhje shoqërore, ideale këto që datojnë prej iluminizmit dhe liberalizmit klasik. Ideale që i shohim të realizuara në mënyra të ndryshme. Kuraja dhe vetëmohimi mbresëlënës i punonjësve shëndetësorë është një nderim frymëzues i burimeve të shpirtit njerëzor. Në shumë vende po formohen bashkësi të ndihmës reciproke për t’u siguruar ushqim nevojtarëve dhe ndihmë e mbështetje të moshuarve dhe të pamundurve.

Ky është vërtet “një hop solidariteti  midis njerëzve të thjeshtë në shumë anë të botës dhe ndoshta po na bën të vetëdijesohemi se të gjithë jemi qytetarë globalë”. Sfidat janë të qarta. Po ato mund të tejkalohen. Në këtë moment të zymtë të historisë njerëzore ato duhen tejkaluar. Përndryshe historia do të ketë një fund të palavdishëm.

E përktheu Arlind Qori

Marrë nga Truthout

Imazhi: Radio Open Source

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.