Mbi protestën e 7 korrikut

/Redi Muçi/

Në eksperiencën relativisht të shkurtër të pluralizmit politik dhe të së drejtës për të protestuar, populli shqiptar ka ndjekur një rrugëtim plot kthesa e tatëpjeta, për të arritur në ditët të sotme në aksiomën e disave që thonë: Nuk ka rëndësi se kush e thërret protestën, në protestë duhet marrë pjesë nëse është kauzë e drejtë. Vlen të vëmë në pikëpyetje vlefshmërinë e saj, teksa hedhim një vështrim mbi eksperiencën tonë 30-vjeçare të të protestuarit.

Në fillim ishin “mitingjet”. Fjala miting, që vjen nga anglishtja “meeting” dhe që do thotë takim, ngelet ende enigmë se si u kuturis në fjalorin politik të fillimviteve ’90 për të marrë atë kuptim që mori, meqenëse në gjuhën angleze përdoren fjalë të tjera, si p.sh. “political rally” – e disi më rrallë termi “demonstration” – për të shprehur idenë e një tubimi partiak ku lideri mban fjalim përpara elektoratit të vet. Ndoshta ishte Ryerson-i që i propozoi Berishës një takim (meeting) me mbështetësit, e që u përshkallëzua papritmas në ato përmasa gjigande që jemi mësuar të shohim në kronikat e medieve të huaja. Ndoshta ishte pjellë e mendjes gjeniale të Berishës, niveli anglishtfolës i të cilit 20 vjet më pas ngelej në “dhis iz ë mirëkëll o fridëm”.

Sido qoftë e vërteta, mitingjet e atyre viteve ishin më shumë sesa tubime partiake; ato përbënin mekanizmin për shfryrjen e të gjithë mllefit të akumuluar të popullit shqiptar ndaj sistemit diktatorial 40-vjeçar që sapo ishte gjunjëzuar. Partia Demokratike në atë moment – me në krye Berishën – sendërtonte shpresën e popullit shqiptar për arritjen e dy aspiratave që do të sillnin ndryshime rrënjësore në shoqërinë tonë: lirinë dhe demokracinë.

Kjo shpresë shumë shpejt u venit kur Sali Berisha vazhdoi në hapat e partisë që e kishte pjellë duke burgosur liderin e opozitës, duke i vënë zjarrin selisë së gazetës që kritikonte qeverisjen e tij e duke shtruar në dru deputetët e opozitës që kishin dalë të protestonin. Por vdekja e shpresës për liri e demokraci, në trurin e shqiptare, i la vend iluzionit për pasurimin e shpejtë duke ia besuar paratë biznesmenëve të rinj që polli kapitalizmi ynë rural.

Kështu mitingjet partiake shumë shpejt u transformuan në protesta spontane e të dhunshme të popullit që kishte humbur ato pak kursime të vëna në emigracion nëpër firma ‘piramidale’ të ngritura me bekimin e qeverisë Berisha, amerikanëve dhe vetë institucioneve më prestigjioze ndërkombëtare të financave, duke u kuturisur në makthin e ’97. Fjalimi i famshëm i Fatos Nanos nga Vlora – pas daljes së tij nga burgu – ku zotohej se do rikthehej një për një çdo lek i humbur në këto firma, ishte njëkohësisht fjala që donte të dëgjonte çdo shqiptar që kërkonte një sens drejtësie dhe shpagimi ndaj asaj që kishte ndodhur.

Është e tepërt të thuash se jo vetëm paratë u humbura të popullit nuk u kthyen, por Fatosi – së bashku me klanin Muçi-Naçi-Baçi – ngritën monopolet e para ekonomike në Shqipëri. Aktiviteti ekonomik në ato 8 vjet u përqendrua në aq pak duar, saqë shqiptarët e rikthyen në pushtet Sali Berishën – atë të drurit, zjarrit dhe piramidave – vetëm që të hiqnin qafe shpurën eNanos.

Berisha u rikthye me parullën “me duar të pastra”, duar të cilat kishin përveshur mëngët deri lart për të kapur të gjitha pushtetet – nga gjyqësori e deri te FSHF-ja – e për t’u zhytur në korrupsionin që solli revoltën e 21 janarit të vitit 2011. Edhe kjo ishte një protestë e thirrur nga kryetari i opozitës – në këtë rast Edi Rama – por tek e cila nyjëtohej revolta ndaj të njëjtës kastë politike që e kishte zhvatur popullin dhe që tanimë e kishte të dokumentuar edhe korrupsionin e patericës pushtetore të Berishës, Ilir Metës.

Ngjarjet e 21 janarit dëshmuan jo vetëm se deri ku mund të arrijë makutëria e paskrupullt e Sali Berishës për pushtet, por edhe burracakërinë e Edi Ramës – në mënyrën si e braktisi popullin para plumbave, aktrimin e pështirë të përkujtimoreve në vitet kur erdhi në pushtet e deri te kandidimi si kryetar bashkie i një prej ekzekutorëve të asaj ngjarjeje tragjike.

Pra mund të themi se pika përbashkuese e protestave në 20-vjeçarin e parë të pluralizmit në vendit tonë është kjo: identifikimi i protestave që evokonin vullnetit popullor me një figurë politike – zakonisht në opozitë dhe me pretendimin se ishte relativisht e papërlyer – që më pas e tradhtonte katërçipërisht kauzën popullore duke e përshkallëzuar e thelluar edhe më tej padrejtësinë.

Me protestën kundër armëve kimike në vitin 2013, në ndërgjegjen kolektive duket se shfaqet për herë të parë vetëdijesimi se kauzat e protestave lindin nga populli dhe i përkasin popullit. Rrjedhimisht, përzierja nëpër to e figurave të diskredituara partiake për përfitime politike jo vetëm që ngjall shpresa të rreme kur kauza reflektohet mbi këto figura, por ca më keq e çlegjitimon vetë kauzën duke e kanalizuar atë në dikotominë e rreme PD-PS (LSI) të ngritur me kaq shumë mund nga kasta politike në gjithë këto vjet.

Protesta e 2013 solli edhe një risi tjetër: thyerjen e mitit se partneri ynë strategjik mund ta trajtonte Shqipërinë si nevojtoren e mbetjeve nga luftërat që zhvillonte në rajon. Nga thyerja e këtij miti nuk mund të thuhet se nuk ka përfituar edhe Sali Berisha, që sot e kësaj dite po sfidon shpalljen e tij familjarisht si persona non grata – duke ngjallur në popull jo pak admirim, për të qenë të sinqertë deri në fund. Sidoqoftë, kjo protestë do mbahet mend si kauza e parë e fituar nga poshtë pasi figurat politike ishin zbuar më parë me ceremoni nga sheshi.

Pas protestës kundër armëve kimike, jo pak herë krerët e PD në opozitë janë përpjekur të infiltrojnë nëpër kauzat sociale; që nga protesta kundër betonizimit të Parkut të Liqenit, e deri te protestat që Lëvizja Për Universitetin ka organizuar prej 2014-ës e në vazhdim. Megjithatë, për shkak të ndërgjegjësimit të studentëve, këto përpjekje duhet thënë se kanë dështuar me sukses. Madje aq qartë kumboi zëri i studentëve në protestën madhështore të 2018-ës për të mos lejuar përlyerjen e partive politike në atë kauzë, saqë vetë Lulzim Basha e Monika Kryemadhi dolën për të “bërë thirrje” për atë që tashmë ishte realiteti i imponuar nga poshtë.

Përmasat e protestës studentore, shoqëruar me ruajtjen e kauzës të papërlyer, nga njëra anë e trandën fuqishëm kolltukun ku rri ulur Edi Rama. Këtu mund të kujtojmë daljet e tij mediatike me fytin e tharë, fytyrën e zverdhur, duke belbëzuar fraza pa shumë kuptim logjik, përpara një audience të sajuar nga forumi rinor i PS që ishte vënë në rolin e “studentëve”. Nga ana tjetër, megjithatë, për vetë aspiratat që kjo protestë ngjalli në popull, ishte e pamundur që të përmbushte misionin e saj, pasi në ato rrethana mision i përmbushur mund të konsiderohej vetëm rrëzimi nga pushteti i Ramës. Shumëkush sot nxiton që ta cilësojë si të dështuar atë protestë, studentët si të gënjyer dhe Ramën si fitimtar. Shumëkush, ama, gabohet. Ajo protestë, edhe pse nuk e përmbysi Ramën nga kolltuku, i nguli gozhdën e fundit arkivolit të reformës privatizuese në arsimin e lartë, zbatimi i së cilës do të kishte sjellë pasoja shkatërrimtare për arsimin që sot vetëm sa mund t’i imagjinojmë. Kjo nuk do të thotë se Rama nuk po punon që ta nxjerrë atë edhe një herë nga varri ku e futën studentët e Dhjetorit 2018.

Kështu, në rrugëtimin e dhjetëvjeçarit të fundit mund të themi se kolektivisht kemi bërë hapa para në ndërgjegjësimin tonë si shoqëri – sigurisht, me disa lemza të vogla rrugës, si ajo e shpalljes së Lulzim Bashës “kalorës mbrojtës i kauzës së Teatrit”, për të cilën kam shkruar më herët këtu. Atëherë, ku na lë parashtrimi i ngjarjeve të mësipërme në raport me protestën e 7 korrikut dhe pretendimin e ngritur në fillim të këtij artikulli: nuk ka rëndësi se kush e thërret protestën, në protestë duhet marrë pjesë nëse është kauzë e drejtë?

Do të doja që për analogji, atyre që e patën durimin të lexonin deri këtu, t’u rikujtoja protestën e thirrur nga Erion Veliaj në vitin 2014 kundër lejes së ndërtimit të 5 kullave poshtë digës së Liqenit Artificial (leje e dhënë fillimisht nga Lulzim Basha). S’do mend se edhe ajo ishte një kauzë e drejtë, por jo më kot sot Erioni njihet si Lal Betoni.

Unë nuk mendoj se tanimë Sali Berisha – pas 30 vjetësh, thuajse gjysmën e të cilave në pushtet –  mund të ngjallë ndonjë aspiratë te populli shqiptar. Ai nuk ka as këllqet e as forcën që seriozisht të kërcënojë regjimin e ngritur nga Edi Rama. Berisha është një kapitull i mbyllur në politikën shqiptare, i cili me thonj po përpiqet të shpëtojë kokën dhe familjen e tij. Në këtë përpjekje të plakut 77-vjeçar, sikur të mos ishte për të shkuarën e tij të përgjakur, mund të ngjallej te dikush edhe ndonjë grimë simpatie. Por unë nuk e besoj këtë. Në vapën përvëluese të korrikut, për moshat e thyera mjekët sugjerojnë hidratimin.

Imazhi: Platon Photo

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.