Armiku i fshehtë apo miku i fshehtë?

/Besmir Muslia/

Një situatë e rëndë ka kapluar krejt botën: vdekje, infektime. Kryefjala botërore sot është izolimi konvergjent. Pra izolimi që fillon nga mbyllja e kufijve, qarkullimit, shkollave, bareve, deri tek izolimi individual, si dhe distanca sociale e kudoshme.

Tani thirrja për ngujim është bërë edhe nga ata zërat cilët menduan se do t’i shpallnin luftë pa luftë koronavirusit! Kanë shpallur një armik të “padukshëm”, që nuk duhet t’i zinte në befasi siç ndodhi.

Krahas viktimave dhe dëmeve për jetët njerëzore, po ndodh edhe diçka tjetër, e cila po vërteton se njerëzit apo edhe udhëheqësit botërorë duhet të jenë të gatshëm medoemos t’i dorëzohen një sistemi të ri ekonomik të shumëpërfolur, siç është edhe ekonomia me bazë zhvillimin e qëndrueshëm. Kjo ekonomi bazohet në shfrytëzimin e ekosistemeve në dobi të shërbimeve njerëzore, por edhe në dobi të tyre (ekosistemeve) njëkohësisht.

Në këtë situatë, vendet e prekura dhe masat e marra izoluese kanë nxjerrë në pah nga matjet se ajri i këtyre vendeve është më i pastër këtë kohë pandemie. Qendra për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e pastër vlerëson se emetimet e karbonit janë ulur në vendet e prekura nga koronavirusi. Masat e marra ndaj pandemisë, edhe pse është një kohë e shkurtër e zbatimit të tyre, tregojnë një efekt pozitiv në emetimet e karbonit. Për shembull, sipas profesorit Marshall Burke, mijëra jetë mund të shpëtojnë nga ulja e ndotjes në këto dy muaj në Kinë. Ndërkohë në Tiranë, sipas një studimi të kryer nga Instituti “Co-Plan”, ndotja e ajrit është ulur me 33%.

Sa e sa kongrese dhe konferenca botërore janë mbajtur – me shkencëtarë, inxhinierë, sipërmarrës, departamente inxhinierike, aktivistë, studentë etj. – në lidhje me marrëdhëniet e njeriut me ekosistemin, ndryshimet klimatike dhe sigurimin e ekonomisë së qëndrueshme.

Nga SHBA kanë ardhur gjithnjë luhatje permanente dhe qëndrime armiqësore ndaj investimeve që ndalojnë ndotjen apo ndryshimin e sistemit produktiv dhe energjetik. Trump-i arriti deri aty sa të deklaronte se ndryshimi klimatik nuk varet nga aktiviteti njerëzor, sido që ta kemi ndërtuar ekonominë dhe marrëdhënien me natyrën. Me këtë frazë Trump-i u referohej zhdukjeve masive të epokave gjeologjike. Askush nuk i mohon zhdukjet e epokave gjeologjike, as periudhat e tyre që kanë ndërmjet një interval që varion nga 150-450 (mos më shumë) milionë vite. Njeriu është specie e re në krahasim me kohëzgjatjen e këtyre intervaleve. Në lidhje me këtë, shkencëtarët gjithnjë kanë paralajmëruar se zhdukjet do të jenë në intervale shumë të shpejta nëse njeriu vazhdon ose përparon akoma me këtë lloj sistemi të shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe energjisë fosile.

Masa të tilla si ndalimi i trafikut, energjia e pastër etj. (efekte të karantimit të sotmëm) janë kërkuar prej kohësh pasi Toka po përballet me një “virus” më të rrezikshëm dhe më katastrofik: ndryshimet klimatike. Kërcënimi nga koronavirusi është i përkohshëm, ndërsa kërcënimi nga stuhitë, përmbytjet, nxehtësia etj. është permanent dhe në rritje.

Mënyra se si do t’i përgjigjen shoqëritë dhe qeveritë kësaj krize pandemike, do të vendosë edhe fatin e krizës klimatike. Kjo varet mbi të gjitha mbi planet ekonomike stimuluese të cilat do të vendosin shina të reja ose jo në formën ekonomike të jetës në planet.

Sot ndotjet urbane, urbanizimi (modelet e urbanizimit) janë faktorët që ndikojnë në rritje temperaturash, ndotje të ajrit, si dhe ndotje zinxhir të ekosistemeve. Të tilla probleme kanë (jo pak) ndikim edhe në ekonomi, që për t’u përballuar kërkojnë ndryshime të modeleve zhvillimore shkatërrimtare për klimën.

Sot në planet mund të flitet qartë dhe pa mëdyshje për biomën njerëzore e cila, për sa i përket ndikimeve dhe kufizimeve në Tokë, është e pakufishme në të katër anët e saj. Oqeane, dete, pyje, shkretëtira, akullnaja etj. janë në ndikimin konsumativ, energjetik dhe ndotës të njeriut. E gjithë bioma njerëzore është e shtrirë në Tokë tamam si një pandemi, nga më vdekjeprurëset.

Megjithatë, sipas ekspertëve, pritet që masat që po merren ndaj koronavirusit të kenë efekt psikologjik dhe të sjellin ndryshime në praktikat shoqërore, si për shembull në konsum energjie, në intensitetin dhe formën e udhëtimeve etj, pavarësisht se ndoshta të pasurit nuk do të preferonin udhëtime të gjata për luks evenimentesh. Ndryshimet në mënyrën e konsumit ushqimor dhe energjetik, ndryshimet dhe rregullat e lëvizjes së masave shoqërore, të lubrifikuar me masa ekonomike racionale do të ulnin ndotjen urbane, emetimet e karbonit etj.

Masat e marra, edhe në Shqipëri, kundër koronavirusit tregojnë qartë se ndryshimet në zakonet e individëve varen më shumë nga strukturat që formojnë jetën tonë. Këto ndërhyrje nuk duhet të prekin vetëm sjelljen e qytetarit, por edhe të ndërmarrjeve, institucioneve apo niveleve të ndryshme të punëdhënies dhe shfrytëzimit. Çka do t’i jepte fund një realiteti sa problematik aq edhe absurd, të një vendi që, ndonëse nuk gëzon industri masive të prodhimit, ka ndotje të lartë të ajrit në qytete, sidomos Tirana, për shkak të ndërtimeve pa kriter, automjeteve private, varfërisë së sistemit të transportit publik dhe cilësisë së keqe të naftës. (Interesant është fakti që këto javë konsumi dhe çmimi i naftës kanë rënë ndjeshëm, duke përmirësuar parametrat mjedisore.) 

Duhet të mendojmë kapitalet e gjelbra, një hap i madh për njerëzimin, mjedisin dhe klimën. Kryeministri i Republikës Çeke, duke iu referuar masave dhe kostove kundër pandemisë, deklaroi se Marrëveshja e Gjelbër Evropiane (një paketë e re politike që i detyron vendet anëtare të BE të lëshojnë zero emetime deri në 2050), duhet lënë e patrazuar.

Që ekonomia e gjelbër të funksionojë, është i nevojshëm edhe një ndryshim radikal në sektorin punës. P.sh. duhet të rishikohet orari i punës mbarëbotërisht, çka do të sillte uljen e orëve të punës për javë. Ky kriter do të përbënte një hap gjigand ndaj emetimeve (por edhe të drejtave të punëtorit). Po ashtu, për të pakësuar ndotjen duhet të mbështetet fuqishëm transporti publik, duke e nxitur përdorimin e tij përmes uljes së çmimit të biletës.  .

Përfundimisht mënyra aktuale e shfrytëzimit të ekosistemeve dhe pasurive tokësore dëmton rëndë jetën dhe ekonomitë. Armiku i fshehtë apo miku i fshehtë na pëshpërit se nuk mjaftojnë ndryshimet e zakoneve konsumuese individuale. Nevojitet një strukturim i ri i marrëdhënieve ekonomiko-shoqërore, që mundëson plotësimin e nevojave shoqërore në përputhje me ekuilibrat klimatike.

Imazhi: Sarah Grillo/Axios

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.