Epokë trazirash

/Meagan Day/

Një raport i fundit i një qendre studimore që merret me çështjet e sigurisë kombëtare dokumenton një përhapje historike të paprecedent të protestave popullore në mbarë globin gjatë dekadës së fundit. Ndërkohë që ekonomia botërore po zhytet në pikiatën më të keqe qysh prej viteve 1930, me gjasë jemi duke hyrë një epokë të ndryshimeve shpërthyese.

“Viti 1848 po shkon goxha mirë.” shkruante Friedrich Engels-i i ngazëllyer. Në Francë kishin shpërthyer protesta masive në rrugë dhe një zinxhir rebelimesh kishte nisur nëpër Evropë. “Po lind epoka jonë, epoka e demokracisë. Flakët në Tuileries-së dhe Palais Royal-it janë agimi i proletariatit. Sundimi i borgjezisë do të rrëzohet kudo, ose do të thërrmohet.”

Por ja që nuk ndodhi kështu. Revoltat u shtypën ngado dhe u pasuan nga një periudhë e ashpër represioni. Përtej dështimit të protestave, viti 1848 hyri në histori si një vit me fat i protestave. Siç do ta theksonte opinionisti Gideon Rachman në Financial Times, në vargun e viteve ky është i pari në radhën e trazirave përmendja e të cilave do të krijonte imazhe të gjalla trazirash masive: 1848, 1917, 1968, 1989.

Duke kapërcyer në mënyrë misterioze vitin 2011, viti i Pranverës Arabe dhe Occupy Wall Street-in, Rachman-i shton me kujdes një tjetër vit në listë: 2019. Ai liston vendet ku shpërthyen protesta veçanërisht të rëndësishme: Hong Kong, Indi, Kili, Bolivi, Ekuador, Kolumbi, Spanjë, Francë, Republika Çeke, Rusi, Maltë, Algjeri, Irak, Iran, Liban dhe Sudan. Nëse i përmendim të gjitha, mbështetur në një analizë tjetër, në 114 vende pati demonstrata masive.  

Po pavarësisht intensitetit dhe përhapjes globale të këtyre protestave, 2019-a nuk duket i vendosur mirë për të marrë reputacionin që meriton. Kjo, ndoshta, ngaqë ato ndodhën në vende tejet të pangjashme e të ndryshme për të dhënë një narrativë të vetme, spekulon Rachman-i. “Nuk ka pasur asnjë moment ikonik – as rënie të Murit të Berlinit e as mësymje mbi Pallatin e Dimrit për të përjetuar dramën.”

Ka edhe një shpjegim tjetër për nënvlerësimin e një viti me kaq shumë ngjarje. Rachman-i e sugjeron, por nuk e shpjegon plotësisht, kur parashikon se viti 2020 mund të jetë edhe më shpërthyes se 2019-a. Ndoshta arsyeja që 2019-a tregohet kaq shkurt ka të bëjë me faktin se po jetojmë në një epokë të tërë demonstratash turbulluese masive. Viti i shkuar nuk përbënte një shmangie, por intensifikim, dhe të gjithë mund ta ndjejmë atë edhe pse nuk mund ta vendosim gishtin në plagë. 

Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, një qendër studimore e qendrës së djathtë, është orvatur ta kuptojë më qartësisht fenomenin me një raport të ri të quajtur “Epoka e protestave popullore: njohja e prirjeve globale.” Autorët e raportit shqyrtuan të dhënat anembanë globit dhe zbuluan se periudha aktuale e protestave masive i bën të duken të vogla secilën nga të mëparshmet në madhësi dhe shpeshti. Çdo vit, midis 2009 dhe 2019, numri i protestave popullore u rrit për vit me një mesatare prej 11.5 për qind.

Protestat po bëhen më të mëdha, gjithashtu, si në terma absolutë ashtu edhe në raport me numrin e popullsisë. Vitin e shkuar mbi një milion njerëz protestuan në Santiago dhe dy milionë në Hong Kong. Analiza e autorëve në bazë rajonesh tregoi se Afrika nënsahariane pa pikun më të madh në demonstrata masive përgjatë dekadës së fundit, e ndjekur nga Amerika e Jugut, ndërsa Oqeania pati rritjen më të ulët, e ndjekur nga Azia. Çdo rajon i botës pati rritje.

Vendet e pasura kapitaliste nuk treguan imunitet ndaj këtij fenomeni. Shkalla e rritjes së protestave popullore në Amerikën e Veriut dhe Evropë ishte më e lartë se mesatarja botërore. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë një vatër e nxehtë e pakënaqësisë, veçanërisht pas ardhjes së administratës së Trump-it. Madje edhe duke marrë në konsideratë rritjen e popullsisë, autorët vlerësojnë se numri relativ i pjesëmarrësve në protesta, prej përurimit të Donald Trump-it si president deri më sot, është më i lartë se numrat relativë që morën pjesë në Lëvizjen për të Drejta Civile apo protestat kundër Luftës në Vietnam. Periudha nga 20 janari 2017 deri më 1 janar 2020 përmban pesë protestat më të mëdha në historinë e SHBA.

Autorët e studimit përmendën disa arsye potenciale për shpërthimin e protestave. Qasja në internet dhe media sociale janë të një rëndësie kritike, e pranuar gjerësisht kjo qysh në fillim të dekadës gjatë Pranverës Arabe. Gjithashtu janë papunësia dhe nënpunësimi global i të rinjve, intensifikimi i pabarazive ekonomike globale, rritja e perceptimit të korrupsionit dhe humbja e besimit në udhëheqjen politike, rritja e arsimimit që çon në një vetëdije dhe angazhim politik më të lartë, si dhe problemet mjedisore e ndryshimi i klimës. Këto të fundit jo vetëm që kanë sjellë protesta masive në vetvete, por edhe kanë destabilizuar ekonomitë rajonale dhe regjimet politike, duke nxitur demonstrata popullore dhe shpërngulur njerëz nga zonat rurale, duke i sjellë në qytete ku kanë më tepër mundësi të marrin pjesë në protesta.

Autorët e raportit dalin në përfundimin se secila nga këto prirje ka gjasë të përshpejtohet; kësisoj protestat masive me gjasë do të vazhdojnë të intensifikohen. Megjithatë, siç vëzhgojnë ata, studimi i tyre vjen në një moment të çuditshëm dhe me shumë mundësi edhe tepër të rëndësishëm. Njëlloj si Rachman-i, ata kishin projektuar një shpeshtim të protestave në të ardhmen e afërt; por me qytetarët e shumë vendeve të shtyrë në izolim për shkak të pandemisë së koronavirusit, protestat kanë ndalur – ndonëse frustrimi po rritet në mënyrë dramatike.

Në Shtetet e Bashkuara spitalet janë në kaos, por rrugët janë të qeta në mënyrë çuditërisht të frikshme. Në botën virtuale has kundërshti të hidhura ndaj kundërshtarëve politikë, veprime në panik për të ndarë informacionin e saktë nga i pasakti, rrëfime të ankthit dhe dëshpërimit dhe të papunët e rinj dhe të huajt e pasiguruar që kërkojnë të gjejnë burime financiare për ta shtyrë deri në fund të muajit. Por nëse dikush është mjaftueshëm me fat për të punuar nga shtëpia gjatë kësaj pandemie – dhe nuk është kushdo – has shenja të tensionit në rritje në izolimin e heshtur. Është si të shohësh fitilin e ndezur drejt një mine.

Në vendet ku ekonomia ka ndalur, këto kohë pandemie janë një pushim i shkurtër në epokën e trazirave. Kur kjo të mbarojë, me gjasë do të shohim protesta në përmasa që nuk i kemi imagjinuar kurrë. Papunësia në Shtetet e Bashkuar ka të ngjarë të tejkalojë nivelet e Depresionit të Madh dhe, me siguri, do të shkaktojë destabilitet politik. Nëse pandemia do të fillojë të sjellë shkatërrime në Afrikë dhe në Amerikën e Jugut, ku protestat ishin shtuar në një shkallë të panjohur më parë në historinë e njerëzimit, kjo do të veprojë si një shkrepëse brenda një kutie me eshkë.

Disa prej protestave në horizont mund të priren drejt fashizmit. Të tjera do të përthyhen drejt idealeve të socializmit, ndërkohë që shumë të tjera do të jenë pa koherencë politike dhe gati për t’u kapur. Kemi arsye për frikë, por edhe për shpresën se, siç parashikonte Engels-i, “po lind epoka jonë, epoka e demokracisë.”

E përktheu Jani Marka

Marrë nga revista Jacobin

Imazhi: Oliver Contreras/The Washington Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.