Shqipëria si trampolinë për në Evropë dhe ne që na kanë hedhur në gropë

/Xhuliano Bregasi/

“Shqipëria si trampolinë për në Evropë” – me këtë titull lajmesh u gdhiva dje. Fliste për punëtorët e “importuar” nga vendet më të varfra të Azisë dhe Afrikës, të cilët Shqipërinë e kanë parë si vend tranzit për të kaluar në vendet e Evropës.

Mu faneps komedia e mirënjohur “8 persona plus”, e cila trajton një nga fenomenet më të përhapur veçanërisht në Shqipërinë e viteve ’90. Në një kohë që ishte thuajse e pamundur për t’u pajisur me dokumente të rregullta dhe ilegaliteti ishte e vetmja mënyrë për të dalë jashtë vendit, shumë njerëz përpiqeshin të shpiknin manovra nga më të çuditshmet për të nxjerrë fëmijët jashtë shtetit. Iu qepeshin “me bukë në torbë” anëtarëve të trupave diplomatikë, grupeve artistike apo ndonjë prej të huajve të rrallë që vinin këtej asokohe.

Në komedinë në fjalë prindërit e vajzës – që ka njëfarë talenti në muzikë – shpresojnë te llafet për një kompozitor të huaj që i është vardisur të bijës, të cilin e shohin si “trampolinën” për në Evropë. Si përfundim, kompozitori i famshëm doli të ishte “kalalli” nga Berati dhe ëndrra evropiane mori fund. E kundërta ka ndodhur me punëtorët e “importit”.

Duke i shfrytëzuar, keqpaguar, keqtrajtuar, shtypur e poshtëruar për më shumë se tridhjetë vjet me radhë punëtorët shqiptarë, agallarët tanë të rinj mendonin se kjo situatë nuk do të ndryshonte kurrë. “Skllevërit” nuk do të reagonin, por do të vazhdonin të ulnin kokën. Në vite e dekada punëtorët shqiptarë, për fat të keq, nuk arritën të organizoheshin dhe të reagonin siç do duhej për të drejtat e tyre; ama vazhdimisht zgjodhën ta braktisnin këtë realitet shoqëror dramatik.

Kur largimet u bënë më masive nga sa ua kishte marrë mendja gjenive të korrupsionit dhe pasurimit kriminal, menduan se e kishin edhe një as nën mëngë: punëtorët nga vendet më të varfra të Azisë dhe Afrikës. Shpresuan se më të mjerë se në vendet e tyre të origjinës, nuk mund të ishin askund. Në Shqipëri nuk do të dinin as gjuhën për t’u ankuar (siç i porosit herë pas here Edi Rama pronarët), as mundësi për të kërkuar më shumë nga thërrimet që do iu jepnin dhe as të ktheheshin andej nga kishin ardhur. Pra, do ishin në kurthin ideal për t’u shndërruar në skllevër të pasanikëve tanë.

Por ja që kishte një vend ku këta punëtorë mund të ishin akoma më të mjerë se në vendet e tyre të origjinës: Shqipëria. Me paga 200, 250 apo 300 mijë lekëshe, jo nga Pakistani, Burundi e Xhibuti të kesh ardhur, po edhe sikur nga getoja më e varfër e botës të jesh nisur, prapë nuk mundesh të mbijetosh. As sikur bukë thatë të hash, në një vend që duhet të paguash shumë shtrenjtë për gjithçka e në këmbim të marrësh hiçmosgjë.

Këta punëtorë të shumëvuajtur dhe të përballur me vështirësi të paimagjinueshme në vendet prej nga vinin, u treguan shumë më të zgjuar se këta birbot tanë pasanikë. Zgjodhën ta përdornin Shqipërinë tamam si trampolinë për t’u hedhur në vendet më të zhvilluara. Nëse do të niseshin si emigrantë ilegalë që nga Xhibuti, për shembull, mundësitë më të mëdha do të ishin të vdisnin maleve, t’i mbytnin rojet bregdetare të Evropës apo t’i kthenin pas bash në kufirin e fundit.

Me viza pune në Shqipëri dhe si emigrantë të ligjshëm, të paktën deri në kufirin e Malit të Zi mund të arrinin si zotërinj dhe pa kokëçarje. Pastaj, matanë, të bëhej ç’të bëhej, më të keqen do ta kishin kaluar. Të shfrytëzuar e nëpërkëmbur prapëseprapë, por jo deri në kotheren e bukës.

Kështu dolën fiasko matrapazët “tanë” me zgjidhjen e tyre gjeniale. Të paktën, padashur, bënë një të mirë pikërisht për ata që donin t’i importonin si qëmotit nëpër anije skllevërish…

Tani le të kthehemi pak te mungesa e fuqisë punëtore në vend. Ky është kryelajmi prej muajsh, përkundër përrallës me të cilën na kanë vënë në gjumë gjithë këta vjet: “Punë ka, por nuk ka profesionistë.” Punëtorët tanë paskan qenë të pakualifikuar për tregun e superkualifikuar të Edi Ramës, por janë sistemuar e vazhdojnë të sistemohen për bukuri nëpër tregje të prapambetur si ai gjerman(!) Ç’mëkat që kapitalizmi botëror nuk drejtohet nga Edi Rama dhe Arben Ahmetaj!

Në Shqipëri punëtorë ka pasur sa të duash, gjithmonë. Mor po edhe të kualifikuar. Kemi më shumë se 30 vjet që shërbejmë si krah pune për vendet më të zhvilluara, por edhe me specialistë e profesionistë të shpërndarë gjithandej.

Në Shqipërinë e Edi Ramës ka qenë pikërisht puna ajo që ka munguar. Ose, kur nuk ka munguar, ka qenë me kushte poshtëruese dhe skllavëruese. Prandaj punëtorët dhe profesionistët kanë zgjedhur ta braktisin këtë vend.

Tani le t’i marrin Edi Rama dhe tabori i tij të hajdutëve stetoskopët e mjekëve dhe infermierëve, tabakatë e kamerierëve, martelët e minatorëve, gjilpërat e rrobaqepëseve, tiganët e kuzhinierëve, mistritë e muratorëve, kërrabat e çobanëve etj. etj., si profesionistë të gjithçkaje që janë.

Në fakt, këta nuk janë profesionistë të asgjëje, por shkatërrues të gjithçkaje në këtë vend: të së tashmes, të së ardhmes dhe të shpresës. Si të tillë duhen përzënë një orë e më parë. Kjo është e vetmja mënyrë për të mbajtur njerëzit e thjeshtë, të rinjtë, punëtorët dhe profesionistët që nuk kanë ikur ende.

Imazhi: Jacob Lawrence

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.