Edi Rama dhe hajdutët e tij nuk dinë as sa prapanica e bujqve dhe blegtorëve

/Xhuliano Bregasi/

Rrëfejnë një histori të ndodhur në fillimet e regjimit të shkuar. Bujqësia, si çdo aspekt tjetër, ishte krejtësisht e prapambetur. Arsimi po ashtu. Prandaj sistemi dërgonte të rinj për t’u arsimuar e specializuar në vendet e bllokut lindor që gjithsesi ishin ku e ku më përpara nesh. Pasi ktheheshin nga studimet, specialistët e rinj duhet të përballeshin jo vetëm me mungesën e teknologjisë dhe infrastrukturës, por edhe me mungesën e besimit dhe paragjykimet. Nga njëra anë ishte përvoja shekullore e forcës së krahut, në anën tjetër risia që supozohej të sillte shkenca. A u duhej besuar ca rioshëve duke rrezikuar dështimin, apo duhej vazhduar si qëmotit duke i besuar përvojës, sado e prapambetur ajo? Kësaj pyetjeje mund t’i jepte përgjigje vetëm praktika. Ndaj u vendos të bëhej një eksperiment, të cilin e ndiqte personalisht një drejtues i lartë i partisë dhe sistemit. Zgjodhën një fshat dhe ndanë një parcelë përgjysmë. Njëra anë do mbillej sipas shkencës dhe ekspertëve, ndërsa tjetra sipas përvojës së një plaku. Ekspertët vendosën ta mbillnin misrin më herët, duke u bazuar te lloji i tokës, lartësia mbi nivelin e detit, periudha kohore më e përshtatshme sipas literaturës etj. Ndërsa plaku vendosi të priste akoma, se përvoja e kishte mësuar ndryshe. Për të kuptuar se kur ishte momenti më i përshtatshëm për të hedhur farën e misrit, plaku ulte poturret dhe afronte prapanicën pranë tokës për të “matur” temperaturën. Në anën e tij të parcelës, misrin e mbolli kur gjykoi se toka ishte ngrohur mjaftueshëm. Kur erdhi koha për të vjelë prodhimin, nga ana e parcelës së plakut misri “ishte bërë det”, ndërsa nga ana e shkencës shumë më dobët. I tërbuar nga ky rezultat, i deleguari nga lart iu hakërrye kuadrove të shkolluar: “mor edepsëzë! Ju kemi shkolluar për vite të tërë për këtë punë e ju nuk paskeni mësuar as sa prapanica e një plaku!”. Për të dalë te thelbi i muhabetit! Bujqësia dhe blegtoria në këtë vend kanë marrë tatëpjetën prej kohësh, por tani pasojat kanë nisur të shfaqen në mënyrë edhe më dramatike. Prodhim i mbetur rrugëve ose i hedhur përrenjve, toka të lëna djerrë, tufa bagëtish të prishura. Në 5 vitet e fundit në këtë vend është rritur vetëm numri i pulave. Pothuajse për gjithë të tjerat numri nuk është në rënie, por në pikiadë! Ndërkohë në foltoren e Parlamentit dhurojnë spektakël Edi Rama dhe dy palët e hajdutëve të tij, ata me poste qeveritare dhe ata pa poste qeveritare. U japin mend bujqve e blegtorëve sesi të mbjellin, se çfarë të mbjellin, sesi t’i ruajnë bagëtitë, sesi t’i mjelin, sesi t’i qethin e… sesi të dalin si rruar qethur në fund të ditës! Ndryshe nga ekspertët e përmendur në rrëfenjën më sipër, këta të Edi Ramës nuk ia kanë fare haberin “se nga lidhet gomari”, as i bujqësisë e as i blegtorisë. Këta janë ekspertë dhe specialistë vetëm për të vjedhur e për të rrjepur ç’të munden! Bujku dhe blegtori sot nuk ka nevojë fare që t’i japin mend, aq më pak të tillët! Fshati sot në Shqipëri ka nevojë për infrastrukturë, për mbështetje financiare dhe për treg! Rrugët e fshatrave, sidomos të atyre më të largët dhe më lart, janë katandisur për t’u kthyer prapë te mushkat. Ama me mushka nuk konkurrohen dot as autobotët me qumësht që vijnë nga Serbia, as tonelat e mollëve që vijnë nga Maqedonia, as kontenierët e mishit kushedisesavjeçar që vjen nga Brazili! Madje madje, me mushka nuk të vjen më as nusja në fshat (në pastë ngelur ende ndonjë nuse a ndonjë dhëndërr). Prandaj të gjithë janë duke e lënë bujqësinë, blegtorinë, fshatin, qytetin dhe çdo gjë që i lidh me këtë vend. Dhe nuk kanë për t’i mbajtur përrallat e hajdutëve dhe shkaktarëve të kësaj situate – as zgurdullimet e Edi Ramës, as digjitalizimi i ballukeve sipas Frida Krifcës, as qurravitjet e Erion Braçes – por vetëm organizimi dhe reagimi për të shpëtuar atë pak çka mund të ketë ngelur dhe për të mbajtur ata pak njerëz që nuk kanë bërë ende valixhet gati.

Imazhi: Autori

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.